Çfarë “katranosëm” në Dhjetorin e 1990?

0
108
Takimi i studentëve me Ramiz Alinë

Mentor Kikia

(Një vështrim ndryshe mbi ditën që shënoi ndryshimin e historisë)

Nuk dua t’ia zbeh aspak rëndësinë historike asaj që nisi në 8 Dhjetor 1990, e që u shndërrua në një revoltë popullore që çoi në ndryshimin e sistemit politik në vend.
Por, pas kaq vitesh, dua të tregohem më i ftontë në arsyetim, dhe për ta parë më realisht.

Mbi të gjitha, për të parë jo vetëm atë që bëmë, por mbi të gjitha, atë që nuk bëmë.
Ja një pjesë e dialogut të studentëve në takim me Ramiz Alinë, në ditën e 3 apo të 4 të protestave.
……………
Studentët: Shoku Ramiz, ne duam pluralizëm politik
Shoku Ramiz: Ja ku e keni këtu, Komiteti Qëndror e ka marrë vendimin për ta lejuar
Studentët: Duam të bëjmë parti shoku Ramiz
Shoku Ramiz: Patjetër, bejëni parti, shoqatë çfarë të doni, regjistrojeni në Ministrinë e Drejtësisë dhe hyni në garë.
Studentët: Ju duhet ta mbështesi këtë lëvizje demokratike shoku Ramiz.
Shoku Ramiz: Kjo duhet mbështetur me të gjithë forcat, demokratizimi i jetës së vendit, duhet mbështetur me të gjitha mënyrat. Ne do ta mbështesim. Por duhet të bëni pak durim…
…………………..
Dhe kështu lindi demokracia në Shqipëri. Shoku Ramiz e shkruajti në letër dhe ja, Shqipëria u bë Demokratike.

Shqipëria ishte vendi i fundit ku ra komunizmi. Qeveria e komunisteve kishte falimentuar ndërkohë. Prej të paktën një 5-vjeçari, populli ishte në kushtet e urisë. Por askush nuk belbëzonte. Të gjithë barktharë, të gjithë ta gatshëm të spiunonim njëri-tjetrin kush fliste. Ishte krijuar njeriu i ri, i modifikuar mendërisht. Por, pas vrasjes së çiftit Çaushesku në Rumani, në lagjen “Bllok” të Tiranës nuk kishte më gjumë dhe regjimi e negocioi fundin e tij, për të shpëtuar lëkurën. Regjimi u ul në tavolinë dhe dhe tha: Doni pluralizëm politik? Ja ku e keni. Madje hajdeni ta bëjmë sëbashku demoracinë. Dhe ne u gëzuam.

Ne nuk e rrëzuam komunizmin, ne i kërkuam leje atij që të jemi edhe ne në garë. Komunizmi nuk u përmbys, ai u transformua pasi kishte rënë e kishte falimentuar. Kjo shpjegon edhe faktin që zgjedhjet e para pluraliste i fituan sërish komunistët. Në asnjë vend të Europës Lindore, presidenti i fundit komunist nuk ishte edhe presidenti i parë demokrat.

Konvertimi më pas u zyrtarizua kur PPSH u shndërrua në PS e tipit europian dhe shumë komunistë u konvertuan në antikomunistë dhe mbushën partitë e tjera.
E gjithë çfarë ndodhi më pas ishte me regji qëndrore. Komunizmi më i egër në Europë, ra në mënyrën më paqësore në Europë.

Ne nuk u ndamë dot nga komunizmi, dhe për tri dekada vazhduam të akuzojmë njëri-tjetrin si komunistë. Por në vend të komunizmit, shkatërruam ekonominë dhe pasuritë publike të vëna në kohën e komunizmit.

Për 3 dekada miratuam pa fund ligje për largimin e komunistëve, largimin e spiunëve të Sigurimit, dënimin e krimeve të komunizmit, distancimin nga krimet etj etj, por nuk bëmë asnjëherë asgjë, sepse në themel ishte vetë komunzimi i modifikuar genetisht, duke prodhuar një mutacion edhe më të rrezikshëm. Komunizmi ishte bërë regjimi i korrupsionit dhe zhvatjes.

Bëni durim – tha Shoku Ramiz 31 vjet më parë – do kohë ajo punë.

Dhe ne jemi duke duruar Shoku Ramiz…..