ALBINI U VONUA, ISA U NXITUA

0
350
Albin Kurti - Isa Mustafa

IDRIZ ZEQIRAJ

Krimi dhe Gjykata Speciale i bashkoi partitë-banda në koalicionin PAN. Përveç hajnisë zyrtare, makro abuzimet përmes Pronto-s dhe aferave tjera, në kapjen e shtetit, në çdo qelizë të tij; rritjes falsifikuese të listës së veteranëve “të pasluftës”, nga 12.700 real, në 46.600 të rremë”, duke i kushtuar shtetit shumë miliona euro në vit; dështuan në zhbërjen e Gjykatës Speciale, por ngulmojnë dhe vazhdojnë, suksesshëm, në zhdukjen e dëshmive, madje, deri në vrasjen dhe karbonizimin e dëshmitarëve potencialë, qoftë edhe brenda llojit. Dhe, gama e pisllëqeve të PAN-it është e dëshmuar.

Vënia e taksës 100%, ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, ishte në kundërshtim me marrëveshjen ndërkombëtare tregëtare. Megjithatë, banda e Dukagjinit, Drenicës, Llapit, bashkëpunonin në kontrabandën, njësoj si në vrasjet politike dikur. Edhepse Kosova po dëmtohej ekonomikisht dhe politikisht, kontrabandistët nuk hiqnin dorë nga vendimi “adhoc”, për një çështje shumë serioze!

Qeveria e PAN-it, e krijuar, rrëmujshëm e turpshëm, me harrnime e matrapazllëqe të posteve ministrore, zëvendësa, këshilltarë, koordinatorë, sorollatës holleve e koridoreve të dikastereve qeveritare, u largua me shijen e hidhur, si qeveria më e keqe, që nga krijimi i shtetit shqiptar, më 1912.

Populli i lodhur tej mase, nga sundimi i vrazhdët, mujëshor, profan dhe skajshëm abuziv i PAN-it, u distancua nga “komandantët”, rrënues të shtetit të Kosovës, për 20 vjet radhazi. Dhe, e ndëshkoi me votën e 6 tetorit 2019. Megjithatë, taksën 100 % ia lënë barrë qeverisë pasuese, të koalicionit VV-LDK, e kryesuar nga Albin Kurti.

LDK të mos bëjë argatin e PAN-it

Administrata e presidentit Trump emëroi dy emisarë radhazi, për t`u angazhuar në përmbylljen e dialogut Kosovë-Serbi. Kushti i parë ishte heqja e tarifës 100 % ndaj mallrave serbe dhe boshnjake. Por, Kurti porosinë amerikane dhe të BE-së, nuk e mori seriozisht! Më saktë, u vonua shumë dhe i kushtoi shumë. Si zakonisht, durimi amerikan mbaroi. I deleguari i prsidentit Trump, Riçard Grenell, me kërkesën e Hashim presidentit, me logjistikë emisarët e LDK-së, Skënder Hyseni dhe Avdullah Hoti, aprovoi anashkalimin, deri në shkarkim, të Kurtit dhe qeverisë tij.

“Demarkacioni ishte një kauzë e rreme,- e thonë ata që gatuan çorbën e thartuar të tradhtisë së madhe, duke i dhuruar 8.200 hektarë tokë fqinjit tonë, Malit të Zi. Kauzë e rreme rezultoi të ishte për ata që këmbyen tokë për poste, por, assesi për popullin e Kosovës. Sepse, kufiri Kullë, Çakorr, në mbamendjen e përcjellur në breza të vendorëve, tejkalon dy shekuj dëshmi pronësie e rugovasëve dhe e Rugovës. Demarkacioni nismoi me një marrëveshje ilegale, të nënshkruar nga Hashim kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni. Nëse shtetarët vendorë vendosin t`ia falin gjysmën e Kosovës ndokujt, ndërkombëtarët “ia bëjnë aminin”, nëse nuk kanë një interes të dytë strategjik. Këtë e dëshmoi angazhimi tej etikës diplomatike i ambasadorit Delawie, për ta kaluar me nguti, në Parlamentin e Kosovës. Këtë po e thonë edhe, tani, zyrtarët amerikanë, për shkëmbime territoriale, më saktë, ndarjen e Kosovës, “nëse dakordohen palët në dialog!”

Megjithatë, Albini u vonua, në heqjen e taksës, me një fodullëk jo të zakonshëm, për inteligjencën e tij. Ndërkohë, Isa u nxitua me ngritjen e Mocionit të mosbesimit, për shkarkimin e qeverisë Kurti. Shkaku i ngitjes të Mocionit, ishte minor, hiç bindës, për strukturat, anëtarësinë e partisë, elektoratin dhe shqiptarët.

Janë disa arsye bazale e gabimit, deri në faj, të Isa Mustafës me klanin e tij:

1) Të shkarkosh një qeveri, në kulmin e Pandemisë botërore, për shkak të largimit të një ministri, na kujton krimin e LPK-së, alias PAN-it të sotëm, në ekzekutimin politik të Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, në vlugun e luftës, në shtator 1998.

2) Bartësit e Mocionit të mosbesimit, paraprakisht, koordinuan me Hashim presidentin dhe “komandantët” e tij. Dhe, pastaj vendosën rikthimin e bandës PAN në pushtet. Dhe, kjo përbën krimin e radhës, pas bërjes të Hashimit president, të klanit Mustafa, brenda Kryesisë të LDK-së.

3) Ta emërosh një ministër jo profesional për dikasterin, jo të domosdoshëm, duke lënë qeverisjen e suksesshme komunale, për rrjedhojë, shkaktimin e zgjedhjeve komunale, duke i shkaktuar 800 mijë euro dëm buxhetit shtetëror të Kosovës, për vetëm një vit para zgjedhjeve lokale, është papërgjegjësi dhe abuzim me paranë publike. Dhe, mbirrjedhoja tjetër, me Mocionin shkarkues të qeverisë VV-LDK, duke shkaktuar zgjedhje të jashtëzakonshme, me koston prej 8 milion euro!

Dhe, kjo përbën një krim të rëndë, skajshëm abuziv të buxhetit, edhe ashtu të pakët të Kosovës. Dhe, e gjithë kjo bëhet nga një rreth vicioz brenda Kryesisë të LDK-së, por, pacipërisht dhe poshtërsisht, u faturohet strukturave të partisë, përfshirë këtu Kryesinë Qendrore, Këshillin e Përgjithshëm dhe anëtarësinë, bashkë me elektoratin dhe shqiptarët atdhedashës.

4) Kryetarja e Kuvendit, Vjosë Osmani, u propozojë deputetëve: “Ta heqim taksën dhe presidentin, njëherësh, sepse ai është bërë problem, i pabesueshëm prej shqiptarëve, nuk i besojmë për asgjë”. Atëherë, pse nuk e përkrahu LDK-ja propzimin, sa parimor, aq edhe akut, për largimin e presidentit, sepse presidenti është bërë i rrezikshëm dhe vazhdimisht kërcënon popullin, me ndarjen e Kosovës?! Gjëra të dyshimta në LDK-e?! Dhe, nëse angazhohej seriozisht partia e Vjosës, për Mocion mosbesimi ndaj presidentit të vendit, të bëhej votimi i fshehtë, të pranohej zgjedhje e presidentit nga populli, ky do të ishte Mocioni fisnik e patriotik, për t`i liruar shqiptarët nga ethet tmerruese, të pazarllëqeve të presidentit me tokat e Kosovës.

Gadishmëria e kreut të LDK-së, për të bërë koalicionin me PAN-in, qoftë edhe pa PDK- në, amniston krimin dhe provokon anëtarësinë e partisë dhe shqiptarët e kudondodhur. Sepse rikthimi i kriminelëve në pushtet, me një gjakftohtësi sadiste, lëndon tejskajshëm, jo vetëm elektoratin, i cili me shumësi votoi kundër krimit të organizuar, hajnisë zyrtare, haraçxhinjëve të dhunshëm, grabitësve e zhvatësëve, të ngeshëm, të pasurive të brezave shqiptarë.

Përçudshëm e majmunshëm, për ta shpallur të ligjshëm e bindës Mocionin, votimin e tij, përmendet numri aprovues i deputetëve! Por, çfarë vlere ka vota e tufëzuar, aklamative?! Pse nuk ushtrohet e drejta e votimit të fshehtë demokratik, kur dihet servilizmi dhe hipokrizia klasike e shqiptarëve të Kosovës, që 1(një) fjalë ta thonë ballas e 9(nëntë) pas shpine. Atëherë, a nuk është skandaloze të zëvendësohet një votim i fshehtë demokratik, me një votim tufëzues, blegëtoral, pra, fiktiv, mashtrues, i rrejshëm dhe tërësisht manipulues?!?

Kërkesa, lutja fisnike e komandantit të djeshëm të Kosharës dhe të deputetit të sotëm, njëherësh, Ministër i Mbrojtjes, Anton Quni, për tërheqjen e Mocionit, u komentua në mënyrë sempliste, të thjeshtë, si një cirk, madje, edhe disa analistë, që nuk pritej, të paktën, nga ata. Realisht, deputeti Quni ishte krejt i sinqertë dhe ai, ndryshe nga klani Mustafa, e përjeton rëndë parapëlqimin e PAN-it, në raport me Vetëvendosjen.

Sepse është, pikërisht, PAN-i, në bashkëpunim me krerët zyrtarë të Partisë Socialiste, të Tiranës, ia kanë ekzekutuar Komandantin, Ministrin e Luftës, Kolonelin e shquar, atdhetarin e dëshmuar, personal e familjar, Ahmet Krasniqin; shokun e armëve, fituesin e Betejës ballore të Loxhës, Kolonel Tahir Zemaj dhe shumë qindra bashkëluftëtarë dhe bashkëpartiakë.

Reagimi, madje, i njëzëshëm i klanit, me mungesë konsiderate për Heroin e gjallë të Kosharës, legjitimuese e luftës në Kosovë, Anton Quni, pasqyron dukshëm politikën e stërkequr të LDK-së. Përgjigja vetanake, e Agim Veliut, mohues kategorik i çfarëdo pajtimi me Vetëvendosjen, madje, edhe sikur të plotësohen kushtet e LDK-së nga Vetëvendosja, me vetëdije se po risjellë hajna e kriminelë në pushtet, fletë shumë. Fatalisht, zhgënjyese dhe në një linjë me Agimin, ishin edhe mesazhi mohues i Isa Mustafës dhe fjalimi i sertë, jo i natyrshëm për maturinë e Avdullah Hotit, në salln e Kuvendit, për nismën e luftëtar Qunit, fort të mirëpritur nga strukturat e partisë, antarësia, elektorati dhe shumica shqiptare.

Ndërsa reagimet e përsëritura, të deputetit Arben Gashi, në mbrojtje të Mocionit, duhet parë me rezerva. Si shef i grupit parlamentar të LDK-së, nuk përçonte mendimin e grupit, por, ai përfaqësonte bartësit e Mocionit, pra, Kryesinë e LDK-së, më saktë, klanin brenda saj. Dhe, assesi nuk mund të akuzohet si pjesë e klanit. Mendimi personal i Arbenit ishte: “Votoni sipas ndërgjegjës tuaj, sipas bindjeve tuaja”.

Brumi familjar i Gashit, është admirues. Një burim që ka rrjedhur gjithmonë, nuk ndalon, të paktën pikon. Dhe, vërtet, po të shprehej vullneti i lirë i deputetëve të LDK-së, po të bëhej votimi i fshehtë demokratik, do të ishin jo vetëm tri vota kundër Mocionit, por edhe 13 e, pse jo, edhe 23 vota. Shqiptarët nuk janë aq konspirativë, sa aziatikët. “Blloku i Zi” i Tiranës ishte hermetik. Nga aty merreshin vendime për t`ua nxirë jetën shqiptarëve të Shqipërisë londineze. Vetëm pas gjysmë ore të vendimeve satanike të POLIT-BYROSË, dekonspirohej gjithëçka dhe flitej në çarshi, vesh me vesh, nga ne, skllevërit e shekullit 20-të!

Votimi kundër Mocionit i deputetëve të dinjitetshëm të LDK-së: Prof. Vjosë Osmani, Dr. Haxhi Avdyli dhe Ardian Shala, ishte bindje tej personale dhe mbrojtje e premtimit të dhënë elektoratit të LDK-së, se “do të punojmë e luftojmë për çkapjen e shtetit, të kapur e ngulfatur nga qeveria e PAN-it kriminal”.

Në sulmet e klanit Mustafa kundër Vjosë Osmanit me kolegë, janë aktivizuar edhe kalemxhinj mercënarë, madje, njëri syrësh, për tri dekada, anatemon e shanë LDK-në, duke qenë – një natë po dhe një natë po -, në mediet pamore, e qorton Vjosën “pse nuk e braktisi LDK-në dhe t`i bashkohej Vetëvendosjes, atë ditë, në seancën parlamentare”! Ky kameleon matrapaz, është mësuar me sojin e tij dhe kërkon përçarjen e LDK-së. Ai, qëllimshëm, këtë “këshillë”, për të dinjitetshmen e parimoren Vjosë, e përsëritë si papagall. Por, këto janë “llogari pa hanxhinë”.

Nuk është hera e parë që profesoreshë Vjosë Osmani nuk voton në tufëzim. Ajo është nxënëse e Shkollës demokratike amerikane dhe krenohet për këtë. Jo rastësisht pedagogia Vjosë është ligjëruese në njërin nga Universitetet e zëshme të SHBA-së. Andaj, edhe është e besueshme dhe e admiruar, deri në adhurim, nga elektorati i LDK-së dhe shumica absolute e shqiptarëve të përbotshëm.