AGIM MATO: SHQIPËRIA ËSHTË NJË MIT

0
755
Agim Mato

Daniele Giancane (Xhankane)

(Katedra e poezisë, poetë të gjallë të mëdhenj të shek. XXI)

Nëse shkoni në Sarandë, në jug të Shqipërisë, për takimin vjetor të organizuar nga poetët e “Triremës joniane”

Agim Mato do t’ju bëjë të vizitoni – si ndalesë të detyrueshme – monumentet e qytetit antik të Butrintit, pak kilometra larg qendrave të banuara. Nuk bëhet fjalë për një udhëtim turistik, (tout court) por për një zhytje në një botë mitike dhe të shkëlqyer. Butrinti i themeluar nga romakët, në periudhën e Augustit, shfaqet me gjurmë të akuedotit të tij, me termet e shumta, amfiteatrin, foron, tempullin e Eskulapit, për gjatë shtigjeve që të çojnë në det, në një atmosferë të magjishme.

Nuk është rastësi: Agim Mato (1947) një nga poetët më të mëdhenj të këtyre viteve të Shqipërisë e ka bërë Butrintin vendin e një lloj fati të shpirtit të vet:

“Shetisim mbi gërmadha qytetërimesh
Të mbuluara me pyjet e dafinave
Si me lavdinë e vet.

Klonat me kapitele që ngrihen nga dheu
U ngjajnë direkëve të anijeve të mbytura.

Shumë i vjetër dheu. Këtu, po të gërmosh
Të duket sikur do të prekësh dorën e ndonjë statuje
Që zgjatet drejt teje për ndihmë.

Pusi i Nuseve e përplas zërin tonë në lashtësi.
Ngjitemi në ca shkallë
Që nuk dinë ku të na çojnë.

Dyert e kohës janë të mbyllura për to.
Ose duhen ende të tjera shkallë të arrish për të trokitur
diku.

Në muret e Nimfeumit bletët u bien kambanave të vogla
të luleve.
Nxitojmë për në teatër si të vonuarit në shfaqje.

Anaforat në oborrin e Muzeut mbushen me diell.
Kur ikin vizitorët dalin statujat të çmpijnë këmbët
Nga koha e gjatë e roje nderit në hyrje të historisë.

Poezia e Agim Matos është komplekse dhe e larmishme: në të është shtypja e diktaturës, që e zhveshi nga të mirat dhe i hoqi mundësinë për t’u realizuar, është miti antik me të cilin poeti është ende i rrethuar, është meditimi mbi ekzistencën.

Mato publikoi librin e tij të parë në vitin 1969: “Jug” dhe në vitin 1974 të dytin, “Në pragun e shtëpive tona”, pastaj harrimi ra mbi të si mbi shumë poetë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë. Nga censura e shtetit i hiqet e drejta e botimit. Vite të tëra heshtjeje dhe vuajtjeje ku Agimi iu përshtat çdo lloj pune për të mbijetuar. Pastaj, më në fund, me rënien e diktaturës – rifilloi të publikojë – “Buka e fjalëve”, “Jashtë eklipsit”, “Fundo”, “Lundrimet…”, “Pluhuri i artë i përjetësive” janë librat që ndoqën njeri tjetrin dhe e bënë të njohur jo vetëm në Shqipëri, por në tërë Evropën. Në Itali, kam këtu në duart e mia librin “I giardini della memoria” (Kopshtet e kujtesës) 2018. Por nuk kënaqet të jetë vetëm një poet i rafinuar: ngre shtëpinë botuese, “Milosao” me të cilën shtyp librat me poezi të shumë autorëve.

Besoj se në themel të frymëzimit të Agim Matos qëndron një “Shenjtërim i fortë i jetës”, që është pikërisht substrati i kulturës mesdhetare. Të lexosh poezitë e Agim Matos është një eksperiencë e “kthimit në shtëpi”, është sikur ai na bën të shohim diçka që e kemi harruar, humbur, siç jemi në një botë pa memorie. Shembull: “kulti” i tij për ullinjtë, siç del nga teksti që vijon:

“Ullinj pleq e të gërmuqur
ndanë shtëpive,
udhëve dhe detit
me degët e lulëzuara të së sotmes.

Ullinj pleq e të gërmuqur
nga pesha e qindra e qindra vjetëve,
që kanë mbërritur ashtu të zinj e të thatë
përmes gjelbërimit
si hieroglifë të pakuptimta.

………………………………………………….

Kush mund të thotë se këta rreshta ullinjsh
të mbjellë nga dora e ilirëve tanë,
nuk janë paragrafët e një traktati paqeje?

Shiko këtë ulli himarjot
të ndarë mëdysh,
këtë ulli ku lidheshin dikur anijet.

………………………………………………….

Ç’lavdie i këndojnë
këta ullinj të Krujës
grupe-grupe,
nëpër sheshe,
buzë rrëpirave
duke mbajtur me rrënjët e tyre kështjellën e lashtë?

………………………………………………….

Duhet durim të gjesh misteret e një zgavre
ku fshihnim fëmijërinë tonë,
një hajmali, një kukull prej lecke
dhe përrallat që brambullinin netëve në vatra.

………………………………………………….

Ullinj pleq e të gërmuqur
ndanë shtëpive,
udhëve dhe detit,
ullinj të heshtur si bardë të verbër
që befas akordoni harpat
në erën që nis të fryjë.

………………………………………………….

A e dëgjoni jehonën e një himni që ngrihet sipër tyre?”

Këtu ullinjtë ngjajnë me njerëzit. Të kërrusur nga vitet, të lashtë e të mençur. Ose ndoshta më njerëzorë se njerëzit. Ullinj që fshehin sekrete të patjetërsueshme. Që kërkojnë durim dhe vëmendje të kuptohen. Që paralajmërojnë kohë të frikshme, që ndjejnë se ajri është bërë i papastër për mushkëritë, sepse bota tashmë është ndotur, siç lexohet te “Tri vegimet”:

“Kanë ardhur kohë të vështira, tha ajri.
Mijëra e mijëra oxhaqe më ngulen në trup si gjilpëra
helmi
duke turbulluar gjakun tim të kaltër…”

E megjithatë jemi në një vend të magjepsur, vend me:

“Ishuj antikë
udhëkryqeve të Mesdheut,
ku dallgët e fatit
përplasën Odiseun.

Nga xhepi i ç’perëndie
ratë kështu,
shpërndarë nëpër dete
kuturu?”

Do të doja të citoja shumë tekste të Agim Matos por po e përfundoj me një poezi të shkurtër e të mrekullueshme ku sjell marrëdhënien e tij të thellë e të shenjtë me të gjithë natyrën, që përshkruhet nga një sens dhe “nevojë” që është e panjohur tek poeti dhe (tek të gjithë njerëzit).

“Më kap zilia kur mendoj se një rrënjë e vetme ulliri
mund t’ia kalojë dobisë sime,

kur një lule me dritat dhe linjat e saj
ua kalon vjershave të mia,

kur një bletë kthehet nga kullota e ngarkuar me nektar
dhe unë i kërkoj vetes llogari në mbyllje të çdo dite,

kur një yll me përpikëmëri rrugën e tij
dhe mua më duhet shumë punë për ta gjetur.

Sa herë i mendoj të gjitha këto
përpiqem të kem brenda vetes
një ulli,
një lule,
një bletë
dhe një yll.

SHËNIM PËR AUTORI:

Daniele Giancane (Bari, 1948) profesor i Universiteti të Bari-t (Itali). Botoi mbi njëqind libra me poezi, me esé, me letërsi për fëmijë (përralla, romane), me tekste dramatike për të rinj. Përgatiti një numër të madh antologjish me poezi të përzgjedhura dhe studime kritike.
Bashkëpunon me shumë revista si dhe për realizimin e faqes kulturore tek e përditshmja “La Gazzetta del Mezzogiorno” (Gazeta e Jugut). E koordinon prej mbi tridhjetë vjetësh aktivitetet e grupit të poetëve ‘La Vallisa’, i mirënjohur në Itali dhe jashtë saj. Gjithashtu, është drejtues i revistës katërmujore me të njëjtin emër.

Mbi veprën e tij është diskutuar një temë diplome në Universitetin e Macerata-s dhe është botuar vëllimi ‘La fanciulla ermafrodita’ (Vajza hermafrodite) e autores Angela De Leo. Është nderuar me titullin “Qytetar nderi” në Niš të Serbisë dhe çmimin e Vuk-ut (në Beograd, 2001) për bashkëpunimin mes letërsisë italiane dhe asaj serbe.

Tekste të këtij autori janë përkthyer dhe botuar në shumë vende të botës.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, studiues, poet, shkrimtar