Dy princesha dhe një mbret

0
2059

Dionis Xhafa

Kur kam udhëtuar nëpër urbanet e kryeqytetit, Tiranës, kam parë kaq shumë llum. Po po, ka llum ky vend, edhe Tirana madje. Në mos, Tirana ka llum edhe më tepër se çdo qytet tjetër i Shqipërisë dhe kjo prej faktit se këtu kanë ardhur nga të gjitha anët e republikës, e në mënyrë të pakontrolluar, por tufa-tufa, prej Veriut më së shumti, por edhe nga jugu. Nëpër urbane, çfarë nuk shikon. Aty sheh edhe perversitete me raste, me njerëz që janë të frustruar dhe që kryejnë lloj-lloj maskarallëku nëpër autobusë.

Përjashto adoleshentët dhe ndonjë zyrtar ose person që e mban veten e s’merret me kësi gjërash, nëpër urbane gjen plot llum me pak fjalë. Aty e ke njeriun e keq, që shikon si e si të ngacmojë vajzat e reja, manjakët që bukë nuk kanë të hanë, por që shtrijnë dorën për të prekur pjesët intime të vajzave dhe plot pleq, që janë harbutë dhe çfarë nuk tentojnë të bëjnë. Ka nga ata pleq matufë, që ngacmojnë jo vetëm vajzat, por edhe djemtë e rinj. Po po, është zezonë e madhe në urban. Këta janë shqiptarë më së shumti, njerëz të bardhë, kuptohet, të cilët shumicën duhet ta rrasje në burg për “ngacmim seksual”.

Nuk është kaq, por edhe era që vjen në disa urbane është të vjellësh, por sa del nga ato. E sheh që çdo gjë aty ka prekur fundin dhe njerëzit shtyhen e shtypen, sikur të jenë krijesa shtazore. Po po përnjëmend ashtu ngjan, duke hequr mënjanë edhe paragjykimet që krijohen. E, në kontraste me gjithë çfarë thashë më lart, dje në autobus pashë një tjetër skenë. Pashë një baba, diku 40 vjeç, rom, që kishte për dore dy vajza adoleshente rome. Të dyja si princesha. Sa të mbajtura ishin. A s’po iu kishte lezet. Njëra kishte vënë kaçurrela me onde, kurse tjetra sikur kurorë i kishte bërë flokët. Vërtetë që ndritnin. Ata ishin larë dhe babai i vajzave gjithashtu. Babai i përcillte vajzat për në shkollë. Ata ishin të urta dhe dukeshin si zana, vërtetë.

Nuk bënë më tepër se dy stacione të urbanit, por se të gjithëve iu ra në sy fakti se ata vajza ishin rome, por përcillnin kulturë dhe rrezatonin mirësi. Ato vërtetë që e meritonin të hynin në sistem arsimor dhe dukeshin që keq njeriu nuk iu bënin. E, pra ka raste që paragjykojmë shumë. Ata ishin disa persona, që ndoshta kërkonin të ndryshonin statusin e tyre social dhe ekonomik, e nuk është se nuk ishin në rrugën e duhur. Nuk është se e di se si jetonin, pasi kur zbritën, nuk i hyra më jetës së tyre. Ndoshta jetojnë edhe në kasolle dhe prapë vishen e krihen bukur. Ama rrezatuan kulturë e mirësi. Njerëzve të tillë duhet që Zoti apo çfarë mundet të ekzistojë, në rast se ekziston, tua bëjë mbarë. Tua bëjë mbarë, edhe më shumë se disa prej nesh shqiptarëve, që merremi me vepra të liga e të këqija.

D.Xh.