Albin Kurti intelektual i kalibrit, por jo edhe politikan i nivelit!

0
213
Albin Kurti, fitoi - 06.10.2019

Shkruan: Florim Zeqa, 16.03.2021

Pas çertifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja, qytetarët e presin me pa durim 22 marsin për konstituimin e kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja shtetërore. Nëse respektohet kushtetuta, pas konstituimit të Kuvendit, fillimisht duhet të shkohet me zgjedhjen e presidentit, për të kaluar në votimin e kryeminsitrit dhe kabinetit të ri qeveritar.

Nëse ju referohemi praktikave të deritanishme të formimit të institucioneve shtetërore, nuk do të jetë aspak punë e lehtë arritja e marrëveshjes mes partive politike për zgjedhjen e presidentit.

Edhe pse ishte kohë tjetër dhe rrethana tjera politike, mes zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 dhe zgjedhjeve të vitit 2001, 20 vjet më pas mund krijohet një analogji dhe të tërhiqet një paralele sa i përket zgjedhjes së presidentit dhe ndarjes së posteve më të larta shtetërore.

Asokohe LDK-ja me 48 % të votave të qytetarëve, për hirë të interesit të shtetit, i dha PDK-së me 26 % postin e kryeministrit dhe e bëri ndarjen e posteve ministrore me partitë tjera.

Edhe tani, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, kur e kemi një situatë përafërsisht të njëjtë, LVV duhet të bëjë kompromisin e duhur për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën e rrezikon çuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

Thirrja në “votën plebishitare” për marrjen e tri posteve më të larta shtetërore, jo vetëm që nuk është ide e mirë, është e pajustifikueshme dhe nuk i bën nderë partisë fituese.

Nëse LVV dëshiron të thirret në legjitimitetin e qytetarëve për zgjedhjen e presidentes nga lista e saj, atëherë nuk duhet të harrojë as faktin tjetër se kandidati i VV-së për kryeministër (Albin Kurti) është pa legjitimitet qytetar në këto zgjedhje!

Kësisoji, për herë të dytë në Kosovën e pas luftës do ta kemi një qeveri me legjitimitet më të lartë, por do ta kemi për herë të parë një kryeministër pa votën e qytetarëve!

Bazuar në heterogjenitetin e deputetëve të LVV-së, gjegjësisht pikëpamjeve të kundërta ideologike, numrat në kuvend nuk paraqesin garanci për jetëgjatësi të ‘Qeverisë Kurti2’.

Pavarësisht faktit se a zgjedhet Vjosa Osmani presidente apo jo, deputetët e “Lista Vjosa” do të jenë të parët që do ta braktisin grupin parlamentar të Levizjes Vetëvendosje.

Albini është intelektual i kalibrit, por jo edhe politikan i nivelit çfarë e kërkon koha nëpër të cilën po kalojmë. Si politikan duhet ta njohë më shumë librin e jetës sesa jetën prej librave, e aq më pak të flas prej tyre!

Një lider i nivelit me mbi 50 përqind të votave të qytetarëve, për asnjë çmim, qoftë ai edhe i presidentit nuk do ta vënte në pikëpyetje besimin e qytetarëve për qeverisjen e vendit!

Prandaj, Albin Kurti duhet t’i subordinohet vullnetit të qytetarëve për qeverisjen e vendit në katër vitet e ardhshme, si dhe duhet ta ndërroj çasjen ndaj partive opozitare dhe diskursin e tij politik prej një lideri partiak në një politikan të nivelit dhe liderë të përgjegjshëm shtetërorë.