FLAKADAN GËZIMI NË SHPIRTIN E LËNDUAR TË AUTORIT

0
730

Osman Caka “Flakadanë gjurmëve plagësh“, SHB “Lena” – Prishtinë, 2018

Milazim F. KADRIU

Ndrit dielli në majat e Sharrit
I jep dritë si rrezja e arit,
Ku atje lart nuk shkrihet bora
Foletë në shkrepa i kanë shqiponjat

Janë këto vargje të shkëputura nga njëra nga poezitë e librit më të ri të poetit mërgimtar Osman Caka.

Përmbledhja me poezi “Flakadan gjurmëve plagësh“ e autorit Osman Caka është libri i 24 me radhë, por që kësaj here kjo përmbledhje është paksa më e veçantë jo për nga përmbajtja por për kohën kur është botuar ngase libri botohet në një ditë të veçantë për Kosovën, ditën kur u shpall Ushtria e Kosovës. Me këtë rast edhe autori i librit ndër tjera shprehet : “ Sot, në këtë ditë të madhe, në ditën historike për Kosovën, kur flakadanët e gëzimit shihen nëpër katër anët e Kosovës sime, edhe ne që fati na solli në mërgim, festojmë me këngë e lot krenarie. Sot festojmë edhe për ata që ranë për këtë ditë. I kujtojmë me pietet dhe e dimë se shpirtrat e tyre gëzojnë me ne. Kemi edhe dhembje krenare që ata nuk e përjetuan këtë ditë, por ranë për të na e përjetësuar këtë ditë.

Edhe unë sot festoj me mbarë bashkatdhetarët e mi, por kam në këtë ditë edhe një festë tjetër. Daljen e librit tim të 24- t “Flakadanë gjurmëve plagësh” e që do të jetë libri më i dashur për mua sepse botohet në ditën e shpalljes të USHTRISË SONË. Dy flakadanë gëzimi në shpirtin tim të lënduar…
Urime pra Kosovë!”

Dëshmorët e UÇK-së ishin rreze dielli, në qiellin e errët shqiptar. Ata ishin bijtë e bijat e kësaj toke që me heroizmin e vet shkruan faqen më të ndritshme të historisë sonë, ndërsa tash synimet e tyre po realizohen gradualisht.

Temat në poezitë e Osman Cakës në përmbledhjen “Flakadan gjurmëve plagësh“ kryesisht janë me temë mbi jetën, atdheun, dëshmorët, natyrën, …, tema të cilat i hasim edhe në librat tjerë të këtij autori.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte shpresa e një shekulli të ri, e cila u lind në Kosovë, ku autori në vargjet e tij jo vetëm i jep jehonë luftës për lirinë e Kosovës, por edhe vë përmasën e motivit e të idealit të Ushtrisë Çlirimtare, e cila i doli në mbrojtje atdheut.
Motivi i atdheut, është motivi që dominon më së shumti në vargjet e poetit Caka që gjithnjë e ëndërron atdheun e bashkuar që për te ranë shumë dëshmorë të kombit dhe ai një ditë do të bëhet realitet.

Kur të bashkohen qielli e Toka
Nuk do të qajë më nënëlokja,
Për djalin që iu vra për liri
Për t’u bashkuar me Shqipëri.

Ai asnjëherë edhe pse jeton jashtë atdheut nuk e harron vendlindjen e tij, nuk e harron Sharrin dhe bukuritë e tij. Por në shumë poezi si edhe në librat tjerë të tij hasim vargje përkushtuese për të birin Ilirin që ra në luftën për çlirimin e vendit.

Shkova, brodha e fluturova
Vendlindja ime që kam mall për ty,
Sikur ty askund s’takova
Loti më pikon kur të kujtoj ty

Për ta fituar luftën për lirinë dhe çrrënjosjen e okupatorit shekullor, për shumë trima, martirë, e heronj, kurrë nuk ka pasur hezitim. Ata as që e kanë kursyer jetën e tyre për ta fituar lirinë. Ata janë flijuar, janë skalitur, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë ende në vargjet, këngët dhe krijimet artistike.

Autori ndjen dhembje për të birin e vrarë gjatë luftës së fundit nga forcat kriminale serbe. Por njëherësh ai për birin e vetë dhe dëshmorët tjerë të rënë ndjen krenari se falë tyre dhe luftës së lavdishme të UÇK-së Kosova është çliruar nga okupatori shekullor serbosllav.

Ilir birë ti shpirtin gurë,
Për shqiponjë e për flamur,
Trim i urtë si babë e gjysh
Edhe ti birë s’ishe ndrysh

Ose

Gjaku yt e skuqi grykën
Kaçanikut ti ia fale dritën
Me gjakun tënd lumin e skuqe
Si shamia e çikës kur shkon nuse.
Ilir Caka shqiponja e Sharrit
Përherë je lulëkuqja e beharit

Tema për Çamërinë ka qenë dhe është frymëzim i përhershëm për shumë krijues letrarë. Çamëria si plaga më e rëndë kombëtare, duket se mbetet edhe më tutje një nga temat e nxehta, ku edhe poeti Caka e ka në sy e zemër që ndër tjera shkruan:

Sa vështirë e ke motra çame
Jemi rritur në kraharor të një nëne,
Qe sa kohë nuk jetoni në truallin tuaj
Në Çamëri njiheni të huaj

Ndonëse poezitë kanë edhe ngarkesë emocionale, ato i përputhë me mjeshtri kudo në natyrë dhe se ato shprehin peshën e mallit që autori ndjen larg nga vendlindja.
Si edhe librat tjerë edhe kjo përmbledhje e poezive të Cakës është e brumosur me ndjenjën e të shkruarit jashtë atdheut ku malli dhe dashuria për atdheun është i madh.

Autori me këtë përmbledhje të poezive shpreh mallin dhe dashurinë për çdo gjë që i mungon nga vendlindja, por edhe krenarinë e brengën për të, andaj një shpirt i brishtë, i vëmendshëm, i përmalluar, me dhembje, me dashuri që shpërthen në poezitë e këtij libri. Ai nëpërmes poezive të saj përshkruan se si edhe ëndrrat nuk i donë të kurbetit :

Ëndrrën nuk e dua të kurbetit
Me të në vendlindje fluturoj
Sa më kënaqet zemra ime
Në atdhe natën kur lundroj

Ai njëherësh shpreh brengën se si vendi po zbrazet nga rinia që synojnë të shkojnë jashtë duke shpresuar se atje është një jetë më e mirë, por si thotë autori nuk është ashtu. Ja si shprehet ai në vargjet e tij :

Eja me mua në mërgim
Pasi po thua se atje kemi dëfrim
Dua të bindesh për jetën tonë
E jo siç të tjerët të thonë

Edhe redaktorja e librit Flor Peci për librin e Cakës ndër tjera thotë : “Poezitë janë tё shkurtёra, ato lexohen me njё frymё, por ajo qё zgjat pambarimisht, ёshtё pёrshtypja qё tё lё ndodhia e rrёfyer, ngjarja e thurur herё spontanisht e herё qёllimisht, emocioni i rrallё, qё tё shumtёn e rasteve ёshtё emocion shkundës, për tё mos thёnё tronditёs.”

Besianë, Dhjetor 2018