PERANDORËT ILIRË QË MBIZOTËRUAN ROMËN

0
2254
Meister von San Vitale in Ravenna

Justiniani i Madh i Ilirisë – mozaik në Ravenna

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Për rreth 3 shekuj (251–565), Roma u mbizotërua nga perandorë ilirë; ishte pikërisht kjo periudhë kur fiset vandale e sllave u mbajtën larg kufijve të rajonit, i cili më pas do të quhej Ballkan. Shumica e tyre kanë ardhur nga rajoni i Sirmiumit (pranë Mitrovicës së sotme- të Vojvodinës) në Iliri. Pas shekullit VI, në listën e perandorëve romakë rrallë gjendet ndonjë ilir. Më sa duket ilirët, nuk ishin më të favorizuarit e Romës ose e humbën fuqinë a ndikimin e tyre; kjo gjendje e krijuar përkon me vërshimin e sllavëve në trojet ilire. A ishte ky mënjanim i ilirëve nga pushteti rastësi a konspiracion, këtë vetëm studimet mund ta tregojnë.

• Trajan Decius dhe i biri, Herenius Etruskus
Në bazë të të dhënave historike, perandori i parë ilir ishte Trajan Decius. Decius (Gaius Messius Quintus Decius Augustus) ishte Perandor nga 249–251. Në vitin e fundit të mbretërimit, ai bashkëqeverisi me djalin e tij, Herenius Etruskus; të dy u vranë në betejën e Abritus (sot Razgrad, Bullgari) kundër gotëve.

Decius, lindi në vitin 201 në Budalia (Mitrovicë, Kosovë). Ai është i pari në listën e gjatë të Perandorëve romakë që do të dilnin nga Iliria. Këta quhen zakonisht perandorë ilirë sepse të gjithë kishin lindur në Iliri dhe u ngjitën në shkallën më të lartë të pushtetit, duke e filluar karrierën si ushtarë në legjionet romake të stacionuar në vendlindjen e tyre.

Para se të bëhej perandor, Decius kishte qenë senator, para kësaj, prefekt i qytetit të Romës, dhe radhazi guvernator në Mezi, Gjermanikë, Spanjë. Gjatë mbretërimit të tij, Decius ndërmori disa projekte ndërtimi, si për shembull: banjat termale në Aventine (Itali), të cilat mbetën funksionale deri në shekullin XVI: historikisht, Decius njihet për kujdesin ndaj Koloseut të Romës; gjatë periudhës së tij si perandor, Koloseu, i dëmtuar rëndë nga goditjet e rrufeve, u restaurua plotësisht.

• Hostiliani
Hostiliani (230–251) ishte një perandor romak në vitin 251 dhe i dyti me origjinë ilire. Hostiliani lindi në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme) në Iliri, djali i perandorit të ardhshëm Decius dhe bashkëshortes Herennia Cupressenia Etruscilla. Ishte vëllai më i vogël i perandorit Herennius Etruscus. Për të ndjekur gjurmët e të atit drejt fronit, Hostiliani mori trajnimet e duhura që një princ duhet të merrte, por gjithnjë qëndroi nën hijen e vëllait të tij Herennius, që gëzonte privilegjin e të qenit trashëgimtar.

Në fillim të vitit 251, Decius i la fronin djalit të tij Herennius të bashk¬udhëhiqte Hostilianin. Decius and Herennius më pas bën një kryengritje kundër mbretit Cniva të gotëve, për të ndëshkuar pushtimet e tij. Megjithatë Hostiliani mbeti në Romë për shkak të përvojës së paktë.

• Klaudi II
Klaudi II nga Iliria hipi në fron në vitin 268. Në fillim e kishte nisur karrierën si ushtar i thjeshtë e më pas u bë komandanti i një ushtrie të vendosur në Pavia. Pasi u bë perandor, Klaudi u shqua në luftimet me gotët, të cilët i shpartalloi në Nish. Nga trimëria që tregoi në këtë luftë ai u quajt Klaud Gotiku. Mbretërimi i tij zgjati dy vjet, derisa vdiq në tokën ilire.

• Mbretërimi i Quintillus
Të dhënat për mbretërimin e Quintillus janë të pakta dhe kontradiktore. Disa thonë se mbretërimi i tij zgjati vetëm 17 ditë, ndërsa të tjerë thonë se zgjati 177 ditë. Gjithashtu ka mosdakordësi për shkakun e vdekjes së tij. Mendohet se ai mund të jetë vrarë nga vetë ushtarët e tij për disiplinën e rreptë ushtarake. Ekzistojnë dhe zërat që thonë se ai vrau veten duke prerë damarët. Megjithatë vetëm për diçka bien të gjithë dakord, për vendin e vdekjes, më Akuileia. Quintillus që vinte nga Iliria la pas dy djem Claudius dhe Quintillus. Djali i tij i dytë me po të njëjtin emër konsiderohej i aftë. Ai ishte një kampion i vërtetë në senat.

• Aurelian, “Shpëtimtari i Ilirisë”
Pas vdekjes së Quintillus, në fronin perandorak hipi Aureliani, i cili kishte lindur në Sirmium (pranë Mitrovicës së sotme-të Sremit në Vojvodinë), që ishte kryeqendra e Panonisë, provincë me shtrirje mjaft të gjerë dhe e banuar nga ilirë. Aureliani në fillim kishte qenë ushtar i thjeshtë dhe më pas u bë kryekomandant i kavalerisë. Gjatë betejave të përgjakshme me armiqtë kishte dalë gjithmonë fitimtar dhe për këtë i kishin dhënë shumë tituj, por titulli më i lartë për të do të ishte “Shpëtimtari i Ilirisë”.

Aureliani në vitet e fundit të mbretërisë së tij nxori një dekret në vitin 274 kundër të krishterëve. Shkaku i ediktit u bë një nga këshilltarët e tij Porfiri, i cili ishte themelues i neoplatonizmit. Ai shkruan një vepër me 15 volume “Kundër të Krishterëve”. Aureliani besonte në kultin e Mitrës dhe të hyjnisë së Diellit. Të gjithë shtetasit e Perandorisë Romake kanë qenë të detyruar t`i nënshtrohen këtij kulti.

Meqenëse të krishterët nuk pranuan, u shpallën armiq të shtetit.
Gjatë kësaj përndjekje u martirizua Papa Feliksi (269-274). Mirëpo edhe Aureliani vritet pas një komploti në vitin 175. Aureliani mbretëroi rreth pesë vjet dhe u vra gjatë marshimit të ushtrisë së tij nga Bizanti drejt Persisë.

• Probi
Perandor tjetër ilir ishte Probi, i cili gjithashtu kishte lindur në Sirmium të Panonisë. Në moshën 44-vjeçare ai u bë perandor dhe mbretëroi për rreth gjashtë vjet. Probi u shqua në luftë kundër fiseve gjermane, franke e vandale, duke i detyruar ata të largoheshin nga kufijtë e perandorisë. Në një ditë vere të vitit 282, ndërsa po drejtonte punimet për tharjen e kënetave në Sirmium, ushtarët u rebeluan, flakën lopatat dhe rrokën armët duke e vrarë perandorin.

• Diokleciani, dëshmitari suprem i madhështisë
Në vitin 285 fronin e perandorisë romake do ta zinte Diokeliciani
(284-305) i cili e kishte origjinën nga fisi ilir i Dioklesë.
Diokleciani lindi në Salona të Dalmacisë ilire më 22 dhjetor 245.

Vdiq po aty më 3 dhjetor 313. Ai kishte qenë komandant i rojeve personale të perandorit të mëparshëm. Merita e Dioklicianit ishte ndarja e pushtetit perandorak në dy Augustë dhe dy Çesarë, ku çdonjëri prej tyre ishte sundimtar fuqiplotë në pjesën e perandorisë që i takonte. Diokliciani u shpall Augusti Suprem dhe si August të dytë emëroi Maksimianin, i cili gjithashtu ishte prej gjakut iliri, ndërsa dy Çesarët kishin një gradë më poshtë se Augustët. I pari ishte Konstandini me origjinë nga Dardania (e ëma e tij ishte mbesa e perandorit Klaud). Diokleciani sundoi rreth 21 vjet derisa në moshën 59-vjeçare dha dorëheqjen.

Dihet botërisht se Diokleciani si burrështetas krahasohet vetëm me Oktavian Augustin dhe konsiderohet si njëri ndër reformatorët më të mëdhenj që ka njohur shoqëria njerëzore. Diokleciani mori pjesë gjatë gjithë periudhës së tij të sundimit në luftëra të shumta, që i kurorëzoi me fitore të bujshme, njësoj si Klaudi II, Aureliani dhe Probi. Edhe atij historia romake nuk i rezervoi asnjë humbje. Veçanësitë: – Dëshmitari suprem i madhështisë, njëri ndër tre perandorët që historia romake admiron më tepër. – Ashtu si Augusti në fillim, edhe Diokleciani në kohën e tij, për revolucionin e thellë që i bëri organizimit shtetëror, konsiderohet si themeluesi i një perandorie të re. – I vetmi perandor i Romës që e ka lëshuar vullnetarisht pushtetin. – E kanë quajtur “Burri i shekullit të artë”, për të dëshmuar madhështinë e revolucionit dioklecianas të shtetit dhe shoqërisë.

• Maximianus Herculius (Maksimiani)
Mendohet të ketë lindur mes viteve 249¬-250 pas lindjes së Krishtit në Sirmium, pranë Mitrovicës së Vojvodinës së sotme.
Marcus Aurelius Valerius Maximianus ka qenë ushtar që në vegjëli.

Ai madje ka luftuar në krah të Perandorit Dioklecian, dhe ka shërbyer në ushtri gjatë mbretërimit të Aurelianit dhe Probusit.

Sipas historianëve me siguri ka qenë Diokleciani që më vonë e shpalli perandor të Nikomedeias më 20 nëntor 284. Kur perandori Diokleciani e kuptoi që perandoria ishte shumë e madhe për t’u qeverisur vetë, ai e bëri Maximianusin Çezarin e tij, dhe i ngriti deri në rangun e Augustit. Ndërkohë që Diokleciani sundonte në Lindje, Maksimianusi sundonte në Perëndim. Për t’u rritur në detyrë Maximianus merrte pjesë në aktivitete të shumta ushtarake.

Pavarësisht se e pati të lehtë të pushtonte disa vende në vitin 286, e pati shumë të vështirë të përballej me galët në po të njëjtin vit. Në çështjet politike, perandori dhe Çezari i tij ishin shumë të ndryshëm. Maximianusi ishte shumë i kursyer kur binte fjala për marrëveshjet me anëtarët e senatit romak, ndërsa marrëdhënia me fisnikët ishte mjaft e mirë. Më 1 maj 305 si Diokleciani, në Nicomedeia, ashtu edhe Maximianus Herculius, në Mediolanum, dhanë dorëheqjen. Kjo dorëheqje u bë për shkak të sëmundjes fatale që kapi Dioklecianin në fund të vitit 304.

Mendohet se ka qenë vetë Diokleciani që i ka detyruar kolegët e tij të hiqnin dorë. Dorëheqja e Herculius nuk duket se zgjati shumë pasi në më pak se një vit më vonë më 28 tetor 306, djali i tij Maksentius u zgjodh perandor i Romës.

• Galeri, perandori i fitoreve të bujshme
Galeri lindi në Iliri. Nuk dihet data e lindjes. Vdiq ne Serdica (Sofie) në vitin 311. Sapo u emërua Çezar u nis në frontin e Danubit dhe gjatë viteve 294 deri në 295 korri fitore të mëdha mbi gotët. Në dy vitet që pasuan shpartalloi ushtritë e sarmantëve dhe markomanëve. Me këtë rast ndërtoi një fortesë në Aquincum (Budapesti i sotëm). Pjesa veriore e Panonisë së Poshtme u bë provincë e re dhe u quajt Galeria Valeria, sipas emrit të gruas së tij. Kur persianët pushtuan provincën romake të Mesopotamisë, Galeri marshoi nëpër Armeni dhe i rrethoi, duke arritur që të pushtojë dhe kryeqytetin e tyre Ctesiphon.

Ai imitoi Aleksandrin e Madh në betejën që zhvilloi në Narsë, duke mbajtur qëndrim miqësor ndaj familjes së mbretit persian Darius dhe duke marrë në mbrojtje fëmijët dhe gratë e qytetit. Me marrëveshjen e paqes që u nënshkrua, Mesopotamia e zmadhuar me territoret rreth Tigrit u rinjoh si provincë perandorake. Gjatë qëndrimit në fronin e Çezarit, Galeri e ndërtoi kryeqytetin e vet në Selanik, një vend strategjik në rrugën Egnatia, që lidhte Romën me provincat e Azisë. Me ngjitjen në rangun e Augustit, ai u detyrua të shkonte në Nikomedi, në vend të Dioklecianit.

Kostandini i madh • Konstandini i Madh, perandori që ndryshoi historinë
Konstandini i Madh lindi më 27 shkurt të vitit 272, nga një familje fisnike ilire në Naissus të Dardanisë (Nishi i sotmëm). I ati i tij Kostanti, ishte në kohën e Dioklecianit njëri prej dy Çezarëve, që mbretëronte në Galinë, Britaninë e Madhe dhe Spanjën. Më 25 korrik të vitit 306 i vdes babai, Konstanti në Jork dhe Konstandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e cila përbëhej kryesisht nga ilirë (306).

Kur perandori ilir i Romës, Konstandini, e pa për herë të parë Bizantin, qyteti kishte thuajse njëmijë vjet jetë. Që në shekullin VII para Krishtit ekzistonte këtu një qytet i vogël, me akropolin në kodër, aty ku sot shtrihet Shën Sofia dhe Pallati i Sulltanëve. Në të vërtetë fillimisht Konstandini kishte në plan thjeshtë të ndërtonte një qytet, ku të përjetësonte emrin e tij, por pas vizitës së dytë në Romë, e pa se qyteti i vjetër, me tërë atë traditë republikane dhe pagane s’kishte se si të shndërrohet në zemrën e Perandorisë së re të krishterë.

Prandaj në vitin 330 të erës sonë, në atmosferën e festimeve, që zgjatën katër ditë, Konstandini i Madh e transferoi rezidencën e tij perandorake në brigjet e Bosforit. Konstandinopoja ishte e rrethuar me mure në pjesën e saj detare dhe një mur trefish në pjesën perëndimore. Për më shumë se njëmijë vjet, muret e Kostandinopojës e shpëtuan Perandorinë prej humbjeve, madje edhe prej zhdukjes së plotë prej armiqve të saj të shumtë.

Në fakt, muret e Kostandinopojës mbronin më shumë se Perandorinë; ato mbronin qytetërimin romako-bizantin. Qyteti ishte bërë prej kohësh shprehje e dëshirës konstandiniane për ndërtimin e Perandorisë së Krishterë Romake, e cila duhet të ishte shteti i të gjithë të krishterëve të botës, në kufijtë e mëparshëm të Perandorisë. Kisha dhe Shteti ishin bashkuar në një partneritet të pandashëm, që reflektonin rregullin hyjnor. Administrues i këtij rregulli ishte Perandori Romak, zëvendës i zotit në tokë dhe “Apostull i Trembëdhjetë i Krishtit”, që sundonte si një autokrat i krishterë prej selisë së tij në Kostandinopojë.

Konstandini e pati lënë punën e nisur në mes dhe ndër pasardhësit, Justiniani siguroi madhështinë konstandiane. Ai shpenzoi gjithë periudhën e vet të sundimit për realizimin e madhështisë romake.

Ai ishte perandori i parë i krishterë ¬Themeluesi i Kostandinopojës. Vizioni i tij për Romën, qytet të përjetshëm, që mishërohej në Kostandinopojën, jetoi për 1129 vjet. – Ndërtuesi i objekteve më të mëdha kristiane. E quante veten përfaqësues të Zotit mbi tokë dhe i dha sundimit të vet karakter hyjnor. – Është shpallur shenjt nga Kisha Katolike. Kisha e Lindjes e konsideron si shenjtorin më të madh- hën Konstandini.

• Maximinus II
Maximinus II (20 nëntor 270 – gusht 313), gjithashtu i njohur si Maximinus Daia ose Maximinus Daza, ishte perandor i Romës nga viti 308 deri në vitin 313. Në vitin 305 xhaxhai i tij, Galerius e adoptoi Maximinusin, duke e rritur atë në rangun e një Çezari dhe i dhuroi atij qeverinë e Sirisë dhe Egjiptit. Maximinus filloi ta stilonte veten si Augusti gjatë fushatave ushtarake. Pas vdekjes së Galerius në vitin 311, Maximinus e ndau Perandorinë Lindore mes Licinius dhe vetes. Kur Licinius dhe Konstandini filluan të miqësoheshin shumë, Maximinus hyri në një aleancë sekrete me uzurpatorin Maxentius, që kontrollonte Italinë. Ai hyri në luftë të hapur me Licinius në vitin 313; thirri një ushtri prej 70,000 burrash por pësoi një humbje të madhe. Një vit më pas ai vdiq, dhe shkaqet e vdekjes së tij nuk ishin asnjëherë të qarta.

• Valentinian I
Valentinian I (lindi në vitin 321 – vdiq më 17 nëntor 375), ishte perandor romak me origjinë ilire nga viti 364 deri në vitin 375 i cili mbrojti me mjeshtëri dhe sukses kufijtë e Perandorisë Perëndimore kundër pushtimeve gjermanike. Valentinian, i cili ishte i biri i një oficeri ushtarak ilir u pozicionua në Panonia (në qendër të Europës), iu bashkua ushtrisë dhe babait të tij me shërbim në Afrikë. Nëntë ditë më vonë komandantët e ushtrisë e shpallën Valentinian perandor. Më 28 mars ai zgjodhi vëllain e tij më të vogël, Valens, si bashkësundues, dhe e vendosi atë si sundues të Lindjes, ndërsa vetë mbajti perëndimin. Për të forcuar linjën e trashëgimisë, Valentinian në vitin 367, zgjodhi djalin e tij 8-¬vjeçar, Gratian, si bashkëperandor. Vetë vdiq si pasojë e një ataku në zemër.

• Valens
Valens (lindi në vitin 328 – vdiq më 9 gusht 378), emri i plotë i të cilit ishte Flavius Julius Valens Augustus, ishte Perandor i pjesës lindore të Romës nga viti 364 deri në vitin 378. Atij iu dha gjysma e e perandorisë, ajo e pjesës lindore nga vëllai i tij më i madh, Valentinian I, pasi ky i fundit mori fronin. Valens, i njohur edhe si perandori i fundit i Romës, u mund dhe u vra në Betejën e Adrianopojës, që shënoi fillimin e fundit të Perandorisë së Madhe romake. Valens dhe vëllai i tij, Valentinian lindën të dy në Cibalae (Kroacinë e sotme) në një familje ilire.

• Gratian
Gratian, (Flavius Gratianus Augustus) lindi në Iliri në vitin 359¬ dhe vdiq në gusht të vitit 383. Ai shërbeu si perandor i Romës nga viti 367 deri në vitin 383. Gjatë kohës së mbretërimit të tij ai e ndau sundimin së bashku me të atin, Valentinian I dhe xhaxhain e tij, Valens. Pas vdekjes së Valentinian I (në nëntor të vitit 375), Gratian ishte tashmë sundimtari i vetëm i Perëndimit. Pas një periudhe të shkurtër ai njohu si kolegun e tij gjysmëvëllain 4-vjeçar, Valentinian. Nën ndikimin e Ausonius, Gratian kërkonte që sundimi i tij të ishte i mirë e popullor.

