DERA E SHUAR E NIK GJELOSH LULIT

0
339
Gjelosh Luli

NIK GJELOSH LULI
Rënë për Atdhe në Deçiq 1911

Kryengritja e nisur më 23 mars 1911 është me të vërtetë si një shkreptimë rrufeje që bie në një pyll të thatë. Gjithë ajo perandori osmane do të lëshohej ta shuante zjarrin për liri që nisi në Malësinë e Hotit dhe u përhap në të gjithë Malësinë e Madhe, por nuk qe e mundur. Por edhe shumë burra nga Malësia u vranë. Deri tani nuk kemi një listë të plotë se sa luftëtarë dhanë jetën në kryengritje (Studiuesi Ndue Bacaj sjell një listë me 104 dëshmorë nga Hoti në kryengritjen e vitit 1911) por edhe në vazhdimin e luftimeve edhe në 1912, ani pse kjo e fundit është lënë në harresë. Gjatë vitit 1912 janë bërë po aq luftime të ashpra e këtë e tregojnë edhe emrat e atyre që u vranë gjatë luftimeve.

I pari që u vra në luftë në ditën e parë të kryengritjes më 23 mars 1911 ka qenë Kol Marash Vata e bashkë me të trimi Lek Marash Peci, të dy nga fisi Gojçaj. Më 25 mars 1911, mbas dy ditësh bien në luftë edhe 6 burra e këta të gjithë të fisit Gozdjen, që i përkiste edhe Dedë Gjon Luli.

Po i përmendim këtu në nderim të flijimit për mëvehtësimin e Shqipërisë, meqë askush nuk i kujton në Shqipëri e asnjë institucion nuk është kujdesur për dekorimin e tyre. Dy vëllezërit Gjon e Zef Lulash Zeka, xhaxhai i tyre Gjon Lulash Zeka, Zef Lan Ula, Ujk Gjelosh Leka, Zef Vuksan Leka. Më 28 mars 1911 pasi çliruan Tuzin, nisën luftime për marrjen e kalasë së Shipshanikut ku ishin jo pak, por 600 ushtarë e oficerë turq.

Kolec Traboini - me librin Miti i Hotit

Në këto luftime të rrepta ku mbetën rreth 80 nizamë ishte vrarë një prej luftëtarëve më të shquar, Gjon Ujk Çeku, Gojçaj. Vijmë kështu në ditën kur bie dëshmor kushëriri i parë i Dedë Gjo Lulit, miku i tij më i ngushtë, kryekomandanti ushtarak i tërë forcave kryengritëse, Nik Gjelosh Luli. Ja çfarë shkruan në poemën e tij historike “Lufta e Maleve” bashkëluftëtari i tij Palok Traboini:

“U thye astjeri kahë Miloshi,
Urra djelm si Shala e Shoshi!»
Por si ndien ky Nik Gjeloshi
hof! prej pritet në kambë çohet,
nafakpremi! shpejt, a rrzohet,
i ra plumbi lules s’ballit
e përmbys ra anës s’zallit,
si pra tash me ia ba hallit?
Nik Gjelosh, ora e Malsis,
shpresa e fortë e gjith djelmnis,
Idhtë në jaz ti ne na mblove,
edhe shpresën na e pakove,
t’ tanë bajrakun e ligshtove.”

Vrasja e Nik Gjelosh Lulit ishte e rëndë për Dedë Gjon Lulin. Për gjithçka në nisjen e kryengritjes e pleqëronte me Nikën. Atij i kishte ngarkuar barrën më të rëndë për kryengritjen. E caktoi komandant të gjithë forcave kryengritëse të Malësisë së Madhe. Ishte Nik Gjelosh Luli që i koordinonte veprimet ushtarake me forcat e tjera. Ai ishte një burrë i shtruar dhe trim. E veçanta e Nik Gjelosh Lulit ishte se gjendej kurdoherë në ballë të frontit. Ndërkohë që trupat kryengritëse të Hotit i komandonte i biri i Dedë Gjon Lulit, Kola. Nik Gjelosh Luli kishte një djalë që atëbotë ishte i ri, Luc Nishi që edhe ai mori pjesë në kryengritje përkrah babait të vet.

LUC NISHI
Rënë për Atdhe në Luftën e Koplikut 1920

Luc Nishi, i biri i kushëririt të parë të Dedë Gjon Lulit, Nik Gjelosh Lulit, ka lindur në Traboin të Hotit në vitin 1893. Ishte fort i ri në kryengritjen e vitit 1911, por megjithatë mori pjesë në luftime. I edukuar me frymë atdhetare, bir I një luftëtari të madh, Luc Nishi ndoqi karrierën ushtarake. Ishin kohë të turbullta, kur shpesh Shqipëria kalonte nëpër rreziqe të mëdha, ndaj Luc Nishi ndoqi atë rrugë për t’i shërbyer sa më mirë vendit të vet.

U martua me Katrinën, bijën e Kol Kurtit të Pikalës së Grudës, që ishte motra më e vogël e Nore Kolës, gruas së Kol Dedë Gjo Lulit, e njohur nga të gjithë si Nore e Hotit, ani pse bijë Grude. Nga kjo martesë oficerit Luc Nishi i lindi një djalë të cilit ia vuri emrin Pal. Në vitin 1920 ai shërbente në ushtrinë shqiptare. Pikërisht në këtë vit kufiri shqiptar u sulmua nga forcat e bashkuara serbo-malazeze.

Shqipëria ishte ende një shtet i dobët dhe fqinjët e veriut menduan se ishte koha më e mire për të realizuar një ëndërr të kahershme për pushtimin e trojeve shqiptare. Në këtë luftë kombëtare, që zgjati 203 ditë, filloi më 27 korrik 1920 e vazhdoi deri më 14 shkurt 1921(megjithëse ishin bërë luftime sporadike dhe më parë) morën pjesë luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare. Sipas studiuesit Ndue Baca në radhët e luftëtarëve ishin përfshirë edhe 120 trupa nga Rapsha e Hotit si dhe 102 nga Traboini.

U zhvilluan beteja në Vrakë, Gruemirë, Grizhë, tek Prroi i Thatë, tek Kodrat e Koplikut, Buzë Ujit, madje luftime u zhvilluan deri në Qytezë të Hotit e deri në Bardhaj e Traboin që ishin lënë jashtë kufijve të vitit 1913. Një prej betejave më të ashpra ishte ajo të Sukat e Moksetit ku agresorët serbo-malazes përdorën edhe artilerinë e ku sipas studiuesit Bacaj, “Beteja në Suka të Moksetit përsëriti heroizmin e vitit 1911”. Në këtë betejë më 25 gusht 1920 mbeti i vrarë nga një e shtënë topi oficeri Luc Nishi, i biri i Nik Gjelosh Lulit, në moshën 27 vjeçare – at e bir në altarin e lirisë së kombit shqiptar.

PAL LUC NISHI
Vdekur në Itali në mosh të re në vitin 1936.

Tashmë ishin dy motra, Nora e Katrina, e të dyja me burra të vrarë. Ndryshe prej Nore Kolës që nuk kishte fëmijë, Katrinës së Luc Nishit gjithsesi i kishte mbetë një ngushëllim, i biri Pali, të cilin e rriti me sa e sa mundime, e rriti si një filiz i ri në derën hotiane të Nik Gjelosh Lulit, e rriti me dëshirën për t’i ngja atij trungu familjar që lindi legjenda, por fati për Katrinën u tregua i pamëshirshëm duke i pre shpresën e fundit ashtu si të motrës Nore Kolës. Pal Luc Nishi, i biri i Katrinës, kishte prirje për letërsi, krijonte poezi dhe la të shkruar pjesë nga historia e trungut të fisit Luli që i përkiste. Pjesë nga krijimet e tij u botuan në almanakun Shkodra, në vitin 1962.

Dorëshkrimet origjinale pas vdekjes së Nore Kolës e Katrinës së Luc Nishit, që duhej të ishin në atë kashunin që kisha parë në fëmini, nuk dihet se ku përfunduan.

Ndoshta humbën përgjithmonë.

Ndoshta i përpiu koha, si shumë e shumë relike e ngjarje. Por kanë mbetur një tufëz shkrime që, siç shkruante redaksia e Almanakut “Shkodra” 1962, megjithë do “zbrasti dhe ndërpremje, të cilat autori mendonte me i plotësue ma vonë, prapë se prapë përshkohen nga një frymë e zjarrtë patriotike që i bajnë mjaft interesante.

Ai andrronte, siç dëshmon e ama, me mbledhë kujtimet e familjes së vet, që kish dhanë aq njerëz për lirinë e vendit.” Po ku janë tani këto shkrime të pinjollit të fundit të familjes atdhetare të Nik Gjelosh Lulit? Nuk dimë ku mund të marrim një gjegje për t’i sjellë në dritën e botimit ato shënime.

Disa prej vjershave të veta, Pal Luc Nishi ia kushton aktit sublim të babës së vet që ra dëshmor për Atdhe. Një prej tyre është edhe kjo e shkruar në Chieri të Italisë më 12 maj 1932, kur ishte me studime:

LAMTUMIRË

Lamtumirë, o grue, o shoqe e kësaj jete,
ushtrinat n’ luftë janë nisë me hi,
e unë në front me ba mos me u gjetë
kishte me kenë si një tradhëti.
Trompeta, pra, ka ra,
e prej këndej më duhet me u largue,
s’ke pse mekësh, duhet me u nda,
pse në detyrë më duhet me shkue.
N’anmik unë me ra,
po sa kam me mujtë,
pse gjaku për vatan
gjithherë më ka luejte.
E, jo mue vetëm,
por edhe të parëve të mi,
të cilët dhanë jetën
të gjithë për Shqipni.
Pse deka për vatan,
s’asht gja, thonë, ma e qetë,
çdo kurban qi don me i ba
atmes në këtë jetë.

Pal Luc Nishi ndërroi jetë në një sanatorium në bjeshkët e Torinos, Itali, më 31 tetor 1936. Ishte në moshën 22-vjeçare. Ky mort i fundit e mbylli derën e Lucë e Nik Gjelosh Lulit përgjithmonë

Nga libri “MITI I HOTIT”,

K. P. Traboini, Pantheon Books, Washington DC – Tiranë 2017.