Arsimi në kohën e regjimit komunist

0
9234
Dukagjini

Gjin Musa me cigareNji shkrim sie kame lexuar dhe rilexuar, po nostalgjia kurre nuk shuhet!
vite qe ishin vertet te bukura, kame jetuar large Dukagjinit, po kure shkoja njifja nga afer shume Dukagjinas te mire, student dhe kuadra Dukagjinas, keta mi prezantone daja im Lazer Bregu dhe i ndjeri Prel Bregu qe kurre s’me thirri ne emer, po gjithmon o nipashe… po e bublikoj ne respekte te gjithe atyre brezave qe u arsimuan ne shkollen e meseme “MEHMET SHPENDI” “Breg..Lumi” SHAL… DUKAGJIN.
Gjin Musa.

Nga Prelë Shytani

Nëse pati ndonjë gjë pozitive regjimi njëpartiak i para nëntëdhjetës, ndër kryesorët ishte arsimimi i popullit, zhvillimi cilësor e sasior i sistemit arsimor. Arritjet në këtë sektor qenë shumë të prekshme edhe në zonën e Dukagjinit. Mbas zhdukjes për një kohë rekord të analfabetizmit, u hapën shkolla fillore në çdo fshat. Ne vitin 1968 u bë i detyrueshëm arsimi 8-vjeçar e në këtë kuadër u hapën 14 shkolla 8-vjeçare vetëm në Shalë, Shosh dhe Pult ku kishte edhe 4 konvikte për sistemimin e nxënësve që e kishin larg shkollën më të afërt, me pamundësi frekuentimi për çdo ditë.

Pika kulmore në masivizimin dhe zhvillimin e arsimit ka qenë hapja e shkollës së mesme bujqësore në Breglumi në vitin 1973 me drejtor të parë të ndjerin Reshat Gruda. Për atë kohë ishte e vetmja në Dukagjin ku krahas nxënësve me shkëputje nga puna pati edhe shumë pa shkëputje nga puna, punëtorë të thjeshtë apo kuadro drejtues të ekonomisë të niveleve të ndryshme. Fillimisht në vitin e parë u regjistruan nxënës nga fshatra të ndryshme të Dukagjinit, të cilët të etur për dije çdo ditë bënin disa orë rruge në këmbë jo vetëm nga fshatrat e Shalës por edhe nga Thethi e Shoshi.

Një pjesë strehoheshin në konviktin që ishte hapur enkas për nxënësit e kësaj shkolle, kryesisht nga Shoshi, Pulti, Toplana e Thethi, por në vitet në vazhdim edhe nxënës nga zona të tjera të rrethit të Shkodrës si: Gruemira, Guri i zi, Velipoja, Vau i dejës e te tjerë, numri i të cilëve shtohej nga viti në vit. Që në vitet e para e në vazhdim aty zhvillohej një proces mësimor shumë cilësor ku gërshetohej përgatitja shkencore me praktikën në prodhim.

Kjo bënte që rezultatet në procesin mësimor – edukativ të jenë të larta e konkurruese me çdo shkollë të rrethit e më gjerë që kishin traditë dhe ishin hapur shumë vite më parë se shkolla e mesme Breglumi. Patjetër që këto rezultate ishin të pritshme sepse aty jepnin mësim një staf pedagogjik shumë i përgatitur nga ana shkencore dhe metodike, të gjithë me arsim të lartë si: Ndue Gjonaj – letërsi, Fatos Gjyrezi – matematike, i cili ishte edhe mësues kujdestar për maturën e parë; Muhamet Qoshja – bio-kimi; Muhamet Mesi – fizikë; Fran Vatnika – lëndët bujqësore; Ali Rrakiqi – edukim fizik e te tjere, të drejtuar nga Reshat Gruda në vitin e parë, Kol Zef Funiçi në vitin e dytë, kurse në vitet e 3-4 të kësaj mature ka qenë Profesor dr. Mahir Hoti me nëndrejtoreshë në të tëra vitet Lena Fusha e zv-drejtor për konviktin Fran Dardha.

Po cilësojmë mësuesit dhe drejtuesit e kësaj shkolle vetëm për maturën e parë sepse kjo ka qenë gjithnjë shkollë e bashkuar ku kanë dhënë mësim me dhjetëra e dhjetëra mësues vendas e të ardhur nga Shkodra, por nuk do t’i përmendim sepse nuk është objekt i këtij shkrimi.

Në vitin 1977 morën dëftesën e pjekurisë 27 nxënësit e parë të kësaj shkolle shumica me rezultate shumë të mira të cilët ishin: Age Guri, Age Ndou, Bardhe Pjolli, Fran Guri, Gjon Dardha, Gjon Kroj, Kin Nika, Kole Guri, Lazer Cardaku, Lazer Stani, Lek Gurra, Line Rraçi, Lule Gila, Lulash Piniqi, Marie Marashi, Marie Malaj, Marash Pepniku, Mhill Gjinesha, Ndoke Kryeveçi, Ndoc Kodra, Pashko Marku, Pellumb Kulla, Pjeter Mbrapshtia, Pieter Shogaj, Prel Nika, Vate Gjoni e Zoge Okseti, të gjithë këta nga Shala, Shoshi, Pulti e Toplana. Shumë prej tyre vazhduan dhe mbaruan shkollën e lartë me rezultate shumë të mira.

Menjëherë mbas shkollës së mesme shkuan në shkollën e lartë vetëm dy femra e pikërisht Zoga Okseti e Marie Marashi prindërit e të cilave ishin të çliruar nga konceptet konservatore, kurse djemtë ishin të detyruar që të bënin një vit stazh në prodhim që e diktonte sistemi arsimor i asaj kohe. Momentalisht këta ish-maturantë janë të shpërndarë gjithandej, në Shqipëri, Itali, Amerike e në vende të tjera me detyra dhe profesione të ndryshme, kurse vetëm një prej tyre e pikërisht Age Ndou fatkeqësisht nuk jeton më.

Maturat pasuan njëra – tjetrën ku sot është e 35 –ta, rezultatet patën progres nga viti në vit, por matura e parë shërbeu si bazë e shëndoshë për konsolidimin e shkollës së mesme Breglumi, në të cilën numri i nxënësve rritej nga viti në vit, kjo edhe se pas disa viteve u hap edhe dega e arsimit të përgjithshëm që bëri që çdo vit shkolla të kishte dy matura. Si shkollë e bashkuar, me një numër të madh nxënësish e mësuesish, qe këta të fundit ishin harmonizuar mjaft mirë, vendasit me të ardhur, tanimë e kishte kaluar statusin lokal, por ishte në pararojë të shkollave të rrethit të Shkodrës për rezultate në procesin mësimor – edukativ, për nivelin e lartë të mësimdhënies, për larminë e veprimtarive artistike dhe sportive, për lidhjen e teorisë me praktiken në prodhim, qe për këtë të fundit meritë të veçantë kishte mësuesi e specialist i ndjeri Prele Bregu, për meritat e të cilit këtë vit këshilli i komunës Shalë i dha titullin “Qytetar Nderi” i komunës , i pari i këtij lloji për Dukagjinin.

Ja si shprehen për vitet e maturës së parë disa ish – drejtues, mësues e nxënës: Prof. Dr. Mahir Hoti – drejtor disa vite gjatë maturës së parë e në vazhdim: “… Ato vite, edhe pse larg familjes, qenë vite të arta me atë popull të mrekullishëm e arsimdashës, pasqyrë e të cilëve ishin nxënësit që vinin në atë shkollë nga çdo fshat i Dukagjinit, me të cilët kishe dëshirë të punoje, me një trupë mësimore të përkushtuar për të transmetuar tek nxënësit dije e kulturë. E pashlyeshme në memorien time ka mbetur mbrëmja e maturës së parë me 30 qershor 1977, e cila as sot nuk organizohen aq cilësisht”.

Ndue Gjonaj – mësues letërsie: “… Pata fatin që të jem ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle që në shtatore të vitit 1973, me ata nxënës të mrekullishëm që filluan për herë të parë këtë shkollë, të cilët kanë kenë të papërsëritshëm në karrierën time. Kishte një kolektiv pune shumë pedagogjik. Në këtë zonë u burrërova e krijova familje dhe, krahas mësimdhënies më besuan edhe detyra të tjera shoqërore e shtetërore. Qëndrova atje shumë vite të cilat sot i kujtoj me shumë nostalgji”.

Gjon Dardha – ish maturant: “… Janë të pashlyeshme në memorien time vitet që kalova në atë shkollë, ne te cilën kam qenë 4 vite edhe konviktor. Krahas mësimit që na jepnin mësuesit shumë të përgatitur. Bënim edhe shumë aktivitete jashtëshkollore. Ne çdo fundjave bënim mbrëmje vallëzimi ne shtëpinë e kulturës ne Breglumi, qe përformonin në fizarmonikë Fran Cardaku e Gjergj Cuni; ekskursione në bjeshkë apo në kampin e pushimit të punëtorëve në Theth apo ato në kuadër të praktikave mësimore deri dhe jashtë rrethit “.

Mbi bazën e dijeve te marra ne ketë shkollë, ne shkollën e mesme te Breglumi vazhduan e përfunduan studimet e larta ndër vite shumë nxënës te kësaj shkolle, kryesisht Institutin e lartë bujqësor Kamze dhe atë pedagogjik në Shkodër duke bërë diferencën në anen pozitiv me studentët e ardhur nga zona të tjera rurale të Shqipërisë, të cilat i përfunduan me rezultate shumë të larta, te cilet më pastaj kanë bërë emër në tërë vendin si politikanë, deputetë, poetë e shkrimtarë, mjekë, ekonomistë, juristë, ushtarakë, apo arsimtarë si: Ramiz Cobaj, Hysni Burgaj, Lazër Kodra, Isa Rekaj, Lazer Cardaku, Tringe Musheqi, Ndoc Çardaku, Vatë Mhill Marashi, Pal Marku, Ndue Njemza, Kolë Tonaj, Ndue Shytani e shume të tjerë.

Ndryshimi i sistemeve pati mjaft anë pozitive edhe për malësinë por, arsimi atje u traumatizua. Kjo, nga vandalizmat e ndryshme dhe lëvizjet demografike të pakontrolluara. Në mënyrë drastike u ul numri i nxënësve, sigurisht edhe i mësuesve. Në fillim të viteve 90 –të u pati arrite që në të gjitha shkollat e Dukagjinit mësuesit të ishin vendas, kryesisht me arsim përkatës pedagogjik. Por pjesa më e madhe prej tyre migruan në zonat urbane apo rreth tyre, të cilët edhe u sistemuan në punë falë aftësive të tyre profesionale. U mbyllën të gjitha shkollat e mesme të Dukagjinit përveç asaj të Breglumit, e cila mbijetoj në sajë të insistimit të pushtetit vendorë, frymës arsimdashëse të komunitetit atje si dhe të punës plot përkushtim të trupës mësimore. Sot kjo shkollë ka maturën e 35 –te të saj, e cila po pret të korrë frytet e një pune disa vjeçare.

Pa mëdyshje, kjo shkollë sot është në pararojë te të gjitha shkollave të zonave malore si ne frekuentim, mësimdhënie nga një grup mësuesish të gjithë vendas kryesisht me arsim përkatës, të cilët mungesën e ndihmës së shtetit me laboratorë apo bazë materiale didaktike përpiqen ta kompensojnë me një mobilizim maksimal në kryerjen e të gjitha detyrave, ne veçanti ne mësimdhënie, me në krye drejtorin Agustin Nika, duke filluar që nga përgatitja serioze për mësim, aplikimit të metodave bashkëkohore të mësimdhënies të përshtatura me kushtet konkrete si dhe të një vete-kualifikimi.

Jo vetëm për këtë shkollë, por për të gjitha shkollat e Dukagjinit, kujdesi i pushtetit qendror, lokal dhe të gjitha instancave të sistemit arsimor duhet të jetë më i madh që të mos kemi shkolla e kushte për mësim si ato të reportazhit të gazetarit Marin Mema të para disa ditëve. Të gjitha shkollat e kësaj zone ti kthejmë në ambiente, qe mësohet dhe edukohet duke mos pasur ndryshim me ato të fushës e qytetit dhe mos të thotë njeri se nuk mund po rri në Dukagjin, sepse fëmijët po më mbesin pa arsimin bazë, e njerëzit mos të kenë nevojë për tu bere nostalgjik, duke thënë: “Na ishte njëherë e një kohë shkolla, kështu e ashtu…”.

Jemi optimistë se, ky tranzicion i tejzgjatur, për arsimin në Dukagjin do të përfundojë sa më shpejt e shkollat atje do të kthehen në nivelin e traditës më të mirë, për ti shtuar Dukagjinit njerëzit e shkolluar dhe të ditur në fusha të ndryshme, siç ka bërë shkolla e mesme “MEHMET SHPENDI” Breglumi