DHURIMI I PAJISJEVE PËR TË FORCUAR KUJTESËN

0
495

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Znja. Suzanne Schutz me zyrtarët e lartë të AIDSSH

Nga Frank Shkreli

Susanne Schütz: Kush përballet me të shkuarën, ka edhe një të ardhme

Edhe njëherë shprehi respektin dhe falënderimet e mia, vetëm si një shqiptar i thjesht në mërgim, për punën që ka bërë dhe po bën Ambasada e Gjermanisë në Tiranë së bashku me Fondacionin Konrad-Adenauer-Stiftung për përpjekjet e saja për zbardhjen sadopak të kaluarës kriminale të regjimit komunist shqiptar të Enver Hoxhës.

E kam thënë dhe e them se Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri dhe përfaqsuesit e saj, përfshirë edhe Ambasadoren aktuale në kryeqytetin shqiptar, Znj. Susanne Schutz, është e vetmja përfaqësi diplomatike që ka nxitur me konsekuencë gjatë viteve të post-komunizmit, përballimin me të kaluarën, dialogun në radhët e elitës politike dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi — për një transparencë mbi këtë kapitull të errët të historisë së Kombit shqiptar — si dhe për hapjen e dosjeve të regjimit komunist. Gjatë viteve, gjermanët kanë dhënë ndihmën e pa kursyer dhe kanë ofruar përvojën e tyre për këtë çështje, ndërkohë që me të drejtë gjithmonë kanë thekësuar se u takon vet shqiptarëve, se si duhet të merren me kët kapitull të historisë së tyre dhe se suksesi në zbardhjen e kësaj historie të zezë, është detyrë e vet shqiptarëve dhe sidomos e klasës politike shqiptare.

Deri më sot, klasa politike shqiptare e periudhës post-komuniste, në përgjithësi, ka dështuar dhe është tepër e vonuar në përballjen serioze me të kaluarën komuniste të vendit, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste. Por, falë punës së Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, është ngjallur shpresa se me hapjen e dosjeve ka filluar diçka e mbarë në zbardhjen e së kaluarës komuniste, megjithse sipas ekspertëve shumë prej dosjeve janë zhdukur gjatë viteve nga protagonistë të ndryshëm. Por për dosjet që kanë mbetur pa u zhdukur, “Për të gjithë këtë dokumentacion kemi detyrim ligjor ta ruajmë, administrojmë, përpunojmë dhe ta vemë në dispozicion të publikut”, ka thënë për DW, drejtuesja e Autoritetit, Gentiana Sula.

Ndërkohë që me të drejtë kemi kritikuar mungesën e veprimtarisë dhe angazhimit serioz të klasës politike post-komuniste shqiptare deri tani në këtë fushë, falënderojmë përfaqësuesit diplomatikë të Berlinit në Tiranë, të cilët e kanë marrë seriozisht përballimin me të kaluarën komuniste në Shqipëri. Duke u bazuar në përvojën gjermane, ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Z. Helmut Hoffman, ka thënë më heret se procesi për ballafaqimin me të kaluarën, në vet vete, nuk është i lehtë: “Përballja me të shkuarën e vështirë nuk është një detyrë e thjeshtë, por ne e dimë gjithashtu se nëse bëhet në mënyrë të frytshme, kjo mund t’i shërbejë njerzëve dhe shoqërisë në tërësi”, është shprehur ai.

Besoj se kjo është forca shtytëse që motivon gjithnjë Ambasadën gjermane dhe kryediplomaten e saj aktuale në Tiranë, Znj. Schütz: se përballimi me të kaluarën sado e frikshme dhe e dhimbshme të jetë, nëqoftse bëhet për së mbari, do t’i shërbejë mbarë shoqërisë shqiptare. Gjermanët nuk po e bëjnë këtë për ndonjë interesi vetjak, por vetëm e vetëm se janë të bindur se duhet bërë diçka më shumë në këtë drejtim për të mirën e vet shqiptarëve, ndërkohë që e dinë nga përvoja e vet se, nga përballimi me të kaluarën, ka përfituar jo vetëm shoqëria gjermane por të gjithë vendet që janë përballur me të kaluarën komuniste dhe naziste.

Është nga ky këndveshtrim gjerman, që Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Znj. Schütz — si përfaqsuese e një vendi mik të shqiptarëve — vazhdon përpjekjet e paraardhësve të saj në atë seli diplomatike, për zbardhjen e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Në vazhdën e ndihmave gjermane në këtë fushë, thuhet se një vit më parë Qeveria Federale e Gjermanisë i vuri në dispozicion Autoritetit të Dosjeve, skanerë dhe lexues mikrofilmash për dixhitalizimin dhe arkivimin e dosjeve të Sigurimit. Ndërkaq, njoftohet se Kryediplomatja gjermane vizitoi këto ditë Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSSH) për të marrë pjesë në një ceremoni me rastin e dhurimit të pajisjeve për mbledhjen e dëshmive gojore.

