Ende me fabrikime e paragjykime për emigrantët shqiptarë?!

0
593

Nga Ndue MALAJ

Ka njëzet e shtatë vjet që krahas magjisë së mikpritjes dhe dyerve e zemrave të hapura për shqiptarët që morën rrugët e botës për një jetë më të mirë, kontinenti i vjetër rezervon dhe paragjykime, që prodhojnë shtrëngime e kriza për emigrantët shqiptarë në botë.

Ende nuk po mbaron kalvari absurd mbi shqiptarët e ndershëm në emigriacion, që për shkak të delikteve e krimeve të një pjese të vogël të bashkëkombasve të tyre, penalizohen në mënyra nga më të çuditshmet dhe askush nuk i mbron.

Enea Qerozi është një nga mijëra refugjatët shqiptarë, të cilët janë detyruar të braktisin atdheun e tyre, familjen e të afërmit në kërkim të një jete më të mirë. Në mes të kësaj turme që të kujton eksodet biblike ka shumë si Enea të cilët janë larguar nga vendi i tyre jo vetëm për të iu larguar varfërisë e mjerimit, por në radhë të parë për të garantuar jetën një e drejtë hyjnore e cila në Shqipëri nuk mund të garantohet.

Ngjarjet e muajit të fundit të shoqëruara me vrasje mafioze,djegie makinash e biznesesh të cilat nuk janë zbuluar, tregojnë se në Shqipëri ligjin e bëjnë bandat dhe mafia. Janë ekzekutuar dëshmitarë të mbrojtur nga shteti, biznesmenë e figura të rëndësishme publike e sëfundmi është sulmuar barbarisht me kallashnikov shtëpia e gazetares Klodiana Lala.

Enea Qerozi është larguar jashtë Shqipërisë pikërisht nga frika dhe siguria për jetën. Ai “akuzohet” se në Prillë 2015 paska “shkuar” në Stamboll me një grup të rinjësh shqiptar të rekrutuar nga organizatat ekstremiste islamike dhe prej aty ka shkuar drejt e në Siri për të luftuar në rradhët e ISIS! Kjo akuzë e përbindshme e krejt e pabazë nuk ka pse të rëndojë mbi kurrizin e Eneas, një djalë fisnik, paqedashës e tepër korrekt në marrdhënie me komunitetin.

Enea nuk i ka parë kurrë as Stambollin e as Sirinë dhe aq më pak luftëtarët me hanxhar e flamur të zi të ISIS.Ai u largua në momentin që u gjend i vrarë i njohuri i tij Ervin Hasanaj për të cilin thuhet se ashtu si Enea nuk pranoi të rekrutohet në organizatat famëkeqe terroriste.

Një nga parimet më të rëndësishme të humanizmit dhe të së drejtës ndërkombëtare është ai i mikpritjes e i mbrojtjes së çdo njeriu të cilit në vendin e tij të origjinës i rrezikohet jeta. Kjo e drejtë e shejntë është e sanksionuar në kartën e OKB-së në vitin 1948 dhe në kartën europiane të të drejtave të njeriut. Enea duhet të lirohet nga akuzat e pabaza, t’i sigurohet punë, mbrojtje e një jetë normale në vendin në të cilin ndodhet.

Lëvizja e lirë është në themel të parimeve e të filozofisë mbi të cilin është ngritur dhe funksionon BE! Ai duhet mbrojtur e përkrahur sepse drejtësia dhe humanizmi janë parime bazë të civilizimit të saj. Përvoja e hidhur e tragjike ku dhjetëra persona të cilëve u është rrezikuar jeta dhe kanë kërkuar mbrojtje janë rikthyer në Shqipëri padrejtësisht dhe kanë gjetur vdekjen, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë!