Faktet/ Feja dhe statistikat fetare në Shqipëri

1
2653
Dija, jo fetë

Pjesa më e madhe shqiptarëve sot në Shqipëri i përkasin një konglomerati jo-fetar dhe ateist, që kap rreth 75% të popullsisë.

Historiku i shkurtër

Në lashtësi duke filluar që me pellazgët e mes ilirëve deri në krijimin e Bizantit nga Konstandini i Madh, dy kultet kryesore të adhurimit të natyrës kanë qenë Kulti i Gjarprit dhe Kulti i Diellit. Me vendosjen dhunshme të kristianizmit si fe të regjimit arrijmë në mesjetë, vitet 1300-1400, kur gjysma e popullsisë së Arbrit ishte ende pagane , ndërsa gjysma tjetër ndahej, sipas terminologjisë venedikase, mes latinëve (katolikëve) dhe skizmatikëve (ortodoksëve).

Paganizmi burimor dhe kristianizmi i importuar u gjendën atëbotë përballë zëvendësimit të udhëheqjes kristiane armeno-siriane të Bizantit, me udhëheqjen dhe fenë e re myslimane turko-arabe që vinte të zgjaste sundimin e Azisë në Ballkan dhe 500 vjet të tjera. Jo më kot dhe populli e quajti ushtrinë turke si ushtri bizantine, pasi nuk shihej ndonjë dallim mes tyre. Vlen të theksohet dhe se në mesjetë myslimanizmi konsiderohej nga bizantinët si herezi kristiane.

Sundimi fetar bizantino-osman do të përfundojë zyrtarisht për ne në vitin 1912 me shpalljen e pavarësisë duke sjellë në pah një popullsi pagane, kristiane e myslimane në Shqipëri. Këtu fillon dhe puna e shtetit modern shqiptar, që jo rastësisht, duke nisur që me përpjekjet e Rilindjes mishëruar në shprehjen e mirënjohur të Pashko Vasës, që prej 1912 ka punuar për dobësimin e feve dhe shfetarizimin e vendit duke i identifikuar fetë aziatike si importe të padëshiruara kulturore. Qëndrimet e Nolit me jehonën e shumë intelektualëve të tjerë për pavarësimin e institucioneve fetare nga Stambolli, Fanari e Vatikani, me ngritjen e shtetit modern do të bëhen realitet.

Programi i qeverisë së Zogut është ai që për herë të parë mes të tjerash bënte fjalë dhe për “reforma fetare”. Por ç’ishin këto reforma?

Në 1923 me drejtimin e qeverisë mblidhet në Tiranë Kongresi i Myslimanëve Shqiptarë ku vendoset asgjë më pak se: shkëputja nga Kalifati, heqja e ferexhesë, kryerja e lutjes në këmbë dhe abrogimi i poligamisë, pra një çmyslimanizim i myslimanizmit, zhveshje nga thelbi i vet ritual. Në vazhdim më 1929 qeveria e shpall Kishën Ortodokse Shqiptare si autoqefale, gjë që ratifikohet nga Patriarkana vetëm pas 8 vjet mallkimesh e anatemash, në vitin 1937. Ndërkohë, po në këtë periudhë, do të kryhet dhe i vetmi census mbi përkatësinë fetare të popullsisë në Shqipëri. Është viti 1930, kur, duke ripohuar “statistikat” e administratës turke, me vetëm tre opsione të mundshme në mënyrë konvencionale popullsia e asaj kohe do të caktohet si 70% myslimane (sunitë dhe bektashinj) dhe 30% kristiane (ortodoksë 20% dhe katolikë 10%), duke kapur një numër 100% besimtarësh! Këto numra janë dhe numrat përgjegjëse për propagandën e sotme fetare. Në shtetin e Zogut do të shënohen dhe përplasjet e para midis dëshirës për pushtet të klerit dhe fuqisë së vetë shtetit që për ballafaqim do të zbatojë kombëtarizimin e tyre.

Rruga e shkelur nga qeveria e Zogut do të arrijë në ekstrem me vendosjen e diktaturës duke dhënë sot një shumicë dërrmuese jo-fetare brenda shtetit shqiptar. Reforma agrare e gushtit 1945, shtetëzon krejt 2169 kishat, xhamitë e teqetë e vendit duke i kthyer në qendra kulture për rininë. Priftërinjtë dhe hoxhallarët shtrëngohen të braktisin të “kaluarën e tyre parazitare”, dhe rreth 200 prej tyre do të burgosen e internohen madje dhjetëra do të vriten. Ateizmi militant i shfytyruar nga totalitarizmi komunist arrin në antiteizmën ekstrem shtetëror për herë të parë në histori. Në vitin 1967 nga radhët e rinisë nis shembja e objekteve të kultit, duke lënë në këmbë vetëm ato me vlerë historike, dhe Shqipëria shpallet zyrtarisht shteti i parë ateist në botë. Që prej atij çasti ushtrimi i fesë do të ndalohet me ligj.

Me zhbërjen e feve semite, kjo diktaturë ndihmoi jo pak dhe në zhdukjen e disa pjesëve të traditës burimore pagane shqiptare, pasi fetë, me përjashtim të sunitëve, në pamundësi për të çrrënjosur paganizmin, kishin trupëzuar mjaft elemente të theksuara pagane në ritet e tyre, si festat, praktikat, apo p.sh. dhe pelegrinazhi drejt vendeve ku më parë zhvillohej Kulti pagan i Diellit, mbi apo në të cilat ishin ndërtuar qëllimisht kisha e teqe. Popullsia vazhdon të këmbëngulë dhe sot në vizitën e këtyre vendeve të stërlashta të kultit diellor, që qoftë nga injoranca, qoftë nga synime të tjera kanë nisur sërish të keqinterpretohen nga neofetarët. Sidoqoftë vlen këtu të përmendet rrethi i Elbasanit për ruajtjen e vendosur të festivalit pagan të Ditës së Verës, më datë 14 mars, që tashmë është shpallur dhe festë kombëtare në Shqipëri.

Gjendja sot

Sot Shqipëria është shtet pa fe zyrtare dhe me liri besimi të garantuar me kushtetutë. Dy besimet semite (myslimanizmi dhe kristianizmi) me katër sektet e tyre (bektashizmin, sunizmin, ortodoksizmin dhe katolicizmin) kanë festa fetare të caktuara si festa kombëtare për shkak të prezencës historike në vend. Arsimi publik është jofetar dhe indoktrinimi fetar në to ndalohet me ligj. Në dallim nga shumë vende të tjera feja në Shqipëri nuk përfshihet si lëndë mësimore. Sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të Shtetit në vend ka 14 shkolla private fetare me 2600 studentë. Që prej 1991 shënohet një ardhje e madhe misionarësh kristianë nga SHBA e cila filloi të dobësohej pas trazirave në vend në 1997. Bashkë me ta vijnë dhe misionarë myslimanë nga Arabia Saudite. Në vitin 2002 do të shënohen 31 shoqata kristiane, që përfaqësojnë 45 organizma të ndryshme dhe 17 shoqata e grupe islamike. Qershia në tortën fetare janë dhe 500-600 misionarë të pavarur fesh të ndryshme.

Pas 50 vjet ateizmi formal dhe informal në vitin 1992 të dhënat japin një pamje popullsie me 74% jo-fetarë. Pas vitit 1993 e deri në 2004 sipas sondazheve të të huajve në vend rreth 50-65% e shqiptarëve deklarohen po ashtu jo-fetarë. Në vitet 2005-2006 vlerësimet konkretizohen sërish tek 72%-75% jo-fetarë.

Propaganda fetare

Institucionet fetare në Shqipëri dhe vegla të ndryshme të tyre në instanca shtetërore, gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve kanë propaganduar majtas e djathtas statistikat e vitit 1930 duke i marrë si të mirëqena me marrëveshje, saqë është kthyer në shabllon deklarimi i rremë se Shqipëria ka 70% myslimanë (qëllimshëm pa caktuar dhe përqindjen në bektashinj dhe sunitë) dhe 30% kristianë (20% ortodoksë, 10% katolikë). Problemi kryesor i karakterit matematik me këto “statistika” është se tregojnë dhe popullsi 100% besimtare, gjë që është të paktën komike. Neomyslimanë të caktuar, në pozicione kyçe shtetërore, pa marrë pëlqimin e popullit, e radhitën Shqipërinë në Konferencën Islamike në vitin 1992, një lajm që ra si bombë atyre ditëve në Shqipëri, por që u hesht e ëmbëlsua me subvencionime të majme arabo-saudite.