Gjatë ceremonisë në mjediset e AIDSSH, Kryetarja e këtij enti Znj. Gentiana Sula, përshëdneti ambasadoren gjermane dhe foli për platformën e dëshmive gojore, zërat dhe fytyrat e viktimave e të përndjekurve politikë dhe për rezultatet e arritura deri tani, që synojnë promovimin e vlerave demokratike të drejtësisë, së vërtetës dhe pajtimit, thuhet në portalin e AIDSSH.

Ndërsa Znj. Susanne Schutz, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, mbajti fjalën e rastit për vijimin e projektit të mbledhjes së rrëfimeve të viktimave dhe të mbijetuarve të krimeve të së kaluarës komuniste në Shqipëri.

“Një shtyllë e rëndësishme e trajtimit të historisë tonë ishte dhe është pikërisht forcimi i kulturës së kujtesës, mbi të gjitha nëpërmjet deklaratave të dëshmitarëve të asaj kohe. Viktimat e diktaturës kanë të drejtë të kujtohen. Ne e dimë shumë mirë nga eksperienca jonë si gjermanë, se ky nuk është një proces i lehtë. Unë do të doja të falënderoj të gjithë ata që janë të angazhuar për të çuar përpara këtë dialog në Shqipëri – edhe nëse hapë të vërtetat të dhimbshme”, është shprehur ambasadorja Schütz, sërish sipas portalit të Ambadasës gjermane në Tiranë.

Ambasadorja Schütz vizitoi mjediset e AIDSSH për t’i dorëzuar Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kamera, mikrofona dhe kompjutera me vlerë prej 37.000 Euro. Sipas njoftimit të ambasadës gjermane, dy vitet e ardhëshme, pajisjet e dhuruara do të përdoren për të regjistruar zërin e dëshmitarëve të regjimit të Hoxhës në mbarë vendin, për t’i publikuar më pas në një faqe interneti “Oral History”, në mediat sociale dhe në botime të tjera.

Me rastin e ceremonisë në mjesidet e AIDSSH, Suzanne Schutz, ashtu siç kishin bërë në raste të tjera edhe zyrtarë të tjerë gjermanë para saj, ka vlerësuar rëndësinsë e përballimit me të kaluarën komuniste në Shqipëri, ndërsa është shprehur se, “Unë e di, pak më shumë, sepse jam gjermane, se të merresh me të shkuarën tënde të errët mund të jetë e dhimbshme, por mjaft e rëndësishme për një fillim të ri shoqëror. Shumëkush mund të kishte preferuar t’i vinte kapak së shkuarës, të niste prej zeros dhe kësisoj t’ia linte harresës ҫështje të tilla si përgjegjësia dhe vuajtjet individuale. Ky nuk është një proces i thjeshtë. Bindja ime është që një shoqëri duhet të përballet me të shkuarën, në mënyrë të hapur dhe të sinqertë. Përvoja jonë tregon se vetëm kush njeh të shkuarën e tij dhe përballet me të ka edhe një të ardhme”, ka thënë ajo për radion gjermane Deutsche Welle.

Është e rëndësishme një kulturë aktive e të kujtuarit ka vazhduar ajo për DW duke theksuar se kujtimi dhe prëballja me të kaluarën komuniste është, veçanërisht e rëndësishme për të rinjtë e lindur pas shembjes së komunizmit. “Një kulturë aktive e të kujtuarit është e rëndësishme. Që edhe të rinjtë që nuk e kanë përjetuar vetë regjimin e Hoxhës, t’u mprehet vetëdija se paqja dhe pluralizmi demokratik, toleranca mes njerëzve, të pranuarit e njëri-tjetrit në historinë e Europës nuk kanë qenë – dhe vazhdojnë të mos jenë ende- diҫka e vetëkuptueshme” në Shqipëri, tha Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

E kam thënë edhe përpara, në disa raste kur kam shkruar për këtë subjekt dhe sidomos për ndihmën që kanë dhënë dhe japin diplomatët gjermanë në Tiranë, për t’u përballur me të kaluarën komuniste në Shqipëri, se për të gjithë ata që dëshirojnë një demokraci të vërtetë, mesazhi i qeverisë gjermane, nëpërmjet përfaqsuesve të saj në Tiranë ka qenë dhe është, që elita politike dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi, sa më parë dhe “sa më mirë ta kuptojmë diktaturën aq më mirë formësojmë demokracinë”, për brezat e tashëm dhe për brezat e ardhshëm të kombit shqiptar. Se, siç është shprehur edhe Ambasadorja Schutz këtë javë në Kryeqendrën e AIDSSH në Tiranë, se “Kush përballet me të shkuarën ka edhe një të ardhme”.

Por, unë mendoj se megjithë respektin për punën dhe angazhimin serioz të Gjermanisë dhe diplomatëve të saj në Tiranë bazuar në mbështetjen që Berlini vazhdon të japë në këtë drejtim, duhet të jenë vetë shqiptarët ata që të merren seriozisht me zbardhjen e krimeve të komunizmit, sepse pa u përballur seriozisht dhe sinqerisht me të shkuarën komuniste nuk ka as të ardhme demokratike, siç po e shohim, fatkeqsisht, çdo ditë në jetën politike të vendit.

DANKE SHOEN, DEUTSCHLAND!