Fatmire Duraku
Filimena
(Insert nga romani “Ora me qostekë”)
Ditët në hapësirën e xhamisë për asgjë nuk ndërronin nga të ikurat. Datat nuk ekzistonin fare. Ato, me kohë, e humbnin rëndësinë e vet dhe vinin pa gjurmë. Njëjtë ngjante dhe me premtimet… Premtime apo gënjeshtra, pa as më të voglin ndryshim. Qe mjegull, brenda e jashtë secilit, kohë ujku. Kush merrej më me fjalën, me premtimin, përveç meje. Kush merrej më me ëndrrat, përveç meje!? Kush merrej me unin, përveç meje? Pa ngjyrë dhe pakuptim rridhte koha. Asgjë nuk paraqiste asgjë! Çastet, orët, ditët, që i përjetonim ndërmjet urisë, etjes e një shprese të zbehtë, kaq shpejt u bënë një me ngjarjet, me dhembjet, plagët, vrasjet, sa asgjë, ama asgjë, nuk vinte e papritur. Madje askush, asgjë as nuk priste më çfarëdo qoftë, gojëhapur, me sy të zgurdulluar.
Gjërat e rënda, tmerruese, morën rrjedhë normale dhe ashtu hynin në ne, pa na shkaktuar ndonjë tronditje. Çdo gjë lidhej me të mundshmen dhe si të tillë e pranonim tashmë, pa befasi të veçantë. Përtypnim – kaq herë brenda një ore, brenda një dite, fjalë të njëjta, uri të njëjtë dhe etje, pa na bërë fare përshtypje. Gjërat kaq të rënda, tragjike, ditë më ditë e morën shpirtin tonë dhe shpirtin e të përditshmes dhe i bënë një, ashtu pastaj t`i pranonim-të ftohta e pa sy. E vetmja, ndoshta, unë dilja herë-herë nga ky rreth dhe ikja nëpër sytë e Ilirit diku larg, te deti, në rërën e ngrohtë, të vizatoja diçka që nuk e njihja. Ëndërroja zgjuar, me sy të ngulitur diku në pacak. Sa herë më vërente në humbje të tillë, motra më afrohej dhe ma përplaste fytyrës ndonjë fjalë, të më ngacmonte, të më zgjonte nga diçka që përfundimisht nuk mund të prekej…
*
Terri i dendur tashmë shtrihej në secilën pëllëmbë të xhamisë. Shtypte pamëshirshëm në supet e zemrat e lënduara, në kokat e rëna në mjegull-në përpjekje të kotë të kthehen prapë nga pafundësia e honit dhe ankthi i gjallë, i futur në frymëmarrjet e frikshme, në damarët e poret e secilit, ngadalë, me tik-tak të kohës dhe ashtu humbje ndjenjën për dritën, për shpresën.
– Iliri nuk erdhi, – më iku nga brendia zëshëm brenga e shoqëruar me një rrëqethje të ndezur.
– Vjen, vjen… – ma ktheu motra dhe me t`u shtrirë pranë meje – për gjumë, më puthi në faqe.
Gruaja në moshë e kuptoi çfarë më tha ajo dhe buzëqeshi. I ngulita sytë lart, në qemerin e dritares së xhamisë, e – mora të lidhja e të zgjidhja penj të zinj e të bardhë, të matja e të çmatja udhë, hapësira të pafund, rrjedha të kota… Vonë pastaj – e pirë, e rënduar dhe e turbullt nga kryqëzime mendimesh të kota, hetova nga më gëlltiste një gjithësi e pa ajër, e pa udhë dhe pafundësisht pa formë. Ndjeja nga e humbja lidhjen me të prekshmen, me realen e hyja në një boshllëk të hirtë, me nuanca të verdha. E robëruar në një hapësirë të këtillë, të çuditshme, me grila të vjetër, pak nga pak ikja nga vetja.
Sa nuk dorëzohesha. Ta lëshoja kokën në cung e të shpërthente gjaku… E pushtuar nga gjumi, as e fjetur as e zgjuar, lëviza pak, ktheva në krah të majtë, në lutje zotit të ec udhës që ikte për në dritë. Ndërmjet dritës që nuk qe dhe udhës që sillej ngjashëm me gjarprin përreth meje, motrës e gruas së moshuar, hetova të lëvizte, si një hije e rëndë, dikush brenda xhamisë. I çela sytë, e trembur. Shikoja gojëhapur, ndërsa hija afrohej.
– Mos keni frikë, jam Iliri, – tha ai që hyri bashkë me një tufë drite të hënës në xhami e ngadalë mori të gjente udhë për te ne. Ende i fërkoja sytë, ndërsa ai prapë e tha ngadalë emrin e vet.
– Cili Ilir, – tha motra.
Ai nuk iu përgjigj, vetëm më shikoi mua, pastaj me zë të ulët ndërhyri.
– Mos ndizni dritë.
– Pse?
– Ngadalë ngrihuni dhe bëhuni gati…
– Çfarë po ndodh?
– Ata i janë afruar fshatit.
– Do të ikim edhe nga këtu? – tha gruaja në moshë.
– Të gjithë.
– Zot, – shfryva. – Sado larg të shkojmë nga toka e qielli ynë, kot është, gjithherë shtëpinë dhe dhembjen do t`i marrim me vete.
– Mos humbni kohë. Merrni me vete vetëm atë që mund ta bartni në shpinë…
– Natyrisht, – ndërhyri gruaja në moshë.
– Asgjë që mund të jetë e rëndë, e përsëriti ai dhe mori të largohej.
– Ku është babai im, – u nguta të pyesja.
– Ai është në njësit!
– Pse nuk erdhi ai?
– Mua më tha të kujdesem për ju dhe do ta bëj atë gjë.
– Me ne do të vijë edhe kjo grua, – bëra me dorë nga gruaja në moshë.
– Ajo është punë juaja.
-Po kush jeni ju? – tha Tringa.
– Iliri, a nuk të kujtohet, – ia bëra.
– Iliri?! E kush është Iliri, Eda, kush!?
– Lere ti kush jam unë, kam ardhur t`iu ndihmoj të ikni nga këtu. Bëhuni gati të ikim sa më parë… të gjithë. Një kolonë do të mësyjë nga jugu, ama – unë, kam amanet që ju të mos ikni jashtë Kosovës.
– Si do t`ia bëjmë, pra?
– Unë do të iu shoqëroj deri aty ku do të qëndroni, mos kini merak.
Gruaja në moshë kërceu nga shtroja e mori të bëhej gati.
– Tringë, mblidh rrobat e hesht. Diçka nuk është mirë, – ia bëra.
– Çfarë ashtu, – tha Iliri.
– Ç`u bë me babanë, – thash sa e habitur po aq e frikësuar. Ajo pritja e gjatë dhe me padurim të shihem me Ilirin tërësisht humbi nga shqetësimi i mosardhjes së babait. Diçka do të ketë ndodhur, gjithsesi.
– Babai… si është, pse ai nuk erdhi? – e përsërita me shqetësim të dukshëm.
– Të tregoj më vonë. Pse vonoheni… Shikoni çfarë i kanë bërë bijës së Kolës.
Filimena qëndronte në hyrje të xhamisë, e rraskapitur. Dy vetë, në uniformë të UÇK-së, e mbanin për krahësh. Në shumë pjesë të trupit rrobat i ishin shqyer. Shiheshin irnosje të rënda, kafshime, gërvishtje…
– Është rrahur e përdhunuar… – tha njëri nga ata të UÇK-së. Eca tërë e shastisur dhe iu afrova Filimenës. Ishte e tëra e shkallmuar.
– Si e shpëtuat nga duart e zeza të tyre, – u dëgjua një zë.
– Bëmë shkëmbim me disa njerëz të tyre.
– Sa vetë i kërkuan t`i lironi për të?
– Lëreni tash ato… – tha Iliri.
– Iu lus të shpejtoni. Të ikni nga këtu, po deshët t`i shpëtoni kokat.
– Duam t`iu paralajmërojmë, – tha ushtari tjetër i UÇK-së, – nesër mund të ndodh shumëçka.
– Kemi kuptuar, – ndërhyri Iliri, – për një ofensivë të ashpër kundër nesh. Me siguri nuk do të kursejnë asgjë dhe askënd.
– Të mallkuarit, – e shikova dhe pastaj ia vura dorën në sup Filimenës, me të cilën njihesha kaherë.
