“ALTERNATIVË OPOZITARE BRENDA LLOJIT”!

0
490

AV. XHABIR ZEJNUNI

(fejton)

Sipas disa burimeve shumë të besueshme, flitet se dje (28 shkurt) u mblodh në sekret të plotë grupi i ish deputetëve demokratë të “djegur” me në krye liderin e tyre Sali Berisha, për të shqyrtuar hapat e mëtejshme që duhen marrë në situatën e krijuar.

Sapo filloi mbledhja, drejtë Berishës vrapoi Bardhi (si dëbora!) dhe lexoi një status në FB të kandidates për deputete të PD-së Ina Haxhija, (e 39-ta në listë!) së cilës sapo i kishte ardhur njoftimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të zëvendësuar Berishën, kishte deklaruar shumë e emocionuar: “Më vjen keq, por nuk e zëvendësoj dot”.

Menjëherë në sallë shpërthyen brohoritjet dhe pjesëmarrësit të mallëngjyer u përqafuan me njëri-tjetrin nga dashuria e pakufishme për liderin e tyre. Edhe lideri ad interim i PD-së, nuk mundi t’i mbante dy pika lotë pa i derdhur!

Në fillim, Berisha ftoi pjesëmarrësit që të diskutonin. Dikush tha se populli duhej të merrte armët dhe të luftonte – nën udhëheqjen e ish deputetëve – rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi kundër pushtetit gjakatar të satrapit komunist Rama. Por, dikush tjetër më i moderuar, ja preu se duke qenë se armët e vitit 1997 tashmë janë shteruar, ato mjaftojnë për momentin vetëm për luftë të moderuar partizane ose për njësitet guerrile.

Dikush tjetër tha se duhej sulmuar Kalaja e Surrelit, pasi nga aty i vinin gjithë të këqijat popullit “sovran”. Pak a shumë të gjithë ishin për vijën e ashpër.
Në fund, e mori fjalën lideri Berisha, i cili për çudinë e të gjithëve ishte më i moderuar dhe më i rafinuar se asnjëherë tjetër.

Ai ja nisi kështu: “Motra e vëllezër. Po i them edhe unë nja dy fjalë. Por, mos u çuditni nga diskutimi im”. Ne mund të krahasohemi si ata marinarët që kemi braktisur anijen dhe kemi lënë këtë anije plot me pasagjerë – që janë populli “sovran” – mes dallgëve, e cila pritet nga çasti në çast që të fundoset. Duhet të braktisim përfundimisht anijen, apo të hypim përsëri në këtë anije? Qoftë edhe me marinarë të tjerë. Mjafton që të shpëtojmë popullin “sovran”!

Shumë kujtë po i bën çudi sot trajtimi i diferencuar mes Murrizit dhe Rudina Hajdarit, që po ju rezervon PD-ja atyre. Murrizi u përjashtua nga PD-ja, duke qenë se ai nuk “dogji” mandatin e deputetit! Ndërsa Hajdari nuk u përjashtua akoma nga PD-ja, edhe pse ajo nuk e “dogji” mandatin e deputetes! Pse njëri të trajtohet si i njerkës dhe tjetra si e nënës? Përgjigja e dikujt mund të jetë se ashtu vendos PD-ja. Por, nuk duhet të jetë kështu. Pse?

Sepse si Murrizi (i cili akoma nuk ia ka kthyer kurrizin PD-së!) dhe si Hajdari do jenë “çelësat” e nxjerrjes nga kriza të PD-së!

Fakti që deputetët e opozitës “dogjën” mandatet e tyre, sjell që të nxjerrë jashtë sistemit PD-në për arsye ligjore që tashmë dihen. Duke qenë se çdo parti peshën dhe forcën e saj e fiton falë përfaqësimit të saj në Parlament dhe jo falë rrugës, duhet që PD-ja për hir të popullit “sovran” të vazhdojë përsëri përfaqësimin e saj në Parlament.

Edhe sa për sy e faqe. Duke qenë se deputetët e “djegur” nuk mund të “ndizen” më, atëherë duhet të fusim në skenë kandidatët e listës, por pasi t’i seleksionojmë më parë ne ata sipas vijës së partisë sonë. Kandidatët që do i bëjmë deputetë, do ushtrojnë përsëri interesat dhe idealet e popullit “sovran”.

Ndërkohë, do të reabilitojmë edhe Murrizin, të cilin do e bëjmë nënkryetar të Parlamentit. Ndërsa kryetare të grupit parlamentar të PD-së, do bëjmë Hajdarin, e cila tashmë shquhet për oratorinë e saj dhe nuk i lën asgjë mangut Palokës.

Do vazhdojë e njëjta lojë në Parlament me akuza dhe me kundërakuza deri në mbarim të legjislaturës. Ndërsa ne ish deputetët do e mbajme nën presion Qeverinë me protestat e vazhdueshme në rrugë. Pra, Qeveria do ndodhet mes dy zjarresh: në rrugë dhe në Parlament.

Pastaj, për zgjedhjet e ardhshme do bëjmë listën e re, në të cilën në krye NUK do bëjnë pjesë të gjithë deputetët “shpëtimtarë” të opozitës, për t’ju bërë vend përsëri figurave të ndritura dhe karizmatike të opozitës që “dogjën” mandatet e tyre për hir të popullit “sovran”!

Nëse do i fitojmë zgjedhjet e ardhshme, atëherë do kenë vend në Parlament edhe disa deputetë të tjerë të listës të renditur më poshtë. Ndërsa pjesën tjetër do i bëjmë shefa, drejtorë, apo zëvendës ministra. Nëse do i humbasim zgjedhjet, atëherë do përdorim formulën tashmë të konsoliduar, ose atë të “djegjes” së mandateve dhe zëvendësimin me kandidatët e listave. Kot pastaj nuk i bëjmë ne listat me nga 200 deputetë, edhe pse numri i deputetëve në Parlament është 140!

Po nuk bëmë kështu, atëherë rrezikojmë të zhdukemi si parti. Kemi problem të madh edhe faktin se po na mungon mbështetja nga Europa, pasi reaksioni komunist është shumë i madh sot në Europë. Komunistët i gjen kudo në organet drejtuese të institucioneve europiane. Një shembull i komunistit të denjë dhe të flaktë, është edhe deputeti i Parlamentit Europian Knut Flekenshtein, për të cilin mora njoftim nga disa miq të mi të besuar nga Moska, se ai është me origjinë ruse dhe se mbiemrin e vërtetë e ka pasur FlekenshtejnOVIÇ.

Më thanë se gjyshi i tij paska qenë dikur një komsomolas i flaktë dhe se ka bërë një foto edhe me Stalinin, të cilin do ma nisin sa më parë që t’jua tregoj juve. E patë se çfarë na punoi i poshtri me deklaratat e tij kundër nesh. Pra, kujdes nga komunistët.

Por, prapë ne nuk jemi pa mbështetës ne. Po ju them edhe një sekret tjetër. Nard Ndoka sapo është kthyer nga Vatikani, ku ka marrë edhe bekimin e Selisë së Shenjtë për kauzën tonë. Dhe Berisha i kthehet yllit të demokristianëve shqiptarë: “Apo jo more Nard”? Nardi në fillim u habit, por e mori shpejt veten dhe pasi bëri kryq duke u drejtuar me fytyrë nga Qabeja, bërtiti: “Po more po”.

Në mbyllje, po ju them se vetëm pjesëmarrja e jonë formale në Parlament, do e shpëtojë PD-në nga disfata katastrofike. Materialet e kësaj mbledhjeje, duhet të mbesin shumë sekret deri në momentin që do pranojmë mandatet. Pasi po e mori vesh Mona Lira, na mori lumi.

Pas fjalimit të Berishës, të gjithë pjesëmarrësit u ngritën në këmbë duke duartrokitur dhe brohoritur pa pushim “Rroftë sa malet Sali Berisha”.
Më pas, proçesverbali i mbledhjes u fut në një zarf dhe u dyllos me dyllin që kishte sjellë me vete nga Vatikani Nard Ndoka.

Nga media e “pavarur”, ishin prezentë figurat më të ndritura, më besnike dhe më luftarake të kësaj mediaje: Kadri Marku, Kadri Bejtja dhe Kadri Bushati.