Avokatja e nxënësve, që admirohet e respketohet nga brezat…

0
235
Ruta Legisi

Ruta Legisi (Doçi), kjo mësuese dhe veprimtare e përkushtuar

Nga Gëzim LOKA

Ruta Legisi (Doçi), kur kthen kokën prapa për të ndjekur ritmet e kujtesës, bashkë me mallin dhe nostalgjinë për motet e ikur me ngut nëpër vorbuj të ngarkuar kohe, ndien dhe përgjegjësinë e misionit të saj në jetë, si mësuese e përkushtuar, si grua shembullore, fisnike deri në gen, si nënë e mrekullueshme, që ka rritur fëmijë të shëndetshëm, me etje për dije dhe kulturë.

Më ka rastisur për pak kohë, këtu e dekada të shkuara, të punoj me Rutën në Arrmollë, si mësues kolegë dhe tani që e takoj pas kaq shumë vitesh, më duket sikur koha ka mbetur e ngrirë atje, në dheun e ëmbël të karareve, ku edhe buka edhe uji kanë tjetër shije dhe jeta merr kuptime të veçanta, krejt të veçanta, atje në prehërin e mjegullnajave të Alpeve tona, në gji të një natyre dehëse, me përmasa të një bukurie europiane.

Ruta ka kaluar thuajse një jetë të tërë me nxënësit, duke iu dhënë dije brezave që kanë pasuar njëri-tjetrin dhe sot kur ndjen respektin dhe mirënjohjen e atyre që kanë kaluar nga duart e saj, nga puna e saj fisnike, vetëmohuese e përkushtuese, ndihet krenare jo vetëm si mësuese, por edhe si grua e si nënë, që ka ushqyer në çdo çast të jetës së saj pasionin për dije, shpirtin e lirisë së zgjedhjes së rrugëve të jetës.

Jeta e saj, e kaluar në përballje me vështirësi dhe sakrifica të gjithëkohshme, është një apel për t’u ndjekur sot nga të rinjtë, që i duan gjërat gati dhe nuk ia dinë vlerën as punës, as modeleve që iu jepet rasti të ndjekin në jetë…

Lindi në fshatin Arrëmollë Lurë ku mabroi filloren dhe tetëvjeçaren, për të vijuar më tej shkollimin e mesëm në Shkollën Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë, gjatë viteve 1971-1975.

Gjatë viteve 1975-1977 emërohet mësuese në Tejmallë dhe Arrëmollë, ku qëndron gjersa martohet dhe pas martese, gjatë viteve 1977-1983 punon si mësuese në Shebë të Mirditës. Në vitin 1984 emërohet mësuese në qytetin e Rrëshenit, ku punon me passion e përkushtim për 13 vjet, gjer në vitin 1997, kur vjen familjarisht në Tiranë dhe punoi gjersa doli në pension në shkollën nëtëvjecare “Kolë Jakova”.

Pra, kjo grua e fortë dhe mësuese pasionante, e nisi rrugëtimin e mësueses në Lurë, në vendlindjen e saj, e vazhdoi për vite të tëra në Mirditë, në vendbanimin e ri, në familjen e re që krijuan së bashku me inxhinierin e Minierës Dod Legisi, (me të cilin kanë katër fëmijë dhe gjashtë nipër e mbesa) dhe e mbylli në Tiranë, në shkollën “Kol Jakova”, në një punë plot pasion e përkushtim, derisa doli në pension, më 30 qershor 2016.

Gjatë gjithë kësaj kohe, pas hapjes së Shqipërisë me botën dhe me format e reja të arsimimit dhe edukimit, ka marrë pjesë në organizata të ndryshme jo qeveritare për të drejtat e fëmijëve, sidomos të romëve dhe egjiptianëve, për t’iu hapur atyre mundësi dhe shanse të barabarta arsimimi dhe edukimi në mënyrë të barabartë me të gjithë fëmijët e tjerë. Të kësaj natyre janë dhe veprimtaritë e organizuara me Prsident Bujar Nishanin ku mësuese Ruta ka qenë një veprimtare e dalluar, me pasion dhe intuitë, e gatshme për të bërë në çdo rast më të mirën e mundshme në interes të fëmijëve, e veçmas të fëmijëve të pambrojtur, pa prindër ose me një prind si dhe atyre me probleme sociale, që përballen me varfërinë, paragjykimin racor etj.

Për shkak të këtij kontributi gjithnjë e më në rritje, Ruta Legisi (Doçi) është zgjedhur gjatë gjithë kohës, deri sa doli në pension, avokate e nxënësve, detyrë të cilën e ka kryer me përgjegjësinë më të madhe, duke u bërë një interprete dhe mbrojtëse e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha rastet.

Për shkak të kontributit të saj merr pjesë në Kongresin e Grave që u zhvillua në Tiranë në vitin 1996.

Një miqësi që nuk vdes kurrë, e pasuruar dhe e konsoliduar më tej vit pas viti e kohë pas kohe ajo ka me të mrekullueshmen Shpresa Vreto, shkrimtaren e njohur, me të cilën e lidh një shoqëri e ngrohtë dhe e sinqertë, e mbështetur tek vlerat dhe virtytet e ndërsjellëta.

Tek Ruta mishërohet shpirti aktiv dhe qëndrestar femëror, gjallëria dhe sponaniteti, ngrohtësia dhe zemra kërkimtare, bujaria dhe çiltërsia, miqësia e pastër që e motivon në çdo hap të saj.

Ajo është një grua e përkushtuar, e dashur, e ngrohtë në komunikim, veprimtare e dalluar dhe e kudogjendur, gjithmonë në ballë të veprimtarive të dijes dhe edukimit.

Ajo ka një aftësi të rrallë për të zënë miq e mikesha dhe kjo ndoshta për shkak të aftësisë së komunikimit, shpirtçiltërsisë dhe të qenit mendjehapur.

Gra si Ruta, me dituri e mendjekthjelltësi, me sjellje korrekte dhe me veprime humane, me botë të madhe dhe pasione të mëdha, shoqe të mira dhe veprimtare të formuara, ke dëshirë t’i këshë pranë në këto kohë të vështira që po kalon shoqëria gjithëshqiptare, kur më shumë se kurrë ndihet nevoja e njerëzve që shohin përtej hundës së tyre dhe i përvishen me zell e përkushtim çdo pune, për të ndërtuar me të gjithë ura bashkëpunimi, mirëkuptimi e harmonie, çfarë është në vetë natyrën e hapur e të çiltër të kësaj gruaje të zgjuar, lurainje mendjemprehtë e shpirtbukur.

Ruta ka vite që ndjek një ëndërr, një kauzë, një mision, që e kanë ndriçuar jetën e saj si meteor në qiellin e ëndrrës së një mësuesje, e cila gjatë gjithë kohës së ushtrimit të këtij misioni të shenjtë ka pasur kryefjalë përkushtimin dhe dashurinë e pakufishme ndaj nxënësve, për t’iu dhënë atyre dije dhe edukim të standardeve më të mira morale, etike dhe humane.

Në devocionin, përkushtimin e saj të epërm, në pastërtinë e një shpirti prej idealisteje, gjithkush mund të gjejë një model për të ecur përpara në jetë.

Gjithëkush që merr penën për të shkruar dhe që kërkon një model jete të jetuar bukur, që lyp gjurmët e një jete me dinjitet e fisnikëri, mrekullisht mund ta gjejë atë tek kjo femër, tek Ruta luriane, në zemrën e së cilës buron mirësia njerëzore, mençuria e gruas me përvojë në jetë, thjeshtësia e të urtës, fisniëria e asaj, që rrethohet me aq dashuri nga lurianët, simotrat dhe sivllezërit e saj.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar