A vuajmë kur vlerësojmë

0
503

Mbresë

Dy tri fjalë për librin me poezi të Nexhat Halimi “A vuan më pse nuk vuan”, botuar më 2018 nga shtëpia botuese “Fad” në Prishtinë
Shkruar nga Shaip Grabovci

Ti e lexon poezinë e ndalesh dhe mendon: prej nga e nxjerr zjarrin, prej nga e sjell thellësinë, prej nga e zgjon flakën të digjet e ta krijojë të bukurën, mallëngjimin ai që shkruan, ai që shprehet për dashurinë, për dhembjen, për mungesën?!

a vuan më pse nuk vuan
a të dhemb më pse s`të dhemb
a digjesh pse s`digjesh

ndërsa puthen flaka e akulli
e hijet shkruajnë lule në erë

s’do të përgjigjesh më kurrë

pse s’do të vish me shprehi
të më prekësh në netët e acarta
a i kam këmbët të ftohta

të më mishërosh me besim

… Të vlerësosh punën e ndonjë tjetri është përgjegjësi e madhe e përgjegjësia bëhet edhe më e madhe në qofte se është fjala për poezi, ngase poezia, nga të gjitha simotrat e saj në krijimtarinë artistike, është me më shumë dimensione, prandaj edhe këtë shkrim për librin me poezi: “A vuan më pse nuk vuan”, të Nexhat Halimit, nuk kam si ta pagëzoj ndryshe, pos: A vuajmë kur vlerësojmë…
Po, gjithsesi po.

Edhe vlerësimi është një lloj vuajtje, ngase përherë thellë, në ndërdije ngel ndonjë pikëpyetje: mos vallë a është thënë tërë ajo që është dashtë të thuhet, vallë sa është arritur në depërtimin e të gjitha matjeve, te të gjitha fshehtësitë e poetit me të cilat nganjëherë edhe ai vetë befasohet! Pyetjet e bëra dhe të gjitha ato të ngjashme, zakonisht mbesin pa përgjigje të plotë, kurse atyre që tentojnë të bëjnë vlerësime, për satisfaksion u mbetet rruga që kanë trasuar për të arritur kah zbërthimi i enigmave të ngritur nga poetët, të cilët, nganjëherë edhe pa vetëdije i kanë ngritur.

Pra, shëtitja në vargje ngjason sikur të gjurmojmë në një vend të mrekullueshëm, për të cilin gjurmim ishte dashur shumë vite, e ne në dispozicion kemi vetëm disa orë! Nisur nga kjo që u tha, këtë shkrim, nuk mund ta quaj as ese, as shënim, as vështrim, as recension, as kritikë për veprën… Por vetëm një shëtitje në një tufë poezish që thellë do të prekin zemrën e çdo njeriu, ngase secili nga ne është i lindur nga nëna. Kështu, kalimthi do të na kujtohen ninullat, poezitë nga ditët e para shkollore e deri te ato edhe sot kur i lexojmë e nuk na lënë indiferent…

Por, përkundrazi na bëjnë të lundrojmë në ato çaste shumë, shumë thellë të ruajtura në vetëdijen tonë, të cilat nganjëherë nuk duam t’ia themi as vetit. E vargu i poetit, N. Halimi, depërton mu në ato çaste, të cilat i ruajmë vetëm për veti, por që forca e madhe krijuese e poetit, bën që t’i ndjejmë, t’iu “takojmë”! Pra, ja një rast, kur vargjet e poetit na bëjnë që të “fluturojmë” lartë atje, të çmallemi me të gjitha ato për të cilat na ka marrë malli!

Gjatë leximit të këtij librit më shkonte mendja të pyes: ”vallë, mos poetët janë qenie që më shumë se të tjerët i duan nënat e tyre, apo dinë që në mënyrë të veçantë të shprehin atë që edhe të tjerët e ndiejnë, por nuk dinë për ta thënë aq bukur. Kur e kemi fjalën për shprehjet, në mënyrë të veçantë, me shkon mendja edhe të mendoj në numrin: Dyzet… Dyzet trimat e pamposhtur, Dyzet ditë zie, Dyzet vjet pritje… e shumë dyzetësha të tjerë… E libri i N. Halimit, kushtuar nënës i ka dyzet e dy poezi! Sikur Halimi ka dashtë të tregoje se dashuria e tij ndaj nënës është mbi të gjithë DYZETSHAT! Kështu si e sugjeron vetë titulli i veprës: A VUAN ME PSE NUK VUAN, sikur përcjell vuajtjen deri në amshim.

Vetëm pse dhembja dhe poezia janë një amshim.