EKSPOZITË E DAN GASHIT NË BADEN-BADEN

0
1090

Piktori Dan Gashi, miku i mirë i Presidentit Rugova

IDRIZ ZEQIRAJ

Dan Gashi u lind në vitin 1947, në Ujz – Gjakovë. Mësimin fillestar dhe të mesëm i mbaroi në Vendlindje. Në vitin 1969 emigron në Erlangen, Gjermani. Atje fillon mësimin e gjuhës vendore. Fillimisht punon në Erba-Erlangen, më vonë në Ndërmarrjen botuese “Pestalozzi Verla”, në Erlangen. Natyra e punës e joshë më shumë me letërsinë dhe pikturën. Përveç bashkatdhetarëve, ai takon dhe miqësohet edhe me veprimtarë gjermanë të kulturës dhe të artit. Bëhet pjesë e aktiviteteve kulturore e sportive. Viti 1973 shënon kohën kur ai i qaset me seriozitet pikturës dhe poezisë, sepse këto dy zhanre të artit i afron frymëzimi, ndjesia e hollë për jetën, natyrën. Koleksioni i dorëshkrimeve të kohës, janë tregues vetëfolës i punës së begatë krijuese të Dan Gashit.

Dan Gashi transferohet, për të punuar dhe jetuar, në qytetin e bukur e piktoresk, Baden-Baden, Gjermani. Fillon punën e re në Damler-Benz. Në vitet `70-80-a, aktivizohet në grupe folklorike kombëtare, duke u paraqitur, suksesshëm, në skenat e disa qyteteve në Gjermani, Francë e Zvicër. Përgjatë viteve `8O-90-a, angazhohet me përkushtim në çështjen kombëtare. Organizimi për ta ndihmuar Kosovën, begatimi i fondeve, për mbijetësë të popullit të Kosovës, janë pjesë e veprimtarisë të piktorit, poetit dhe njeriut të mirë Dan Gashit. Zgjedhja e tij në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për Nëndegën e Republikës të Baden-Würtemberg-ut, shton obligimet dhe angazhimet e tij organizative në nivel Gjermanie. Me atdhedashurinë e lindur dhe vullnetin e madh, Dan Gashi shkëlqeu në përgjegjësinë e tij. Ai ishte mik i mirë i Presidentit Rugova, e takonte pa protokoll dhe kontribuoi edhe materialisht, për akomodimin e Tij në Evropë.

Dan Gashi ka respektuar fort punën e kualifikuar, profesonale në firmën elitë, siç ishte “Damler-Benz”, që ne e shqipërojmë – Firma Mercedes -. Që andej edhe është pensionuar. Duke qenë shumë i vyeshëm dhe familjar i mirë, ai ka ka qenë racional në shfrytëzimin e kohës. Të paktën, tridhjetë vjetë ka pasur veprimtari aktive për çështjen tonë kombëtare, që, gjithësesi, ka pasur koston e vet në kohë. Piktura, poezia dhe sporti i Karatesë, kanë qenë pjesë e jetës së tij. Është nderuar me disa çmime për sportin luftarak të Karatesë.

Sportisti, Poeti dhe Piktori, Dan Gashi

Krijimet poetike i ka botuar në tri gjuhë: shqip, gjermanisht dhe rumanisht. Studjuesi dhe botuesi i suksesshëm, Baki Ymeri, vazhdues i denjë i Rilindasëve të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, është përkthyes i veprës poetike të Dan Gashit. Krijimet e tij, qofshin poetike, apo në pikturë, kanë individualitet të spikatur. Ai krijoi një model origjinal krijues, duke harmonizuar filozofinë krijuese të traditës, me atë bashkëkohore. Si në art, ashtu edhe në jetën e përditshme, qoftë familjare apo shoqërore, ai është sa tradicional, aq edhe modern, i integruar, në mënyrën më të mirë të mundshme, në shoqërinë gjermane. Dhe, kjo është diçka e rrallë, në mos unike, për moshën, brezin e tij, me peshën e 70 viteve.

Dan Gashi është anëtar, madje, në Kryesinë e Shoqatës “Kunst Zeit” (Koha e Artit), me qendër në qytetin e piktoresk Baden-Baden. Kjo është një Shoqatë e organizuar artistike dhe vepron mbi bazën e një plan-programi vjetor dhe afatgjatë. Galeria e saj është përzgjedhur “ACURA Klinik”, (Spitali Rehabilitues), hollet e tij, në katin e parë dhe të dytë. Përgjatë vitit Shoqata e piktorëve organizon 4 (katër) ekspozita, duke qendruar të hapura, gjegjësisht, të ekspozuara, secila nga tre muaj. Është një kontratë, një mirëkuptim afatgjatë në relacionin Shoqata e Piktorëve “Kunst Zeit” dhe “ACURA Klinik”, në Baden-Baden. Këtu janë banjot termale reumatike, më të njohura në Gjermani dhe jashtë saj. Dikur, njiheshin me emrin “Romische-Irische Bad”, ndërsa, sot” quhen “Karakalla Bad”. Andaj, vizitat turistike janë të shumta, masive.

Piktori dhe poeti Dan Gashi ka një veprimtari krijuese artistike gjysmë-shekullore. Gjatë kësaj kohe ka realizuar 80 ekspozita, si në Gjemani, Shqipëri, Kosovë, Moskë, Egjypt dhe gjetkë. Në pikturat e tij dominon peisazhi, natyra, qoftë nga vendlindja Kosovë, Shqipëria, por, edhe nga vende tjera, ku piktori është mrekulluar nga pamje magjepse, duke i hedhur në panel. Ekspozita e radhës është kjo e hapur në Baden-Baden, ku ishin ekspozuar 50 piktura dhe do të qendrojë e hapur për tre muaj. Në hapje morën pjesë përfaqësuesit e Shoqatës të Piktorëve “Kunst Zeit”, miq e dashamirë, familjarë të piktorit, artdashës, pacientët e Spitalit Rehabilitues dhe të tjerë.

Nga e djathta: Dan Gashi, Anette Setzler-Bändel, Neki Lulaj, Idriz Zeqiraj

Në hapje të Ekspozitës, fjalën e rastit e mbajti zonja Anette Setzler-Bändel, udhëheqëse e Qendrës Spitalore “ACURA”, në Baden-Baden: “Në emër të “ACURA-Klinik”, stafit ushëheqës dhe pacientëve tanë, ju përshëndes përzemërsisht, për ardhjen tuaj në Ekspozitën tonë “Arti bashkon Popujt”, të piktorit Dan Gashi.

Ky titull i Ekspozitës është programi i i tij. I lindur në Kosovë, i ardhur në Gjermani afër 50 vjet më parë, vazhdon t`i ekspozojë pikturat e tij brenda dhe jashtë Gjermanisë. Ai ka ekspozuar pikturat, artin pamor, jo vetëm në Vendlindje, por, në shumë vende, deri edhe në Moskë, në mjedise ekstravagante, si për shembull në Ambasadën e Republikës të Kosovës në Berlin dhe është nderuar me shumë çmime e mirënjohje.

Danin unë njoh që disa vite, të dy jemi në Shoqatën “Kunst Zeit”, në Baden-Baden, ku ai është anëtar i Kryesisë. Kështu që, gëzohem për pikturat-peisazhe të tij, të cilat zbukurojnë muret e “ACURA-KLINIK”, (Spitalit Rehabilitues), për tre muaj radhazi.

Në filim të viteve `70-a filloi të vjershërojë dhe të vizatojë. E filloi me artin e së bukurës, për të arritur ke bëmirësia, kur gjatë luftës në Kosovë, u pëkujdes për bashkatdhetarët e tij refugjatë masiv.

Veçanërisht më ka rënë në sy se disa nga pikturat e Ekspozitës, nuk kanë emra. Për mendimin tim, është e panevojshme, sepse bukuria e peisazheve flet vet: ndonjëherë me diell, ndonjëherë të mbuluar nga retë, herë hanë-plotë natën. Më duket sikur sodis natyrën nga dritarja, kur kaloj çdo ditë pranë pikturave të Danit.

Të uroj suksese për Ekspozitën tënde, e cila do të vazhdojë të jetë e hapur për vizitorët. Dhe, ju falenderoj të gjithëve, për ardhjen dhe vëmendjen. Dua ta falenderoj edhe burrin tim, Andreas Bändel, i cili, me dëshirën e Danit, ka marrë përsipër argëtimin muzokor, në hapje të kësaj Ekspozite dhe më 14 mars do ta mbajë një koncert, pikërisht, këtu, në mjediset e kësaj Pushimoreje-Rehabilituese, në nderim të veprimtarisë krijuese artistike të piktorit të talentuar, Dan Gashit.

Nëse keni dëshirë ta bleni ndonjë pikturë, kjo bëhet ke unë, nga e hëna deri të premtën, prej orës 8.oo deri 15.oo. Dhe, tani, pini nga një gotë, të sponzorizuar nga “ACURA” dhe shijoni ushqimet, që ka sjell artisti poet dhe piktor, Dan Gashi.

Ju uroj një mbremje të bukur dhe ju falemnderit shumë”,- e përmbylli fjalën e saj, të ëmbël dhe pëmbajtësore, udhëheqësja e Pushimores Rehabilituese, në Baden-Baden të Landit Baden-Würtemberg të Gjermanisë, Anette Setzler-Bändel.

