E kujtojmë heroin e kombit, Abedin Rexha-SANDOKANIN në 21 vjetorin e rënies

0
810
Abedin Rexha - Sandokani

Zymer Mehani

Tha SANDOKANI

Le t’ma copëtojnë zemrën
Të ma ndajnë në dysh
E t’m’i vërbojnë sytë
Eshtrat le t’m’i thyejnë
Dashurinë ndaj teje
Kurrë s’do mund t’ma shlyejnë

Dhe po të digjem në valë
Po të thyhem dhe në shtatë palë
Qoftë dhe të ngrihem i tëri në dëborë
Prapë do ta dua këtë truall arbëror
(Për ty, nënë Shqipëri)

(***)

Në bust kur të pashë
– Lavdi të qoftë,-të thashë

Për ty më ra një lot
Si dje, edhe sot

Madhështor ishe dje
Sikur sot që je

2
Ti u zgjove
Kur të tjerët flinin

Ti qëndrove
Kur të tjerët iknin

O trim Arbërie
Meteor lirie

3
Kur ike ti
Qiellit i mungoi kaltërsia
E lapsit tim vargu
Dhe kitarës iu këput një tel
Melodi pa nota në pentagram

Ti kur ike
Maleve kryelarta u humbi freskia
Lumenjtë e kësaj toke
Rridhnin me turbullimë
Ngjyrat e ylberit krejt u tretën
Gjithkah mot i trazuar, me stuhi e suferinë

Ti kur ike, o trim, nga muri ra një gur
E gjaku që derdhe u ngjit në flamur

4
Të mori dallga
U bëre shkumbë

Të mori vala
U bëra lumë

Të mori qielli
U bëre ylber

Të mori ngurtësia
U bëre mermer

Të mori fusha
U bëre lulëkuqe

Të mori kopshti
U bëre burbuqe

Të mori pranvera
U bëre lastar

Të mori etja
U bëre ujëvarë

Të mori vala
U bëre gurrë

Të mori shqipja
U bëre flamur

5
Emri yt i vlefshëm
Sa një dashuri

I çmueshëm, plot vlerë
Sa një betim

Plagë e trazuar
Sa një dhembje

Simfoni e ndërprerë
Jotja jetë

Zemër e madhe
Shqipe me dy krerë

Stërnip Ilirie
Mall atdhesie

6
Sandokan, vëlla
Zgjohu……

Nga prehri i dhembjes sonë
Zgjohu…

Nga shtrati i pacak
Zgjohu…..
He, burrë i fjalës
Dhe i besës
Se Kosova
Me shtat të plagosur
Me zë të lartë
Të thërret:
-Zgjohu, biri im
Ti, o trim me fletë
Zgjohu, Shqipe mali
Shpirti yt m’jep jetë

Kosova kreshnike
Me zë të lartë të thotë:
-Zgjohu, Sandokan
Se veç ti m’del zot
Dje, sot, jetë dhe mot
Të pastë nëna, bir
Lule xhevahir

7
Telat e harpës sime
U këputën nga erërat
Kur re ti, o trim

Bebëzat e syve të mi
I verboi tehu i stuhisë
Ti kur re, vëlla

Gishtërinjtë e duarve të mia
I preu thika e lemerisë
Kur ti re, hero

Dridhen telat deri në dhembje
Tradhtia paska goditje për shembje
O dëshmori ynë

Mbi ballë më qëndron e nderë
Nata e vështirë-skëterrë
O bir atdhetar


Dy poezi

Sandokanit dhe Ylfetes

I

Ai iku në përjetësi…
Nga Llapi
Një tufë me poezi
Poeti ia thuri
Nga Besiana u nis
Me vargje vargani
Për trimëri t’ SANDOKANIT-
Bashkëluftëtar e vëlla
I Adem legjendarit
Fjalë dhe Besë
I la në Flamur…
Shkruar kuq e zi:
– Të falem nënë Shqipëri!

II

Mos ia preni gërshetat
Se ëndrrat mitare
me to kishte thurur
Trimja e papërkulur
Dhe emri LIRI
Kurdel kuq e zi
Në të sajin ballë
Ndrit si llambadar
Mos ia këputni gëzimin
Se lulëkuqja e Llapit
S’pranveron pa gëzim
Gjak i kombit tim
Mos ia vritni qiellin
Se Shqipja e Flamurit
Don flatrim të lirë
Nuk duron zinxhirë
Mos u mundoni kot
Se Ylfetes trime
S’mund t’ia vritni shpresën
Guximin as besën