BETEJA E EGËR PËR PRESIDENTIN, PËRJASHTON NDRYSHIMIN

0
703
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Fisnik Zeqiraj

Përgjatë fushatës LDK-ja dhe Vetëvendosja e kishin gojën plot me – ndryshim -! Tani, me garën karrieriste, pothuajse, të ndyrë, për të bërë pazare paraprake për presidentin, harruan premtimin për ndryshim. Dhe, ndryshimi i parë, që do të duhej bërë, është, pikërisht, ndryshimi i ligjit për zgjedhjet. Në këtë ndryshim, veç tjerash, presidenti zgjidhet nga populli, me konkurrencë dhe votim të fshehtë demokratik.

Gjatë fushatës, Albin Kurti dhe Vjosë Osmani, kishin premtuar se pozita e presidentit, nuk do të jetë pjesë e bisedimeve dhe e ndarjes së posteve. Populli i zhgënjyer nga prolongimi i krijimit të qeverisë, pyet, madje, qortueshëm, çfarë ndodhi me pazaret brenda-partiake të LDK-së, që kushtëzon postin e presidentit.

Janë lakuar emrat e akademikëve Kujtim Shala e Frashër Demaj si dhe Murat Jashari, emra të nderuar dhe cilësorë, që do t`i bënin nder Presidencës, Kosovës. Por, i ashtuquajturi “konsensues” partiak, do të përjashtonte vlerat, duke preferuar pazaret, si në rastin Hashim.

Një ndryshim tjetër, po kaq akut, duhet bërë, jo – Kosova me një zonë zgjedhore -, por më shumë zona, ashtu siç ka qenë votimi klasik. Çuditërisht, këtë ndryshim e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje. Arsyeja: Aktivistët e saj ishin të rinj, duke mos pasur pushtet, ende nuk ishin bërë njerëz publik. Andaj, përballjen në garë, me kandidatë për deputetë të partive tjera më të vjetra, nuk e shihnin të favorshëm për atë. Por, tani, Vetëvendosje, me praninë numerike në Kuvend, deputetët e saj të zëshëm, kanë bërë emër dhe nuk janë aspak inferiorë, në raport me deputetët tjerë, aq më parë kur janë – me duar të pastra -.

Fort i habitur, për të mos thënë i shokuar, është populli, me përzgjedhjen, nga LDK-ja, të Ministrisë të Punëve të Brendshme!?! Me performancën fatale, që ka pasur ministri i PB, në qeverisjen ogurzezë me PDK-në, LDK-ja duhet të turpërohet, vetëm nëse i shkon mendja për këtë Ministri dhe jo më të ngulmojë, për ta marrë! Për rrethanat e tanishme, kur inkriminimi në Kosovë, ka hyrë në të gjitha poret e shoqërisë, edhe po t`ia falte Vetëvendosje, madje, jashtë llogarisë ndarëse të ministrive, LDK-ja nuk duhej ta pranonte. Sepse e kishte dhe nuk ka bërë “as lavrën e minit!” A duhet të këtë, qoftë edhe një grimë moral në politikë?!

Provokimet e Agimit, ndaj Vjosës,
janë provokime ndaj anëtarësisë

“Vjosa Osmani duhet ta shqyrtojë pozicionin e saj. Vjosa nuk ka fitu. Jo vetëm të kërkojmë, por edhe të marrim përgjegjësi”,- thotë nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu! Pra, ai kërkon llogari e përgjegjësi nga Vjosë Osmani, pse ka humbur zgjedhjet! Ky është një provokim i përsëritur i zotit Veliu, që irriton anëtarësinë e LDK-së.

Po rezulton i saktë mendimi im, i dhënë para zgjedhjeve: “Klanorët, në rast të humbjes të LDK-së, ngushëllohen me dështimin e Vjosës, për t´u bërë kryeministre”. Megjithatë, nëse nuk do të ishte Vjosa, me ekipin e saj, sa profesional, energjik, aq edhe simpatik, në krye të fushatës zgjedhore, LDK-ja do të matej me bandën e AAK-së, për vend të tretë apo të katërtë.

Për ta disiplinuar Agimin me klanorët e tij, ia kujtojmë se jo vetëm anëtarësia e LDK-së, por edhe populli, për mos arritjen për të qenë LDK-ja e parë, e akuzon, pikërisht, Agimin me pak shokë. Kundërshtia e tij dhe e atyre përrreth, dhanë sinjalin dëshpërues, se klanorët nuk lëvizin nga “istikamet” e tyre, skur ta kenë marrë LDK-në me tapi!!! “Më dëmtuan, kur thanë se unë s`marrë vendime”, – tha Vjosa, duke dhënë shkakun bazal, për mos fitorën e pritur. Vjosë Osmani vazhdon të heshtë, përballë provokimeve hiç fisnike. Megjithatë, preferenca absolute e anëtarësisë, elektoratit, madje, edhe e popullit, është për Vjosën dhe ekipin e saj simpatik.

Këtë fakt, qartazi të lexueshëm, së fundi e pranoi edhe kryetari Isa Mustafa, i cili, mençurisht, filloi nismën për ndryshim. Por, barrikadimi i klanorëve rezistonin, duke abuzuar durimin e strukturave të partisë dhe të anëtarësisë të LDK-së.

Keqardhje, pse detyrohem të reagoj, madje, sërishmi, kur të tjerët heshtin. Kjo më ndodhi edhe si delegat nga Dega e LDK-së, në Gjermani, në Kuvendin e 9-të të LDK-së. Por, thirrja ime e përsëritur, madje, deri në çjerrje, “futi në votën e fshehtë demokratike”, mbetet gjithnjë aktuale dhe do të zgjidhte të gjitha dilemat, përfshirë këtu edhe unitetin brenda partiak. LDK-ja duhet ta harrojë zgjedhjen me aklamacion, duke iu kthyer frymës rugoviane, votimin e fshehtë demokratik, madje, për të gjitha strukturat e LDK-së, në bazë dhe në Qendër. LDK-ja, si parti akademike, duhet të bëhet shkollë edhe për partitë tjera. Sepse, shumica syrësh, më shumë se parti, janë banda të krimit vrastar, të hajnisë zyrtare dhe të haraçit të përgjakshëm.

LDK-ja ka qenë dhe duhet të mbetët parti nacionale, kombëtare dhe assesi të kthehet në parti provinciale, parti mahalle. Humbja e Prishtinës për 300 vota diferencë, nga partia rivale, është shumë domëthënëse! Alarmin SOS duhet lëshuar edhe për faktin se në Prishtinë 7.000 anëtarë të LDK-së, e votojnë partinë, LDK-në, por, jo edhe Vjosën. Ky është një sabotim i tejdukshëm, që flet shumë. Madje, kjo është dëshmi faktike, se klani përbënë rrezik potencial e ndjellakeq për LDK-në, larg qoftë, edhe ndarjen e sërishme.

Karrierizmi e ka ndarë një herë LDK-në. Dhe, parandalimin për përsëdytje, mund ta bëjë vetëm aplikimi, zbatimi i tri parimeve bazë të demokracisë: kthimi në debatin e shpenguar demokratik brenda partiak; konkurrenca e ndershme zgjedhore, me shumë kandidatë, si dhe votimi i fshehtë demoktatik, për të gjitha strukkturat e partisë, në bazë dhe në qendër. Shto këtu edhe kufizimin e kompetencave enorme, për të mos thënë, tej mbretërore, të kryetarit të partisë, që ngulfatin demokracinë e brendshme partiake.