Dëgjoje muzikën e shpirtit tim – Zamira Agalliu

0
1250
Zamira Agalliu

Nën shi.

Ka çelur lulebajamet sot ky shpirti Im
Mimozat e verdha tundin degët nën shi
Ky dimër i gjatë u rrokullis si me përtim
Gjelbërimit ia la vendin, si me magji.
Edhe në parajsë do ta mbaja emrin Femër
Trishtimin do ta merrja pas vetes si manar
Kam filluar tani ta kem më shumë për zemër
Çdo pikë të kripur loti që në sy më është thar’
Me pëllembë mata brengën që mbaj me vete
Deri tek Ti vendi im rrëshqita e malluar
Ajo është e gjerë, e thellë sa dy dete
Po mua për ta matur, më dolën dy duar.

Zamira Agalliu
Zamira Agalliu ka lindur në qytetin e Vlorës. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme studioi për Shkenca Humane 3+2 paketa e Bolonjës, master profesional në Edukim. Fillimisht do punonte në arsim si mësuese, më vonë në Agjensi Udhëtimi si Agjente Udhëtimesh dhe së fundmi Cicërone në Muzeun Historik dhe Etnografik të Vlorës. Përkohësisht ndodhet në Itali, si pjesë e trazicionit të vazhdueshëm e pamerituar shqiptar.
Lidhja me poezinë ka qenë pjesë e pandarë e jetës së kësaj autore, e cila e nisi që në moshë të herët dhe do vazhdonte përsosjen, pjekurinë artistike dhe kulmet letrare me publikimin e veprës së saj.

E gjithë poezia e saj karaktirizohet nga manifesti i një shpirti të lirë, me ndërthurje dhe zanafillë që nga gjeneza (ndërthurjet mitologjike me ato postmoderne), karakterizohet nga idetë metafizike, social- psikologjike e humane njerëzore, si dhe pathosi lirik.
“Kur shkruaj, përhumb muzës time, ku çdo fjalë prek me frymë qiellore dhe me ndjesitë më të thella shpirtërore“ – shpreheta autorja.
Zamira Agalliu ka botuar vëllimin poetik ” Zemëruar me Apostujt ” dhe ka në proces botimi vëllime të tjera poetike, tregime, ese, si dhe romanin “Ajo ishte aty “

Nuk gjen

Nuk jam unë e para në jetën tënde që të dua.
Ish Nëna jote dhe pas saj Unë dua të jem.
Mënyra si të dua Unë Ty dhe Ti Mua.
Jo o dashuria ime, mos kërko se nuk gjen.

Lavdisë

Sa krenohemi, kur i mohojmë vetes atë që na pëlqen?
A nuk është kjo një lloj manie vetëndëshkimi ?!
Kërkuam lavdinë që askund s’e gjetëm,
Dhe mes gëzimesh na mbytka dëshpërimi.
Është pemë shekullore
Që ka nevojë për ajër, ujë e dritë,
Mes rrënojash, e shpirtrash kishte mbetur,
Si një pjatë e zbrazët, banketeve u urit.
Të arrish në ditën e vdekjes,
Dhe të kuptosh se nuk ke jetuar,
Kaq porta iu servirën LAVDISË,
Ajo zgjodhi atë, për të vuajtur…!!

Zërat tanë

Zëri im aty te pragu yt ka mbetur, patjetër,
Edhe trishtimi, këmbëkryq ulur mbi tavolinë.
I nisa varkat, në zarf asnjë letër
Prej letre ishin varkat, por ndoshta arrijnë…
Zëri yt këtu tek pragu im ka mbetur si jehonë
Edhe trishtimi, këmbëkryq ulur mbi tavolinë
U nisën notat pentagrameve të brishta lehonë
Lehonë ishin edhe notat e harkut në violinë
Zërat tanë largohen bashkë me retë si gjëmim
Tej në fund zhduken, si dy shpend shtegëtarë
Harrojnë që bashkë të dy janë një përgjërim
Po ata harrojnë që të veçuar janë krahë vrarë
Zërat tanë stuhia i merr e s’dinë për ku largohen
Në ç’pemë do të pushojnë, a strehë të ngroht’
Nga dimrat e acartë vetëm pakëz të mbrohen
E të frymojnë pa zë, nëse nuk flasin dot…

* * *

Fjala është ura e ylbertë e çdo ndjesie
Dy skajet e së cilës lidhen me të njëjtën ngjyrë.
Nxirrni nga buzët ngjyrat e petaleve
Të mund të shijoni pjalmin e saj!!

Vetëflijim që të tremb

Mëngjesi erdhi vrejtur, i ftohtë akull
Vargmale të çuditshme krijuan luginën përmidis
Me gjuhë perëndish deshifrojnë emrin tënd
Si një pjellë e shtërzuar ku zbrazin tmerr e frikë
Këso çastesh më sundon nata
E tundon gjer në imëti
Tekat e vetvetes ledhatuan
Zogjë e shpendë shtegëtar
Kuptojnë ardhjen e vjeshtës
Me rënien e shirave të parë
Dëgjoj trokitje në derën e mendimeve pa kufij
Rënkimi i detit hynë gjer në shpellën e shpirtit
Si buçimë shurdhuese
Dhëmballët e lodhura përtypin mendueshëm rastësinë
Situata të reja vë në provë jeta që kërkojnë me ngut frenim
Sjell në mend njeriu kohë të vyera, njerëz të bekuar
Gjer në cakun e zhbërjes
Kapërcim portash të hekurta kryqëzuar
Duke thirrur emrin tënd
Kjo s’mund të jetë teatër
Është vetësakrifikim që të tremb.
Toka ime, ma jep bekimin si Nënë.

* * *

Sonte.
Ishte i vetmi yll në qiellin tim
E doja
Më donte
Mbytur në trishtim!!

* * *

Më pëlqen të humbas duke luftuar.
Ata që do të vijnë pas meje, të thonë:
“ishte një luftëtare”
Oshëtima !
Ti s’duhet ta dish një të fshehtën time
Që xhelozinë tënde e lexoj dashuri
Mos fluturo për të qenë i mrekullueshëm
Kur edhe mungesa jote më çel në gji.
Mos vall u dashurova me oshëtimën atje ?
Dhe jo me detin e thellë blu
Mos vall u dashurova me mungesën ndër ne…
E nuk jam dashuruar ende me ty !?

Dyzim

Me natyrën tënde nuk mund të luaj
Por stinët e mia nuk dua që ti vras
Më quaj murtajë, por vetëm ti mos vuaj
Që të urrej dhe të dua në të njëjtën përmasë.

Si kërmill…

Ka rënë një mëri si vesë mes nesh
Po unë s’e mbaj dot gjatë inatin
Si një butak të përqafoj dhe qesh…
E si butaku aty çlodhem kur ngjis katin.
Ti si zambaku që çel gjethet në Prill
Zgjat petalet e tua me plot vesë
Unë strukem brenda krahëve si kërmill
E aty mes përqafimit tënd vdes.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar