30-VJETORI I VIZITËS SË PARË TË DR. IBRAHIM RUGOVËS NË WASHINGTON DHE 13-VJETORI I KALIMIT TË TIJ NË AMSHIM

1
733

Foto ekskluzive nga vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Washington

Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr Engjëll Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, të shtetit Virginia, jo larg Washingtonit (1989) ku miqët e dashur kaluan dy netë e tre ditë, të shoqëruar nga aktivisti i komunitetit, Z. Simon Simolacaj. Mysafirët e lartë nga Kosova erdhën për herë të parë për vizitë në Washington pasi kishin marrë pjesë në seminarin e organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.

Nga Frank Shkreli

Disa ditë pas përfundimit të seminarit në Universitetin e njohur Fordham, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjell Sedaj erdhën me një mik timin, Zotin Simon Simolacaj të më vizitonin në Washington. Në atë kohë, unë punoja si Këshilltar i Programeve radiofonike drejtuar botës komuniste në Drejtorinë Evropiane të Zërit të Amerikës.

Dr. Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989. Ishte kjo vizita e parë dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington, por jo e fundit.

Në atë kohë, unë nuk i njihja dhe as nuk dija shumë as per Dr. Rugovën as per Dr. Sedajn, perveç faktit se ishin dy intelektualç tç dalluar nga Kosova, tç ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare nç New York për të folur me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit. Por e prita mirë vizitën e tyre pasi, pa dyshim, ishte një privilegj për të patur në shtepinë tonë dy mysafirë të tillë, të nderuar. Për më tepër, vizita e tyre bëri të mundur për të biseduar me dy intelektualë të kalibrit të tyre, mbi gjendjen e atëherëshme në Kosovë, pasi megjithëse punoja në qënder të informatcionit dhe lajmeve ndërkombëtare, lajmet nga Kosova ishin të pakëta dhe ato që na vinin në redaksi ishin pothuaj, pa përjashtim, të ngjyrosura nga propaganda serbe, e cila ia paraqiste botës çeshtjen shqiptare në Kosovë si donte vetë dhe bota fatkeqësisht e besonte.

Zëri i shqiptarëve në Kosovë nuk ndëgjohej dhe bota e jashtëme nuk ishte aspak në dijeni të vuajtjeve e torturave që diktatura serbe bënte mbi popullësinë shqiptare në atë krahinë. Ishte jetike që të krijohej një kundër-balancë, por edhe të zbuloheshin shpifjet e Beogradit dhe të njoftohej bota, e sidomos Washingtoni rreth instalimit të një regjimi diktatorial dhe terrorist, policor e ushtarak serb në Kosovë, që si objektiv kryesor kishte zbatimin e planit për cfarosjen e shqiptarëve nga Dardania antike.

Në një moment miqësor me vizitorët e nderuar nga Kosova në Washington, 1989

Kanë kaluar 30-vjetë, por me kënaqësi e kujtoj këtë vizitë dhe bisedat e paharrueshme me miqtë nga Kosova, të cilët megjithse nuk i kisha njohur më parë, na shkoi biseda si është më mirë dhe sikur të kishim qenë miq të vjetër, megjithse isha pak më i ri nga mosha. Pa ditur se si do shkonin punët në Kosovë dhe për atë vetë si person dhe politikan i ardhëshëm i Kosovës, pasi në atë kohë ishte vetëm Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, më kujtohet se shqetësimi i tij kryesor ishte nevoja për sensibilizimin e çështjes shqiptare në arenen ndërkombëtare, në përgjithësi, por sidomos në Washington.

Si studjues i mirë i historisë dhe si atdhetar i vërtetë që ishte – ai i dallonte mirë miqët nga armiqët e Kombit shqiptar. Megjithse ishte vizita e parë e tij në Washington dhe në Shtetet e Bashkuara, Dr. Rugova ishte bindur në mendjen e tij se Kosova dhe shqiptarët — në Shtetet e Bashkuara dhe në Washingtonin zyrtar, do të gjenin mikun dhe përkrahsin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç ka ndodhur c’prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Wilson e këtej.

Në mendimin tim, vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Nju Jork dhe në Washington – sigurisht pa e ditur as ai vet këtë gjë në atë kohë — mund të konsiderohet si fillimi i diplomacisë moderne të Kosoves, ose si fillimi i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Koha e tregoi se Dr. Rugova u këthye në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i frymëzuar dhe me një ndjenjë misioni personal, megjithëse disa kritikë e ndoshta edhe disa miqë të tij mund të thonë se i hyri kësaj fushe, me një mungesë dëshire për t’u marrë me politikë.

Historia e mëvonshme tregoi se megjithë të metat që mund të kishte si njeri dhe si udhëheqës, që kundërshtarët e tij, pa hesitim ia venin në dukje vazhdimisht, jo vetem Kosova, por i mbarë Kombi shqiptar tashti kishte një zëdhenës ndryshe dhe si asnjëherë më parë. Sidomos Kosova, megjithse në rrethana shumë të vështira, tashti kishte një zë të urtë që dëgjohej dhe respektohej nga të gjithë bashkbiseduesit e tij ndërkombëtarë.

Ishte një zë që fliste për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre, për liri dhe demokraci për popullin e vet dhe si asnjë përfaqsues tjetër i Kombit shqiptar, siç ka thënë edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton, Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare në një mënyrë të kuptueshme — nga pikëpamja historike dhe njerëzore, sidomos për të huajt.

Si askush tjetër – para tij ose pas tij — Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të Kombit shqiptar dhe bota filloi ta ndëgjonte dhe më në fund filloi të interesohej për tragjedinë dhe krimet që regjimi kriminal i Serbisë po bënte në Kosovë, me qëllim zhdukjen e racës shqiptare nga trojet e veta mijëvjeçare.

Foto e fundit e autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, në zyrën e tij në Prishtinë, 2005

Në këtë 30-vjetor të vizitës së tij të parë në Washington, deshta vetëm të shënoj dhe të ndajë me miqtë e mi disa mbresa, shkurtimisht — por për mua të paharrueshme — nga vizita dy-tri ditëshe e Dr. Rugovës në shtëpinë tonë në Washinngton me 1989 dhe arsyet se pse jam përpjekur ta përkrahi gjatë viteve. Ajo vizitë nuk më harrohet mua as familjes time dhe njohuria ime me të, gjatë asaj vizite, çoi në një miqësi shumë vjeçare, deri sa ai ndërroi jetë — dritë i baftë shpirti. Respekti im për Dr. Rugovën e ka zanafillën, pikërisht, në atë vizitë, pasi përshtypjet e mia të para dhe respekti për këte udhëheqës të madh të Kombit shqiptar, sa ka ardhur e rritur gjatë viteve.

Për mua, arsyeja për këte është se, si asnjë udheheqs tjetër shqiptar që unë kam njohur, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Si asnjë tjetër udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar për tu radhitë ndërshmërisht në radhën e kombeve të përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge e sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikes — drejt rrugës së bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar me vendet perëndimore.

E respektova për bindjen e tij se komunizmi ishte rreziku dhe fatëkeqësia më e madhe që i kishte ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e 20-ët dhe për faktin se besonte që Kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindasve të vërtetë. Ibrahim Rugova nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione të qarta për një të ardhme më të mirë të Kombit të vet, duke i dhenë kështu një emër të nderuar dhe të respektuar gjakut shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare. E respektova Dr. Rugovën sepse ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste – as në mendime as në veprime — si shumë nga ata të brezit te tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem ideologjik të huaj.

Duke bërë nderimet e mia para arkivolit të ndjerit President Ibrahim Rugova,
Prishtinë, 21 Janar, 2006

Përkundrazi, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetdijshëm se, natyrisht që, trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për tu përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur nderin emrit shqiptar — një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën sot — sidomos për politikanët e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e 30-vjetorit të vizitës së tij të parë në Washington dhe në 13-vjetorin e kalimit të tij në përjetësi. Për këto ai gëzon respektin tim!

1 KOMENT

  1. Ne kete 30 vjetor …qeveria e Kosoves e udhehequr nga gjojaaaaa ramush haramdini… e refuzoi AMERIKEN… dhe i tha JOOOOOOOOOOOOOO AMERIKES… dhe keshtu e perkujtoi punen, qe Dr. Rugova e beri …

    Ramush, ti je nje rrenc, hajn, bandit …edhe asgje tjer. hajduk

Komentet janë mbyllur.