Bukurie Binjaku – zë i fuqishëm i poezisë shqipe në mërgim

0
391
Bukurie Binjaku - Me ëndrra plot

Vëllimi poetik “Me ëndrra plot”, Prishtinë, 2020

Bukurie Binjaku, shkrimtare nga Elbasani, me vendqëndrim të përkohshëm në Katarina të Greqisë është një krijuese e shquar e vargut, që gjer më tani ka botuar disa vëllime me poezi, në Tiranë dhe në Prishtinë, kryesisht me motivin atdhetar dhe social. Fahu i saj, pra është poezia për të rritur, të cilën e ka pasion dhe e shkruan me përkushtimin më të madh.

Rruga poetike e kësaj poeteje po shënon një kontinuitet si në planin sasior, ashtu edhe në planin cilësor. Ajo tashmë ka formuar individualitetin e vet poetik, që lexuesi ynë e njeh nëpërmjet veprave: “ Drejt teje… “ (Tiranë, 2017), me të cilin hodhi hapat e parë drejt shtegtimit në shtigjet e poezisë sonë shqipe, “Rreze të zjarrta” (Prishtinë, 2018), “Mall mërgimtari për atdhe”, (Prishtinë, 2018), “Dritare me pika loti” (Tiranë, 2019) dhe me përmbledhjen poetike “Në portë të qiellit trokita” (Prishtinë, 2019), që është libri i pestë poetik i autores.

Poezitë e poetes Bukurie Binjaku janë motivesh të ndryshme, duke filluar me motivin e atdhedashurisë, të dashurisë në kuptimin e gjerë të fjalës, motivin social, të kurbetit dhe të aktualitetit a të përditshmërisë sonë. Këto motive trajtohen me kujdes nga pena e prehtë e poetes Bunjaku, ngase ajo është e vetëdijshme për misionin që ka, prandaj orvatet të japë maksimumin që krijimet e saj t’i qëndrojnë kohës me strukturën e vargut, me fuqinë shprehëse, me figuracionin stilistiko-letrar dhe me elemente tjera, që vargjet i bëjnë kuptimplote si në aspektin motivoro-tematik, ashtu edhe në aspektin semantik, artistik dhe estetik.

Poetja Bukurie Binjaku në përmbledhjen poetike “Me ëndrra plot”, na e paraqet botën e saj poetike me rrjedha normale dhe me angazhim krijimtar të sintetizuar, me laryshi tematike dhe me artikulim poetik, të pajisur me motive dhe ide poetike të realizuara estetikisht.
Edhe për poeten Binjaku, botë e madhe dhe temë tejet e veçantë është atdheu i saj-Shqipëria, së cilës i këndon me të gjitha problemet, kujtimet, ëndrrat, heroizmin e qëndresën nëpër shekuj deri më sot. Është kjo një botë poetike dhe një motiv i dashur për poeten, që vazhdimisht na përcjell në shumë poezi të përmbledhjes në fjalë.

E shtrirë tematikisht në disa rrathë preokupimi mbi një gurrë frymëzimi, poezia e poetes Bukurie Binjaku do të zërë të kridhet herë-herë edhe në kthim retrospektiv. Në këto suaza, preokupimi krijues i kësaj poeteje do të përpiqet që t’i zgjerojë koordinatat e refleksivitetit dhe të emocionalitetit të vargut të saj. Kujtimet, ëndrrat, vetmia, dhembja, dashuria prindore, virtytet etj. etj,. do të bëhen fjalë kyçe të poezisë së autores.

Në vargjet e poetes Binjaku vërehet qartë preokupimi imagjinativ me të kaluarën dhe të tanishmen e jetës sonë në tërësinë e saj. Në disa poezi ky preokupim herë-herë merr edhe intonacion nostalgjik, (kur bëhet fjalë për vendlindjen, për prindërit, për kohën e rinisë etj.) por fatmirësisht asnjëherë nuk përshkohet me pesimizëm.

Edhe pse në jetë ndeshemi me shumë sprova, shqetësime, vuajtje, dhembje, vizioni poetik i poetes Binjaku ia del që t’ia kthejë jetës dëlirësinë shpërtërore, ta vërë në lëvizje frymën e saj humane për të vazhduar përpara pathyeshmërisht.

Në shtegtimin e saj poetik, poetja Bukurie Binjaku i këndon edhe shpresës për një jetë të re dhe ëndrrës së papërfunduar për dashuri ndaj njeriut dhe ndaj atdheut, duke u përpjekur që ta zbulojë e ta pasurojë kuptimin e jetës, duke mohuar vese dhe duke pranuar virtyte.

Poezia e poetes Bukurie Binjaku ka rimë, muzikalitet dhe karakterizohet me fjalor dhe me gjuhë të përdorur saktë, që vargut vërtet i jep vlerë. Pra, gjuha e poezisë së saj është poetike, letrarisht e ndërtuar mirë, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma. Vargjet janë të thurura bukur dhe të pasura me figuracion poetik.