Çështja e Preshevës rrezikohet të ketë fatin historik sikurse historia e Alsace-Lorraine

0
613

Valon Jashari

Nëse nuk zgjidhet çështja e statusit politikë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës krahas bisedimeve në Bruksel apo edhe me ndonjë format shtesë të posaçëm të bisedimeve me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare rrezikohet që kjo pjesë mund të shndërrohet ngjashëm sikurse historia e Alsace-Lorraine midis Francës dhe Gjermanisë, që sa herë ti jepet mundësia për ndonjë konfrontim të hapur do të e shfrytëzonin të dy palët.

Çështja e kufijve gjatë historisë ka dëshmuar se shumë herë kanë qenë edhe një nga Casus belli “Akti i Luftës” në mes shteteve. Si çështje shumë komplekse edhe në ditët e sodit është shumë e ndjeshme dhe në të drejtën ndërkombëtare dhe atë diplomatike, kjo çështje zë një vend të veçantë në mes të shteteve. Historia na mëson se ndryshimi i kufijve nuk vendoset mbi dëshirën e kombeve të vogla siç është rasti të shteteve të Ballkanit, ato mund të arrihen vetëm me garanci ndërkombëtare.

Kemi me dhjetëra raste të zgjidhjes së konflikteve apo pretendimeve territoriale në mes të shteteve të ndryshme gjatë periudhave të historisë, vetëm në shekullin e fundit rreth 50 kufij janë lëvizur në kontinentin Evropian, shumë herë me apo pa dëshirën e tyre. Mjafton ti referohemi si: rasti i Alsace-Lorraine, Schleswig-Holstein, Tiroli Jugor, Ishujt Olland. Në këtë trajtim të çështjes po i’u referohem të kaluarës së rastit të Alsace-Lorraine, pasi që korrespondon e kaluara historike më shumë me rastin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Historia e konfliktit territorial e Alsace-Lorraine ishte një histori që nga viti 1871 dhe që zgjati deri në përfundim të luftës së dytë botërore me vitin 1945, kur këtë pjesë e merr Franca, dhe që kufijtë ndryshuan disa herë gjatë kësaj periudhe të gjatë historike. Ky territor gjermanisht folës por që kjo strukturë etnike u ndryshua gjatë periudhave të ndryshme si pasoj e nacionalizmit nga të dy fuqitë, me rreth 5 000 kilometra katrorë ishte së paku tri herë pjesë pretendimeve territoriale strategjike dhe e konflikteve të hapura në mes të gjermanëve dhe francezëve, gjatë viteve 1871, 1914-1918, 1940-1945.

Edhe historia e Schleswig-Holstein ishte një konflikt në mes të Gjermanisë (Prusisë) dhe Danimarkës për çështjen të pretendimeve për këtë territor, që filloi me Luftën e Parë Schleswig 1848-1851, dhe përfundoi me një fitore daneze. Përpjekja e dytë ishte për të riintegruar Dukatin e Schleswig në mbretërinë daneze, dhe çoi në Luftën e Dytë të Schleswig 1864, që u cilësua si shkelje e Protokollit të Londrës të 8 majit 1852 me të cilën ishte ndal Lufta e Parë e Schleswig. Pas disfatës së Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, zona e shumicës daneze e Schleswig Verior u unifikua me Danimarkën pas dy plebishiteve të organizuara nga fuqitë aleate. Një pakicë e vogël e gjermanëve etnik ende jeton në Schleswig Verior, ndërsa një minoritet danez mbetet në Schleswig Jugor.

Po ashtu edhe rasti i Tirolit të Jugut me shumicë gjermanisht folës dhe me një pakicë italisht folës, ishte po ashtu një konflikt mes Austrisë dhe Italisë. Ky territor ishte pjesë e Austro-Hungarisë deri në aneksimin nga Italia në vitin 1919. Me kapitullimin e Italisë në vitin 1943 rajoni u pushtua nga Gjermania deri në përfundim të luftës. Sundimi italian u rivendos në vitin 1945.

Me miratimi e kushtetutës së re italiane, në vitin 1946, Italia dhe Austria arritën marrëveshje për ti dhënë autonomi të konsiderueshme këtij rajoni, Kushtetuta e cila hyri në fuqi në vitin 1947. Gjuha gjermane dhe gjuha italiane ishin dy gjuhët zyrtare. Megjithëse u arrit kjo marrëveshje ajo nuk i kënaqi as popullsinë gjermanishtfolëse, as qeverinë austriake dhe kështu u rritën tensionet ndërmjet dy shteteve. Çështja u soll para OKB-së, në vitin 1960 dhe filloi Raundi i ri i negociatave u zhvillua në vitin 1961, për shkak të veprimeve “terroriste” që kishin filluar separatistët. Dhe në vitin 1971 u arrit në marrëveshje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Marrëveshja parashihte autonomi më të lartë për rajonin dhe veprimet separatiste u pushuan, dhe kjo pozitë u përmisua me hyrjen e Austrisë në BE.

Nga të gjitha rastet e lartë cekura mësojmë se çështja e kufijve është një çështje shumë komplekse dhe për më tepër bartin në vete rrezikun potencial për destabilizim, si dhe për këto çështje do të ndikonte direkt edhe në raportet mes shteteve. Po ashtu për të përmbyll një rast të kufirit- territorit të caktuar është më se e domosdoshme që të pyetet Sovrani-populli, pasi që bartë në vetë vete legjitimitetin patriotik të saj për vetëvendosje dhe assesi politikat e qeverive ditore që nuk do të garantonin paqe për një të ardhme më afatgjate. Rasti i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës duhet parë si rast i veçantë si popullatë autoktone me të drejta e tyre për shkëputje dhe bashkëngjitje me Kosovën dhe assesi nuk duhet tërhequr paralele me një komunitet artificial etnik që ka ardhur si kolon, siç është rasti i serbëve të veriut të Kosovës.

Të gjitha tërheqjet e paraleleve mes Veriut të Kosovës dhe Kosovës Lindore, në këtë çështje po e dëmton çështjen shqiptare në Kosovë Lindore dhe po i jep tendenca komunitetit serbë në Veri të Kosovës për destabilizim, që të luaj me monedhën e njëjtë atë të shkëputjes-ndarjes territoriale, si dhe duke dashur që të faktorizojmë të drejtat e shqiptarëve në Kosovë Lindore po faktorizojmë pa dashje me këtë parim më shumë ato serbe në Veri të Kosovës si dhe po e dëmtojmë edhe politikën shqiptare në Prishtinë.

Çështja e shkëmbimit të territoreve është e pa pranueshme në parim për këto arsye, si nga e drejta historike, territori dhe popullsia. Historikisht shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë qenë pjesë e Kosovës dhe sidomos pas viteve të 90 me Referendum e kanë të drejtën historike për bashkim me Kosovën, e që Sovrani-populli kurrë nuk e pranoi okupimin, kurse popullata e Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku asnjëherë nuk kanë kërkuar bashkëngjitjen me ndonjë shtet apo të kenë organizuar ndonjë plebishit, me këtë rast nuk kanë legjitimitet demokratik për ndryshim të kufirit. Si territor që të dy pjesët ishin pjesë e Kosovës gjatë periudhave të ndryshme historike, por shteti serbë i ndau për qëllime politike.

Popullata shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë qenë pjesë përbërëse autoktone e trungut shqiptar gjatë periudhave të ndryshme historike, dhe ende sot e kësaj dite jetojnë me ndjenjën e tokave të pushtuara kurse popullata Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku janë kolon të ardhur me dhunë në trungun shqiptarë sidomos gjatë periudhës në mes të dy luftërave botërore dhe pas luftës së dytë botërore, ku pas çlirimit të Kosovës kjo pjesë e popullatës manipulohet nga Beogradi për qëllimet e saja politike.

Për më tepër këto ide nuk gëzon mbështetje e politikës amerikane e as evropiane, nga frika e mundësisë së destabilizimit të shumë vendeve të rajonit në radhë të parë të Maqedonisë. Nëse një shkëmbim do të ishte i imponushëm për “hirë të paqes”, e popullatës dhe të realitetit faktik për këto dy pjesë, atëherë do të ishte më i pranueshëm rikthimi i kufirit të vitit 1956, që do të nënkuptonte ndërrimi i tri komunave të veriut me ato të lindjes, por assesi në veri të përfshihet Mitrovica Veriore pasi që do të konsiderohej lëshim territorial, që për fat të keq është kolonizuar me të madhe pas vitit 1999. Tri komunat në veri, pa Mitrovicën Veriore, (komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan), përfshijnë me një sipërfaqe me rreth 996 kilometra në katrorë, kurse ato në lindje, (komuna Preshevë, Bujanovc dhe Medvegj), 1249 kilometra në katrorë.

Politika shqiptare si ajo lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe pjesërisht ajo e Prishtinës po bien preh e politikës ekspansioniste të Beogradit. Shteti serb me idenë e shkëmbimit të territoreve ka një Plan Sekret, që popullata dhe shumica e klasës politike as që kanë njohuri. Që do të thotë shteti serb po dëshiron të me këtë Plan të përfitoj si në aspektin politik po ashtu edhe në atë gjeostrategjik. Në aspektin politikë do të përfitonte më shumë sipas plani të saj, si dhe në politikën ndërkombëtare në këtë rast rruga për në BE do ti lehtësohej. Në aspektin gjeostrategjik, Plani i shkëmbimit të territoreve të shtetit serb është që: të marrë Veriun e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, por duke përfshirë brenda veriut edhe Mitrovicën Veriore, kurse të jepte Kosovës vetëm një pjesë të Preshevës jo në tërësi por vetëm atë mbi Hekurudhën që kalon nëpërmes të Luginës së Preshevës.

Që do të thotë Serbia të ruante Autostradën- Korridorin X, si dhe Hekurudhën këtë nyje ballkanike të rëndësishme, por jo vetëm kaq shteti serb ngjashëm parasheh edhe ndarjen e qytetit të Bujanocit për gjysmë si dhe çështjen e Medvegjës as të e konsideronte si çështje shkëmbimi pasi që i’a ka arritur qëllimit me shpërnguljen e popullatës shqiptare dhe e ka ndryshuar demografin në favor të saj. Në këtë plan shteti serb vetëm se ka investuar me miliona euro prej vitesh. Në Medvegjë ka dekoruar gjeneralët ushtarak të saj për përmbushje të misionit, rreth shpërnguljes së popullatës, në Bujanoc së paku nga viti 2012 e këndej në pjesën lindore të qytetit janë ndërtuar me dhjetëra ndërtesa ku janë vendosur serbë të sjellë në mënyrë të organizuar vetëm që të ndryshojnë strukturën etnik, është vendosur baza ushtarake më e madh në Serbin Jugore në Cepotin, në mes të dy qyteteve shqiptare. Në pjesën e Preshevës gjegjësisht në Stacionin Hekurudhor janë vendosur emigrant që do të ndryshonin po ashtu strukturën shoqërore si dhe nga pjesë nën hekurudhë janë pasivizuar adresat me qindra vendbanime shqiptare vetëm pse jetojnë në mërgim.

Në Veriun e Kosovës po ashtu po ndërton prej vitesh lagje të tëra sidomos në atë të Mitrovicës Veriore, jo vetëm që vazhdon të ndërtojë banesa për serbët në pjesën veriore të Kosovës, por praktikisht po u ofron benefite të ndryshme edhe atyre serbëve që nuk kanë qenë kurrë banorë të Mitrovicës, me qëllim që t’i mbajnë aty për të ndërruar strukturën etnike të popullsisë. Edhe pse në Veri të Kosovës, Serbia me dhjetëra projekte të ndërtimit të vendbanimeve është duke realizuar si ai i “Luginës së Diellit” në Zveçan, një lokacion fare pranë lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, por që i takon komunës së Zveçanit, në të cilin Serbia do t’i ndërtojë 300 shtëpi.

Presheva, Bujanoci dhe Medvegja assesi nuk duhet kërkuar reciprocitet me serbët e Kosovës, por duhet me këmbëngulje të kërkuar me mjete demokratike që në përputhje me konventat ndërkombëtare, duke u mbështetur në Referendumin e 1-2 marsit të vitit 1992, si dhe luftën e armatosur të UÇPMB-së si dhe të Deklaratave të më vonshme politike që janë prodhuar nga institucionet lokale politike shqiptare, dhe rastin duhet dërguar deri në Gjykatat Ndërkombëtare për shkëputje e saj nga Serbia dhe bashkëngjitjen me Kosovën. Reciprociteti është një zgjidhje e përkohshme e problemit politik dhe që nuk do të garantonte që në një të ardhme të afërt kjo popullatë të mos e kërkonte zgjidhjen definitive të statusit të saj politik.

Valon Jashari:
*Historian, aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare.