Ambasada e SHBA reagon pas deklaratave të Sali Berishës: Do përdorim të gjitha instrumentet për t’u përballur me korrupsionin e pandëshkueshmërinë!

0
308
Ambasada Amerikane

Ambasada amerikane në Tiranë reagon për “BalkanWeb” pas deklaratave të forta të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Sali Berisha ndaj ambasadores Yuri Kim, si dhe padisë së tij ndaj Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, pas vendimit të këtij të fundit për ta shpallur “non grata” nën akuzën e korruspionit.

Ambasada e SHBA deklaron prerë se do të përdorë të gjitha instrmentet që ka në dispozicion, për t’u përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë

“Midis urdhërit ekzekutiv të Presidentit Biden, shpalljes nga sekretari i shtetit Blinken, deklaratave të ambasadores Kim përpara shtypit e medias javën e kaluar dhe editorialit të saj këtë javë, qëndrimi i SHBA është i qartë dhe i pandryshuar: Lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbesor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për tu përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë”, tha ambasada e SHBA për “BalkanWeb”.

Mesditën e sotme, ish-kryeministri Berisha publikoi padinë e ngritur ndaj Blinken, ndërsa iu drejtua Sekretarit Amerikan, por edhe ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila kërkoi mosfutjen e tij në Parlament, që të nxjerrin faktet, provat dhe dokumentet që kanë ndaj tij, për konsumim të veprës penale të korrupsionit.

Berisha e cilësoi vendimin për shpalljen e tij “non grata” një vendim politik dhe hakmarrje të George Soros dhe Edi Ramës, ndërsa nuk kurseu dhe sulmet e forta ndaj ambasadores Kim, teksa e cilësoi atë si “guvernatore” në vendin tonë.