Vitrina e librit:
Doli nga shtypi libri me poezi, “TË NDRITURIT”, me autor Sami R. Dërmaku. Vargjet e librit, janë poezi përkushtimi për ngjarje dhe personalitete të njohura të kulturës dhe të rezistencës shekullore të popullit shqiptar, kurse poeti Sami R. Dërmaku, ka qenë edhe vet pjesë e atyre zhvillimeve, bashkëveprimtar i hernjëve, dhe ka bashkëvuajtur nëpër burgje të rënda politike, duke përjetuar persekutimin barbar të Sërbisë, madje disa herë.
Të gjithë ata që e njohin, Sami R. Dërmakun, përveç pamjes së njeriut madhështor dhe zërit të zotëriut autoritar, ai gjithmonë është shquar për rezistencë të pathyeshme përpara hetuesisë, kurse me kalimin e kohës është shndërruar në simbol qëndrese shembullore, kudo nëper ato vende ku ka mbajtur burgun nëpër kazamatët jugosllave. Ai është vet Heroi i asaj rezistence, i asaj besnikërie të fisme që ka dominuar ndër të burgosurit politik, është shembulli i rezistencës idealiste, i qëndrueshmërisë dhe pathyeshmërisë në gjithë karrierën e tij jetësore.
Sami R. Dërmaku, është i njohur edhe për falje, sidomos kur janë në pyetje interesat e mëdha kombëtare. Sami R. Dërmaku, ka falur gjithëmonë, prandaj këto poezi përkushtuese për Simbolin e Rezistencës Kombëtare Adem Demaçi, me të cilin ka bashkëvepruar dhe së bashku janë dënuar, bile edhe kanë mbajtur bashkë ose në të njëjten kohë burgje të rënda, prandaj poezitë janë përkushtime, fillimisht njerëzore, pasi ato janë të nisura nga vetvetja, nga karakteri dhe burrëria e tij.
Pastaj, na është i njohur raporti i tij me prof. dr. Shaqir Shaqiri, po sidomos përkushtimi për t’ia shpëtuar shëndetin dhe jetën, sa ishin së bashku duke mbajtur burgun politik. Janë këto veti të tija, pse ne besojmë se autori i librit është Hero i rezistencës aktive dhe sakrificës intelektuale e patriotike. Mjafton poezia kushtuar, Metush Krasniqi, vrarë me tortura mizore nga UDB-ja, për ta besuar këtë që tjamë, dhe mbase për të kuptuar lidhjen shpirtërore të autorit me protagonistin, prandaj përkushtimi është perlë përjetuese e cila edhe një herë e rikthen të gjallë në mesin tonë, Heroin Metush Krasniqi!
Frymëzim e përkushtim të rrallë, Sami R. Dërmakut, i japin edhe Komandanti Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, Heroi i Flamurit, Fazli Grajçevci, Eruditi dhe frymëzuesi i tij, Isa Kastrati, si dhe bashkëluftëtarët: Rexhep Mala dhe prindëri e tij, Kamandant Plaku ose Xheladin Gashi, janë vetëm disa nga ata që i japin pamje “KOSOVËS SË PËRGJAKUR NËPËR SHEKUJ”, (titull poezie). Po ashtu në këtë libër gjejmë përkushtime e përjetime të rralla.
Më i veçantë duket ai për Sabit Hajdinin, nga fshati Çerkez i Kumanovës, kurse poezia “NË VIZITË”, që iu kushtohet, Ahmet Haxhiut, Xheladin Rekaliut, Jashar Saliut, Xhavit Hoxhës, Fadil Vatës, Shabi Hajdinit dhe shumë bashkëveprimtarëve të tjerë të shtrirë në spitalet e Zvicrës, të cilët nga sëmundjet vdiqën, shëmbëllejnë për mirësi e humanizëm në njërën anë, kurse në anën tjetër janë poezi, janë poema, janë uvertyra të realizuara me pasion dhe dashuri të rrallë.
Pa dyshim të gjithë Heronjtë e Sami R. Dërmakut, kanë bërë Histori dhe kanë treguar Qëndresë. Ashtu siq e theksuam më lartë edhe vet poeti, shndërrohet në Hero i Veprës së tij. Nga kjo na duket se Sami R. Dërmaku, përseri jep nga vetja, pasi të gjitha përkushtimet, heroizmat, qëndresa dhe pathyeshmëria janë përkushtime të tij për te tjerët, por në esencë e gjitha e ka burimin nga shpirti i tij fisnik, nga qëndrueshmëria dhe nga atdhedashuria që ka pasur Sami R. Dërmaku, gjithmonë për Kosovën.
Këto vlera materializohen edhe në poezitë: “Tryezë e shtruar”, “Lugetërit e errësirës”, kushtuar të burgosurëve në Burgun e Dubravës, por për një nuancë poezia me plotë dashuri është ajo për Shipashnicën me titull “Kujtesë për vendlindjen”. Vargjet mund të përjetohen emocianlisht, por në të njëjten kohë kuptohen edhe si rezstencë shekullore e bashkëfshatarëve të tij, nga të cilët e për të cilët, do të nisin udhë edhe veprimtaria e tij dhe këto përkushtime të Samiut, po ashtu janë frymëzimi më heroik dhe perkushtimi i tij lirik.
Kur jemi tek poezia kushtuar bashkëfshatarëve të vet, përmendoren që ia ndërton me vergje vendlindjes, në imagjinatën e lexuesit, po aty, do të shihet saktë, Permendorja e Veprimtarit dhe Heroit të gjallë Sami R. Dërmaku, i cili një jetë ia kushtoi veprimtarisë kombëtare dhe atdhetare. Pikërisht janë këto arsye, të cilat na shtyjnë që këtë shënim të shkurtër për libin e tij të sapobotuar, ta kompletojmë edhe me disa shënime kronologjike për veprimtaritnë e tij, të shkëputura nga shënimi biografik i përfshirë edhe brenda librit me poezi, “TË NDRITURIT”.
* * *
Sami Rexhep Dërmaku, lindi më 7.11.1948 në Shipashnicë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Hogosht, ndërsa të mesmen (gjimnazin) në Dardanë dhe Gjilan. Fakultetin elektroteknik e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Është pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968. Ka punuar arsimtar në fshatin e lindjes, etj.
Më 1970, me rastin e ardhjes së Titos në Kosovë, bashkë me Rexhep Malën dhe Isa Kastratin, e izolojnë dhe e burgosin në burgun e Gjilanit. Është dënuar tri herë me kundërvajtje me pesë muaj për veprimtari armiqësore dhe dy herë penalisht, me gjashtë dhe dy vjet, gjithsej 8.5 vjet burg. Pas mbarimit të fakultetit është punësuar në ndërmarrjen “Elektromontazha”, me drejtor Zaim Kurtin, babai i Albin Kurtit, të cilit, (edhe në libër), i shpreh mirënjohje për guximin e treguar me rastin e pranimit në punë, meqë paraqiste pengesa sigurimi shtetëror jugosllav.
Për t’iu shmangur burgimit të tretë, më 1986 emigron në Zvicër, dhe vendoset në Gjenevë. Sami R. Dërmaku, ishte njëri nga themeluesit e LDK-së, dhe ka qenë edhe Kryetar i Nëndegës së LDK-së në Gjenevë, pastaj Kryetar i Parë, në Fondin Humanitar të LDK-së, Fondit Humanitar Gjithëkombëtar dhe shtabit të mobilizimit në kuadër të Fondit “Vendlindja thërret”. Sami R. Dërmaku edhe në kuadër të UÇK-së ishte i angazhuar qysh nga data 01.09.1998, kurse në muajin mars të vitit 1999 në Tiranë është angazhuar në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të Qeverisë së Përkohshme. Kurse pas përfundimit të luftës, në Prishtinë, po në atë Qeveri, ka qenë ndihmësministër i mbrojtjes, nënkryetar i komisionit për kontrollim dhe evidentim të pronës private dhe shoqërore.
Për vite me radhë, ka punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, këshilltar i kryetarit të KEK-ut, menaxher projekti, koordinator i komisionit për kontroll financiar, udhëheqës i sigurisë në punë, udhëheqës i infrastrukturës dhe garazheve për termoelektranat A dhe B., etj.Përveç veprimtarive që i theksuam më lartë, Sami R. Dërmaku, ka botuar librat: “EKLIPSIMI I FIGURËS SË DËSHMORIT” (2015) dhe monografinë “SELMON Sh. DËRMAKU – Veprimtar e humanist” (2018).
Vlenë të theksohet se redaktor i librit me poezi ”TË NDRITURIT”, është mr. Kadri Rexha, kurse recensentë: Sulejman Dërmaku dhe Shefqet Dibrani. Libri u botua nga Sh. B. “DRITAPRESS”, Prishtinë 2021, dhe ka 132 faqe, dhe regjistruar me Nr. përkatës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës: ISBN 978-9951-825-30-6
Sami R. Dërmaku, tani është në pension, i paangazhuar politikisht. Jeton në Prishtinë dhe në Gjenevë të Zvicrës.
St. Gallen, 25 dhjetor 2021.
Shefqet Dibrani