COPËZA KATEKIZMI…

0
706
Katekizmi

Tri Vetat hyjnore a janë të barabarta…?

Shumë të dashur vëllezër e motra! Dëshiroj me thjeshtësi të bashkëndaj me të gjithë ju një përkufizim të shkurtër të Katekizmit të Papës Pio X në lidhje me Tri Personat e Trinisë Shenjte. Përpara kam thirrur Shpirtin Shenjt për mua dhe për ju që po lexoni, sepse me të vërtetë kam dëshirë që, pas këtij shpjegimi, të dilni paksa më të ndriçuar në lidhje me këtë Mister kaq të madh e kaq të bukur të fesë sonë.

Në nr. 48 të Katekizmit të sipërpërmendur, në Kreun II, që flet për Njësinë dhe Trininë e Hyjit, ka një saktësim që na ndriçon në lidhje me misterin e Trinisë.

Më së pari po ju shkruaj krejt pyetjen dhe përkufizimin, pastaj ju flas për këtë saktësim.

Ja çfarë thotë Pio X:
Tri Vetat hyjnore a janë të barabarta, apo është ndonjëra më e madhe, më e fuqishme dhe më e ditur?
Tri Vetat hyjnore, duke qenë një Hyj i vetëm, janë të barabarta në gjithçka, dhe kanë të përbashkët çdo përsosuri dhe çdo veprim; megjithëse disa përsosuri dhe veprat përkatëse u atribuohen herë njërës Vetë më shumë, herë tjetrës, si fuqia dhe krijimi Atit”.

Një sqarim…

…kanë të përbashkët çdo përsosuri dhe çdo veprim…”. Pra, kjo do të thotë se çdo gjë që i atribuohet Atit mund t’i atribuohet edhe Birit edhe Shpirtit Shenjt. Më saktë: Nëse Ati është krijues edhe Biri është krijues, edhe Shpirti Shenjt është krijues; nëse Ati është shpëtimtar, edhe Biri dhe Shpirti Shenjt janë shpëtimtarë; nëse Ati është i Gjithëpushtetshëm, edhe Biri dhe Shpirti Shenjt janë të Gjithëpushtetshëm.

Vijon pastaj, katekizmi, me këto fjalë: “… megjithëse disa përsosuri dhe veprat përkatëse u atribuohen herë njërës Vetë më shumë, herë tjetrës, si fuqia dhe krijimi Atit…”. Domethënë, se “fuqia dhe krijimi i atribuohen më shumë Atit”, por janë patjetër edhe karakteristika të Birit e të Shpirtit Shenjt. Sa sqarim i bukur ky!

Kjo gjë do të thotë se, megjithëse të Tria Vetat hyjnore janë krijues, krijimi i atribuohet në mënyrë më specifike Atit; megjithëse të Tria Vetat hyjnore janë shpëtimtarë të njerëzimit, shpëtimi i atribuohet në mënyrë më specifike Birit; megjithëse të Tria Vetat hyjnore janë shenjtërues, proçesi i shenjtërimit tonë i atribuohet në mënyrë më të veçantë Shpirtit Shenjt, gjë që nuk përjashton që edhe Ati edhe Biri të kenë dorë në shpëtimin dhe në shenjtërimin tonë.

Maria, Nëna e Këshillit të Mirë, që është Pajtorja jonë, Ajo që “i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet” (Lk. 2, 19), na ndihmoftë të mbajmë qëndrimin e duhur përballë Misterit të Trinisë! Amen!

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi