AV. XHABIR ZEJNUNI
Zoti Donald Lu.
Po i kthehem edhe njëherë problemit që Ju keni shtruar dje.
Ju jeni shumë i shqetësuar se politikanët shqiptarë nuk mbajtën zotimin e marrë për të pastruar politikën dhe drejtësinë nga korrupsioni i shfrenuar. Të kërkosh mbajtjen e zotimit nga një politikan dhe aq më shumë nga politikanët talebanë shqiptarë, është vetëm utopi. Aq më shumë kur kjo kërkesë vjen nga një diplomat si Ju. Pasi ne si popull i thjeshtë që jemi, dihet se gënjehemi fare kollaj. Kur do e kuptoni Ju Zotëri se në politikën shqiptare ekziston një TRI-ORTAKËRI politike? Aq më shumë duke qenë se edhe provat janë me bollëk.
Po jua rikujtoj unë ndonjë provë.
PS-ja sugjeron një avokat për anëtar të KLP-së. Të nesërmen, PD-ja publikon një dokument, ku lexohet se kandidati në fjalë, paska qenë ish bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Kandidati “revoltohet” shumë dhe pretendon ndjesë nga PD-ja, e cila nuk do i vijë kurrë. Por, ai nuk kujtohet të bëjë një padi për SHPIFJE në mbështetje të Kodit Penal, i cili tek neni 120, par. 1, disponon se “Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të RREME, që cënojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë”.
Nëse ai nuk bën padi për shpifje, atëherë dihet edhe arsyeja (….). Askush nuk beson se PS-ja nuk ka pasur dijeni më parë se personi në fjalë ka qenë me “cene” në biografi. Pasi kur opozita disponon DOSJE, duhet të supozohet që edhe pozita të ketë DOSJE po ashtu.
Ose edhe “kopjet” e tyre. Dhe loja vazhdon me kandidatët e tjerë, por edhe këta si për çudi dalin me “cene” në biografi. KLP-ja nuk krijohet. Si rrjedhojë, nuk zgjidhet as Kryeprokurori i Përgjithshëm (jo i përkohshëm!). Pasojat dihen. Dje, një gjykatës i Gjykatës Kushtetuese, dha dorëheqjen për arsye personale. Kështu, nga 6 anëtarë, tani mbesin 5 anëtarë. Që do të thotë bllokim të Gjykatës Kushtetuese. Bashkë me rekurset që do vijojnë dhe që pa
zgjidhjen e tyre, çdo gjë mbetet pezull. Pasojat dihen edhe këtu.
Një person, u ekstradua në Itali nga Shteti. Opozita e kundërshtoi ekstradimin, duke sjellë argumentet e saja. Plasi hataja sot në Parlament për këtë problem, sikur fatet e Shqipërisë të vareshin nga ky ekstradim. Ndonjë deputet opozitar ishte i “armatosur” edhe me një KRAP, por fatmirësisht rojet e sigurisë nuk e lejuan atë të fuste “armën e rrezikshme” në Parlament. Pasi pasojat do kishin qenë “vdekjeprurëse”!
Po diskutohet edhe për marrëveshjen mes Greqisë dhe Shqipërisë. Të dyja palët, në sintoni të plotë po akuzojnë njëra tjetrën për tradhëti dhe shitje apo falje të tokës apo detit. Të ajrit akoma jo! Po diskutohet për çdo gjë sot, përveç reformimit të politikës dhe drejtësisë.
Përse?
Arsyeja është shumë e thjeshtë. Nuk mund të reformojnë politikën dhe drejtësinë ata persona, të cilët i shkatërruan me qëllim ato. Zotëri. Nëse nuk ndërrohet KOMPLET klasa politike dhe ajo e drejtësisë, ky vend nuk do bëjë hajër kurrë.
Madje do shkatërrohet akoma edhe më shumë. Prandaj, Ju jo vetëm që mos pretendoni që t’ju sjellin në tavë ndonjë KRAP të madh, por as edhe ndonjë cironkë nuk do e “shijoni” dot. Jua kam thënë edhe para një viti këtë gjë, të cilën nuk do doja që ta përsërisja sot. Me gjithë respektin që kam për Ju, më duhet që të pohoj se Ju u treguat shumë “miop” edhe kësaj here me politikën dhe drejtësinë talebane shqiptare.