Deri kur do t’i shpërfillim miqtë tanë?

0
479

Ndue Ukaj

Diplomati austriak, Wolfgan Petritsch, na tregoi se: “Kosova, është në prag të kolapsit…“, ndërsa ne, hajmë fiq e kastraveca e qesim petulla në ujë, do të qesëndisej Fishta.

Kambanat e alarmit po bien pa pushim, por ato s’i dëgjon askush. Në fakt, ato nuk do t’i dëgjojë askush. Nuk ka kohë t’i dëgjojë askush. Sepse, ne ngarendim pas thashethemeve. Sepse, ne, vazhdojmë t’i kënaqim egot tona me vetëmjaftueshmëri dhe mburravecëri primitive. Vazhdojmë të kemi mosmarrëveshje elementare për çështje fondamentale të shtetit. Vazhdojmë të mendojmë se jemi qendra e botës, ndërkohë që kapacitet tona në sytë e saj, janë minimale. Vazhdojmë t’i shpërfillim miqtë tanë dhe të tallemi me ta.

Deklarata e Petritsch, e thënë troç: “Kosova është një vend tejet i përçarë, është një shtet i dobët, në prag të kolapsit, mund të thuhet – sidomos në krahasim me Serbinë, e cila është zhvilluar shumë ekonomikisht…“, do të duhej ta çonte në këmbë Qeverinë e Kosovës dhe gjitha hallkat tjera institucionale. Por jo! Ne, i shpërfillim temat esenciale dhe merremi me çështje sekondare. Ngarendim pas mejtepeve erdoganiste dhe shtiremi se po përafrohemi me Europën.

Me logjikën e shpërfilljes së këshillave të miqve tanë, po rrezikojmë t’i prishim në mënyrë të pariparueshme raportet me ata, me të cilët e fituam lirinë dhe pavarësinë, ashtu siç i kemi prishë në mënyrë të pariparueshme raportet politike ndërmjet veti. Prandaj, edhe kukurisim që tri vite rreth një teme: demarkacionit. Kjo mendësi, e shpie të ardhmen e vendit, drejt një tuneli, pa asnjë shkëndijë drite.