GOLGOTA E MARTIRËVE SHQIPTARË TË KARADAKUT (1846-1848)

0
1412
Zeqirja Rexhepi - pikturë

Isak Ahmeti Isak A H M E T I

Redaktor: Mr. Sarë Gjergji

SHB “LENAGRAFIK”
2021

Dy fjalë në fillim

Ky libërth, lexues i dashur, botohet me rastin e 175 vjetorit të Martirëve Shqiptarë të Malësisë së Karadakut, përkatësisht të Stubllës (vendi më i përshtatshëm për të ardhur në shprehje egërsia osmane), të Binçës, Vernakollës dhe Terzijave.

Ç’është e vërteta, teksti i këtij libërthi është ai i Fejtonit tim me titull: GOLGOTA E MARTIRËVE SHQIPTARË TË KARADAKUT (1846-1848), që është botuar (në vazhdime), te “Zëri” (25-28 shtator 2008), me rastin e 160 vjetorit të martirizimit dhe të kthimit të tyre në Atdhe. Tash, me rastin e 175 vjetorit të kësaj ngjarjeje, që është frymëzim dhe model i një levizjeje të madhe gjithëshqiptare, po e botojmë si libërth të veçantë, me disa ilustrime të veçanta të pikturave murale në Kishën e Binçës, të cilat janë punuar, me shumë mjeshtri dhe përkushtim, nga piktorët e talentuar: Demir Behluli & Zeqirja Zeqiri.

Lexim të këndshëm!


GOLGOTA E MARTIRËVE SHQIPTART TË KARADAKUT
(1846 -1848)

(Në Malësinë e Karadakut, trevë gjeografike mjaft e gjerë, ndërmjet Bujanovcit, Preshevës e Kumanovës në verilindje, Gilanit e Vitisë në veripërendim dhe Kaçanikut e Shkupit jugpërendim, me popullsi kryesisht të besimit mysliman dhe katolik, autoktonë, gjatë shekujve, veçanërisht në shek. XIX-XX, kanë ndodhur ngjarje sa dramatike, tronditëse aq edhe heroike, që i kanë dhënë kuptim e domethënie të plotë historisë dhe jetës sonë kombëtare).

I

NJË FRYMËZIM E MODEL I NJË LEVIZJEJE TË MADHE GJITHËSHQIPTARE

(Viti 2008, në Malësinë e Karadakut, përkatësisht në Famullinë e Shën Jozefit në Stubëll, ishte i një rëndësie të veçantë historike, kulturore dhe fetare edhe për faktin se u përkujtua jo vetëm GOLGOTA E MARTIRËVE SHQIPTARË TË KARADAKUT(1846-1848), por edhe kthimi i të mbijetuarëve, para 160 viteve, n’Atdhe. Vdekja tragjike nga torturat e më shumë se njëqind martirëve dhe kthimi n’Atdhe, i 76 martirëve të mbijetuar nga torturat e egra, vlerësohet si ngjarje dramatike, shumë e rëndësishme në historinë tonë që, sipas shumë studiuesve, lidhet sa për shqiptarët e fesë katolike të këtyre anëve aq edhe për Shkollën Shqipe të Stubllës, e me të cilën ngjarje, siç dihet tashmë, ishin marrë seriozisht edhe ambasadorët e Fuqive të Mëdha të Austro-Hungarisë, Anglisë dhe Francës.

Kjo ngjarje që është vlerësuar dhe karakterizuar si dramë reale, si dramë reale historike e zhvilluar në “teatrin” e Evropës dhe të Azisë, përmban plot elemente të tragjizmit dhe heroizmit – një heroizëm gjithsesi popullor, frymëzim e model i një levizjeje të madhe gjithëshqiptare e gjithëballkanike kundër mizorisë aziatike, fillet e të cilës levizje do t’i gjejmë që në shek.XV-XVI-XVII në krye me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, Pjetër Budin, Pjetër Bogdanin, Tomë Raspasanin, etj.).

1. Ngjarje e shënuar denjësisht në histori, në letërsi dhe arte

Martirizimi i banorëve të katër katundeve të Malësisë së Karadakut (Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terzijajve për “Atme e Fe”, si do thoshte Homeri Shqiptar, At Gjergj Fishta, është ngjarje e madhe që është shënuar denjësisht në histori: H. Hecequard, Hahn, Jastrebov, G. Rosen, V. Haxhiq, U. Bogdanoviq, Zef Mirdita, G. Gjini, Gj. Gjergji-Gashi, Sadulla Brestovci, etj., në kronika: D. Buccarrreli, Nikollë Mazreku, etj., në letërsi: Fishta, Zef del Gaudio, Ibrahim Kadriu, Anton Nikë Berisha, E. Sedaj, Hida Halimi, Mirko Gashi, etj.

Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se kjo ngjarje ëshë shënuar në qindra dokumente e kronika (në Evropë dhe Azi), që janë hulumtuar, zbuluar (por edhe studiuar me shumë pasion e dituri nga Dr. Dom Gjergj Gjergji-Gashi) në arkivat ndërkombëtare në: Vjenë, Paris, Merseburg, Vatikan, Romë, Stamboll, Selanik, Raguzë etj., sikundër edhe në arkivat e Kishës Katolike (shqiptare) në Prizren, Stubëll, Letnicë, etj. Për këto dhe të tjera në vijim të këtij shktimi (Fejtoni), që tash po botohet si libërth.

2. Martirizimi-ngjarje e veçantë

Në Malësinë e Karadakut, trevë gjeografike mjaft e gjerë ndërmjet Bujanovcit, Preshëvës e Kumanovës në verilindje, Gjilanit e Vitisë në veripërendim, dhe Kaçanikut e Shkupit jug-përendim, me popullsi kryesisht shqiptarë të besimit mysliman dhe katolik, autoktonë, gjatë shekujve, veçanërisht në shrk.XIX-XX, kanë ndodhur ngjarje, sa tragjike aq edhe heroke, që i kanë dhënë kuptim e domëthënie të plotë jetës sonë kombëtare, kulturore dhe fetare dhe kanë ndikuar fuqishëm edhe në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar e fetar.

