ABUZIM POLITIK-MEDIATIK I DHIMBJES!

0
468

AV. XHABIR ZEJNUNI

Para pak ditësh PD-ja, pas njoftimit që ajo mori nga “SHËRBIMET e saja SEKRETE” brenda Policisë, me anë të liderit të saj Sali Berisha na dha një lajm, ku bëhej fjalë mbi përdhunimin nga një kope djemsh të një vajze 13 vjeçare. Berisha sulmoi ashpër Policinë mbi mbajtjen fshehtë të këtij lajmi kaq të dhimbshëm. Por, ai nuk bëri të ditur EMRIN e të miturës. Më pas, Zonja Elisa Spiropali sulmoi PD-në se po e përdorte për qëllime politike këtë lajm kaq të hidhur. Por, nga ana tjetër Zonja Spiropali tha se “Nuk ka aspak çudi këtu, pasi nga ngjarje të tilla bëhen edhe filma”! Reagimet ishin të ndryshme(…)!

Në një deklaratë të bërë mesditën e datës 7 shkurt, Policia na sqaroi se “Pas marrjes së garancisë absolute nga ana Policisë, se do t’i ruhej anonimati i vajzës, e ëma së bashku me vajzën pranuan të bënin kallëzim në lidhje me çfarë kishte ndodhur”. Që do thotë se publiku u njoh edhe ZYRTARISHT mbi ngjarjen e dhimbshme, por jo me IDENTITETIN e të miturës. Duhet të vlerësoshet diskrecioni i Policisë në lidhje me ruajtjen e privatësisë së vajzës së mitur. Deri këtu çdo gjë në rregull.

Problemi lindi më pas, kur dje Zonja Spiropali me anë të dy videove, u hodh prapë në sulm. Tek videoja e parë, me anë të një recitimi ekselent, ajo na njoftoi për vizitën që kishte bërë në zyrën e saj gjyshi i vajzës dhe sulmoi tërë kazanin mediatik, bashkë me pjesën tjetër të popullsisë, ku sipas saj ishin ata që po dhunonin privatësinë e vajzës së mitur të përdhunuar. Por pa i përmendur as edhe me INICIALE emrin vajzës së mitur!

Kurse tek videoja e dytë, Zonja Spiropali kishte shkuar për një vizitë tek shtëpia e vajzës së mitur, ku ajo i jepte mbështetje në forma të ndryshme në emër të Qeverisë familjes së vajzës. Ndërsa babai i vajzës kërkoi respektimin e privatësisë së familjes së tyre! Këtu fillojnë edhe çuditë. Pasi privatësinë e familjes së vajzës, opinioni publik e mori vesh vetëm falë kësaj videoje të Zonjës Spiropali. Më pas, nuk është e vështirë që të njihet edhe identiteti i vajzës! Ndërsa Zonja Spiropali bëri komedi, ku kërkoi respektimin e privatësisë së vajzës në mbështëtje të nenit 21 të Kodit të Drejtësisë Penale për të miturit.

Në fakt, neni 21, me titull “Mbrojtja e jetës private të të miturit”, disponon se:
“1. E drejta e të miturit për jetë private respektohet plotësisht në çdo faze të drejtësisë penale, për të mitur, duke bërë kujdes që të shmanget dëmtimi i tij.
2. Nuk publikohet asnjë informacion, që mund të çojë në identifikimin e të miturit në konflikt me ligjin, të të miturit viktimë ose dëshmitar i një vepre penale.
3. Të dhënat mbi dënimet e mëparshme të të miturit nuk bëhen publike.
4. Ndalohet identifikimi ose publikimi në çfarëdo lloj forme i të dhënave personale të të miturit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
5. Me përjashtim të rasteve të parashikuara nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale, të dhënat personale për një vepër penale të kryer nën moshën 18 vjeç mund të identifikohen ose të publikohen vetëm me pëlqimin e tij.
6. Përpunimi i të dhënave të të miturve realizohet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
7. Shkelja e pikes 4, të këtij neni, përbën vepër penale, sipas parashikimeve të Kodit Penal”.

Pa tentuar që të analizohet ky nen në detaje, duhet thënë se si opozita ashtu si edhe Policia e respektuan privatësinë e të miturës. Ndërsa ishte e para Zonja Spiropali ajo që e dhunoi këtë normë ligjore. Dhe në bazë të par. 4 dhe 7, ajo duhet të kalojë në ndjekje penale, pavarësisht se ajo ka marrë edhe miratimin e familjes së vajzës. Sepse neni 21 nuk parashikon miratimin e familjes së të miturit, për të bërë publike të dhënat personale kaq të ndjeshme.

Në sajë të kësaj videoje, publiku u njoh me familjen e vajzës. Nga kjo rrjedh se identifikimi i vajzës së mitur, bëhet akoma më i lehtë. Në një vend me të vërtetë demokratik, Prokuroria duhet të aktivizohet menjëherë kryesisht për hetimin e kësaj shkeljeje kaq të rëndë. Në fund, Zonja Spiropali në emër të Qeverisë i ofroi familjes së vajzës bursë studimi edhe jashtë Shqipërisë për vajzën. Po për ato vajza të tjera që përdhunohen çdo ditë (dhe natë!) si do reagojë Qeveria? Pasi përdhunimi nuk bëhet vetëm nga ana seksuale. Përdhunimi bëhet edhe me forma të tjera(…)!

Një pyetje në fund për Zonjën Spiropali:
Zonjë. Do e marrë përsipër Qeveria Rama edhe “rikonstruktimin” e IMENES së vajzës së mitur(…)?!

Faleminderit shumë për (mos)përgjigjen Tuaj!