DEMAÇI ISHTE TRIM, POR RUGOVA ISHTE TRIM DHE I MENÇUR

1
564
Rugova - Demaçi - Krasniqi

IDRIZ ZEQIRAJ

Ishte ky titulli i një shkrimi të pa përfunduar, në gjallje të simbolit të rezistencës, Adem Demaçi. Në një bisedë rastësore, konsultova mikun tim Gjergj Kabashin, për shkrimin në fjalë. “Mësova se Demaçi, këto ditë, është i sëmurë rëndë . Prisni sa të përmirësohet”,- më tha, miqësisht, Gjergji. Dhe, unë u binda, prita. Ndërkohë, Adem Demaçi vdiq dhe unë e përjetova rëndë shuarjen e tij fizike, sepse rrjedha e jetës sime, përndjekja, mërgimi, burgosja, travajat, janë fort të lidhura me idhullin tim të rinisë, bacë Adem Demaçin.

Por, referimi tek Demaçi, i akademik Milazim Krasniqit, për ta goditur Ibrahim Rugovën, nga njëra anë, dhe amnistuar Demaçin nga ana tjetër, më nxiti ta përfundoj shkrimin, të lënë në gjysmë.

Pas lirimit tim nga burgu, nga larg, kam përcjellur Demaçin në deklarimet e tij zhgënjyese, për një të burgosur politik të stazhionuar. Aprovimi, për më shumë, edhe përlavdërimi, pa rezerva, të politikës supërkriminale dhe, tërësisht, kundrakombëtare të Enver Hoxhës, ishte zhgënjyes. Duke qenë ende në vuajtje të burgut, Demaçi, në intervistën, të dhënë një gazete prestigjioze kroate, shkretoi me elozhet për Hoxhën e Tiranës.

Mbrojtja, rehabilitimi i regjimit kriminal të Hoxhës me shokë, ishte aq mjerane, sa shokoi dhe provokoi shqiptarët, që kanë vuajtur “të zitë e ullirit” prej tij, për afro gjysmë shekulli. Duke qenë njohës dhe përjetues personal i regjimit satanik të epokës moniste në Shqipëri, prita lirimin e idhullit tim, Adem Demaçit. Dhe, reagova, maturisht, por, natyrshëm e faktikisht, në letrën titulluar “Kur ndjenja mund arsyen”, duke demantuar në 10 pikat bazë, të dy intervistave të dhëna nga burgu.

Vetë titullimi i demantit ishte lehtësues. Madje, një përligjie tjetër ishte se “burgu i gjatë, mungesa e informacionit, janë arsye shtesë për opinionin e gabuar, të dhënë nga baca Adem, për regjimin stalinist të Shqipërisë tonë”.

Një vit më vonë, Demaçi bëri vizitën e parë në Gjermani. Ai erdhi, pikërisht, në Ludwigshafen, në qytetin ku unë isha vendosur dy vite më parë. Vinte nga Zvicra, i shoqëruar nga krerët e LPK-së. Ishte një pritje dinjitoze, për një hero të gjallë. Në Sallën e Kongreseve, nën filtrin e policisë vendore, kaluan të gjithë të pranishmit. Në krye të organizimit isha unë me disa veprimtarë të tjerë të Mërgatës. Demaçi pranoi, publikisht, se kishte gabuar në vlerërsimin paushall për Enver Hoxhën dhe regjimin e tij. “Shkova në Shqipëri, e pashë. Asgjë nuk kshin ndërtuar vetë. Vëllai Idriz kishte të drejtë në ragimin e tij”. Dhe, u pajtuam.

Dr. Rugova, pas lirimit, organizoi pritje dinjitoze për Demaçin, e vlerësoi në shkallën sipërore. Konsiderata pozitive, respekti i Rugovës për Demaçin, ka qenë i dinjitetshëm, përkundër sjelljes hiç fisnike, madje, brutale të Demaçit ndaj Rugovës.

Intervistat e përbashkëta të akademikëve të nderuar Jusuf Buxhovi e Milazim Krasniqi, në televizionin T7 dhe Dukagjini, madje, të njëkohshme, opinioni shqiptar i përcolli me shumë vëmendje, ngaqë ishin personazhe të ngjarjeve, për të cilat flisnin.

Tashmë, është vërtetuar katërcipërisht se Rugova shmangu luftën në Kosovë, në fillim të viteve `90-a. Përndryshe, ploja, rredhojat do të ishin shumëfish më fatale, se sa në Bosnje. Fatmirësisht, populli i besonte Rugovës dhe dëgjueshmëria ndaj tij, ishin vendimtare për shpëtimin e Kosovës, në atë kohë të zymtë.

Takimi i Dr. Rugovës me senatorin Doll dhe bashkëüpunimin me amerikanët dhe anglezët, halabakët hafije të LPK-së, të yshtur pas ideologjisë ruso-sllaviste, e trumbetonin si spiunim!

Orkestrimit të organizuar për faksifikimin e historisë, edhe pse prej dy dekadash radhazi, i doli boja. Organizimi i mbrojtjes territoriale; marrëveshja për ushtrimin ushtarak të djemëve të Kosovës në Shqipëri; krijimi i Ministrisë të Mbrojtjes, Ministrisë të Brendshme dhe i Shërbimit Informativ, janë nisma të karakterit ushtarak dhe luftarak të Dr. Rugovës. Dhe, kjo dëshmohet edhe në një intervistë të Dr. Rugovës: “Ne nuk jemi kurrëfarë paqësorësh, por, është raporti i pabarabartë i forcave me pushtuesin, që na imponon vetëpërmbajtjen, për ta shmangur përballjen aktuale”.

Ndërprerja e përkohshme e aktiviteteve të Mnistrisë të Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme, nuk ishte vetëm arsyeja e përndjekjes, burgosjes të kuadrit ushtarak dhe informativ. Por, edhe porosi e prerë e tri qendrave kryesore të vendosjes: Amerikës, Anglisë dhe Gjermanisë: “Asnjë veprim ushtarak, asnjë aksion dhune e terror, vetëm qendresë paqësore. Përndryshe, nuk do ta keni mbështetjen tonë. Vazhdoni pa ne, deri në theqafje!”

Megjithatë, Presidenti Rugova asnjëherë nuk i ndërpreu lidhjet me FARK-istët e Tij besnikë. Dhe në çastin e duhur për riorganizim, ata iu përgjigjen thirrjes të Komandantit Suprem. Madje, edhe atëherë kur argatët e Serbisë, brenda bandës të LPK-së, tani, në njëfarë biçim SHP të “UÇK-së”, në koordinim të plotë me zyrtarët social-komunistë të Tiranës, me miratimin e dëshirën edhe të Serbisë, ekzekutuan Ministrin e Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, në Tiranë dhe kërcënonin me jetë ushtarakët tjerë, Presidenti Rugova dhe porosinë-urdhër: “Kthim prapa nuk ka. Si do të veproni, ju jeni ushtarakë, e dini vetë”.

Akademik Milazim Krasniqi befason me akuzat për Rugovën!

E gjithë kjo qasje serioze për luftën e Ibrahim Rugovës, nuk e bindin akademik Milazim Krasniqin se Rugova opsionin e luftës e kishte në agjendë. Madje, Akademiku e akuzon pse nuk shkriu FARK-un e Tij, në atë të LPK-së aventuriste, përkatësisht, në “UÇK-në” imagjinare. Dhe, demanton vetën, kur përmend aksionet provokative, të “komandantëve” të Demaçit, duke vrarë e masakruar disa plaka serbe dhe kundër-përgjigjen hakmarrëse të policisë serbo-sllave, ne fshatrat e Drenicës, në vrasjen e qindra qytetarëve të paarmatosur dhe të pafajshëm.

Akademik Milazim Krasniqi befason kur thotë se “Adem Demaçi kurrë nuk i ka bërë asnjë dëm Kosovës!?” Pavarësisht nderimit që kemi për Demaçin, e vërteta, qoftë edhe e hidhur, duhet thënë në gjallje dhe pas saj. Faktet dëshmojnë të kundërtën. Demaçi, nga një frymëzim i popullit dikur, u bë përçarës i tij. Metamorfozën e Demaçit, na jep bashkëvuajtësi i tij, Metush Krasniqi, Hero i Kosovës: “Nëse Demaçi vdes në burg, do të mbetet si simbol i rezistencës shqiptare, por nëse lirohet nga burgu, do ta shihni se asgjë nuk ka mbetur në të”. Një shkrimtar, bashkohës i tij, burhaxhi politik, thotë: “Demaçi hyri në burg si nacionalist dhe doli nga burgu si komunist!”

Faktojmë:

1) Demaçi i kërkoi Hollbrukut, që Rugova të përjashtohet nga procesi i bisedimeve, ndërkohë që ai ishte President i Kosovës dhe më i besuari i popullit;

2) Akuzonte dhe denigronte Rugovën publikisht, me akuza paushalle e absurde, sikur ai është dakord edhe me një autonomi, ndërkohë që Demaçi kërkonte “Ballkaninë”, një krijesë e pëlqyer fort nga Serbia me aleatë;

3) Ishte kyç në bisedimet për bashkimin e faktorit ushtarak dhe e dështoi atë, duke e shpërfillur, tërësisht, FARK-un;

4) Serbia vriste bujq e barinj, gra e fëmijë në Kosovë, ndërkohë që toleronte Demaçin në një zyre në Prishtinë, si kuadër të lartë të UÇK-së. Dhe, këtë zyrë e proklamonte në opinionin botëror se në Kosovë po luftojnë dy ushtri, me dy zyra ushtarake në Prishtinë;

5) Qëndrimi refuzues karshi marrëveshjes së Rambujesë, rrezikonte seriozisht Kosovën, tashmë, në shpopullim e sipër. Rrjedhimisht, përjashtonte bormbardimin e Serbisë, duke e lënë atë në sundim të Kosovës;

6) Demaçi aprovoi, frymëzoi dhe justifikoi vrasjet e kundërshtarëve politikë në Kosovë, përfshi këtu edhe ekzekutimin e studentit të Universitetit të Prishtinës, Enis Zemaj! Nëse Adem Demaçi do t`i denonconte e kundërshtonte krimet vrastare politike në Kosovë, “komandantët” e tij nuk do të hapnin shumë qindra varre shqiptarësh të pafajshëm dhe nuk do të shtonin mijëra jetimër anekënd Kosovës.

7) Demaçi: “Ja po e heqim Hashimin nga posti i presidentit! Po kush asht ma i mirë se Hashimi?!?” Dhe, këtë e thoshte, kur opozita e bashkuar në VLAN, kërkonte shkarkimin e tij, për shkelje të Kushtetutës, deri në tregti konspirative me Serbinë dhe përçarje të popullit!

Pra, dëmet që Adem Demaçi ia bëri Kosovës, në një kohë zezonë të saj, janë tepër të mëdha, me rrjedhoja fatale, me plagë që kullojnë gjak e krime tjera numerike, që pengojnë ecjen para të Kosovës tonë edhe sot.

Akademik Milazim Krasniqi bënë edhe një akuzë të drejtëpërdrejtë për Ibrahim Rugovën: “Rugova nuk deshti që Adem Demaçi të bëhet deputet!” E vërteta është krejt tjetër. Plaku ynë i urtë, Anton Çetta, ndërroi jetë, duke qenë në cilësinë e deputetit të LDK-së, në lagjën e Vranjevcit. Demaçi donte ta zëvendësonte atë. Por, për këte duhej të vihej në provë me votë. Demaçi i konsultoi llapjanët e tij, ish-burgaxhinj politikë, për ta mbështetur. Por, shumica syrësh ishin anëtarë të LDK-së dhe refuzuan përkrahjen për të, duke u gjegjur: “Ne ikemi dhënë fjalë e besë IbrahimRugovës”. Demaçi u tërhoq nga kandidatura, me frikën e bazuar se nuk do të fitonte.

Prandaj, Dr. Rugova nuk kishte asnjë faj për këtë, sepse Demaçi nuk ishte anëtar i LDK-së, militonte në Partinë Prlamentare. Realisht, komandantët dhe ish-burgaxhinjtë politikë, vetëm vebalisht e donin Demaçin në pozita pushtetare. Përndryshe, kurrë nuk e kanë dashtë ngritjen e tij në ndonjë pozitë shtetërore apo pushtetare. Në të kundërtën, i kanë pasur të gjitha mundësitë, për ta bërë këtë dhe nuk e bënë kurrë.

Akuzat e akademik Milazim Krasniqit, nuk e amnistojnë atë, për marrëveshjet konspirative me eksponentët e LPK-së, për ta anashkaluar kryetarin Rugova nga kryesimi i LDK-së, si dhe kyçjen e tij të mëvonshme në partinë-bandë, PDK-në, madje, lënien “amanet” të djalit në këtë parti, të kalaveshur me poste partiake e pushtetare.

Familja Krasniqi, si familje akademikësh dhe artistësh, duhej të ishte shembull kundër së keqes, që pllakosi Kosovën, me uzurpimin e dhunshëm e vrastar të pushtetit që bënë “komandantët”. Intelektualët, shkencëtarët, shkrimtarët, artistët, humanistët…, kanë qenë gjithëherë barrikadë e sistemeve totalitare, denoncues dhe luftues të kriminelëve e diktatorëve, të cilët me plumb e dajak, kanë ngjitur shallët e karrierës, duke u bërë sundues të neveritshëm, të përgjakshëm dhe përçmues e nënshtrues të popujve.

Mendoj se Familja e nderuar Krasniqi duhet të reflektojë. Banda PAN, me krimet e saj, kundër ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut dhe të kundërshtarëve politikë, gjatë dhe pas luftës, si dhe hajninë zyrtare gjatë pushtetit, e ka dëshmuar fajësinë kriminale. Si i tillë, PAN nuk mund të reformohet me retushimet e kreut të tij Kadri Veselit. E shëndetshme dhe domosdo për Kosovën është shpallja e jashtëligjshme e PAN-it dhe, kjo duhet të bëhet për dy arsye madhore:

a) Të shpëtohet anëtarësia e mashtruar, duke u shkëputur nga partitë-banda të krimit, të koalicionuara në PAN-in kriminal;

b) Të lirohet Kosova nga ingranazhi i krimit të organizuar politik dhe stopimi e ndëshkimi i korrupsionit galopant, përkatësisht, hajnisë zyrtare. Sa më parë të bëhet kjo, aq më e shëndetshme do të jetë për Kosovën tonë, sot, të stërkequr, deri në përtokje.

1 KOMENT

  1. akademik Milazim Abu Krasniq hahahahahahahahahahahahahahahahahahah

    hahahahahah

    mos na shtini me kesh hahahah

    Milazim Krasniqi, e kam nje shprehje kompaktibile me akademicitetin e juaj si vijon:

    Ujst ujst …okshahaaaa… oooooq oooq laro lar…oq oq..

Komentet janë mbyllur.