ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI – DEGRADIMI EKONOMIK

0
106
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

ribotim

Që prej vitit 2006 deri më sot, në hapësirat shqiptare në Maqedoni vërehet një ngecje e madhe ekonomike. Qytetet, për mungesë të investimeve ekonomike, janë shndërruar në qyteza, në kasaba dhe në varosh. U ngjajnë pallankave të Serbisë. Veprimtaria ekonomike në to, dita-ditës shënon rënie.

Në qytetet dhe në vendbanimet shqiptare, që prej vitit 1991 deri më sot, nuk është bërë asnjë investim ekonomik nga ana e shtetit. Si pasoje e mungesës së investimeve, në hapësirat shqiptare mbizotërojnë papunësia, problemet sociale dhe pasojat që vijnë prej tyre. Me këtë dështim të plotë në rrafshin ekonomik, të rinjtë shqiptarë Maqedoni – nuk kanë perspektivë.

Një pjesë e madhe e tyre në çdo çast janë të gatshëm të shpërngulen për të gjetur punë në Perëndim. Shumë të rinj shqiptarë, vitet e fundit, për të siguruar ekzistencën, shkuan deri në Irak dhe në Afganistan. Për fat të keq, ka pasur edhe raste të jenë kthyer në arkivol.

Shqiptarët e presin me padurim korrikun dhe gushtin – muaj të verës – kur mërgimtarët kthehen në vendlindje. Por edhe mërgimtarët nuk janë ata që kanë qenë më parë. Thuhet se edhe ata nuk harxhojnë më si dikur. Pjesa më e madhe e mjeteve devizore që i dërgojnë apo që i sjellin vetë mërgimtarët shqiptarë nga Perëndimi përfundon në duart e bankave maqedonase apo në llogaritë e afaristëve maqedonas.

Universitetet dhe degët e tyre të shpërndara pothuajse në çdo qytezë shqiptare, vit për viti nxjerrin kuadër të diplomuar. Për çdo ditë promovohen të rinj me tituj akademikë. Askush nuk pyet: “Ku do të shkojnë këta të rinj të diplomuar? A do të punësohen ndonjëherë? Ku do të punësohen? Ç’do të ndodhë me ta?!”  Për një vend pune, konkurrojnë qindra vetë. Ç’perspektivë i thonë kësaj?! Ç’fitore është kjo?!

Ka të rinj që mezi presin të gjejnë e të martohen me ndonjë vajzë me letra, për t’i nxjerrë në Itali, në Zvicër, në Gjermani apo në Skandinavi.

Qytezat shqiptare duken të mjera. Në to nuk lëviz asgjë. Nuk ka kurrfarë zhvillimi ekonomik, kurrfarë jete kulturore. Punojnë vetëm çajtoret, byrektoret, qebaptoret, bastoret dhe tavernat. Një numër i madh i njerëzve që veten e marrën për intelektualë, me dekada e vrasin kohën nëpër çajtore, duke luajtur letra dhe gur. Ky është fati i njeriut të shkolluar të provincës. Në provincë nuk ka asnjë institucion.

Qytezat shqiptare në Maqedoni nuk kanë pothuajse kurrfarë industrie. Pa industri dhe ekonomi, s’mund të kesh as prodhim. Pa prodhim mallrash, s’mund të kesh as eksport. Pa eksport, s’ke si të sjellësh mjete devizore. Pa industri dhe ekonomi, ke papunësi, skamje, varfëri dhe probleme sociale. Pjesë e problemeve sociale janë edhe dukuritë kontrakulturore, siç janë: vrasjet, vjedhjet, hajnitë, zënkat, rrahjet, narkomania, shkurorëzimet, prostitucioni.

Pjesë e pandarë e papunësisë janë edhe dëshpërimet, deprimimet, traumat shpirtërore, neurozat, rënia e moralit, thyerja e dinjitetit, cenimi i integritetit, çintegrimi i personalitetit. Një shoqëri pa industri dhe ekonomi s’mund të ketë as institucione shoqërore, shëndetësore, arsimore dhe kulturore të mirëfillta. Pa industri, s’ke as administratë.

Institucionet shoqërore dhe ato kulturore, përpos që do të ishin në funksion të shoqërisë, do të përthithnin edhe të rinj të arsimuar. Me fjalë të tjera, për të rinjtë e diplomuar do të krijohej mundësia e çeljes së vendeve të reja pune.

Në qytezat shqiptare në Maqedoni s’ka kurrfarë jete kulturore. Në to s’ka as biblioteka, as librari bashkëkohore, as teatër dhe as kinema. Pa to, rinia shqiptare është e dënuar ta kalojë kohën në kafeteri. Ngecja e gjithanshme e shqiptarëve në Maqedoni vërehet edhe nga mënyra se si organizohen panairet e librit. Nëpër qyteza nuk mbahen as panaire libri, për arsye se nuk ka objekte përkatëse që do të përdoreshin për afirmimin e librit, të krijimeve letrare artistike, të kërkimeve shkencore dhe studimore.

Në provincë, njerëzit pak lexojnë dhe fare pak blejnë libra. Ata që duan të lexojnë dhe të blejnë libër, nuk kanë para, ndërsa ata që kanë para, as lexojnë as blejnë libër. Sundimi shekullor mbi shqiptarët ka bërë që shqiptari çdo ditë të luftojë me jetën për të mbijetuar. Për popujt pa ekonomi kultura është luks. Barku i unët nuk do poezi. Arti është elitist.

Tetova me dy universitete, duket si një qytet i shkretë. Pa ujë të pijshëm, pa bibliotekë, pa teatër, pa objekt për organizimin e panaireve, pa librari bashkëkohore, pa sallë sportive, pa industri, pa ekonomi, pa sistem bankar, pa institucione financiare, me problemin e hedhurinave, me kontejnerë të stërmbushur, me qenë endacakë rreth tyre dhe me pseudo-intelektualë memecë.

Gjatë fushatave parazgjedhore ka pasur mbartës politikë dhe pretendentë për deputetë të cilët me plot gojën premtonin: “Do ta bëjmë Tetovën metropol…” S’u bë kurrfarë metropoli. Përkundrazi, mbeti qytezë e rrënuar, kasaba dhe varosh, për t’u ngjarë pallankave të Serbisë. Në anën tjetër, në Shkup dhe më pjesën lindore të Maqedonisë, për çdo ditë ndërtohen dhe rindërtohen objekte kulturore dhe sportive gjigande.

Faktorët politikë shqiptarë, atë që e premtojnë sot e realizojnë pas shumë vitesh. Dihet qartë se çështjet politike nuk zgjidhen lehtë. Por në Maqedoni, kur është fjala për hapësirat shqiptare, nuk realizohen as premtimet e natyrës kulturore. Edhe kur realizohen, kjo ndodh pas një zvarritjeje shumëvjeçare. Ku është parë në botë që një qytet me dy universitete të mos ketë bibliotekë dhe teatër?! Përse, prej premtimit deri në realizim duhet të kalojnë vite?!

Deri te realizimi i projekteve shqiptare arrihet në faza: faza e parë është premtimi, pasojnë – pritja për ta marrë pëlqimin parimor të partnerit të “bashkëqeverisje”, pritja që projekti të hyjë në agjendën e organeve ekzekutive, hedhja e dy-tri lopatave beton para kamerave dhe mediumeve, pritja për të siguruar mjete financiare, shkaktimi i problemeve artificiale, shpërqendrimi i vëmendjes në tema të reja, shtyrja e afatit të parashikuar, vonimi i realizimit të projektit për arsye nga më të ndryshmet etj. Kështu, për ndërtimin e një objekti kulturor të premtuar – dhe të propaganduar në gazeta e televizor – duhet pritur vite e vite. Pas dy dekadave objekti kulturor vërtete bëhet, por po të shkohet para me këtë ritëm kërmilli, bota do të na lërë larg.

Pritje pafund e Godosë dhe punë Sizifi. “Sizifin duhet paramenduar të lumtur” – thotë Kamy. Pas njëzet vjet pritjeje plot ankth dhe shpresë, politikanët shqiptarë e bëjnë përurimin e objektit. Për këtë zvarritje pa mbarim, në vend që t’u kërkojnë falje të rinjve, pozojnë para kamerave dhe objektin – të shndërruar në pritje beketiane– e shpallin arritje madhështore dhe historike të kombit. Arritje madhështore ka nisur të konsiderohet ndërtimi i ndonjë salle të fizkulturës në ndonjë shkollë katundi.

Kur një shoqëri nuk ka institucione për jetë kulturore, atëherë të rinjtë s’kanë se si të krijojnë shprehi për t’i përcjellë edhe ato pak veprimtari të kësaj fushe. Në qytetet me më shumë tradita, çdo mbrëmje shfaqet nga një pjesë teatrale, ndërsa panairet e librit shndërrohen në eveniment kulturor.

Derisa shqiptarët në Maqedoni s’ia dalin në rrafshin kulturor, si do t’ia dalin në atë politik?! Asnjë popull në histori nuk ia ka dalë në rrafshin politik, pa u ngritur lartë në pikëpamje kulturore. Shqiptarët po kthehen pas. Ende merren me kërkesa të dimensionit kulturor dhe nuk ia dalin!! Ndërrimi i emrave të shkollave nuk është kurrfarë çështjeje politike. Nga pala maqedonase kjo çështje qëllimisht politizohet.

Shqiptarët në Maqedoni janë shndërruar në treg ekonomik dhe në koloni të sllavëve. Shqiptarët në Maqedoni prodhojnë fare pak, për të mos thënë aspak. E tërë industria, ekonomia, sistemi bankar dhe ai financiar është në duart e maqedonasve. Çdo gjë që blejnë shqiptarët, kryesisht janë prodhime serbe dhe maqedonase.

Shqiptarët blejnë madje edhe produkte bujqësore dhe blegtorale, edhe pse kanë fusha pjellore dhe bjeshkë me kullota. Shqiptarët në Maqedoni janë shndërruar në koloni sllave. Shqiptarët janë në margjinat e të gjitha proceseve ekonomike dhe financiare. Janë getoizuar si në kohën e shtypjes së egër të boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd.

Nëpër qytezat shqiptare punojnë marketet e mëdha që shesin produkte ushqimore, e që administrohen prej maqedonasve. Çdo ditë shqiptarët i lënë paratë e veta në këto super-markete. Në mbrëmje, këto para derdhen në xhirollogaritë e afaristëve maqedonas të Shkupit. Edhe kur ndonjë super-market menaxhohet nga ndonjë ndërmarrësi shqiptar, paratë përsëri derdhen në xhirollogaritë e biznesmenëve maqedonas. Përse?! Për arsye se pothuajse i tërë malli që ndodhet në markete prodhohet prej tyre, ose del prej magazinave dhe depove që administrohen prej tyre.

Shqiptarët edhe si prodhues nuk janë të pavarur. Kuptohet, punët në ekonomi janë të ndërlidhura. Mirëpo, lehtë mund të konstatohet se prodhuesi eventual shqiptar, 80-90 % të lëndës së parë e blen prej sipërmarrësve maqedonas.

Përkundër faktit se dikasteri i Ministrisë së Ekonomisë të RM-së, disa mandate me radhë është qeverisur prej shqiptarëve, siç qeveriset dhe sot, shqiptarët në Maqedoni, në njëzet vitet e pluralizmit, në lëmin e ekonomisë nuk kanë bërë asnjë hap para. Përkundrazi, kanë shënuar ngecje. Shtrohet pyetja: “Kujt i kanë shërbyer ministrat shqiptarë që kanë qenë në krye të ministrisë së sipërthënë, siç janë dhe sot?”

Ministrat shqiptar të qeverive maqedonase, që nga viti 1991 deri më sot, herë pas herë e kanë vizituar edhe Tiranë apo Prishtinën. Prej këtyre vizitave, në njëzet vitet e pluralizmit nuk është realizuar asnjë projekt i rëndësishëm. Vizitat e ministrave shqiptarë të qeverive maqedonase u kanë shërbyer nomenklaturave dhe koniunkturave partiake për t’u hedhur shqiptarëve në Maqedoni hi syve, se ja, ne po bëjmë diçka në planin gjithëkombëtar.

Të gjitha takimet e deritashme midis ministrave ndërshqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë kanë përfunduar me konstatime, me dëshira të mira, me pëlqime parimore të ndërsjella, me dakordime gjatë drekave dhe darkave. Në këto dy dhjetëvjeçarët e fundit, midis Shkupit, Tiranës dhe Prishtinës deri në këtë çast nuk është realizuar asgjë konkrete. As edhe një investim të vetëm nuk është bërë. Madje as në letër jo.

Faktorët politikë shqiptarë që janë në ekzekutivë, kohë pas kohe i vizitojnë edhe hapësirat shqiptare në Maqedoni. Pas takimit me drejtuesit shqiptarë të komunave dalin me deklarata dhe prononcime: “Konstatuam se zona që e vizituam sot ka kushte dhe mundësi të volitshme për zhvillimin e turizmit malor…Ramë dakord me kryetarin e komunës që në një të ardhme të shpejtë të investojmë sidomos në hortikulturë…”

Këto floskula të zbrazëta nuk janë larg propagandës demagogjike dhe mashtruese të agjitpropit dhe të emisarëve bolshevikë. Me fjalë të tjera, ministrat shqiptarë të qeverive sllavo-maqedonase, prej vitit 1991 deri më sot, kur është fjala për investimet në hapësirat shqiptare, gjithmonë mbeten në rrafshin e konstatimeve, për të mos realizuar asgjë konkrete.

Para disa vitesh, në një zonë të Tetovës, para kamerave u hodhën ca lopata me beton në atë që i thonë gur-themel, për të ndërtuar një zonë të lirë ekonomike. Kaluan vite, por nga kjo e ashtuquajtur zonë e lirë ekonomike s’doli gjë. Dihet se një ditë ajo do të bëhet. Po kur?! Kur të rinjtë e sotëm t’i takojnë brezit të humbur, që të kujton  brezin e humburHemingueit.

Shqiptarët në Maqedoni merren me shitblerje në dyqanet e mëhallave, që para ca vitesh kanë qenë dhoma ose bodrume. Ekonomia nuk bëhet me mallrat, që me qese najloni blihen në Bitpazar të Shkupit, për t’ua stërshitur – veresie – blerësve të varfëruar të kasabave shqiptare në veriperëndim të këtij vendi.

E mjerë është ajo shoqëri e cila shkallën e zhvillimit të një qyteti e mat me ndërtimin e dy-tri qarkoreve në udhëkryqet me semaforë.

Kur shteti ka krizë ekonomike, pushteti, për t’i amortizuar pakënaqësitë, protestat dhe revoltat sociale, zbaton politikën panem et circenses. Organizon në sheshin e qytezës një koncert me muzikë zbavitëse, ku mblidhen mijëra të rinj të papunë për t’u argëtuar deri në orët e mesnatës. Shprehja panem et circenses e cila buron nga poeti romak Juvenali, nënkupton politikën e bukës dhe të argëtimit që e zbatonin qarqet sunduese në Romën perandorake.

Kjo politikë që kishte për qëllim t’i asnjanësojë protestat, revoltat dhe trazirat sociale, në vitet 1960-2000 u zbatua në mënyrë konsekuente sidomos në vendet e Amerikës Latine, por edhe në disa vende gjysmë të zhvilluara të Evropës, si p.sh. në Spanjë etj. Jepu masave popullore bukë e futboll dhe shmange vëmendjen e tyre prej problemeve politike, etnike, ekonomike, sociale dhe morale reale. Kuptohet, një politikë e këtillë, shikuar nga pikëpamja historike – është afatshkurtër.

Varfërimi i shqiptarëve është strategji e VMRO-së. Me këtë, ajo synon t’i detyrojë shqiptarët: të nënshtrohen, të shpërngulen, të heqin dorë prej kërkesave politike, të merren vite me radhë me të njëjtat kërkesa, të grinden ndër vete dhe të merren me çështje jopolitike. Me këtë politikë restriktive, represive dhe opresive VMRO-ja synon t’ua cenojë shqiptarëve dinjitetin dhe integritetin. Popujt pa ekonomi  lehtë nënshtrohen.

Prej vitit 1991 deri më sot, të gjitha investimet ekonomike janë bërë në Shkup dhe në pjesën juglindore të Maqedonisë. Në periudhën 2006-2012, qytetet shqiptare në Maqedoni, në aspektin ekonomik u shndërruan në geto. Çdo ditë në Shkup bëhen ndërtime nga më të ndryshmet. Shqiptarët ndërkaq duhet të kënaqen me begatonin që shtrohet buzë ndonjë rruge dhe me asfaltimin e gropave.

Ka të rinj shqiptarë të cilët dhjetë vjet presin punë. Tanimë ata nuk parapëlqejnë të flitet për përmendoren e Skënderbeun, për flamurin apo për gjuhën shqipe, e cila në gjykatat e qytezave tona përdoret me përkthyes. Ka që thonë: “Për Skënderbeun e shqiptarëve, Gruevski, me paratë e shqiptarëve vendosi në Shkup dhe gjetkë, dhjetëra përmendore figurash sllave dhe personalitetesh antike”.

Monumenti i Skënderbeut, gjuha dhe flamuri nënkuptojnë në radhë të parë sovranitetin e një populli. Sovraniteti ndërkaq nënkupton pushtetin mbi ekonominë dhe mbi financat. Pa sovranitet dhe pa pasur pushtet mbi proceset ekonomike dhe financiare, gjuha, simbolet kombëtare dhe personalitetet historike, për një rini pa perspektivë, s’mund të kenë ndonjë rëndësi të veçantë. Të rinjtë duan punë. Pa punë s’kanë si krijojnë familje. S’ka atdhetarizëm pa zhvillim ekonomik dhe pa standard jetese. Patriotizmi dhe ekonomia e zhvilluar shkojnë bashkë, janë të pandara.

Të mbetur pa institucione kulturore kombëtare dhe të papërfshirë në ato shtetërore, shqiptarët në Maqedoni, në shekullin XXI duhet të funksionojnë me shoqëri kulturore artistike, me grupe folklorike dhe me ansamble këngësh e vallesh popullore. Folklori në botën e zhvilluar është atraksion për të evokuar shekujt e kaluar, ndërsa për shqiptarët në Maqedoni vazhdon të jetë eveniment i vitit. O tempora, o mores!

Faktori politik shqiptar në Maqedoni, dështimet në planin kombëtar tenton t’i mbulojë me angazhimet për euro-integrime. Faktori politik shqiptar, së pari duhet të imponojë zgjidhjen e problemeve ndëretnike, pastaj të veprojë për integrimin e Maqedonisë në BE. Pa i zgjidhur problemet ndëretnike, Maqedonia nuk ka ç’të kërkojë në Evropë.

Zhvillimet politike të viteve 2006-2012 dëshmuan se në Maqedoni, as problemet ndëretnike u zgjidhën, as vendi iu afrua NATO-s dhe BE-së. Vite të tëra politikanët shqiptarë flasin me gojën plot për euro-integrime, pa kurrfarë efekti konkret. Të flasësh çdo javë – para mediumeve – për angazhimet në procesin euro-integrues, nuk është asgjë tjetër pos demagogji.

Faktori politik shqiptar në Maqedoni, para se të preokupohet për integrimin e Shkupit në BE, duhet të angazhohet për pastrimin e qytezave shqiptare prej hedhurinave dhe të zgjidhë problemin e qenve endacakë. Kush na pranon në Evropë me gjithë këtë papastërti?!

Asnjëherë Brukseli nuk do t’u thotë vendeve të rajonit: “Ju nuk i plotësoni kushtet për në BE… Ju nuk do të hyni në BE”. Përkundrazi, çdo vendi të rajonit – si kusht integrues – i jep detyra dhe detyrime, duke kërkuar përgjigje për kryerjen e tyre. Pas kësaj, çdo vendi i dërgon raport vjetor. Asnjëherë raporti i Brukselit nuk është krejt negativ, por as shumë pozitiv. Asnjë vendi nuk i thuhet në raport: “Ju nuk keni bërë asgjë deri tash…Ju nuk i plotësoni kushtet për në BE”.

Raportet e Brukselit dërguar vendeve të rajonit kryesisht janë klishe me formulime të formës: “Vendi Juaj në rrugën drejt integrimeve ka bërë shumë. Vazhdoni me reformat. Keni edhe shumë punë për të bërë…” Me këto formulime stereotipe, plotësohen edhe dëshirat e opozitës, edhe ato të qeveritarëve. Opozitës i mundësohet ta kritikojë qeverinë se në rrugën për në BE s’ka bërë sa duhet, ndërsa qeveritarëve u mundësohet ta thonë të kundërtën. Në fund, të gjithë janë të kënaqur.

Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet – të tilla janë raportet. Mësuesi i mirë asnjëherë nuk i thotë nxënësit – qoftë edhe më të dobëtit: “Ti s’di, ti s’bëhesh dot…”, por gjithmonë e këshillon, e angazhon, i jep detyra. Të njëjtën ia thotë edhe prindit, duke i shtuar: “Duhet të punoni pak më tepër me fëmijën, shtrëngoni pak djalin…” Afatin e integrimit të vendeve të rajonit në BE e di saktë Brukseli.

Në rrugën drejt Brukselit, Serbia është peng i Rusisë. Moska u thotë serbëve: “Synoni BE-në, por jo edhe NATO-n”. Nëpërmjet Serbisë, Rusia pretendon të depërtojë në rajon. Afrimi me Moskën e largon Serbinë nga Brukseli. Jo vetëm Maqedonia dhe Serbia, por asnjë vend i rajonit, nuk ka ku shkon pos Brukselit. Në Moskë bën ftohtë, Pekini është larg.

Prej vitit 2006 deri më sot, faktori politik shqiptar në Maqedoni është shpërfillur dhe është margjinalizuar. Gjatë kësaj periudhe, faktori politik shqiptar në Maqedoni ka pasur rol teatral dhe s’ka pasur kurrfarë ndikimi në proceset politike dhe ekonomike të vendit. Ka qenë dekor.

Tirana dhe Prishtina mund të thonë sa të duan se me Shkupin kanë marrëdhënie të shkëlqyera, por janë shqiptarët në Maqedoni, ata që i vuajnë pasojat e ngecjes ekonomike që sjell mjerim.

E mira më e madhe është pjellë e së keqes më të madhe. (Niçe)