DASHURIA SI PAFUNDËSI TINGUJSH, DRITASH DHE ËNDRRASH

0
103
Sabit Rrustemi - Hyjnorja ime je ti 1

Timo Mërkuri - Sarandë Timo Mëkuri

(Rreth dymbëdhjetë librave të Sabit Rrustemit “HYJNORJA IME JE TI”, të përfshirë në katër vëllime)

“Sabit Rrustemi është nga poetët e rrallë të botës sonë që me prirje dhe me përkushtim të veçantë ka bërë objekt poetik dashurinë, që dëshmohet mirëfilli edhe me këto dy vëllime “Hyjnorja ime je ti 1” dhe “Hyjnorja ime je ti 2” […] Poezinë e tij të dashurisë e cilëson shumësia e qasjeve dhe shumëllojshmëria e shqiptimit të dashurisë; të shprehurit poetik dhe pamjet – tablotë e pasura, që njësohen dhe bëjnë një mozaik tërësor artistik; natyrshmëria e rrëfimit; mëvetësia e përftimit të varianteve; ballafaqimi dhe përplasja e dukurive, e aspekteve dhe e mendimeve; mbrumja dhe gërshetimi i realiteteve të ndryshme, që dashur e padashur, të kujtojnë realitetin e ëndrrës, ku s’ka kufij kohorë, hapësinorë dhe mendorë; gjerësia dhe thellësia e vrojtimit të dashurisë dhe mundësia e madhe, herë – herë e jashtëzakonshme, e komunikimit dhe e ndikimit të tekstit në marrësin. Në qenësi, kjo poezi është gërmim dhe zbulim i shpirtit të njeriut, sidomos atij të dashuruar, që është pushtuar dhe tundet nga fuqia magjike e dashurisë për femrën.”

ANTON NIKË BERISHA

I– Në qoftë se pas leximit të librave poetikë në katër vëllime “Hyjnorja ime je ti[1]” të Sabit Rrustemit do përballemi me thënien e Persi Shellit se: “Poezia është kujtesa e çasteve më të mira, më të lumtura të mendjeve më të lumtura e më të mira” me siguri që këtë përkufizim do ta ndërlidhim pikërisht për poezinë e këtij autori dhe atë vetë, dhe këtë jo rastësisht. Sabit Rrustemi është i vetmi poet, jo vetëm në letërsinë shqipe që i ndërton dashurisë një tempull prej dymbëdhjetë vëllimesh poetike, shtrirë kjo në një hapësirë prej 14 vjetësh (2009-2021).

Është fakti se poezitë e këtyre vëllimeve janë krijuar në një moshë të pjekur krijimtarie, çka ka bërë që niveli i tyre artistik të jetë i rrafshit të epërm, ndërkohë që kanë freskinë e moshës së re..

Që nga vargu i parë i librit të parë dhe gjer te vargu i fundit i librit të dymbëdhjetë, më shumë se sa lexon, ndjen dhe përjeton një stinë dashurie në një botë ku “andralla” e vetme e jetës është dashuria, të cilën poeti na e “shet[2]” nëpërmjet vargjeve të tij. Dihet që dashuria ka “andrallat” më të shumta të jetës, por edhe më të bukurat. Madje dashuria edhe dhimbjen e ka të “bukur”, si një poezi më vete.

Sabit Rrustemi - Hyjnorja ime je ti 2

Nuk na habit fakti që Sabit Rrustemi shkruan e “shet” poezi të bukura dashurie, por të impresionon fakti se këto poezi dashurie, pavarësisht kohës kur janë shkruar, viteve kur janë përjetuar, ende janë me aromë rinie të mbushur plot “gjelbërim”, thua se mosha e dashurisë s’ka as vjeshtë e as dimër, por veç pranverim, ku dhe kur “rriten” lisat që synojnë yjet e qiellit.

Vargjet çelin në poezi natyrshëm si bisqet e njomë në trungun a degët e një lisi të “moçëm”, duke formuar një kurorë të re, të gjelbër që të tregon për së largu se këtu është pranverë.

Brenda Teje jam
nga zanafilla e këndej
më mirë askund s’e kam […]

Koha e ikur
në një të nesërme kthehet
për t’më parë si të dua

E dashur
këtë ëmbëlsi të hidhur jete
që e kam shijuar
prapa këtyre qiejve po e lë

Deri në amshimin e pajetuar
më mjafton vetëm Ti

(Më mjafton vetëm ti)

II– Poezitë e dashurisë së Sabit Rrustemit kanë një muzikalitet shprehur përmes vargjeve, që në rastin e parë të krijohet përshtypja se buron nga vetë tema e dashurisë, por mjafton të lexosh disa poezi të tij ku heroi qëndron pak i menduar a i “trishtuar” nga vonesa e vashës dhe të ndjesh të njëjtin muzikalitet nëpër vargje, të ngjashëm me “melodinë” e gjetheve kur i ledhaton flladi që fryn nëpër lisa apo rrahjen e krahëve të një trumbe zogjsh që fluturojnë përmbi pyll.

Një mal ëndrrash që i pashë e më ikën
i lashë mënjanë
e kah Ti u nisa.

Asnjë shenjë Tënden s’e kisha
pos një portreti shfaqur pas shiut
në murin e kaltër të shpirtit tim
sa qiellor
sa engjëllor
që s’arrihej
s’prekej
vetëm ndjehej e shijohej
si ëndrra më e pafajshme
që shkrihej syve të mi.

(Për shpirtin tënd)

A nuk të vjen të marrësh kitarën dhe t’i këndosh më zë rinie këto vargje? Nuk po ju sjell shembuj të tjerë se e ndjej që do t’i këndoni gjatë shfletimit të librit.

Duke kërkuar burimin e këtij muzikaliteti në poezinë e Sabit Rrustemit, të tërheq vëmendjen fakti se, pavarësisht se ai është një poet ndër më të mirët në poezinë shqipe, ndonëse kishte pasur mundësinë dhe të drejtën të vendosej në kryeqytet, jeton në Zhegër, pranë Gjilanit, në rrëzë të malit të Çepurit, shpatet e të cilit i ka “mbjellë” me lisa poezie, që janë rritur e kanë formuar një pyll, që të fton ta vizitosh shpesh.

Po t’i shohësh me vëmendje poezitë e Sabit Rrustemit duket se janë shkruar diku rrëzë një shpati të këtij mali, te ndonjë gur a ndonjë krua, mbështetur te ndonjë lis a shtrirë në ndonjë livadh të cilëve shpesh herë u citon dhe toponimin. Është pikërisht ky ambient i frymëzimit poetik që i ka përcjellë nëpër vargje muzikalitetin e tij natyror, naimiane.

Nga ky ambient kuptojmë se Sabit Rrustemi për “hatër” të poezisë i ka qëndruar larg Prishtinës zyrtare dhe me “ndihmën“ e dashurisë ka ngritur një “kryeqytet” të ri poetik, ku zë fill meridiani zero i poezisë së dashurisë, si meridiani i Griuniçit. Ai që nga Zhegra i jep poezisë sonë modernitetin dhe përmasën estetike; ai ka ngritur tempullin poetik të dashurisë me besimin dhe se dashuria do e bëjë botën më të mirë.

Ju ftoj të nisemi për te ky tempull, ku kryefalltari Sabit Rrustemi do na thotë nëpërmjet vargjeve të ardhmen e dashurisë sonë. Unë kam besim te Sabiti dhe te varg-thënia e tij sepse ai është një poet i thellë në ndjenja e mendime, i mbushur me një qetësi poetike, ndonëse me një fije trishtimi, si të gjithë të dashuruarit që presin një shenjë a një fjalë nga Zoti a nga vajza.

Poeti Rrustemi është i dhënë pas artit, më saktë duhet thënë se ai është shkrirë e bërë pjesë e artit poetik; jeton nëpër poezi dhe kjo dallohet lehtë po të shohësh ritmikën e krijimeve të tij, gati të përditshme. Ai frymon poezi dhe kjo është e dukshme te vargjet e tij, të krijuara me një gjuhë të qartë e të lexueshme nga kushdo, si ajri që thithet njësoj nga të gjithë njerëzit.

III– Ka marrë dhe diçka tjetër kjo poezi nga ambienti i frymëzimit. Autori shkruan me varg të lirë, por pikërisht ky varg ka ndikuar që poezia e tij të jetë plotë dritë, si drita në pyjet me nivele të ndryshme lartësie pemësh. Po kështu dhe ajri mes vargjeve është plot oksigjen si ajri nëpër pyje. Nuk lodhesh duke e lexuar këtë poezi, qoftë edhe duke e lexuar me tonalitetin e një recitimi. Të duket se ajri i pastër i vargjeve mbush mushkëritë e tua gjatë leximit (Mushkëritë e mia/petaleve të saja marrin frymë/si vetë imja jetë) dhe kupton se nuk është efekti i temës së poezisë, por është efekti i stilit të tij poetik.

Në poezitë e Sabit Rrustemit s’ke nevojë të mendosh domethënien e vargjeve apo të metaforave, ato i ndjen menjëherë shpirtërisht edhe kur ndonjë fjalë a varg nuk e kupton shprehimisht, edhe kur ndonjë metaforë të “sheh” me sy të ulur, si shikimi i një djali të drojtur, në pritje të fjalës a shikimit të vajzës që e ka mbretëreshë nëpër ëndrrat e tij.

IV– Sabit Rrustemi shkruan, siç thashë, me vargje të lira, madje edhe me strofa të parregullta, ndonëse me ritëm e ritmikë të brendshme. Ka një afri me stilin e vargut të Ali Podrimjes dhe Mirko Gashit[3], ndonëse me një nerv poetik të vetin, më të butë, më të ëmbël.

Ka stilin e tij në vargje, ku veç të tjerash, në një poezi ndërthuren edhe strofat me disa vargje të shoqëruar me strofat me dy ose një varg. Interesant është fakti se çdo strofë e poezive të Sabitit, qoftë strofë shumë vargore apo një e dy vargore, e marrë e shkëputur më vete, ka edhe kuptimin e një poezie të shkurtër.

Vargu i tij ka dhe cilësi të tjera; shpesh herë në mes të strofave, një varg i vetëm apo së paku dy vargje përbëjnë një strofë më vete, të paraprirë dhe të pasuar shpesh herë nga një strofë disa vargjesh. Këto vargje njëshe apo dyshe, në kontekstin e poezisë të konceptuar si “një pyll lisash” të lartë shpesh ngjajnë me trungje pemësh të rrëzuar mbi vija uji a përrenj, duke u bërë në këtë mënyrë “ura kalimi” për lexuesin për te strofa tjetër. Le ta shohim këtë që thamë te poezia LULJA E JETËS:

Në kopshtin e kësaj zemre
ngjitas meje sythoi
e çeli

Një botë me aromë plot
ma dhuroi

Erërash sa herë u shkund
a shirave u qull
imja dorë iu gjend pranë
dhe ky trup

ndërsa te poezia SECILA STINË E ETUR ËSHTË PËR TY këtë dukuri e përligjim edhe me strofë me një varg:

Ato që i la stina e mëparshme
s’janë më
e pangopshmja kohë i zhbiu
dhe ato fryte jete që sillnin kënaqësi

Trungje të zhveshura mbetëm
para stinës së bardhë

Ardhja jote me ngrohtësi na mbështjell
shprush dhe nëpër dej
gacat e një zjarri të pashuar mbledh

Mos praj së riguari
derisa t’i njomësh majat e rrënjëve
thellësive të paprekshme
aty ku fija e dritës sate

I jep jetë një sythi të ri

Pastaj kthehet ajo stina e re
me njomësinë e buzëve  të tua
na bekon me dashuri

V– Shpesh dëgjojnë të thuhet se qysh nga Homeri e gjer më sot në poezi janë rrahur të gjitha temat e jetës dhe s’ka mbetur asnjë për t’u rrahur nga poetët e sotëm. Qysh këtu nis keqkuptimi mbi temat e shfrytëzuara nga poezia. Po të flasim p.sh. për temën e dashurisë, duhet të themi se vetë dashuria ka pafundësi tingujsh, dritash dhe ëndrrash ku secili prej tyre është një poezi më vete. Në qoftë se do ta quajmë një lëndinë, ajo është një lëndinë e pamatë, mbushur me lule të porsaçelura skaj më skaj, si hapësira qiellore mbushur plot me yje, ku çdonjëra prej tyre është një poezi më vete.

Rasti i poetit Sabit Rrustemi me dymbëdhjetë libra kushtuar dashurisë na tregon se edhe një temë si dashuria, për të cilën kanë kënduar, të thuash, të gjithë poetët e botës në të gjitha kohërat, ka një pafundësi kënd vështrimesh, mënyrash të shprehurish gjuhësor figurativ e ngjyrash të mëvetësishme, që natyrshëm të përngjajnë në këngë.

Sabit Rrustemi na e vërteton këtë, lexojeni dhe do të bindeni.

Sarandë, maj 2021


[1] Vëllimet e serisë HYJNORJA IME JE TI përfshijnë këto libra poetikë;

I-Vëllimi i parë përmban librat: a-Nën atë strehë zemre. In Tima 2009; b-Mëkatet që nuk i themi. In Tima 2010; c-Pjesa e pashuar e ëndrrës. In Tima 2011.

II-Vëllimi i dytë përmban librat: a-Stina mbetet ajo që është. In Tima 2012; b-Me bekimin e një të diele. In Tima 2013; c-Stinëve që erdhën pa ty. In Tima 2014; ç-Nëpër grimca të padukshme. InTtima 2015.

III-Vëllimi i tretë përmban librat: a.Dhomave të harruara të shpirtit, In Tima 2008 -2015; b.Më ndez e pathëna jote, In Tima, 2016/17.

IV-Vëllimi i katërt përmban librat: a.-Nëpër ëndrra të fjalëve, In Tima 2018/19. b-Era përpush ndjenjave të mia, In Tima, 2020; c. Për shpirtin tënd, In Tima 2021.

[2] Perifrazim i fjalës së Alda Merinit kur thotë: “Çdo poet shet andrallat e tij më të mëdha”.

[3] -Ndoshta kjo përafëri ka ndikuar tek unë që shkrimin tim për Mirko Gashin ta titulloja “Mali me lisa” duke i riprurë lisat poetikë edhe te ky shkrim.