Ai e shpenzoi pjesën më të madhe të mbretërimit të tij duke u ndeshur me fiset që kërkonin të pushtonin tokat romake. Në vitin 378 ai u vonua pak për të marrë pjesë në betejën e përgjakshme me Gotët në Adrianopojë. Për të zëvendësuar Valensin, që u vra në konflikt, Gratian vendosi Theodosius perandor në lindje në vitin 379. Kur në vitin 383, Gratiani dëgjoi se në Britani ishte vetëshpallur një perandor me emrin Magnus Maximus, për ta ndalur atë që të pushtonte më shumë tokë, ai vendosi të ndërhynte.

Por Gratiani u dezertua nga trupat e tij, dhe ndërsa kërkonte arratisjen në Alpe, ai u vra në tradhëti nga gotët.

• Marciani
Marciani (Flavius Marcianus Augustus) (lindi në vitin 392 – vdiq më 27 janar 457) ishte një perandor bizantin me origjinë ilire nga viti 450 deri në vitin 457. Sundimi i Marcianit shenjoi rikuperimin e Perandorisë Lindore, të cilën e mbrojti nga sulmet dhe kërcënimet e jashtme dhe bëri reforma në ekonomi. Nga ana tjetër politikat izoluese të Marcianit e lanë Perandorinë Perëndimore Romake pa ndihma kundër sulmeve barbare, që u materializuan në fushatat italiane në Attila në vitin 455.

Kisha Ortodokse Perëndimore e njeh Marcianin si një shenjtor për rolin e tij në përfshirjen në Këshillin e Kishës. Pas një lufte të gjatë me prijësin e Hunëve, Atilën, Marciani ishte i lumtur që e kishte parë të vdekur Atilën para syve të tij. Marciani vdiq më 27 janar 457 nga sëmundja e gangrenës. Ai u varros në kishën Apostoli i Shenjtë në Kostandinopojë.

• Anastasi
Perandori Anastas (491¬-518), i cili hipi në fronin perandorak në vitin 491 kishte lindur në Durrës. Anastasi e rrethoi Durrësin me mure, duke ndërtuar kështjellën e famshme me tre mure rrethuese dhe katër kulla. Gjithashtu ndërtoi edhe hipodromin. Ai sundoi gati 20 vjet dhe përmendet për disa reforma. Anastasi bëri reformimin e taksave, të cilat nuk do të mblidheshin si më parë nga këshillat, por nga nëpunësit e financës të emëruar nga prefekti pretorian.

Gjithashtu ai bëri edhe reformën monetare duke vënë në qarkullim monedhat prej bronzi në vend të atyre prej bakri. Në kohën e sundimit të Perandorit Anastas u ndaluan ndeshjet midis gladiatorëve nëpër amfiteatre. Anastasi vdiq më 1 korrik të vitit 518. Ai përmendet në histori për ndërtimin e murit të gjatë përreth Konstandinopojës.

• Justiniani i Madh i Ilirisë
Justiniani lindi në Bederiana të Dardanisë në vitin 482. Vdiq në Konstandinopojë më 14 nëntor të vitit 565. Perandor prej datës 1 gusht 527 deri më 14 nëntor 565.

Justiniani dallohet për dijet e thella, vullnetin e jashtëzakonshëm për punë dhe kulturën e nevojshme për ripërtëritjen e idesë perandorake romake. Duke marrë arsimim të plotë. Ai mundi të ishte kompetent në shumë fusha: teologji, politikë, strategji ushtarake, art, arkitekturë, shkencë. U përgatit shumë gjatë për në fron, më me kujdes se të gjithë sunduesit e tjerë të Perandorisë Bizantine. Ishte Perandori i fundit që bëri përpjekje për t’i bashkuar pjesët lindore dhe perëndimore të Perandorisë.

Justiniani synonte forcimin e vazhdueshëm të shtetit, prandaj i dha një shtytje të fuqishme veprimtarisë ekonomike. Në bujqësi ai mbështeti lirimin e skllevërve dhe lidhjen e tyre me ngastrat e vogla të tokës, që i merrnin për t’i punuar. Gjatë periudhës së sundimit të Justinianit, tregtia e Bizantit u rrit shumë dhe Kostandinopoja u bë qendra e botës. Deti Mesdhe, pas pushtimeve në Afrikë, Itali dhe Spanjë, u kthye në liqen romak.

Për rolin e jashtëzakonshëm të Justinianit në mbrojtjen e doktrinës kishtare, ruajtjen e unitetit fetar dhe ngritjen e katedraleve, bazilikave dhe kishave në të katër anët e Perandorisë, u shenjtërua. Festa e Shën Justinianit është me 14 nëntor. Sot përkujtohet në të gjithë botën e krishterë, veçanërisht në krishterimin e ritit lindor.

Justiniani ka qenë shumë i lidhur me vendlindjen dhe popullin që i përkiste. Kjo nuk ishte thjeshtë lidhje shpirtërore dhe nostalgji për prejardhjen. Ai u mbështet shumë në rrethin e vet familjar dhe bashkëkombasit e vet ilirë, që përbënin një forcë kryesore në ushtri dhe në aparatin shtetëror. Në një nga mbishkrimet e gjetura në Itali bëhet fjalë për numrin e madh të ilirëve (numerius felix Illyrianorum), që shërbenin në ushtrinë perandorake.

Kujtojmë edhe rolin e madh të tre gjeneralëve ilirë: Belisari, Mundi dhe Germani (kushëri i tij) për mbrojtjen e Perandorisë dhe realizimin e ambicieve të Perandorit. Por ndryshe nga perandorë të tjerë ilirë, Justiniani nuk u mjaftua me ilirizimin e kastës perandorake dhe u përpoq që Iliria të kishte një status të veçantë dhe të ishte më i privilegjuar se rajonet e tjera.

Justiniani ndërtoi vetëm në Dardani tetë qytete të reja dhe meremetoi pesëdhjetë e një qytete të tjera. Po kështu në Epirin e Ri, që i përkiste Shqipërisë së Mesme, Perandori ndërtoi tridhjetë e dy kështjella të reja dhe meremetoi tridhjetë e gjashtë ekzistuese. Ndërsa në territorin e Epirit të Vjetër, që i përket territorit të Shqipërisë së Jugut u ndërtuan dymbëdhjetë kështjella të reja dhe u meremetuan dyzet e shtatë kështjella të tjera. Perandori rindërtoi krejtësisht qytetin e Singidinumit dhe e rrethoi me fortesa shumë të rëndësishme. Po kështu ngriti një fortesë të madhe në afërsi të këtij qyteti.

Me emrin e vet, Justinianopolis, Perandori pagëzoi edhe qytetin Adrianopolis në Epir. Gjithashtu pranë Justinianës së Dytë, u ndërtua një qytet i ri, i quajtur Justinopolis, për nder të dajës së Augustit, themeluesit të dinastisë, Perandorit Justin I.

Justinani u kujdes që Iliriku të ndihej i sigurtë dhe e bëri mbrojtjen e territoreve ilire prej sulmeve të barbarëve një çështje personale. Në territoret ilire u ndërtuan 43 fortesa të reja dhe u riparuan 50 fortesa të tjera. Kur në vitin 540 hordhitë bullgare dhe sllave sulmuan Ilirikun, Justiniani ndërtoi,ose meremetoi rreth 400 vendfortifikime, shumica prej të cilave shumë larg kufijve. Dante e percepton Justinianin si përfaqësuesin e denjë të Perandorisë së Romës. Si përfundim, shekulli VI mbizotërohet nga personaliteti i Justinianit, kurse sundimi i tij shënon pikën kulmore të Perandorisë Romake të Lindjes. Justiniani i Madh është njëri ndër personalitetet më të shquara historikë të Kohës së Vjetër dhe padyshim sunduesi më i lavdishëm i Perandorisë njëmijë e njëqindvjeçare të Bizantit.