Akuzat e çiftit Harry dhe Meghan për familjen mbretërore

0
348
Harry - Meghan - Oprah

Zëri i Amerikës, 08 mars 2021

Në një intervistë që ishte pritur me shumë interes, princ Harry dhe Meghan Markle shpalosën detaje nga diskutime të dhimbshme në familjen mbretërore lidhur me ngjyrën e djalit të tyre dhe presionet e forta, që e kishin bërë dukeshën e Sussex-it të mendonte për vetëvrasje. Çifti u largua nga familja mbretërore në Britani në vitin 2020.

Intervista me Oprah Winfrey-n ishte e para e çiftit, që kur ata u tërhoqën nga detyrat mbretërore.

Meghan, gruaja e Princit Harry, akuzoi familjen mbretërore në Britani se kishte ngritur shqetësime se sa e zezë do të ishte ngjyra e lëkurës së djalit të tyre Archie që sot është një vjeç.

Ata nuk donin që ai të bëhej princ ose princeshë, sepse ende nuk dihej gjinia në atë kohë, ndryshe nga ç’parashikon protokolli dhe atij nuk do t’i ofrohej mbrojtje”, tha zonja Markle.

39 vjeçarja, nëna e së cilës është afrikano-amerikane ndërsa babai i bardhë, thotë se ishte naive para se të martohej në vitin 2018 por arriti deri aty sa të mendonte për vetëvrasje pasi kërkoi ndihmë dhe nuk e mori.

Në atë kohë më vinte turp ta pranoja ose t’i thoja Harryt, duke e ditur sa shumë humbje kishte pësuar vuajtur ai. Por e dija që nëse nuk flisja, do ta bëja. Thjesht nuk doja të jetoja më”, thekson ajo.

Meghan nuk pranoi të thoshte emrat e atyre që kishin ngritur shqetësime të tilla, ashtu sikur edhe Harry, i cili tha se familja e tij u ndërpreu financat dhe se babai i tij Princi Charles, trashëgimtar i fronit britanik, e braktisi atë duke mos iu përgjigjur telefonatave të tij.

Ndihem i braktisur. Sepse ai ka kaluar diçka të ngjashme. Ai e di çka do të thotë dhimbja. Pastaj Archie është nipi i tij. Unë do ta dua gjithmonë, por ka shumë dhumbje dhe do të vazhdoj ta kem përparësi përmirësimin e marrëdhënies me të”, tha Princi Harry, Duka i Sussex.

Nga Pallati Buckingham nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm lidhur me intervistën që u transmetua në orët e para të mëngjesit të së hënës në Britani.

Intervista e realizuar nga Oprah Winfrey ishte më e shumëpritura që kur nëna e Harry-t, Princesha Diana ndau detaje intime të martesës së saj të dështuar me Charles më 1995, duke dëmtuar reputacionin e trashëgimtarit dhe familjes mbretërore në sytë e publikut britanik.

Mendoj se ajo e kishte parashikuar këtë gjë dhe ndjej praninë e saj në gjithë këtë proces. Ndihem i çliruar dhe i lumbur që jam ulur dhe flas afër gruas sime. Sepse nuk e marr dot me mend se si do të mund ta kaloja gjithë këtë proces i vetëm, sepse ishte shumë e vështirë për të dy ne, por të paktën kishim njëri-tjetrin”, tha Princi Harry.

Duke iu referuar rastit të nënës së tij, Harry thotë se vendimi për t’u larguar erdhi si mungesë mirëkuptimi dhe shqetësimit, se historia do të përsëritej.

Të bllokuar brenda sistemit. Siç janë pjesa tjetër e familjes sime. Babai im dhe vëllai, të gjithë janë bllokuar. Ata nuk arrijnë të largohen. Dhe kam dhembsuri të madhe për këtë”, shton ai.

Çifti u martua në Kështjellën Windsor në maj të vitit 2018, ndërsa djali i tyre Archie lindi një vit pas.

Ata njoftuan largimin nga rolet mbretërore në janar të vitit 2020, gjë që zhyti familjen në krizë.

Muajin e shkuar, Pallati Buckingham konfirmoi se ndarja do të ishte e përhershme, pasi çifti kërkoi jetë të pavarur në Shtetet e Bashkuara.