– Qoftë e kaluar, – ia bëra. Ajo nuk reagoi fare. – Filimena… – e thirra, por ajo prapë nuk tha gjë. – Nuk flet fare, – e shikova Ilirin.
– Ka tronditje të madhe, kot i flet. Përgjigje nuk ka…
– Ka përjetuar gjëra të tmerrshme, – ndërhyri ushtari, i cili e mbante gjithë kohën për krahu.
– Oh, zot… – ula kokën, pastaj iu hodha gjithë lot në përqafim Filimenës dhe përnjëherë ika brenda. Prapa më erdhi Iliri. Iu afrova motrës dhe gruas së moshuar.
– Duhet vdekur e – kurrsesi të mos lejojmë të biem në duart e tyre, – fola ngadalë, pastaj iu drejtova Ilirit me zë, – duhet të na tregoni më shumë se çfarë po ndodh…
– Kaq sa morëm vesh, iu treguam… Mos humbni kohë, – tha ai.
– Doja të prisja babi të vij. Ai të na tregoi se si do t`ia bëjmë…
– A je në vete ti, – më shikoi.
– Nuk ka pritje. Çdo orë është shumë e rëndësishme…
-Ç`po ndodh, – folën dy gra njëzëri.
-Asgjë, tash do të ikim nga këtu e pastaj shohim e bëjmë. – Ku mbet gruaja, – thash e habitur duke e kërkuar kot me sy gruan, me të cilën do të ikim pas Ilirit.
– Nuk është, – tha Tinga.
– Qe këtu, – ia bëra.
– Qe e nuk është…
– Zot, – mbulova kokën me duar. – Çfarë po ndodh, – e kërkova me sy gruan e moshuar. – Nuk është askund brenda!
– Ndoshta iu desh ajër i pastër. Nuk është lehtë të përjetohen të gjitha këto përplasje… – m`u afrua Tringa.
– Çfarë po ndodh, – e përsërita.
– Po ndodh ajo që po shihet, – doli jashtë nevrik Iliri.
Tringa fuste rrobat në valixhe, ndërsa unë shikoja e humbur, kot, më pastaj eca. Iu afrova derës, disa hapa larg së cilës qëndronte Iliri…
– Nuk ia dola të vija më parë, – më tha me zë të ulët ai. – Ama, do t`iu shpie në një shtëpizë që vështirë bie në sy. Aty do të kaloni një kohë e pastaj shohim e bëjmë.
– E të tjerët? – e shikova. – Ku dhe kah do t`ia mbajnë?
– Ka udhë për secilin!
– Ndoshta këtë herë zoti do të jetë me ne?
– Lere zotin. Shiko a është gati motra e – të mos vonojmë, të ecim, – tha Iliri.
– Oh, ja dhe gruaja e moshuar, – shpreha ngashërim të theksuar. – Ec, – ia bëra. Mos humb tash…
– Pse, – më pa ftohtë. – Ndoshta nuk do të vij me ju. Nuk dua t`iu bëhem barrë…
– Ty të shoh për nënë, moj. Çfarë flet? Ajo uli kokën, më pastaj m`u afrua. Në sy i ndrisnin lot.
– Mos derdhi lot tash, – tha Iliri.
– Jo, jo… – ia bëra dhe hymë brenda. I morëm valixhet, pastaj u kthyem te Iliri.
– Të mos vonojmë, pra. Të ecim, – na shikoi ai. – Do të ecim ca më gjatë, nga malet-andej, – bëri me dorë. – Te një shtëpizë, e fshehur, ku do të mund të qëndroni për ndonjë ditë.
– Për ndonjë ditë, – ndërhyri Tringa. – Pse, do të zgjasë kjo…
– Ndoshta. Varet si do bota… – tha ai. – Ecim, – morëm të ngjiteshim shpatullës së kodrës, e ata – gra, fëmijë, të moshuar, me të cilët frymuam për kaq ditë në hapësirë të njëjtë, vërejta nga larg nga qenë nisur udhës në kolonë të gjatë. Ndokush herë – herë kthente kokën dhe e shikonte edhe një herë xhaminë, në të cilin kishin përjetuar frikë, kishin thurur shpresë për jetë.