A na mbrojnë maskat nga Koronavirusi? Si t’i përdorni si duhet ato?

0
373
Maska

24/02/20

Pasi Koronavirusi “paralizoi” veriun e Italisë, duke shkaktuar 5 viktima dhe qindra të prekur, shqiptarët nisën të marrin masa pasi probabiliteti që virusi i rrezikshëm të mbërrijë në vendin tonë është edhe më i lartë.

Përballë kërcënimit potencial, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandoi edhe një sërë masash që duhet t’i zbatojë secili prej nesh ku përpos higjenës personale, si masë mbrojtëse rekomandohet edhe përdorimi i maskës kirurgjikale kur ke dyshime se je sëmurë ose ndihmoni njerëz të sëmurë.

Por sa na mbron maska nga koronavirusi?

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nuk ka asnjë provë që maska na mbron nga koronavirusi. Vendosja e maskës rekomandohet më tepër për persona që dyshohet apo janë prekur nga koronavirusi, në mënyrë që të mos e përhapin te të tjerët, kryesisht përmes sekrecioneve teksa kolliten apo teshtijnë. Megjithatë maska rekomandohet të mbahet edhe nga persona që i shërbejnë të prekurve nga koronavirusi.

Por nëse vendosni të mbani maskë, është e rëndësishme të keni parasysh:
Të zgjidhni masën e duhur pasi maska duhet të mbulojë gojën, hundën dhe mjekrën.
Të lani duart para se të vendosni maskën.

Shumica e maskave kirurgjikale janë dizenjuar me tre shtresa. Shtresa e jashtme spraps lëngjet, shtresa e mesme shërben si barrierë ndaj baktereve dhe shtresa e brendshme thith lagështirën. Maskat që s’janë ndërtuar sipas këtij modeli nuk rekomandohen pasi nuk mbrojnë efektivisht kundër sëmundjeve infektive.

Të mos e prekni maskën me duar gjatë përdorimit.

Maskat kirurgjikale janë njëpërdorimshe. Për ta hequr atë, lironi llastiqet dhe sërish shmangni prekjen e maskës, pasi mund të jetë e kontaminuar. Hidheni në një kosh të mbuluar dhe lani duart menjëherë.

Lani duart me sapun, ujë dhe alkool, nëse e prekni aksidentalisht maskën. /Opinion.al