Pjesëmarrësit i shikuan një nga një të 50 eksponatet e pikturave. Vendorët dhe pacientët kërkonin shpjegim nga autori për motivin, vendin dhe domëthënien e pikturave të veçanta. Piktor Gashi sqaronte modestisht, duke e ruajtur sensin e masës, i pakët në fjalë, por, i qartë në mendime, shpjegime. Një koktej i përgaditur nga Spitali dhe Autori i Ekspozitës, u shtrua në lokalin e hapur hotelier, në hollin ku ishin ekspozuar edhe pikturat.

Foto – kujtim nga një grup vizitorësh të Ekspoziës

Poeti i angazhuar, jo vetën në krijimtari poetike, por edhe në veprimtaritë e shumta kulturore të Mërgatës, Neki Lulaj, kishte ardhur së bashku me bashkëshortën, Fetaneten. Në emër të vizitorëve, ai përgëzoi Shoqatën e Piktorëve “Kunst Zeit” dhe piktorin e mirëmjohur, Dan Gashin, për organizimin e kësaj Ekspozite të mrekullueshme: “Kjo Ekspozitë e hapur sot, në 12 vjetorin e shuarjes fizike të Presidentit Ibrahim Rugova, 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe 500 vjetorin e vdekjes të Skënderbeut, të nderuar pjesëmarrës, Dan Gashi, me 50 pikturat e tij, ka shkrirë artin e shpirtit pamor dhe muzën poetike, e cila qenka mishëruar me piktorin, si mishi me kockën.

Andaj, po mburremi të gjithë, edhe ju, familjarët, me njeriun e palodhur, i cili depërtoi në kulturën gjermane, që sot e tre muaj më pas, kjo galeri të jetë e prezantuar për vizitorët shqiptarë, gjermanë dhe të nacionaliteteve tjera artdashëse, të cilët ndajnë kohë dhe ushqejnë shpirtin e tyre, me pikturat e bukura. Kjo na bënë nder ne, të gjithë popullit shqiptar dhe kulturës tonë.

Prandaj, të gjithë ne, së bashku, prindit tuaj dhe mikut tonë, t`i urojmë shëndet dhe punë të palodhur, si dhe mbarësi në jetë. Falenderoj nga zemra veprimtarin e palodhur Idriz Zeqiraj, i cili ka ndarë kohën dhe nga Mynihu i largët erdhi në Baden-Baden, që kësaj Ekspozite, këtij manifestimi kulturor, t`i japë sharmin artistik të tabanit kombëtar.

Piktori Dan Gashi ka në plan, që, në të ardhmen, të hapë një ekspozitë të Bukuresht, atje ku dikur jetoi Asdreni, Mitrush Kuteli, Noli, Viktor Eftimiu, Elena Gjika, Naum Veqilharxhi dhe ku u botuan, për herë të parë veprat e Naimit. Në Bukuresht ku jetuan edhe shumë atdhetarë korçarë, ku në nëntor të vitit 1912, fjeti Noli, në hotel “Kontinental”, ku ishin edhe 200 mysafirë, me ç`rast shqiptarët e Kolonisë të Bukureshtit mblodhën ndihma për Pavarësinë e Shqipërisë.

Edhe një herë, ju falenderoj nga zemra, në fund të këtij evenimenti kulturor”, – tha poeti Neki Lulaj, nënkryetar i Shoqatës të Krijuesëve Shqiptarë në Gjermani.

Çifti Fetanet e Neki Lulaj, sipër në pikturë – fshati Ujz i autorit Dan Gashit

Piktori Dan Gashi ende jeton në Baden-Baden me bashkëshortën Fazën, vajzat: Donika, Laura, Enisa, Janina dhe djalin e vetëm, sugarin Jonin, 13 vjeçar, i cili, asaj mbremje shoqërohej nga tezja Hatë e tij e shumëdashur.

Ekspozita e Dan Gashit vazhdon të frekuentohet nga vizitorë shqiptarë, gjermanë dhe nacionalitete të tjera në Baden-Baden dhe më gjerë. Jehona, interesimi për këtë ngjarje kulturore, vijon. Të paktën, deri tani, tri gazeta gjermane kanë shkruar dhe vlerësuar pozitivisht Ekspozitën, si një ngjarje të shënuar kulturore, në qytetin e Baden-Badenit.

Zotëri Andreas Bändel, me Kitaren e tij melodioze dhe zërin burrëror, këndoi disa këngë folklorike burimore gjermane, duke i dhënë sharm e hijeshi të veçantë, kësaj ngjarje kulturore-artistike.