Në vargun e këtyre ngjarjeve që kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme jo vetëm në historinë tonë, por edhe në kujtesën e brezave, janë padyshim tri:
1. Shkolla Shqipe e Stubllës,
2. Martirizimi i banorëve shqiptarë – katolikë të këtyre anëve dhe
3. Lufta e Kaçanikut (1910), në krye me Kalorësin e Karadakut, Idriz Seferin, që qëndron në majat përfaqësuese, si vigan i lirisë, si njëri nga emrat më autoritarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe si dëshmi e fuqishme vizioni për një kohë dhe hapësirë të caktuar.

3. Stublla – vendi më i përshtatshëm për të ardhur në shprehje egërsia osmane

Ndonëse, me Hati Sherifin e Gjylhanës të dt. 3 nëntor 1839, të cilin e shpalli Sulltan Mexhidi, njihej shprehja e lirë e besimit në tërë Perandorinë Odmane, në Vilajetin e Kosovës, zbatimi i këtij Dekreti fillon me 1843. Mirëpo për shqiptarët katolikë, në Vilajetin e Kosovës, nuk ndryshoi gjendja. Përkundrazi, mbi ta vetëm sa vinte e shtohej dhuna dhe egërsia e pushtetarëve vendorë, sidomos në rrethin e Gjilanit, meqë Kosova në ato vite, siç dihet, ishte bërë vatër e qëndresës kundër reformave, që pretendonte t’i realizonte Porta e Lartë. Shpërthejnë madje edhe një varg levizjesh dhe rezistencash të armatosura. Kështu, për shembull, në pranverë të vitit 1845 qytetarët e Gjakovës i ngjeshin armët kundër urdhrave të Sulltanit. Në po ato vite publikisht do të shpallen si shqiptarë katolikë banorët e Sallagrazhdës.

Poadhtu në vitin 1845 do të dalin publikisht si shqiptarë katolikë edhe 150 familje nga Gjakova, Peja, etj. Jehona e këtyre ngjarjeve do të reflektohej në mënyë të veçantë në rrethin e Gjilanit, përkatësisht në Malësinë e Karadakut-në Stubëll-vatër e njohur e arsimit shqip dhe e katolicizmit – dy shtylla kryesore të mbijetësës sonë.

Pas shpalljes publike si shqiptarë katolikë në Sallagrazhdë, Gjakovë dhe Pejë, edhe në Malësinë e Karadakut (më 1845) ndodhi shpallja publike, si shqiptarë katolikë, e banorëve (e kryefamiljarëve), duke dëshmuar përkatësinë kombëtare dhe fetare katolike të tyre para Maliq Beut të Gjilanit duke ia bërë me dije se ata ishin, janë dhe do jenë shqiptarë katolikë dhe kërkuan prej tij që zyrtarisht të konsideroheshin si të tillë. (Khs. Gjergj Gjergji-Gashi: Martirët Shqiptarë, Drita, 1994, fq.63). Pas këtij akti burrëror të kryefamiljarëve, fillon GOLGOTA E MARTIRËVE SHQIPTARË, pikërisht me 5 dhjetor 1845, Natën e Shën Kollit, një nga festat më popullore të këtyre anëve. Kështu thuhet në shumë faqe të historisë, të kronikave dhe në rrëfime e gojëdhëna për këtë ngjarje, por edhe në një dokument që është zbuluar së voni në Arkivin e Kongregatës de Propaganda Fide-Acta, vëll. 213, fq. 336 r.

4. Rruga e Golgotës Shqiptare – e gjatë deri në vdekje e përjetësi (shenjtëri)

Shkaku i Shkollës Shqipe në Stubëll(1845-1846), zanafilla e së cilës, në një formë kolegji, është që nga viti 1584(Krhs.Dhimitër S.Shuteriqi: Marin Beçikemi dhe shkrimtarë të tjerë, N.Frashëri, Tiranë 1987, fq.92 )dhe shpallja publike e banorëve si shqiptarë (të krishterë) katolikë, pushtetarët osmanë (vendorë) të Gjilanit kishin ndërmarrë një ekspeditë ndëshkuese të paparë ndonjëherë në këto anë. Kështu, prandaj, edhe sipas mendimit të shkencëtarit të njohur, në përmasa ndërkombëtare, Zef Mirdita, internimi masiv i shqiptarëve katolikë të Karadakut (1846-1848) sikundër edhe i Atë Anton Maroeviqit, kroat, famullitar asokohe në Letnicë, lidhet drejtpërdrejt sa për Shkollën Shqipe në Stubël aq edhe për fenë, si dy shtylla themelore për ruajtjen e identitetit kombëtar(Khs.Zef Mirdita, Krishterimi ndër shqiptarë, MKSH në Zagreb, Prizren-Zagreb, 1998, fq. 200,202, 228-329).

Zatën një mendim të tillë e ka shprehur edhe poeti dhe studiuesi i njohur,Mr.Sarë Gjergji (Khs. Sarë Gjergji, Shkolla e Stubllës, te URTIA, V/1994, fq.70, duke konstatuar se Reformat e Tanzimatit, lirinë e shkollimit në gjuhën shqipe (sc.amtare), e proklamonin vetëm formalisht, ndërsa në realitet atë e luftonin si një çështje shumë të rrezikshme. Sido që të jetë, Rruga e Golgotës të martirëve shqiptarë të Malësisë së Karadakut(1846-1848), ishte e gjatë, madje shumë e gjatë: Stubëll-Gjilan-Prishtinë-Shkup-Selanik – Muhaliq (Anadolli). Ishte rrugë e gjatë deri në vdekje, deri në përjetësi dhe shenjtëri, që përmallon dhe shenjtëron Kosovën dhe Shqipërinë.

5. Kthimi në Atdhe

Pas ndërhyrjeve të fuqishme dhe protestave të ambasadorëve të Fuqive të Mëdha si dhe pas sa e sa “pazarllëqeve”në lidhje me kthimin e të mbijetuarëve në Atdhe, në Kosovë që atëherë quhej Shqipëri, ambasadorit të Francës i kishte rënë në dorë, nga Sulltani, një ferman ku thuhej: “Mergimtarët shqiptarë me liri të plotë fetare dhe kombëtare mund të kthehen në vendlindjen e tyre, ndërsa të gjitha dëmet do t’u shpërblehen “(Arkivi i Kongregatës, De Propaganda Fide, SC Albania, vëll.33,fq.317 r-318 r. Pjesa II, Dok. nr. 94,10). Sipas shumë raporteve, fermani i Sulltanit realizohet dhe të mbijetuarit kthehen në Atdhe në vjeshtën e vitit 1848.

Është me rëndësi të theksohet se, sipas studiuesit dhe hulumtuesit të pasionuar rreth çështjes së Martirëve të Karadakut, Dr. Dom Ghergj Gjergjit-Gashi (që në vitin 2008 shënonte 60 -vjetorin e lindjes), kanë qenë 96 martirë që kanë dëshmuar me jetën dhe gjakun e tyre përkatësinë e tyre fetare dhe kombëtare.Ndërsa nga numri i përgjithshëm, i të internuarëve, në Atdhe do të kthehen gjithsejt 76 martirë (të mbijetuar).

Për të kthyerit dhe të tjerët në Atdhe ,sipas Gaspër Gjinit , do vijnë kohë më të mira , por vetëm mbasi të jenë larguar nga pushteti Maliq Beu(Gjinolli) dhe Tahir Efendiu nga Gërmova që ishin shkaktarët kryesorë të këtij torturimi dhe internimi masiv që edhe sot e kësaj dite përkujtohet dhe ruhet me shenjtëri në kujtesën e popullatës së këtyre anëve.

Një gjë të tillë e kishte konfirmuar edhe Dario Buccarrelli në kronikën e tij: Disa shënime mbi mërgimin(përndjekjen)…(dsh), që ruhet në: Biblioteka Male Brace, në Dubrovnik, ku, autori i këtij libri, i ka kryer studimet klasike në Kolegjin prestigjioz të Jezuitëve dhe ku ka hulumtuar mjaft shpesh në Bibliotekën në fjalë ku punonte i madhi At Vinçenc Malaj. Përndryshe dsh i Buccarrellit është i vitit 1865.

Ata që i shpëtuan vdekjes tragjike (të mbijetuarit-të kthyerit në Atdhe), mbetën po shqiptarë (…) në këtë konklidim të çon edhe lëçitja e librit të Dr. Dom Gjergj Gjergji-Gashit.

II

MODELI I NJË HEROZMI POPULLOR

(Burgosja, persekutimi dhe deportimi i martirëve shqiptarë të Malësisë së Karadakut drejt Anadollit, pati për qëllim shkatërrimin e plotë të elementit shqiptar-katolik të këtyre trojeve dhe të këtyre trevave…).

6. Gjergj Gjergji-Gashi: Martirët shqiptarë (1846-1848)

Dr. Dom Gjergj Gjergji – Gashi, autor i studimit monografik: Martirët Shqiptarë gjatë viteve 1846-1848, që është punim i doktoranturës, deri më sot ka dhënë kontributin më të çmueshëm, më komplet dhe më serioz në ndriçimin e ngjarjes së madhe të martirizimit të shqiptarëve katolikë të Malësisë së Karadakut, përkatësisht të katundit Stublla, Binça, Terzijaj dhe Vërnakolla. Vdekja nga torturat e më se 96 martirëve dhe kthimi në Atdhe i 76 të të mbijetuarëve të Malësisë së Karadakut shënon një epokë të re e të lavdishme në historinë e popullit shqiptar dhe në lëvizjen gjithëballkanike kundër Perandorisë Osmane, kundër një armiku të përbashkët, i cili kishte dëmtuar kulturën dhe qytetërimin evropian (Khs Dr. Engjëll Sedaj: Shkolla Shqipe, te Buletini “Takimet e Dom Mikelit” Zyra Famullitare në Stubëll (1990-1999), 1994, fq. 18).

Kështu, prandaj, Stublla me rrethinë, përkatësisht Malësia e Karadakut, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, do bëhet model i një heroizmi popullor, i një levizjeje të madhe, që është shprehje e luftës për Fe e Atdhe (të të parëve), për Gjuhë Shqipe,etj. Për më tepër, martirizimi i shqiptarëve të besimi katolik të Malësisë së Karadakut, i bërë për shkaqe fetare dhe kombëtare, për Fe e Atdhe (Krhs. Dom Ndue Gjergji, Buletini i Takimeve të Dom Mikelit, 1994, fq. 13, tregon dhe dëshmon më se miri se ata ishin aleatë të një lufte të përbashkët për çlirim nga robëria pesë shekullore, për dritë dhe përparim në frymën evropiane.

Është me rëndësi të theksohet fakti se ngjarja e madhe historike e martirizimit të shqiptarëve katolikë të Malësisë së Karadakut(1846-1848) është shënuar dhe regjstruar, sipas Dr.Dom Gjergj Gjergji – Gashit, në qindra dokumente relevante nëpër arkivat ndërkombëtarë (Khs. Dom Gjergj Gjergji-Gashi, vep. e cit.). Ndonëse në Historinë e Popullit Shqiptar ajo nuk përmendet, sigurisht për shkaqe ideologjike. Por, pavarësisht nga kjo, ngjarja në fjalë shënon në mënyrë më të theksuar fillimin e një epoke të re e të lavdishme në historinë e popullit shqiptar kundër mizorisë aziatike. Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se burgosja, persekutimi dhe deportimi i Martirëve Shqiptarë të Malësisë së Karadakut drejt Anadollit, pati për qëllim shkatërrimin e plotë të elementit shqiptar katolik në këto treva.

Këtë e vërtetojnë, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, edhe disa rrethana tashmë të njohura dhe të pamohueshme: në atë kohë në Letnicë të gjithë ishin katolikë (kroatë), në Gërçar dhe Vërbovc (Komuna e Vitisë), të gjithë ishin serbë ortodoks, por ata nuk u prekën fare nga pushtetarët e egër osmanë vendorë të Gjilanit. Nga kjo del shumë e qartë se qëllimi ishte shkatërrimi (eleminimi, zhdukja) e elementit shqiptar katolik të këtyre trevave. Kjo dëshmohet fare qartë edhe në studimin monogragik të autorit Dr. Dom Gjergj Gjergji-Gashi (Khs. edhe Dr. Dom Lush Gjergji: Martirët e Karadakut – Frymëzim fetaro-kombëtar (1846-1848) te: Takimet e Dom Mikelit (Buletin), nr. IV, 1997-2003, Zyra e Famullisë, në Stubëll, 2004, fq.16).

7. Trajtimi i martirëve shqiptarë në letërsi

Golgota e Martirëve Shqiptarë të Malësisë së Karadakut është trajtuar dhe shtjelluar në mënyrë shumë të denjë edhe në letërsi nga autorët siç janë: Gjergj Fishta, Zef Del Gaudio, Ibrahim Kadriu, Anton Nikë Berisha, Engjëll Sedaj, Hida Halimi, Mirko Gashi, etj.Me përjashtim të Gjergj Fishtës, autorët e tjerë kanë pasur si tekst, si amëz tematike gjithnjë monografinë shkencore: Martirët e Karadakut të Dr. Dom Gjergj Gjergjit-Gashi, që ishte nxitëse, frymëzuese dhe motivuese për autorët tanë.

Le të shkojmë me radhë:

  1. Sipas fjalëve të Atë Daniel Gjeçajt (Shih: Drita, nr.3-4/1983, fq. 22), Gjergj Fishta kishte shkruar një dramë për Martirët e Stubllës. Kjo dramë, siç thuhet, kishte mbetur në dorëshkrim në Bibliotekën Françeskane në Shkodër. Kjo arsyetohet edhe me faktin se Gj.Fishta qysh në vitin 1911, duke lexuar një tekst në gjuhën frenge mbi Martirët Shqiptarë të Karadakut(1846-1848), kishte qarë me lot për faqe dhe kishte shqiptuar fjalët: martirët e shkretë (poveri martiri), sepse kishin përjetuar mizoritë e padëgjuara të bëra nga ana e persekutorëve barbarë aziatikë. Nga kjo histori-shkruente Fishta – mund të bëhet një vepër me karakter të rendit të parë letrar (Shih: Atë Gjergj Fishta, OFM, 1871-1940. Botim “disputatur”, Tiranë 1943, fq. 91-93).

2. Zef Del Gaudio: Martirët Shqiptarë (1846-1848), Trilogji, Shpresa, Prishtinë 2006.

Shembulli i heroizmit popullor të Martirëve Shqiptarë të Malësisë së Karadakut është përjetësuar artistikisht në veprën dramatike të shkrimtarit dhe dramaturgut arbëresh, Zef Del Gaudio (1921-2005). Vepra në fjalë është botuar në dy gjuhë(shqip-italusht) ashtu siç ia kishte besuar autori dsh priftit kosovar, Dr. Dom Gjergj Gjergji-Gashit. Drama: Martirët Shqiptarë (trilogji), e mbështetur dhe frymëzuar në ngjarjet konkrete historike, përkatësisht në studimin monogragik të Dr.Dom Gjergjit, e pasuron traditën e letërsisë arbëreshe me vlera të reja.

Në këtë vepër, siç shihet edhe nga përmbajtja: FJALA, pjesa e parë, UDHA E KRYQIT (pjesa e dytë), dhe: LAVDI (pjesa e tretë), autori, me një elegancë gjuhe dhe stili, ka paraqitur rrugën e martirizimit të shqiptarëve katolikë të Malësisë së Karadakut, ku spikasin shumë personazhe, e mbi të gjitha shquhet personazhi Ana e Prenkut. Ky personazh që është sa historik aq edhe letrar, paralajmëron KOHËN E RILINDJEN e luftrave të reja, por edhe lindjen e një vajze në këto troje, Nënën Tereze, që do jetë një Diell i ri për të varfërit dhe të sëmurët, për njerëzimin. Ai Diell (Nëna Tereze), me shenjtërinë e saj do ndriçojë në errësirën e shekullit të egërsuar…

8. “Kalorësi i Karadakut”, roman 2007

Edhe te romani :”Kalorësi i Karadakut” i Ibrahm Kadriut kemi pasazhe të bukura dhe tronditëse për Stubllën, përkatësisht për Shkollën Shqipe dhe për Martirët Shqiptarë.Në faqet e këtij tomani, që mund të jetë vepër jetësore e autorit, kemi përshkrime sa të bukura aq edhe të fuqishme për shumë ngjarje, për shumë ide, kemi plot tabllo sa trahjike aq edhe madhështore, që rrezatojnë ide dhe impulse nga më kryesoret, duke prekur e nxitur kategoritë madhore siç janë: jeta, lufta, liria, atdheu, rrënjët tona të përbashkëta, mbrojtja e përbashkët e vlerave burimore, arsimi, shkolla, etj. Kështu, lexuesi, përveç kënaqësisë estetike, në faqet e këtij romani do gjejë edhe tabllo sa tragjike aq edhe madhështore, për Stubllën dhe për fshatrat për rreth, përkatësisht për ngjarjet që zhvillohen në ato kohë dhe rrthana të vështira.

Artistikisht, nëpërmjet dialogëve të personazheve, për shembull, të Ndue Gashit (një 0stubllan që kishte arritur të shpëtonte nga grupi i të persekutuarëve nga ana e pushtetit të egër osman) dhe të Isuf Selman Seferit (që mbante kontakte të shpeshta jo vetëm me Ndue Gashin, por edhe me priftin (famullitarin e Letnicës, përkatësisht të Stubllës), është shpalosur jo vetëm bota e pasur mendore dhe shpirtërore e tyre në lidhje me Shkollën Shqipe të Stubllës dhe me martirizimin, por edhe kërkesa këmbëngulëse për një afri edhe më të madhe e më të fortë, pavarësisht nga gjunjëzimi para Biblës apo para Kur’anit.

Këtyre çështjeve autori u ka kushtuar disa nga faqet dhe pasazhet sa të bukura, aq edhe madhështore, që rrezatojnë ide të fuqishme e sublime, filozofi e mesazhe të qarta për brezat që duhet t’i kenë parasysh e t’i ruajnë me xhelozi. Ja, këtu, po japim një pasazh ku rrezatojnë ide të qarta e sublime, citojmë: “Ore Ndue-iu drejtue Isuf Selman Seferi-a po dihet ore se ku ishte shkaku i vërtetë i marrjes së tyre ?”. Shkolla, hapja e shkollës në gjuhën shqipe ishte shkak. Prifti ynë u angazhua të na i mësonte fëmijët të shkruanin shqip, por…” (fq. 34-35). Edhe te: Kreu i Dytë (fq. 32-33-34-35 dhe 36 si dhe te Kreu i Tretë (fq. 42) i romanit në fjalë, autori, me një elegancë gjuhe dhe stili, ka prekur dhe ka shtjelluar, jo vetëm temën e Shkollës Shqipe, por edhe temën e martirëve duke dhënë ide sublime dhe mesazhe të qarta, edhe për brezat që vijnë.

III

NGJARJE HEROIKE QË NDËRLIDHEN ME JETËN DHE VEPRËN E MARTIRËVE SHQIPTARË

(Vargjet e krijuara të popullit, jo vetëm që japin profilin e luftëtarit shqiptar të pakompromis, që nuk di të frikësohet as të përulet para epërsisë ushtarake të atmikut, por shënojnë edhe konfrontimin e parë, edhe sipas vlerësimit të E. Sedajt, të malësorëve të Karadakut me pushtetarët osmanë(vendorë), shënojnë në fakt një lëvizje të madhe, një lloj kryengritjeje që ndërlidhet me rrugën historike e me platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare).

9. Anton Nikë Berisha: Rrëfimi i xha Prenit për Krishtin e Stubllës

Përveç shtresimeve teologjike, filozofike, jetësore dhe letrare-artistike, që ndërlidhen fuqimisht e në mënyrë të veçantë (artistike) me figurën qëndrore të Nënë Terezes, me jetën dhe veprën e saj, me përshpirtshmërinë dhe mirësinë e saj, me Tokën dhe Qiellin, me Mbretërinë Hyjnore, në romanin: Nëna e dritës, Shpresa, Prishtinë 2004, të Anton Nikë Berishës, kemi edhe plot figura e persobazhe të tjera(historike dhe letrare) të skalitura për mrekulli, që reflektojnë poashtu ide dhe vlera të larta e sublime, vlera shpirtërore; kemi aty përshkrime të bukura e të fuqishme, jo vetëm të përshpirtmërisë dhe filozofisë të protagonistit kryesor, të Nënë Terezes, por edhe të figurave të tjera, qofshin ato historike apo letrare, kemi aty përshkrime të bukura, të fuqishme e të gjalla edhe të ngjarjeve, rrethanave dhe të ambienteve tona, edhe të ngjarjeve historike, që ndërlidhen me jetën dhe veprën e martirëve shqiptarë të Karadakut, përkatësisht të Stubllës.Ndër paraqitjet sa të bukura aq edhe tronditëse, në romanin në fjalë të Anton Nikë Berishës, është edhe :

Rrëfimi i Xha Prenit për Krishtin e Stubllës ( fq. 46-56).

Në këtë rrëfim të përkryer artistikisht, që është sa i bukur aq edhe tronditës, por edhe domëthënës, të Xha Prenit, ndër të tjera, thuhet: “gjindja e kësaj treve e ka dëshmuar si rrallë ndokush tjetër, dashurinë e paskajshme për Hyjin e për fenë tonë, e kanë dëshmuar me gjak: janë flijuar duke u kryqëzuar të gjallë në Kryqin e Krishtit. E Hyji si shpërblim ua ka dërguar Zojën që t’i ketë në kujdes dhe t’i ruajë. Ke dëgjuar për martirët e Stubllës ?“(fq. 51).

Tejet tronditës, por edhe shumë domëthënës dhe reflektues është rrëfimi i Xha Prenit edhe për Shtjefnin e Gjonit të Stubllës, burrit më të njohur të këtyre anëve (sc. Karadakut-I.Ahmeti), të cilit ushtarët turq, pasi kishin hyrë në Stubëll e në Letnicë (vendi i shenjtë i këtyre anëve ku është frymëzuar për vokacionin e saj edhe Nënë Tereza -I.A.), e kishin vrarë dhe masakruar, ia kishin nxjerrë syrin dhe trupi i tij ishte mbytur në vrushkuj gjaku. Ndërsa ushtarët turq, si bisha, si bisha të egra, e “shajnë dhe përshajnë dhe e godasin për VDEKJE: gjaku i tij shpërndahet nëpër dyshemenë e dhomës në formë të kryqit. Edhe trupi i pajetë shtrihet në të njëjtën formë” (fq.55).

Është kjo simbolika e fuqishme e këtij romani për fuqinë morale, kombëtare dhe shpirtërore të njerëzve të kësaj treve për të dëshmuar se kush ishin, kush janë dhe kush do jenë. Ç’është e vërteta, edhe shkrimtari i mirënjohur, Anton Nikë Berisha, përmes shtjellimit të përkryer artistik të temës së martirëve, me theks të veçantë të Stubllës (të Karadakut), jep ide dhe mesazhe të qarta, të fuqishme, sublime, për jetën në përgjithësi dhe për Kombin në veçanti. Në këtë mënyrë, autori në fjalë, rijetëson konceptet e Horacit për të dobishmen dhe të këndshmen në art, në letërsi.

10. Engjëll Sedaj: “Zotnia i Karadakut” – dramë në tri pjesë

Në mesin e autorëve tanë që kanë shtjelluar me përkushtim temën e martirëve të Stubllës (të Karadakut) bën pjesë edhe Engjëll Sedaj. Në dramën “Zotnia i Karadakut”, (botuar te Buletini “Takimet e Dom Mikelit II (1990-1994), Prishtinë, 1995, fq.144-159), autori fillimisht, te pjesa e parë, na e paraqet ambientin (atmosferën) e bashkëpunimt dhe të marrëveshjes së plotë ndërmjet besimtarëve të Stubllës dhe famullitarit të tyre. Shfaqet brengosja e madhe e të dy palëve, sikundër edhe e besimtarëve të katundeve të tjera, për martirët e Karadakut që janë kthyer në vendlindje me lëngime dhe të sëmurë rëndë.

Ndonëse fytyrë qëndrore në këtë dramë është “Zotnia i Karadakut” (Dom Mikeli), megjithatë, të gjitha veprimet e tij janë të motivuara për të avancuar idenë e martirëve, për t’i popullarizuar ata, për ta bërë flijimin e tyre legjitim para zyrtarëve të Kishës, për t’i regjistruar në historiografi. Krejt kjo shpaloset përmes personazheve të dramës, siç janë: Zotnia (Dom Mikeli), Maliqi, sherbëtori i Zotnisë dhe Seba i Andresë. Por në skenë dalin edhe personazhe të tjera që përçojnë ide dhe porosi për lexuesin (shikuesin).

Te pjesa e dytë e dramës, shtjellohet, në një formë më të theksuar, ideja e realizimit të lirisë, e shkollës, lidhja, pas shpërthimit të lëvizjes së madhe të martirëve, me botën shqiptare. Në aspektin artistik të dramaturgjisë, siç thuhet edhe në vetë shpjegimin e autorit të dramës, bëhen efektuoze veprimet dhe jeta, fati dhe disfata e njerëzve, që nuk janë kualitete të jetës dhe të kohës pa perspektivë, por veprime që tregojnë karakterin e dukurisë historike. Megjithatë, dramaciteti është i paevitueshëm, edhe pse tani më perëndon një periudhë e gjatë 5-shekullore e salvimeve që s’kishin të ndalur.

