SHOQATA “SALI ÇEKAJ” – MIJËRA EURO PËR HUMANITET

0
2241
Shtatore Nënë Terezes - varrezat NY

Përurimi i Shtatorës të Nënës Tereze.
Nga e majta: Osman Ferizi me mërgimtarët

Nga: GAZMEND DASHI, IDRIZ ZEQIRAJ

Vitin kalendarik 2016 Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen të Bavarisë gjermane, e përmbylli suksesshëm. Shoqata, përgjatë vitit që lamë pas, ka organizuar veprimtari të shumëllojshme kulturore, sportive dhe investime kapitale humanitare.

Kryesinë e Shoqatës e përbëjnë mërgimtarët nga komuna të ndryshme të Kosovës, pavarësisht se nga vjen anëtarësia e Shoqatës, përfshi këtu edhe Shqipërinë: Osman Ferizi – kryetar, shok armësh i heroit Sali Çekaj; Gazmend Dashi – nënkryetar, Zymer Zeneli – arkatar, Mustafë Shala, Azem Daka, Ardian Ndreka, Rafet Mehmeti, Shemsi Haziri, Maxhun Smajli, Selman Syla, Ymer Graiçevci, Shaban Muli – anëtarë.

Ekipi sportiv i Pfaffenhofenit

Shoqata “Sali Çekaj” shquhet edhe për aktivitete sportive. Veç tjerash, ajo organizon turnirin e çdovitshëm sportiv futbollistik, tradicional e humanitar, në nderim të heroit Sali Çekaj. Paratë e fituara nga turniri sportiv, destinohen për ndihmat humanitare, të cilat Shoqata u dhuron skamnorëve herëpashere.

Risi e turnirit të 14-të sportiv tradicional humanitar ishte se drejtimi dhe menaxhimi i tij u bë, kryesisht, nga të rinjtë. Kryesia e Shoqatës arsyetoi se të rinjtë janë shumë më të qetë, më tolerantë, njohës më të mirë të rregullave.

Në turnirin e fundit, Pfaffenhofeni u përfaqësua me dy ekipe. Ekipet e Pfaffenhofenit u shtuan, për ta rritur numrin e ekipeve në pjesëmarrje. Njërin syrësh e sponsorizon Firma “MalerBlerim”, me pronar llapjanin Blerim Cakiçi.

Lojëtarë e aktivizuar në Turnirin e 14-të humanitar tradicional: Ekipi i parë: Argjent Cakiqi, Enis Xhafaj, Rrahim Xhafaj, Kushtrim Xhafaj, Valon Shala, Naser Thaqi, Ymer Idrizi, Sabit Vermaz. Ekipi i dytë: Enis Zeneli, Arianit Gubetini, Drilon Gubetini, Egzon Avdilji, Paris Legisi, Albert Hasani, Mohammed Krkmaz.

Përgjegjës për Turnirin e 14-të ishin të rinjtë: Enis Zeneli, Luan Hoxha dhe Argent Ferizi

Shtatorja e Nënës Tereze, një Shqiptari në miniaturë

Kryesia e Shoqatës Kulturore Humanitare Shqiptaro- Gjermane “Sali Çekaj”, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar në Pfaffenhofen dhe më gjërë në Bavari dhe tej saj, pas konsultimeve të shumëta, madje edhe me palën gjermane, për ta siguruar lejen përkatëse, vendosi ngritjen e Shtatorës të Nënës Tereze, skulpturë e mjeshtrit Tali Istrefi, në qytetin e tyre në Pfaffenhofen të Bavarisë. Kostoja ishte e lartë: 21 mijë euro punimi dhe derdhja në bronz. Plus shpenzimet tjera anësore.

Por, edhe donatorët fisnikë kontribuan: Firma “RAMA”, me pronar Brahim Rama, nga Podujeva, e barti gratis, falas, Shtatoren nga Kosova në Pfaffenhofen. Firma “Ferizi”, vëllezërit Jetullah e Nazmi Ferizi bënë veshjen dhe gavrimin e bazamentit. Krerët e qytetit, në bashkëpunim ne kishën, caktuan lokacionin e përshtatshëm, të bollshëm dhe të dukshëm, për vendosjen e Shtatorës.

Tashmë, shqiptarët në Pfaffenhofen, Bavari dhe mëtej në Gjermani, kanë një faltore, simbol dhe krenari të Atdheut të tyre. Edhe vendorët gjermanë dhe komunitetet tjera, përulën me respekt dhe nderim unik për Nënën Tereze, për Shenjtoren e përbotshme.

Invalidit të luftës – dhuratë shtëpinë e re
Invalidi i luftës Jeton Hasani

Shoqata “Sali Çekaj”, përveç shtretërve dhe barnave për spitale, ajo ka ndihmuar edhe me veshmbathje, gjësende të tjera si dhe me para (euro), për familjet e skamnorëve, në veçanti ato me shkollarë, studentë. Por, humanizmi material i kësaj Shoqate ka kulmuar me ndërtimin e shtëpive, të njerëzve në nevojë, në veçanti, për invalidët e luftës. Dhe, përurimet e kësaj natyre, kanë qenë, pothuajse, të përvitshme, të çdovitshme.

Shtëpinë e re e gëzoi edhe Jeton Hasani, nga fshati Semajë i Kaçanikut, dhuratë e Shoqatës emërmirë “Sali Çekaj”, projektin e së cilës e realizoi, vullnetarisht dhe falas, inxhinieri i arkitekturës, Qamil Stagova. Në ditën e dorëzimit të çilsave të shtëpisë, luftëtarit të Kosharës, Jeton Hasanit, tani, invalid i luftës, veç të tjerëve, pjesëmarrës ishin edhe oficerë dhe ushtarë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Në mes tyre, Feriz Trezhnjeva, oficër nga Tropoja, luftëtar i Kosharës dhe i Kosovës, i cili asnjëherë nuk e zhveshi uniformën ushtarake, jeton dhe punon në Ferizaj; Shpëtim Agusholli, invalid i luftës; Astrit Gashi, Bekë Osmanaj dhe katër bashkëluftëtarë të tjerë të Jetonit. Kishin ardhur edhe kryetari i Veteranëve të Luftës – Hajrush Kurtaj; kryetari i Invelidëve të Luftës të Komunës të Kaçanikut – Rrustem Dema.

Nga Kryesia e Shoqatës “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen, të Bavarisë gjermane, në përurimin e shtëpisë së re, kishin ardhur: Gazmend Dashi- nënkryetar; Zymer Zeneli-arkatar; Azem Daka-anëtar; Hajzer Gashi-anëtar i kryesisë të Aktivit të LDK-së në Starnberg të Bavarisë.

Në emër të Shoqatës, të kryesisë dhe të kryetarit, Osman Ferizi, foli nënkryetari i saj, Gazmend Dashi, i cili, së bashku me dy komandantët, ia dorëzuan çilësat e shtëpisë invalidit të luftës, Jeton Hasanit. Ndërkohë, komandantët e Kosharës: Feriz Trezhnjeva dhe Hajrush Kurtaj, falenderuan Shoqatën “Sali Çekaj”, për humanizmin e treguar në vijimësi dhe, së fundi, për ndërtimin e shtëpisë të invalidit të luftës.

Krejt në fund, një falenderim emocional, për Shoqatën “Sali Çekaj” dhe bashkëluftëtarët e tij pjesëmarrës në gëzimin e tij, për dhuratën shumë të çmuar, shtëpinë e re, e bëri, tashmë, i zoti i shtëpisë, invalidi i luftës, Jeton Hasani.

Kleriku atdhetar, At Nikollë Marku,
ndihmohet nga Shoqata
At Nikollë Marku

Për opinionin gjithëshqiptarë, emri i At Nikollë Markut, është bërë i njohur, si kundërshtues i Kishës Orthodokse greke në Shqipëri, me Anastas Janullatosit në krye. At Nikolla lufton për pavarësinë e Kishës Autoqefale Shqiptare.

Armiqësia, shantazhi, kërcënimi dhe dënimi me vdekje i At Nikollë Markut, nga kisha greke, ka bërë që atij t`i ofrohet mbrojtje e afërtë fizike, nga policia e shtetit! At Marku, i moshuar, i molisur nga sëmundja, lufton dhe nuk dorëzohet.

I ftuar enkas nga Shoqata “Sali Çekaj”, në përurimin e Shtatorës të Nënë Terezës, ai foli mençurisht e trimërisht, me kushtrimin se Kisha Orthodokse Shqiptare vazhdon të mbrohet në Elbasan, por duhet mbrojtur edhe në tërë Shqipërinë.

Shoqata “Sali Çekaj”, kryesia dhe kryetari i saj, Osman Ferizi, e vlerësojnë në masën e duhur, gjegjëse, rezistencën e pakompromis, të At Nikollë Markut, i cili ka arritur ta ruaj pavarësinë kishtare, të paktën, aty, ku Ai predikon, shërben, në Kishën Orthodokse të Elbasanit. Në prag të ndërrimit të moteve, Shoqata ndau shumën modeste prej 570 euro, për At Nikollë Markun, për nevoja shëndetësore.