ETIKË KOMUNIKUESE “PROFESIONALE” !

0
709

AV. XHABIR ZEJNUNI

Rastësisht, lexova një replikë (të detyruar!) të Avokatit Romeo Kara (5 shtator 2018) me Izet Haxhinë.

Avokati Romeo, “pasi u mbush kupa” (dhe u derdh!), i drejtohet me fraza denigruese ish klientit të tij Izet Haxhia dhe të fejuarës së tij virtuale Erjona Parruca Mourlon. Ai zbulon disa informacione, që kanë lidhje me ecurinë proçesuale të Izet Haxhisë dhe rrëfen se në fillim “Vlerësimet për Izetin m’u rritën kur ai u pendua publikisht për çfarë ai kishte bërë përgjatë kohës që i shërbente Berishës”. Më tej, sipas Avokat Romeos, marrim vesh se pasi “Izeti erdhi vetë për t’u përballur me Berishën”, ai ju lut atij se “Unë po dorëzohem, por të lutem komuniko me median”. Ky fakt, e shtyu Avokat Romeon të “Mendojë se Izeti qenka më trim dhe më i drejte se unë, sepse dorëzohet vetë dhe nuk ka asnjë gjynah”.

Deri këtu, çdo gjë në rregull. Por, surpriza vjen më pas kur Avokati Romeo shton se “Izet Parruca Mourlon është arrestuar në një lokal në Kusadasi, dhe pikerisht aty ku është arrestuar dhe herën e parë. Pra, Ky trimi shqiptaro-anadollo-francez na gënjeu të gjithëve duke na thënë se është vetëdorëzuar”.

Këtu marrim vesh se Izet Haxhia paska edhe një mbiemër të dytë: Mourlon! Por, marrim vesh për herë të parë edhe se Izet Haxhia nuk qenka dorëzuar vetë, por e kanë arrestuar dhe më pas e kanë ekstraduar në Shqipëri!

Në sajë të këtij mashtrimi, për fat të keq Avokat Romeoja na qenka “Angazhuar maksimalisht në media, që së pari të sigurohej mbrojta e jetës së Izetit, dhe së dyti rihapja e proçesit të tij”.

Më tej, Avokati Romeo sqaron se “Izeti nëpërmjet të dashurës së tij virtuale, na ofendoi duke kërkuar largimin tonë”. Ky fakt kaq tragjik, shënon edhe thyerjen e madhe mes Avokat Romeos dhe Izet Haxhisë dhe si rrjedhojë reagimin jashtë etikës komunikuese dhe profesionale të Avokat Romeos ndaj Izet Haxhisë.

Në gjithë botën e civilizuar, kushdo person që i nështrohet një hetimi apo proçesi gjyqësor, ka të drejtë të kërkojë me ligj një avokat mbrojtës, që ai e sheh më të përshtatshëm për mbrojtjen e tij. Po ashtu, i asistuari ka të drejtë edhe t’i revokojë mandatin avokatit të tij, duke i shpjeguar atij (ose jo!) arsyet e këtij revokimi. Por, ky revokim nuk duhet të sjellë që avokati mbrojtës të ofendohet apo revoltohet deri në atë pikë, aq sa ai të sulmojë ish klientin e tij, duke publikuar të dhëna të tilla, të cilat mund të kompromentojnë apo tjetërsojnë në dëm të tij ecurinë proçesuale hetimore dhe gjyqësore. Ashtu siç bëri edhe Avokati Romeo, i cili publikoi disa të dhëna në lidhje me proçesin Haxhia. Pak rëndësi ka pastaj nëse ato të dhëna kanë qenë më parë publike, apo jo! Shtrohet pyetja: “E nëse nuk do i ishte revokuar mandati Avokat Romeos, cili do ishte reagimi i tij”?

“Ligji për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë” Nr. 9109, i datës 17.07.2003 (i ndryshuar me Ligjin Nr. 91/2012, datë 27.09.2012), në nenin 14 disponon se “Nëse personi, që përfiton ndihmën juridike nga avokati, vendos të zgjidhë kontratën përpara përfundimit të cështjes ose shërbimit, avokati ka të drejtën të kërkojë shpërblimin për punën e kryer”. Në rastin në fjalë, Avokati Romeo do kishte të drejtë që të kërkonte nga ish klienti i tij, shpërbilimin për punën e kryer deri në momentin e revokimit të mandatit. Por, jo që ai ta përgojonte këtë revokim publikisht.

“Ligji për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë” dhe “Kodi Etik i Avokatit”, përkufizojnë qartë detyrat, detyrimet, por dhe kufizimet e avokatit në ushtrimin e funksionit të tij.

Pyetjet retorike që bën Avokati Romeo më pas, e rëndojnë shumë pozitën proçesuale të ish klientit të tij. Izet Haxhia i ka revokuar mandatin edhe më parë avoketërvë të tij, por nuk rezulton që ish avoketërit e tij të revokuar (ose ofenduar!) ta kenë bërë problem në publik këtë revokim.

Më pas, Avokati Romeo informon në lidhje me problemet private familjare të ish klientit të tij, të cilat askujtë nuk i takon që t’i gjykojë apo paragjykojë.

Po ashtu, Avokati Romeo rrëfen për polemikën që ata të dy kanë pasur në lidhje me historitë paraprake familjare.

Të sulmosh ashpër publikisht një person, i cili ndodhet pas hekurave të burgut dhe që kontaktin me botën e jashtme e bën vetëm me anë të profilit të tij në FB, profil që menaxhohet nga një person që nuk dihet akoma se kush është në të vërtetë dhe se çfarë interesash apo qëllimesh ka ai, tregon se etika komunikuese dhe profesionale ndodhet në nivele të mjerueshme.

Por, këtu lind edhe një problem tjetër. Kush është i sigurtë se edhe pse shkruhet nga profili FB i Izet Haxhisë, nëse shkruan ai apo personi i deleguar nga ai. Dhe nëse shkruan personi i deleguar prej Izet Haxhisë, ky person shkruan në emër dhe për llogari të Izet Haxhisë, apo të vetin(…)!

Mos do kishte qenë më mirë nëse kjo polemikë nuk do bëhej publike, por të diskutohej mes të dy zotërinjve privatisht. Pavarësisht nëse shkaku mund të ketë qenë Izet Haxhia në këtë mes apo jo, Avokati Romeo nuk kishte pse të bënte publike këtë problem nga ana private dhe profesionale.

Aq më shumë len një shije të keqe ky fakt, po të merret parasysh performanca dhe guximi i lavdërueshëm profesional i Avokat Romeos në proçese të tjera, që tashmë janë të njohura kudo.

Kur një avokat mbrojtës kthehet në avokat sulmues ndaj ish klientit të tij, atëherë këtu ka diçka (apo më shumë!) që nuk shkon!