“DETYRËN E MËSUESIT NUK DO TA ZËVENDËSOJA ME ASNJË PROFESION TJETËR…”

0
1487
Murat Gecaj, foto

(Kur flasim për “Mësuesin e Popullit”, Fahri Doçi)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.

Ndërsa po i shkruaj këto radhë, natyrshëm, më kujtohet fëmijëria ime. Pasi kisha mbaruar shkollën fillore, në Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), mësimet i ndoqa në 7-vjeçaren e fshatit Kolgecaj (sot qyteti “Bajram Curri”). Aty vijonin nxënës nga fshatra të ndryshëm, ndër të cilët ishte dhe Luzha. Prej andej, megjithëse ishte larg, vinte dhe bashkënxënësi ynë, Fahri Ymer Hoxha-Doçi, lindur më 15 mars 1937. Është e njohur shoqëria e miqësia e mirë dhe e paharruar ndërmjet bashkëmoshatarëve. Pra, dhe me Fahriun kisha zënë miqësi të mirë, megjithëse kishim ca diferencë moshe dhe nuk ishim nga një fshat. Këto lidhje të pashkëputura i ruajtëm edhe më vonë.

Pas mbarimit të maturës për mësues në Shkodër, nga Fahriu dhe unë të gjimnazit, në Tiranë, në vitin arsimor 1957-1958, të dy dhamë mësim në shkollën 7-vjeçare të fshatit Tropojë. Meqenëse dëshironim t’i ndiqnim studimet e larta, në Universitetin e Tiranës të sapokrijuar, bëmë kërkesa dhe ato na u miratuan. Unë nisa studimet për gjuhë-letërsi shqipe, në Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe ai për biologji-kimi, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Sigurisht, lidhjet tona i mbajtëm dhe miqësinë e forcuam më tej. Nga ajo kohë, kemi dhe një fotografi bashkë, që e publikova dhe në librin tim autobiografik, “Ëndrrat ‘e grisuar’ të jetës sime” (Tiranë, mars 2010).

Të jemi i sinqertë me lexuesin e këtyre radhëve edhe pse kam patur këto lidhje, nuk e kam ditur mirë, deri para katër viteve, se si e kishte “braktisur” Fahriu shkollën fetare për hoxhë, në Tiranë. Kështu, ndër të tjera, ai më ka treguar dhe këto:

“Pasi mbarova vitin e tretë të Medresesë në Tiranë, vendosa të largohesha prej saj. Ndoshta, kisha patur ndikim edhe nga fakti se vëllai i madh, Mozllumi ishte mësues. Pra, doja që edhe unë ta kisha këtë profesion të nderuar. Kur erdha me leje në vendlindje, pa i treguar askujt në familje, shkova në zyrën e shefit të seksionit të arsimit e kulturës. Aty u kërkova të më ndihmonin që të vazhdoja shkollën e mesme për mësues. Mendimin tim e miratuan, por dilte problem se në cilin vit do të shkoja. I plotësova dokumentet e kërkuara dhe shkova në shkollën e mesme pedagogjike të Shkodrës. Aty më futën përsëri në klasën e tretë e më thanë se do ta pyesnin Ministrinë e Arsimit e Kulturës, se si do të veprohej me mua. Kaluan disa muaj e më thirri drejtori në zyrë. Ai më tregoi se Ministria rekomandonte të ndiqja klasën e dytë, pra jo të tretën?! Megjithatë, drejtori e la më tej atë punë në heshtje dhe unë qëndrova në klasën, ku i kisha nisur në fillim mësimet”.

2.

Vitet kaluan shpejt dhe Fahri Doçi,pas mbarimit të Universitetit, e vazhdoi detyrën e mësuesit në vendlindje, në fshatin Llugaj e pastaj në Tropojë-fshat. Ndërsa më tej, deri deri sa doli në pension në vitin 1991, shërbeu me përkushtim të lartë në shkollën e mesme të përgjithshme “Asim Vokshi” të qytetit. Po kështu, dha mësim në qendrën e konsultimeve e provimeve dhe në degën e filialit të Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, po në qytetin “B.Curri”. Kolegët, nxënësit dhe prindërit e tyre e kujtojnë atë mësues shembullor, si për përgatitjen profesionale dhe nivelin e transmetimit të dijeve, por dhe për taktin pedagogjik e dashamirësinë e korrektësinë, që e ka dalluar gjithnjë. Për këto merita e cilësi dhe të tjera, në vitin 1989, i është dhënë, nga Presidenti i Republikës, titulli “Mësues i merituar”. Ndërsa në vitin 1995, ish-nxnësi i tij, Presidednti i Republikës, prof.dr. Sali Berisha i dha titullin e lartë “Mësues i Popullit”.

Për figurën e këtij mësuesi të pasionuar dhe model në terë veprimtarinë e tij pedagogjike, ka shkruar në librin e tij, “Kukësi në sofrën e arsimit kombëtar” (Tiranë, 2002) studiuesi I njohur Isa Halilaj, “Mësues i merituar”. Gjithashtu, për të ka shkruar drejtuesi disavjeçar i arsimit në atë rreth, i ndjeri Selim Matoshi, në librin e tij, “Një shekull dritë-Arsimi në Tropojë, në shek.XX” (Tiranë, 2004). Ndër të tjera, ai ka nënvizuar:

“Fahri Doçi, për kah aftësitë shkencore dhe metodike, përballet denjësisht edhe me pedagogët e universiteteve tona, të këtij profili. Nuk është rastësi që asnjë nxënës i tij, student në shkollat e larta, nuk ka mbetur në provimin e kimisë. Në takimin e parë, pedagogët tatonin ata studentë, që e kishin marrë lëndën e kimisë me Fahri Doçin. Bile, ishte e kohës pyetja: -Me Fahri Doçin e ke bërë kiminë ti?”

3.

Në çdo vit të ri arsimor, qindra e mijëra mësues e nxënës derdhen drejt shkollave 9-vjeçare e të mesme, për të marrë aty dituri e kulturë për jetën. Po, sa e sa të tjerë janë në pension dhe përsëri mendjen e kanë aty, në shkollë dhe pranë nxënësve të tyre të dashur. Me nostalgjinë e viteve të kaluara në arsim, me kujtimet më të bukura për vatrat e diturisë e përparimit, për nxënësit e prindërit e tyre, është gjithnjë dhe “Mësuesi i Popullit” Fahri Doçi. Kur ia kujton këtë fakt, me fjalët e tij të kursyera dhe me buzëqeshje, ai shprehet se ato kanë qenë vite të bukura, të pashlyera në kujtesë. Pastaj, natyrshëm, shprehet me sinqeritet: “Nëqoftëse përsëri do të isha i ri, detyrën e mësuesit nuk do ta zëvendësoja me asnjë profesion tjetër…”.

Në ditën e parë të mësimeve, por edhe në raste të tjera, zakonisht, njerëzit sjellin ndërmend mësuesin e klasës së parë, atë që u mësoi abetaren dhe i futi në udhën e diturisë. Por, nuk ngelen jashtë kujtesës të cilitdo as mësuesit më të mirë të viteve shkollore. Dhe, padyshim, nga qindra ish-nxënës malësorë kujtohet me nderim të veçantë edhe mësuesi i tyre i dashur e i respektuar, Fahri Doçi. Kështu veprojnë ata edhe në çdo 7 Mars, kur festohet Dita e Arsimit Kombëtar Shqiptar.

…Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se është nder e krenari, kur ke patur një bashkënxënës të viteve të para të shkollës dhe koleg e mik të jetës, një njeri të tillë, si “Mësuesi i Popullit” Fahri Doçi. Me atë, natyrshëm, mburren të gjithë nxënësit e kolegët e tij. Kam shkruar edhe më parë për të, në shtyp e në Internet. Megjithatë, përsëri tani e përshëndesim përzemërsisht dhe i dëshirojmë gjitha të mirat, duke uruar që ai të ketë përherë shëndet sa më të plotë e jetëgjatësi, me gezime e lumturi, si vetjake dhe familjare!

Tiranë, prill 2016