Alba Prifti, gazetarja shqiptare që punon në CNN

0
1144

voal.ch | 25 janar 2016

Thuhet se, gazetaret kanë sediljet e para, teksa zhvillohet historia e botës.
— Është përgjegjësia jonë të tregojmë të vërtetën siç ndodh.

Nga Anxhela Devole

Është shqiptare dhe prej 15 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa prej 8 vitesh punon te rrjeti gjigant CNN. Fjala është për Alba Priftin. Ajo u shpërngul me familjen në Amerikë kur ishte 15 vjeçe dhe që në shkollë të mesme kishte ëndërr CNN-in. Pasi u diplomua, ëndrra iu bë realitet. Synimet i kishte të mëdha, por eksperiencën, e cila ishte e domosdoshme për të hyrë në këtë redaksi, e kishte shumë të paktë.

Megjithatë, ajo thotë se, “fakti që isha në godinën e CNN ishte avantazh.” Aktualisht, ajo është pjesë e departamentit të quajtur “International Newsgathering”, ku puna e saj është mbledhja e informacioneve, detajeve, fotove, videove për lajmet më të fundit nga bota. Ky departament është pika e parë e kontaktit mes gazetarëve të shpërndarë nëpër botë dhe qendrës së CNN-it në Atlanta. Në intervistën për gazetën “Shekulli”, Alba tregon se si arriti të bëhej pjesë e departamentit të CNN, duke kujtuar momentet e largimit nga Shqipëria dhe mbërritjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur jeni larguar nga Shqipëria?

Jam larguar në 11 mars të vitit 2000. Pas një procesi 1,5 vjeçar të bërjes së dokumenteve dhe intervistave, unë bashkë me familjen, u shpërngulëm në Lakewood, Ohio.

Keni kujtime nga ajo periudhë kur ishit këtu?

Kam shumë kujtime, sepse isha gati 15 vjeçe kur u largova. Shumë gjëra që janë pjesë e themelit të karakterit tim dhe sot e kësaj dite, janë rezultat të ambientit dhe kulturës shqiptare. Kujtimet më të bukura janë ato të shkollës, të rriturit pranë kushërinjve dhe të afërmve. Muajt e verës që i kaloja në fshat te gjyshi me motrën dhe me kushërinjtë e mi. Të qënurit kaq larg nga të gjithë më ka bërë t’i çmoj akoma më shumë ato kujtime.

Si ishte jeta juaj këtu, adoleshenca, studimet?

Pjesën më të madhe të adoleshencës e kam kaluar këtu në Amerikë. Në Tiranë mbaj mend ato ditët kur sa po filloja të rebelohesha, kur fillova të frekuentoja lokalet afër shkollës gjatë ditës. Ndërsa pjesa që jetova këtej, qe komplet ndryshe. M’u desh të rritesha para kohe në një farë mënyre, për të ndihmuar prindërit që nuk flisnin mirë anglisht. Në fillim shkonim kudo bashkë. Për të blerë makinë, për të blerë ushqime, te parku për t’u argëtuar. Në çdo vend dhe për çdo gjë, unë dhe motra ime më e madhe ishim mbështetja kryesore e prindërve, si dhe ata e jona.

Si e kishit menduar Amerikën dhe si e gjetët?

Siç ndodh në këto raste dhe unë mendoja se Amerika do ishte si në filma. Prisja të shihja Zak Morris në korridoret e shkollës dhe mot tropikal si në Baywatch. Hamendësova se do kisha shumë shoqe me flokët bionde dhe sytë blu. Pastaj, kur u ul avioni në fillim të marsit dhe kishte akoma goxha borë gjithandej, m’u prishën të gjitha ëndrrat. Lakewood, duke qenë pranë liqenit Erie (që është me përmasa sa deti Adriatik) dhe shumë në veri, ishte gjithnjë shumë i ftohtë deri në prill. Në shkollë kisha vështirësi me gjuhën, si dhe me kulturën. Në një gjimnaz të madh si ai që hyra unë, e pata të vështirë të bëja shoqëri të ngushta menjëherë.

Si arritët të punonit për CNN?

Që në shkollë të mesme e kisha ëndërr CNN-in. Nuk më shkonte kurrë në mendje që mund të pranohesha pa asnjë eksperiencë punë ndaj dhe nuk aplikova fare aty fillimisht. Por, një mik i mirë që studionte të bëhej prift në të njëjtin universitet si unë, më inkurajoi ta provoja. CNN-i ofron vende pune për nxënës të sapo diplomuar, fillestarë po themi, dhe kështu hyra dhe unë.

Cilat ishin vështirësitë që hasët në fillim?

Në fillim, kisha dëshirë të bëja shumë, por mundësitë i kisha të pakta. Sepse nuk njihja njeri në sektorët e ndryshme të CNN-it dhe nuk kisha si të ecja përpara. Kjo mund të më kishte dekurajuar, por kur e mendoja që kisha një shans të mirë për të ngulur rrënjët në një nga organizatat më të mëdha të medies, më vinin vetë forcat dhe idetë për t’i ndryshuar gjërat. Fillova të pyesja kolegët dhe punonjësit e kafenesë “Starbucks” për referenca. Dhe fillova të kontaktoja gazetarë, drejtorë, redaktorë që punonin në godinën shumëkatëshe të CNN-it, duke e filluar muhabetin me: “Ne nuk njihemi, por ja po prezantohem tani…”. Nuk po përmend këtu vështirësinë e të qënurit 12 orë larg prindërve dhe motrës. Më merrte malli pa fund për ta, dhe akoma më merr, megjithëse i shoh më shpesh tani. Por në ato kohë, rrogën e kisha fare të vogël dhe ëndrrat shumë të mëdha.

Na tregoni më tepër rreth punës suaj…

Punën e kam me shumë pasion dhe të bukur. Si redaktore e lajmeve nga bota, përgjegjësia kryesore është mbledhja e informacionit dhe lajmeve, kudo që ndodhin. Thuajse të gjithë kolegët e mi flasin një gjuhë të dytë e të tretë dhe të gjithë bashkë, ne mbledhim dhe përpunojmë lajme të temave të ndryshme. Kjo përfshin dhe redaktimin e materialeve vizuale, si video dhe foto. Për shembull, kur ra termeti në Japoni në 2011-n, ishte sektori im ai që u angazhua me përgatitjen e fotove dhe videove, që më pas u transmetuan në televizion dhe u publikuan në faqen e internetit.

Vendimi

A do të ktheheni ndonjëherë për të shërbyer në gazetarinë që bëhet këtu?

Jam krenare për origjinën time dhe do isha po aq krenare të punoja si gazetare aty, por jetën tani e kam këtu. Po të kthehem do ta filloj nga e para në Tiranë dhe ky lloj vendimi kërkon kurajë, që unë nuk e kam gjetur te vetja tani për tani.

Si do e cilësonit punën e gazetarit, duke bërë një krahasim në këto dy vende?

Është e vështirë të krahasosh gazetarinë amerikane me atë shqiptare. Që nga formati, si dhe prezantimi ato ndryshojnë shumë. Por ajo që uroj të vazhdoje t’i shtyjë përpara gazetarët është dëshira për të informuar publikun dhe ruajtja e së vërtetës.

Thuhet se, gazetaret kanë sediljet e para teksa zhvillohet historia e botës.

Është përgjegjësia jonë të tregojmë të vërtetën siç ndodh.