Që prej vitit 1993 në Shqipëri veprojnë dy fraksione të rrezikshme asimilimi, fraksioni ortodoks nga Greqia dhe fraksioni islamik nga Arabia Saudite i cili në Kosovë dhe Maqedoni ka marrë dhe variantin ekstrem vehabist. Duke shfrytëzuar varfërinë në zona të ndryshme të vendit janë ndërtuar pa kriter kisha ortodokse dhe xhami sunite në vende ku rëndom nuk ka as besimtarë dhe të cilat as nuk frekuentohen as nuk pasqyrojnë realitetin. Për shkak të këtyre lëvizjeve të njëanshme dhe tendencioze ka patur dhe incidente kundër bektashinjve nga shtetas jo-shqiptarë. Zonat rurale u pushtuan për rreth 6 vjet me program të hollësishëm për larjen e trurit të fëmijve parashkollorë dhe indoktrinimin e tyre në myslimanizëm. Të gjitha këto lejoheshin nga shteti, por fatkeqësisht dhe nga prindërit injorantë të këtyre fëmijëve. Megjithatë për shkaqe të mirënjohura dhe për arsye pragmatizmi numri i ateistëve dhe jofetarëve ndonëse pati një rënie sidomos në vitet e para pas diktaturës është normalizuar sërish pak a shumë në të njëjtat nivele.

Vlerësimet sot janë se rreth 25% e popullsisë janë fetarë prej të cilëve myslimanët dhe kristianët ndajnë afërsisht të njëjtat përqindje, me numër “fetarësh të vërtetë” tek 4-5%, por ku janë më të dukshëm kristianët ortodoksë dhe myslimanët sunitë.

Duhet përmendur fakti se ky realitet i cili mund të konstatohet mjaft lehtë nëse jeton në Shqipëri, luftohet nga dy degëzimet e mësipërme asimiluese po aq fort sa dhe serbët e grekët nëpër shtyp dhe internet. Qëllimi për të dy palët është i një karakteri të ndryshëm propagandistik, por me zbatim të njëjtë. Për përhapjen e mitit ka ndihmuar fuqishëm dhe injoranca dhe papërgjegjësia e gazetarëve vendas dhe atyre të huaj, ku këta të fundit sa herë që përmendin Shqipërinë i bashkëngjisin pa të keq dhe epitetin “myslimane” apo togun “shumicë myslimane”. Këto ndodhin kur Ministria e Jashtme dhe përfaqësitë e shtetit shqiptar në dhé të huaj nuk ndërmarrin asnjë veprim për ruajtjen dhe paraqitjen e saktë të imazhit të vendit, saqë gjithsecili mund të thotë ç’të dojë pa asnjë lloj pasoje.

Ilustrim të kësaj dukurie përbën dhe një hollësi me vizitën e presidentit Bush. Dy ditë përpara vizitës Xhorxh Bushi do të shprehet në shtyp për Shqipërinë si “vend mysliman”, por gjatë dhe pas vizitës togu në fjalë u zëvendësua shprehimisht me “vend me tolerancë fetare”. Gjasat janë që dikush paska ndërmarrë hapa saktësimi, por problemi qëndron se shtypi i huaj e riprodhoi masivisht rastin e parë sidomos për të theksuar idenë se ja “një vend mysliman që e do Perëndimin”. Rasti më flagrant syresh i ditëve të fundit ishte dhe një gazetar i huaj që e çon myslimanizmin në Shqipëri në cakun e 95%-it. Vetëm se ka një problem, Shqipëria jo vetëm që nuk është vend mysliman, jo vetëm që nuk ka shumicë myslimane, por nuk është as vend me shumicë fetare. /ateistët/

1 KOMENT

Komentet janë mbyllur.