BOTA E BUKUR E LIRIKËS

0
1595

Ndue Lazri

Në koncertin recital të sopranos Mimoza Rama

Një kështjellë e bukur në qendër të San Giorgio Piacentino, në periferi të Piacenzës, e cila e ka origjinën mbi njëmijë vjet më parë. Aty tani janë zyrat e komunës dhe një sallë e bukur, ku herë pas here organizohen evenimente artistike.

Këtë radhë është një koncert artistik, në qendër të të cilit është lirika, me arie nga opera të ndryshme, por ka edhe pjesë të tjera të muzikës klasike. Dhe protagoniste e kësaj mbrëmjeje është sopranoja shqiptare, Mimoza Rama, e cila jeton në Piacenza.

E kisha dëgjuar Mimozën të interpretonte arie operash edhe në një aktivitet për 8 Marsin në Trentino, edhe në koncertin në teatrin Bibiena të Mantovës me rastin e festivalit të kulturës shqiptare. Por këtë mbrëmje ajo ka një koncert të tërë recital, të cilit i ka dhënë mikpritjen komuna e San Giorgios, duke i vënë në dispozicion sallën, por edhe duke organizuar një festë të bukur për të gjithë të pranishmit.

Janë të pranishëm plot banorë të San Giorgios dhe autoritetet lokale. Kryetari i Bashkisë, Giancarlo Tagliaferri shpreh kënaqësinë për organizimin e këtij koncerti recital, përgëzon artistët e rinj dhe ndalet në veçanti tek sopranoja shqiptare, tek arti i saj dhe tek integrimi i shqiptarëve në zonë edhe nëpërmjet shpalosjes së vlerave të tilla kulturore e artistike.

Kemi ardhur të ndjekim me dëshirë e emocion sopranon tonë me një grup të federatës FNAI. Brunilda Diko, vjen nga Reggio Emilia dhe ka sjellë një tufë me lule për këngëtaren shqiptare. Poetja Lumturi Plaku jeton në Piacenza dhe ka ardhur me dëshirë në koncertin recital të bashkëatdhetares. Poetja tjetër Lili Bimi ka zbritur që nga bjeshkët e Vicenzës. Edhe ajo me një tufë të madhe me lule për këngëtaren shqiptare.

Është simbolike që një grup të rinjsh instrumentistë që studiojnë në lice e konservator, i bëjnë si të thuash një kornizë të bukur artistike koncertit të Mimozës me pjesëmarrjen dhe ekzekutimet e pjesëve të ndryshme.

Dy vajza të bukura me një delikatesë e elegancë të veçantë luajnë në flaut. Janë Alessia Califano e Ilenya Pulina. Gaia e Federico luajnë në piano, ndërsa Gianluca në trombë. Pjesët janë zgjedhur posaçërisht për t’iu përshtatur natyrës së koncertit recital të artistes sonë.
Pastaj skenën e zotëron Mimoza. Kjo artiste shqiptare,e ka filluar studimin në muzikë e canto që kur ishte në moshën 10 vjeçe dhe është formuar si artiste e lirikës në liceun artistik e në Akademinë e Arteve në Tiranë, si dhe me plotësimin e studimeve të tjera në Itali. Profesoresha e saj italiane, Adelisa Tabiadon, që në leksionin e parë i ka thënë: Ti ke një intuitë shumë të mirë artistike, që do të të ndihmojë shumë në rugën tënde të artit.

Sopranoja e zotëron dhe e bën për vete publikun që në dy pjesët e para të programit “Panis angelicus” nga Cesar Franck dhe “Ave Maria” nga Caccini/Vovlanov. Bien në sy aftësitë e saj vokale dhe interpretative, por edhe temperamenti herë lirik e herë dramatik në interpretimin e pjesëve, çka do evidentohej në vazhdimësinë e gjithë programit.

Publiku e duartoket nxehtësisht dhe kjo na bën të ndihemi krenarë ne shqiptarëve që jemi në sallë dhe e ndjekim me emocion. Veçanërisht aftësitë e saj spikatën akoma më shumë në pjesë mjaft impenjative si Aria di Musetta nga opera “Bohemë” e Puccinit dhe “Tu che di gel sei cinta” nga opera tjetër e rëndësishme e Puccinit, “Turandot”. Përveç duartrokitjeve të gjata, edhe thirrjet “brava” nga salla shprehnin atë kënaqësi artistike që perceptonte publiku nga interpretimi i sopranos sonë.

Për ta bërë më të larmishëm e të pasur programin, por edhe për të dëshmuar diapazonin e gjerë të mundësive e aftësive të saj profesionale, Mimoza kishte zgjedhur edhe dy pjesë me karakter popullor, si “Non ti scordar di me” nga Ernesto de Curtis një nga mjeshtrat më të mëdhenj të muzikës napolitane dhe këngën e bukur shqiptare “Asaman o trëndafili çelës” të kompozitorit të mirënjohur Agim Prodani. Në këtë të fundit, me të cilën edhe do të mbyllej programi, pata nderin që drejtuesja e programit të më ftonte ta prezantoja unë në funksionin e presidentit të Federatës FNAI. Padyshim ishte kënaqësi të prezantoja një nga kryeveprat e muzikës sonë, aq më tepër e interpretuar nga një bashkatdhetare në një skenë italiane e përpara publikut italian.

Suksesi i koncertit recital të Mimozës u festua në sallat e tjera ku u dha një koktej shumë i pasur, i përgatitur nga komuna e San Giorgios. Autoritetet lokale dhe spektatorët që kërkonin të bënin fotografi me këngëtaren e përshëndesnin me fjalët “Të duam prapë në skenën tonë”.

Dergoi per publikim: Gjin Musa, gazetar