Te pjesa e tretë e dramës, ndërkaq, kemi një paraqitje të situatës së re. Shijohen rezultatet e punës së mundimshme e të gjatë të stubllanëve për një organizim më të mirë e më të fuqishëm atsimor e kishtar. Kemi një katarsis në kuptimin e plotë aristotelian. Kjo do t’i forcojë njerëzit e Malësisë së Karadakut për t’iu kthyer atyre vlerave shpirtërore që mbajnë gjallë popullin në rrugën e qëndresës. Në planin praktik, efektet e dëshiruara të ndjenjave shpirtërore dhe të emocioneve, arrihen nga renditja harmonike e kompozimit të ngjarjeve.

11. Martirët e Karadakut sipas një kënge popullore

“Kangë e Karadakit Gjilanit” – kështu titullohet kënga popullore(epike) për Martirët Shqiptarë të Karadakut (1846-1848), e kënduar nga rapsodi popullor Arben Stublla. Këngën në fjalë e ka shënuar dhe botuar Dr. Dom Gjergj Gjergji-Gashi, te: Martirët Shqiptarë (1846-1848), Drita, 1994, fq. 241-255).

Kënga ka 496 vargje, tetërrokëshe. Përveç vargjeve mjaft të përkryera, Këngën në fjalë, sipas një vlerësimi të përgjithshëm të Engjëll Sedajt, e karakterizon dendësia e ngjarjeve, dramaciteti dhe heroizmi si dhe përpjesëtimi i tyre në vargje të caktuara (Khs. Engjëll Sedaj, Martirët e Karadakut …Takimet e Dom. Mikelit – Buletini III, 1995-1996, Zyra Famullitare, Stubëll 1997, fq. 63). Proporcionaliteti apo përpjestueshmëria shfaqet sidomos në paraqitjen e të gjithë faktorëve relevantë të ngjarjes, në periudhën 1846-1848.

Këngën në fjalë e karakterizojnë të gjitha ato ligjshmëri që janë të përgjithshme për epikën popullore shqipe. Në çdo varg të saj dëgjohet asonanca dhe muzikaliteti i rimës, që, jo rrallë, arrin virtuozitetin e vërtetë. Edhe ritmi i këngës na del mjaft rrëmbyes.

“Kanga Karadakit Gjilanit” përmban elemente historike(heroike), shumë ngjarje, shumë figura e personazhe të dëshmuara edhe historikisht.Ndër figurat më të dalluara dhe më emblematike është ajo e Ndre Markut, pa harruar këtu edhe atë të Pater Antonit, që për mendimin tim eshtë jo vetëm komplekse por edhe e diskutueshne edhe për faktin se shumë vonë iu ka bashkangjitur grigjës së besimtarëve të tij(?) të përndjekur… Në lidhje me këtë rapsodi, popullor këndon:

Ai Ndre Marku kuvendar
n’ato vise shpi e parë,
burrë çeliku edhe shqyptar.
Maliq Beg, tha, folma nji fjalë,
Me dy mende k’tu s’kem ardhë,
Veç me kallxue ball për ball
S’e Kombin e Krishtin
S’e lëshojmë për t’gjallë“.

Këto vargje jo vetëm që japin profilin e luftëtatrit shqiptar të pakompromis, që nuk përulet para epërsisë ushtarake të armikut, por shënojnë edhe konfrontimin e parë të malësorëve të Katadakut me pushtetarët osmanë (vendorë). Madje, sipas vlerësimit të E. Sedajt, kjo në fakt shënon një lëvizje të madhe, një lloj kryengritjeje, që ndërlidhet me rrugën historike e me platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Konfrontimi i dytë, ndërkaq, sipas këngës në fjalë, ndodhë te Jashar Pasha në Prishtinë, ku, kryemartiri dhe kryesyrgjyni, Ndre Marku, ia thotë të njëjtat fjalë pashait ashtu siç ia kishte thënë edhe Maliq Begut në Gjilan. Pas fjalëve të “nipit të Kastriotit”, Ndre Markut, që ia thotë Jashar Pashës, situata ashpërsohet dhe ndërlikohet dhe, sipas këngës, merr karakter dramatik:

Pasha u tërbue,
Xhelatxhive u ka urdhnue,
merrni kaurrat
n’burg me i çue“…

Kështu ata burgosen dhe situata ndërlikohe tej mase. Mirëpo Jashar Pasha nuk deshi vet të vendosë për fatin tragjik të malësorëve të Karadakut. Prandaj e thrret “mexhlisin” prej Prizrenit, Kumanovës dhe Shkupit për ta shqyrtuar problemin dhe për t’i akuzuar ata te Sulltani:

Në mos kjoftë këta mej largu,
krejt Kosova peshë janë çu,
fenë islame po don me lshu,
e shqiptarë me u deklarue“.

Në letrën e Jashar Pashës përgjigjet kështu Sulltani:

Ban qysh t’mundesh me ata kaurrë,
e n’mos mujsh mendjen me ju kthye,
të gjithë syrgjyn bjemni n’Turki,
se n’Turki ja bajmë ne çaren,
menjiherë ja humbim faren“.

12. Situaata ndelikohet dhe ndërkombëtarizohet…

Në ndërkohë situara nderlikohet, merr karakter dramatik dhe kështu jo rastësisht, edhe ndërkombëtarizohet. Dhe sipas këngës çështja e persekutimit të tyre merr kahe tjetër për të qenë nën mbrojtjen e Fuqive të Mëdha. Mirëpo edhe intervenimi i Fuqive të Mëdha kishte qenë pak sa i vonuar, sepse tashmë shumë prej tyre kishin vdekur nga rrahjet dhe torturat shtazarake të persekutorëve osmanë.

Ndërsa përfaqësuesit e shteteve të perëndimit kishin inzistuar energjikisht që të vdekurit nga torturat në Muhaliq mos t’i hedhnin në det siç kishin vepruar më parë, me disa kufoma, por edhe me disa njerëz të sëmurë rëndë, por të varroseshin sipas zakonit dhe ajo “Varreza -Kapelë” të shënohej me emrin e tyre. Këtu edhe përfundon kënga në fjalë:

Kanë marue nji përmendore,
përmendore n’mermer t’bardhë,
i kanë shkrue nja dy-tri fjalë:
“Ktu pushojnë martirët shqiptarë
Nga Stublla e Binça-kosovarë“.

Po theksojmë me këtë rast se kjo Varrezë-Kapelë është ruajtur deri vonë (Dr. Dom Gjergj Gjergji-Gashi, vep. e cit.fq.78). Në anën tjetër, sipas autorit në fjalë, eprorja e Murgeshave, motra e nderit Maria Lesuerur, e kishte mbyllë Kapelën-Varrezë dhe njërin prej dy çelsave ia kishte dërguar Papës Piut IX në Romë, ndërsa tjetrin ia kishte dhënë Atë Eutenit CM, epror-gjeneral i Etërve Lazaristë në Paris. Ndërkaq çelësi që iu dërgua Atë Shtjefnit, së bashku me një pikturë në kornizë, ruhet në dhomën e relikteve në: mason Mere des Missionnaires, në Paris… Një kopje e çelësit në fjalë ruhet në Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe, në Famullinë e Shën Jozefit në Stubëll, që është dhuratë e Dr. Dom Gjergj Gjergjit-Gashit.

IV

MARTIRËT SHQIPTARË TË KARADAKUT PËRJETËSOHEN EDHE NË PIKTURË

(Përveç në letërsi, Martirët Shqiptarë të Malësisë së Karadakut që atëbotë paqitej si pjesë e Shqipërisë, kanë frymëzuar edhe piktorin çek-françez, Jerisllav Çermak që ka bërë një pikturë monumentale:Të përndjekurit shqiptarë në Anadolli”(1846), por edhe dy piktorët shqiptarë: Demir Behluli dhe Zeqirja Rexhepi, të cilët kanë bërë pikturat murale (monumentale) në Kishën e Binçës…)

13. Piktori çek-françez, Jerosllav Çermak, përjetëson Martirët Shqiptarë të Karadakut

Golgota Shqiptare e Malësisë së Karadakut, që atëbotë paraqitej si pjesë e Shqipërisë, është një faqe e ndritur e historisë sonë. Është kjo një ngjarje frymëzuese për Kombin, për Kosovën, për Shqipërinë, është ngjarje e shënuar denjësisht edhe në arte, në pikturë. Në kontekst me këtë ia vlen të përmendim edhe piktorin e famshëm çeko-françez, Jerosllav Çermak. Ai, siç dihet tashmë, në vitin 1868, kishte bërë një varg pikturash monumentale për Martirët Shqiptarë të Karadakut.

Me pikturat e tij, siç e ka vënë re Dr. Dom Gjergj Gjergji-Gashi, Jetosllav Çermak e ka bërë të pavdekshme Golgotën e Martirëve Shqiptarë të Karadakut (Dr.Gjergj Gjergji-Gaahi, vep. e cit. fq. 78). Ato edhe sot e kësaj dite zbukurojnë dhe nderojnë jo vetëm Sallën e Gjykatës Supreme të Tregtisë në Justice Placet (Katalogu nr. 112), në Bruxelles, por edhe Muzeun e qytetit në Amsterdam, në Pragë dhe Galerinë e Strossmajerit në Zagreb, Kroaci.

14. Edhe pikturat murale “Martirët e Karadakut” – në Kishën e Binçës – vepër monumentale…

“Kënga e Karadakit Gjilanit” e Arben Stubllës sikundër edhe monografia “Martirët Shqiptarë” (1846-1848) e Dr. Dom Gjergj Gjergjit-Gashit, jo vetëm që kanë qenë nxitëse dhe motivuese, por edhe frymëzuese e fuqiqishme edhe për dy puktorët e njohur e të talentuar të këtyre anëve, Demir Behluli (tash i ndjerë) dhe Zeqirja Rexhepi (që tash jeton me familje në Canada). Përndryshe pikturat e Demir Behlulut, që njihet edhe si poet e shkrimtar, gjenden në Shqipëri, në Amerikë (në Pentagon dhe te Viliam Vokeri), në Holandë, në Gjermani, në Austri, në Turqi etj. Por si kryevepër e tij, së bashku me piktorin Zeqirja Rexhepi, në lëmin e artit figurativ, të pikturës, konsiderohen pikturat murale “Martirët e Karadakut” në Kishën e Bunçës, në enterierin e Kishës së Shë Ndout në Binçë (Komuna e Vitisë).

Kjo pikturë murale, kolosale, vepër madhore arti, e punuar me shumë përkushtim e dashuri nga Demir Behluli dhr Zeqirja Rexhepi, kapë një sipërfaqe prej 650 metra katrorë, me mbi 520 figura të personaliteteve kombëtare dhe fetare, ku dallojmë, përveç figurave qendrore të Biblës dhe figurave të martirëve, edhe shumë fytyra patriotësh, dëshmorësh dhe heronjsh shqiptarë që reflektojnë fuqishëm ide dhe mesazhe të qarta e sublime edhe për brezat që vijnë. Janë këto piktura murale vepër monumentale arti, e rrallë, mbase e vetmja e këtij lloji në Kosovë, që reflekton dhe shprehë, jo vetëm të vërtetën e historisë dhe të dramës së popullit shqiptar të Karadakut, por edhe ide e filizofi sa biblike aq edhe kombëtare.

Kompozimi i kësaj pikture murale në gjashtë tabllo, siç e ka vënë re edhe Shpëtim. Golemi (Krhs. Shpëtim Golemi: Mrekullia e Binçës, 1-2, Rilindja, 6 dhe 7 janar 2000), të krijon përshtypjen sikur je ndalur para një tragjedie reale. Ndërsa mjeshtëria e piktorit qëndron në atë se nuk të krijon mundësinë të shohësh vdekjen edhe pse mbi 60 për qind e martirëve nuk kthehen të gjallë n’Atdhe. Përkundrazi, kjo pikturë, ku të gjithë shenjtorët, përfshirë këtu edhe Jezu Krishtin, janë të veshur me kostume shqiptare, krijon përshtypjen e triumfit në luftën për liri dhe drejtësi. Në këtë pikturë-legjendë, sipas Shpëtim Golemit, janë gërshetuar hyjnorja dhe realiteti. Si e tillë, prandaj, ajo i thotë çdo vizitori se historia e popullit shqiptar është tragjedi e përmasave të legjendës.

Duke i hyjnizuar personazhet e martirëve shqiptarë të Karadakut sikur edhe personazhet e historisë sonë kombëtare, si: Skënderbeu, Ismail Qemali, Isa Boletini, Gjergj Fishta, Abdyl e Sami Frashëri, Atë Gjeçovi, Dora D’ Istria, Jeronim De Rada, etj. deri tek Nëna Tereze, Shenjtëreshë, edhe zyrtatisht e shpallur nga Vatikani, Demir Behluli bashkë me Zeqirja Rexhepin, e kanë shndërruar historinë tonë jo vetëm në art por edhe në legjendë. Me këtë kompozim mural, shkruan Shpëtim Golemi, piktori (piktorët-vër. ime) ka përmbledhur të gjitha dramat e popullit martir të Kosovës duke e shndërruar atë në legjendë. Vetëm kështu ajo është e vlefshme të qëndrojë pranë legjendës së Krishtit, e paraqitur në këtë sipërfaqe muri.

Si rrjedhojë e një marrëveshjeje, midis Dom Ndue Gjergjit, atëherë famullitar në Kishën e Shën Ndout në Binçë (tash misionar në Detroit në SHBA), dhe piktorit, Demir Behlulit, pikturat nuk janë menduar për të bërë diçka thjeshtë e mistike e të pakuptueshme për masën, por për të thënë diçka të qartë. Kështu, prandaj, duke mos dalë nga funksionet e Kishës Katolike Shqiptare, nëpërmjet të kulminacioneve të natyrës mistike, të marra nga Bibla, të përshtatura me personazhet tona historike, është bërë plotësimi i të dyjave: mosndryshimit të dukshëm të Kishës dhe roli edukues i historisë sonë.

Kjo është, sipas vlerësimit të Shpëtim Golemit, por edhe të vetë piktorit, gjetja më e zgjuar imagjinative. Paraqitja e thjeshtuar e mistikës e bën të qartë edhe për njeriun më të thjeshtë, ku zhvillohet dialogu në heshtje midis njeriut dhe pikturës. Duke e paraqitur Jezu Krishtin si predikues në malet e Karadakut dhe apostujt me fytyrat e personazheve tona heroike, atëherë edhe ushqimi shpirtëror bëhet më i natyrshëm dhe feja bëhet më e kapshme, më e besueshme, edhe për besimtarin edhe për vizitorin.

Këto piktura murale-heroike, prandaj, jo vetëm që tregojnë se një vend i tërë pranon të sakrifikohet vetëm pse nuk pranon t’i falet dhe lutet Zotit ndryshe (Shpëtim Golemi), por ato në një mënyrë ose tjetër e detyrojnë besimtarin dhe vizitorin që të mendojnë në mënyrë reflektive për jetën. Prandaj, konkludon Shpëtim Golemi, asnjë grumbull pikturash në tërë trojet shqiptare nuk e zëvëndësojnë dot këtë vepër të madhe murale, për nga vlera edukative e saj, të Demir Behlulit & Zeqirja Rexhepit. Duke parafrazuar Shpëtim Golemin le të theksojmë krejt në fund se me këtë vepër artistike (sc. monumentale-Isak Ahmeti), piktori Demir Behluli bashkë me koautorin, Zeqirja Rexhepin, do mund të radhiten përkrah piktorëve tanë të njohur si Onufri, Selenica, Shpataraku, etj.

14. E gëzojnë statusin e martirëve, ndonëse jo të shpallur zyrtarisht

Në vend të konkluzioneve, me të cilat rendomë përmbyllet një shkrim i këtij lloji dhe i kësaj natyre, dëshiroj të theksoj, krejt në fund, edhe këtë si vijon:
– Pavarësisht që Kisha, të përndjekurit dhe të torturuarit në fjalë, ende nuk i ka shpallur zyrtarisht për martirë (të beatifikuar), ata, megjithëkëtë,e gëzojnë epitetin martirë, jo vetëm në zemrën dhe shpirtin e njerëzve të kësaj treve por edhe më gjerë.

– Ndonëse jo të shpallur zyrtarisht për martirë (të Kishës dhe të Kombit), ata, megjithë këtë, kudo në dokumente të zbuluara, në literaturë, në relacione, në burime arkivore, në kronika dhe në shtypin e asaj kohe janë cilësuar si martirë, si dëshmorë të Fesë dhe të Kombit (Krhs. Dr. Dom Gjergj Gashi, vep.e cit. fq. 93),
– Edhe në raportet e arqipeshkvijve të Kishës Shkup-Prizren, ata janë cilësuar dhe emërtuar martirë,

– Në kohën më të re, vetë Imzot Mark Sopi, Ipeshkëv i Kosovës (1996-2006), të përndjekurit e Malësisë së Karadakut i ka quajtur martirë (Khs. Imzot Mark Sopi, Martirët e Karadakut, doracak, Prizren, 1996,

– Prandaj, duke i pasur parasysh dhe për bazë të gjitha këto fakte, mendoj se është jo vetëm koha por edhe momenti që, në këtë përvjetor, në 175 vjetorin e përndjekjes së tyre, institucionet kishtare, veçanëtisht Ipeshkvia e Kosovës, në krye me Imzot Dodë Gjergjin, të bëjnë diçka më shumë dhe më konkrete për dhe në procesin e beatifimit zyrtar të tyre që me vetëdije të plotë dhe heroikisht pranuan të flijohen, sipas shumë dëshmive, për Atme e Fe. Këtë e kanë merituar dhe e meritojnë Martirët Shqiptarë të Malësisë së Karadakut (1846-1848), edhe për faktin se ata nuk pranuan t’i luten Zotit ndryshe veçse shqip, prandaj edhe kaluan kështu nëpër rrugën e Kalvarit, rrugën e Golgotës: Stubëll-Gjilan – Prishtinë-Shkup-Muhaliq (Anadolli), ku është edhe Përmendorja-Kapelë e tyre.

*Në shtojcë të këtij teksti po japim edhe disa foto të pikturave murale në Kishën e Binçës, të punuara nga Demir Behluli & Zeqirja Rexhepi, të cilat m’i ka dërguar shkrimtari dhe studiuesi Marjan Sopi, të cilin e falënderoj nga zemra!

Në Durrës, Isak AHMETI
mars 2021