VOTË (DE)LEGJITIME?!

0
914

AV. XHABIR ZEJNUNI

Pozita gjeografike ka bërë që Italia dhe Shqipëria të jenë dy shtete shumë afër njëri tjetrit. Por, nga ana tjetër për arsye që tashmë dihen, Italia është me shekuj larg Shqipërisë nga ana e zhvillimit historik, kulturor, ekonomik, politik, etj. Sidoqoftë, duhet pohuar fakti i pamohueshëm se Italia dhe Shqipëria kanë pasur gjithmonë një AFINITET të madh kulturor dhe historik.

Kur në vitin 1990 regjimi komunist, u “transformua” në regjim demoNkratik, u krijua mundësia e lëvizjes së “lirë”, e cila u realizua në fillim me hapjen “bujare” të ambasadave të huaja në Tiranë në korrik të vitit 1990 dhe më pas në mars të vitit 1991 me anë të anijeve. Dhe trampolina e parë (e natyrale) e zbarkimit të shqiptarëve, ishte Italia, e cila jua hapi me shumë bujari atyre portat. Disa shqiptarë, nuk arritën apo nuk dëshiruan që të integroheshin në mënyrën e jetesës italiane. Pasojat dihen. Por, ky fakt solli që të paragjykohej shumica dërmuese e shqiptarëve të tjerë, të cilët u integruan plotësisht në atdheun e tyre të dytë, duke ju përshtatur mënyrës së re të jetesës dhe kostumeve sociale. Por, kurrë shqiptarët nuk kanë kërkuar që Italia t’i përshtatej mënyrës së tyre të jetesës (….)!

Duhet pohuar edhe një fakt tjetër, se në ato vite tregu i punës kishte shumë nevojë për krahë pune, i cili u plotësua edhe nga emigrantët shqiptarë. Ardhja e papritur e shqiptarëve (rreth 25 mijë vetë), shkaktoi edhe reagime të ndryshme politike. Ishte Lega Nord e para, që nuk e mirëpriti këtë “invazion”, duke e kundërshtuar me forcë atë, me arsyetimin se Italia duhet të jetë më parë e italianëve, etj. Sot, shqiptarët e viteve 1990 janë integruar plotësisht në Itali me punë dhe kanë krijuar familjet e tyre. Ju kanë lindur edhe fëmijët, të cilët studjojnë dhe punojnë. Po ashtu, shqiptarët janë afruar më shumë me italianët, edhe falë krushqive që kanë lidhur me tyre.

Sipas ligjeve italiane në fuqi, shqiptarët kanë marrë edhe NËNSHTETËSINË ITALIANE, fakt i cili sjell që ata jo vetëm të konsiderohen italianë, por edhe të trajtohen si të tillë. Një ndër të drejtat themelore që ju njihen shqiptarëve të natyralizuar në italianë, është edhe ajo e VOTËS. Dhe kushdo voton për atë formacion politik ku e ndjen se e përfaqëson më mirë atë. Por, nuk do thotë që aspirimet elektorale të realizohen nga politika. Nuk është për t’u çuditur aspak!

Për çudi po diskutohet shumë këto ditë për ata shqiptarë, të cilët kanë “përkrahur, publikuar dhe votuar për politikën ANTIemigrazioniste” të liderit të LEGËS Salvini. Kritika në pamje të parë duket me vend, pasi duket jo logjike që një emigrant (tashmë Italian!) të votojë për atë formacion politik, i cili është kundër emigrantëve. Por, duhet sqaruar fakti se Salvini nuk është kundër emigrantëve me dokumenta të rregullta, por vetëm kundër emigrantëve ilegalë. Nuk duhet të bëjë çudi fakti se pse ju dha më shumë rëndësi premtimeve elektorale të Salvinit për siguri dhe rend publik, dhe u “anashkaluan” premtimet për mirëqenie ekonomike dhe punësim. Pasi një vend nuk mund të përparojë kurrë nga ana ekonomike nëse “çalon” siguria dhe rendi publik.

Nëse dikur shqiptarët niseshin për të emigruar të paorganizuar me anije drejtë Italisë, sot emigrantët afrikanë janë më fatlumë, pasi ata po transportohen me anë të anijeve të financuara nga OJQ-të, të cilat i marrin ata prej brigjeve afrikane (ose afër) dhe i sjellin në Itali! Kooperativave që manaxhojnë emigrantët, ju jepen nga BE-ja 1300 euro për person (….)! Jo keq.

Nëse është “mëkatuar” duke votuar për Salvinin, mos vallë duhej të votohej për të majtën italiane, e cila në zbatim të ideve neo-liberale reformoi (më saktë deformoi!) nenin 18 të Statutit të punëtorëve (Ligji Nr. 300/1970), duke minuar në themel sigurinë e punëtorëve të pushuar arbitrarisht nga punëdhënësit e tyre; shkatërroi tregun e punës duke krijuar papunësi dramatike; i transferoi sovranitetin e Italisë BE-së; destabilizoi Italinë me anë të emigracionit të “kontrolluar” sipas direktivave të “filantropit” Soros?!

Votës së lirë të emigrantëve shqiptaro-italianë, nuk ka pse t’i frikësohet askush. Por, nëse ata do duhen mëshiruar për votën e tyre të lirë, atëherë përveç Zotit askush tjetër më mirë mund ta japë këtë mëshirë.
Amen.