ATA JANË VETË LIRIA JONË

0
713

Zymer Mehani

(Me rastin e 5 Majit-Ditës së Dëshmorëve)

Në vargun e dëshmorëve të kombit, rrinë të rreshtuar bijat dhe bijtë më të denjë të popullit tonë.

Kalojnë ditët, javët, muajt, vitet, kalojnë edhe shekujt, por kujtimi për dëshmorët e kombit tonë mbetet prore i freskët në mendjet tona, në zemrat tona dhe në kujtesën tonë historike.

Mbetet prore i freskët dhe nuk tretet kurrë edhe malli për bijtë e bijat tona sypatrembura e atdhedashëse. Ashtu si edhe ne, edhe brezat që vijnë, do t‘i mbajnë në zemër dëshmorët, për t’i bërë flamuj në valim rrugëve e shesheve tona të lirisë. Liria bashkohet me Atdheun. Gëzim e hare në çdo anë. Dritësim diellor, rreze gjak.

Liria ndërtohet me sakrifica, me jetëra, ndërtohet me gjak, ndërtohet me dëshmorë. Kështu pat thënë dikur një mendje e urtë. Kurse ne sot duhet ta dimë se dëshmorët janë nderi dhe krenaria e popullit tonë martir.Të këtij populli që luftoi parreshtur për liri shekuj me radhë.

Dëshmorët janë ndërgjegjja më sublime dhe vetëdija, e ngritur lart, deri në piedestalin e vetëflijimit. Ata jetuan për ne.I kemi prore gjithkund e gjithherë.Të tillë i kemi bijtë dhe bijat tona syshqiponjë.Të gjallë përherë në kujtesën tonë. Me flamuj kuq e zi në duar, me një diell në gji, me një rreze në ballë, lundrojnë dëshmorët mbi detin e gjakut të flijuar për liri. Në paqe e në luftë, në fushë e në mal. Rendin dëshmorët për lirinë. I ke atje, këtu…

Një varr, një gur, një lapidar, një përmendore. Lapidarë të lirisë ishin vetë ata, që u bënë flakadanë të përjetësuar.

Lapidarë lirie i kemi në shpirt dhe në zemër, për të cilët kemi mall, por edhe jemi krenarë. Ata sot dhe gjithmonë, Kosova, Shqipëria dhe tërë Kombi Shqiptar i kanë dhe do t’i kenë Diell Lirie me rreze të dëlira, me dritë lirie. Dëshmorët e Kombit tonë na e sollën lirinë. Ata janë vetë liria jonë.

Lavdi dëshmorëve të atdheut!