Agim Mehmeti ish- Zv/Ministër i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, nderohet (pas vdekjes) me Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”

0
92
Agim Mehmeti - çmimi "Ahmet Krasniqi"

Çmimi i Lartë “Ahmet Krasniqi” akorduar Zv/ministrit të parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Agim Mehmetit (pas vdekjes), veprimtar atdhetar, ushtarak, politik, kulturor, shoqëror i luftës e paqes në Kosovën dardane

Nga Ramiz LUSHAJ

1.
“Takimi i Plavë-Gucisë, 2021”, (i dyti, pas atij të 1 Gushtit 2019), kësaj here, u mbajt në shtëpinë e kulturës në Vuthaj, më 1 gusht 2021, i organizuar nga “Gazeta e Alpeve”-në bashkëpunim/bashkrendim me disa komuna/bashki e shoqata në Mali i Zi, Shqipëri e Kosovë.

Të pranishmëve nga Rajoni Ballkanik Shqiptar e Mërgata Shqiptare në Europë e Amerikë, iu uroi mirëseardhjen me një Fjalë Hapje/Përshendetje zoti Nikollë Camaj- drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Malin e Zi, veprimtar rajonal atdhetar, politik, kulturor e shoqëror, zyrtar i lartë i komunës së Tuzit (Malësi).

Nderonin me praninë e tyre lartnore në “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021”; tre këshilltarë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë: ambasador Genc Muçaj, (për Marrëdhëniet Ndërkombëtare) (njiherit dhe Drejtor i Parë Ekzekutiv i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë); ambasador Flamur Gashi (për Çështjet e Rajonit), Tedi Blushi (për Mediat dhe Zëdhenës i Presidentit); Faik Nika-Kryetar (funksionar) i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi; Isuf Çelaj-deputet i Kuvendit të ri të Shqipërisë; ambasadori Mal Berisha-ish-ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar e Irlandë; personalitete të njohura të botës akademike, të biznesit, humanizmit, kulturës, si: dr. Ahmet Ulaj nga Tirana, humanist, një ndër themeluesit e aksionerët e kompanisë elitare “Gener 2” në Shqipëri; Ramiz Tafilaj- botues, humanist, biznesmen kryesisht në industrinë e naftës e të gazit në Teksas të Amerikës, i nderuar me Çmim dhe nga Presidenti Amerikan Donald Tramp; Skënder Thaçi në Kosovë, humanist, veprimtar, biznesmen i turizmit shqiptar, i dekoruar me Urdhrin “Nënë Tereza” nga Presidenti i Shqipërisë, “Qytetar Nderi” i Pukës; Bruno Selimaj-nga Nju Jorku i Amerikës, biznesmen filantropist, lobist e kontributor i shquar atdhetar, kryesisht për Çështjen e Kosovës; Ali Daci-nga Rozhaja, kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” në Malin e Zi e Sanxhak (mbajtësi i Fjalës së Mbylljes të Takimit); këngtari kombëtar Arif Vladi-“Mjeshtër i Madh”; Çel Shaban Çelaj i Vuthajve, biznesmen humanist në Nju Jork të Amerikës, veprimtar atdhetar e kulturor, kontributor dhe për vendlindjen e tij; Admir Mulaj-nga Tirana, themelues i Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës; doktorant e ing.-gjeodet, Rexhep Nikçi i Rugovës-nga Gjermania; Ismet Azizi-kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun” dhe të tjerë të ftuar nderi.

Agim Mehmeti (1955-2015) Zv/ministri i parë i Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, i dekoruar (pas vdekjes) nga “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021”/ “Gazeta e Alpeve”, me ‡Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”.

E para kumtesë e Takimit ishte: “Familja e Jakup Ferrit- lartësi e pasuri emblematike kombëtare shqiptare”- referuar nga Esad Gjonbalaj-ish kryetar i Fondacionit Plavë-Guci në Amerikë, themelues e drejtues i portalit “Plava e Gucia Sot”, veprimtar atdhetar, kulturor e humanitar. Këngtari kombëtar Arif Vladi- “Mjeshtër i Madh”, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” e përshendeti Takimin me këngën e mirënjohur “Jakup Ferri me bajrak”.

E dyta kumtesë e Takimit ishte: “Rruga Deçan-Plavë, rrugë e zhvillimit e integrimit rajonal Kosovë-Mali i Zi”- referuar nga Adem Lushaj- kryetar i Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur në Deçan, studiues e publiçist i njohur, autor me disa libra në shqip e anglisht.
Në “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021” u promovua dhe vepra monografike “Skender Imer Thaçi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi” , një nga librat ma të mirë të kohëve të fundit.

Rreth këtij libri me interes, me plot rrëfime jetësore e ngjarje që i shërbejnë edhe historisë kombëtare, kumtoi autorja e veprës, studiuesja e njohur, Leonora Laçi nga Qarku i Shkodrës. E veçanta ishte se kumtimi i saj u shoqërua edhe paraqitje me tekst e figura, me Power-Point, me anë të vidioprojektori bashkëkohor. Humanisti, veprimtari e biznesmeni i shquar, Skënder Thaçi, shprehu vlerësime e mirënjohje për autoren e librit, për Plavë-Gucinë dhe Pukën e tij, si dhe pas Takimit ndau libra me autograf për të pranishmit e atyshëm.

Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”, drejtori i “Gazeta e Alpeve për Gjermani, z. Hilmi Gashi, një nga veteranët e Luftës së Kosovës, një nga ish kuadrot e FARK-ut (M.M.) të Republikës së Kosovës, veprimtar i njohur atdhetar, politik, kulturor e shoqëror, ia dorëzoi në sallë, në mënyrë ceremoniale, kolonel Ahmet Alishanit- ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut gjatë Luftës së Kosovës, një ndër bashkëluftëtarët e tij.

Lahutari e kangtari kombëtar Jonuz Delaj- një ndër kangtarët e Eposit të Kreshnikëve e një ndër homerët e fundit të Europës së shek. XXI, këndoi kangën e re me tekstin e tij: “Cuce Avdylja e Geghysenit dhe e Kelmendit.

Ambasadori Mal Berisha, studiues, historian, përkthyes, analist, në kumtimin e tij ekskluziv, të shoqëruar me foto-fakte në Power-Point, të siguruara dhe nga muze të Londres, foli për vizitën e britanikes Miss Edit Durham- mike e madhe e Shqiptarëve, në vitin 1913, në fshatin e madh Vuthaj dhe në qytetin alpin të Gucisë e disa personazhe të asaj kohe, si dhe përcolli kujtime e vlerësime për familjet vuthjane në Shqipëri, veçmas për ato Ahmetaj e Ulaj në Mamuras, që kanë nxjerrë personalitete të penës, penelit, biznesit, humanizmit.
Nga “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021”, i 1 Gushtit 2021, u dhuruan edhe 53 libra për bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj.

2.
Nga “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021” dhe “Gazeta e Alpeve”, gazetë Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike (Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Sanxhak e Lugina e Preshevës-Maqedoni e Veriut), u ndanë disa çmime e mirënjohje, të cilat i shpalli publikisht gazetari e studiuesi Ramiz Lushaj nga Shqipëria (Tiranë)- themeluesi, botuesi e kryeredaktori i kësaj gazete.¨

Z. Hilmi Gashi pershendet në foltore “Takimin e Plavë-Gucisë, 2021” dhe iu shpreh mirënjohje për vlerësimin e personalitetit të shquar Agim Mehmeti, me Cmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”.

Në “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021” u nderua me Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi” ish Zv/ministri i parë i Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Agim Mehmeti nga Gjakova (pas vdekjes, 10 mars 1955-3 gusht 2015), ish-i përndjekur politik nga regjimi i Jugosllavisë së Titos e Millosheviçit; një nga luftëtarët e prijtarët strategë e trima të vendosur të Luftës së Kosovës, një nga udhëheqësit popullor e progresistë të Kohës së Paqes, një njeri i veçantë e me kontribut të veçantë për vendin e tij.

Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”, drejtori i “Gazeta e Alpeve për Gjermani, z. Hilmi Gashi, një nga veteranët e Luftës së Kosovës, një nga ish kuadrot e FARK-ut (M.M.) të Republikës së Kosovës, veprimtar i njohur atdhetar, politik, kulturor e shoqëror, ia dorëzoi në sallë, në mënyrë ceremoniale, kolonel Ahmet Alishanit- ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut gjatë Luftës së Kosovës, një ndër bashkëluftëtarët e tij.

3.
Kolonel Ahmet Alishani- ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut të Kosovës, dhe ish-ushtaraku i Ministrisë së Mbrojtjes, Hilmi Gashi, ngaqë familjarët e të ndjerit e të paharruarit Agim Mehmeti-veprimtarit të shquar atdhetar, ushtarak, politik e shoqëror, nuk munden të ishin të pranishëm atë ditë në “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021” në Vuthaj, këta të dy miqë të mirë, kolegë të afërt e bashkëluftëtarë e bashkëudhëtarë të tij në luftë e në paqe, e kishin sipërmarrë mision të tyre shpirtëror që këtë dekoratë, këtë Mirënjohje, këtë Çmim të Lartë, ta dorëzonin sa ma shpejt e në mënyrë ceremoniale tek familja e vëllezërit e tij.

Kolonel Ahmet Alishani dhe drejtori i “Gazeta e Alpeve” për Gjermani, Hilmi Gashi, duke i dorëzuar në Prishtinë Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi” vllaut të Agim Mehmetit, veprimtarit të njohur Bajram Mehmeti i Gjakovës e Kosovës, i Zvicrës.

Në këto ditë gushti 2021, këta dy nga personalitetet e Luftës së Kosovës, kolonel Ahmet Alishani dhe ish-ushtaraku Hilmi Gashi, ia dorëzuan në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”, vllaut të Agim Mehmetit, Bajram Mehmetit, të sapoardhun nga Zvicra për përvjetorin e pestë të vdekjes së vllaut të tyre.

Bajram Mehmeti është njëri ndër ushtarakët e lartë të FARK-ut e i Luftës së Kosovës prej fillimeve të saj, veprimtar atdhetar, kulturor e shoqëror, autor i romanit autobiografik (e me dokumenta bashkangjitun tij) me titull : «Loja e ndyrë e shërbimit sekret» (Rrëfime të një ish të burgosuri). ShB «Faik Konica». Prishtinë, 2017. Njiherit është dhe një nga miqtë e mirë në luftë e në paqe i kolonel Ahmet Alishanit dhe i Hilmi Gashit nga Drenasi i Kosovës.

Të tre, ish zv/ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Agim Mehmeti (1955-2015), kolonel Ahmet Alishani- shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut dhe Hilmi Gashi- një ndër kuadrot e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, ishin miq të mirë, bashkëpunëtorë të afërt, bashkëluftëtarë të vendosur të ish Ministrit të Mbrojtjes e Komandantit të Përgjithshëm të FARK-ut, kolonel Ahmet Krasniqi- “Hero i Kosovës” (1948-1998).

E përbashkta dhe e veçanta për të tre këta veprimtarë të luftës e paqes në Kosovën dardane është fakti se te tre janë të nderuar me Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”, si Hilmi Gashi (2019), Ahmet Alishani (2020) dhe Agim Mehmeti (pas vdekjes) më 2021.

Shkrue, Gusht, 2021