Floçka

0
853

Ilustrimi nga Dea Halimi

Dea Halimi

Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën F

Dea Halimi
Dea Halimi

Shoqja e bankës më pëshpëriste te veshi diçka që nuk e kuptoja aspak.
– Fol më me zë, – ia bëra.
– Nesër do të mësojmë shkronjën F, – më tha prapë te veshi me zë të ulët.
– Je e sigurt?
– Po.
Unë, më të arritur në shtëpi, mora fjalorin e gjuhës shqipe dhe e shfletova, të përgatitesha sa më mirë për këtë shkronjë.
Të nesërmen, në orën e parë, mësuesja na njoftojë se çfarë do të mësonim.
– Të dashur fëmijë, – tha ajo, – sot do ta mësojmë shkronjë F. Cili do të na thotë diçka për këtë shkronjë.
– Unë, unë , unë… – gumëzhinte e tërë klasa. Secili donte të fliste i pari, ta shfaqte mendimin e vet.
– Hajde Dea, pra, na e thuaj ti!
– Shkronja F është një nga bashkëtingëlloret e gjuhës shqipe dhe shkronja e nëntë e alfabetit. Me këtë tingull fillojnë shumë fjalë, siç janë ftoi, flutura, fajkoi, floçka…
– Na fol më shumë për floçkën e fajkoin. – ndërhyri mësuesja Xake.
– Floçka është figurë e besimeve popullore shqiptare, që përfytyrohej si një vajzë e bukur me flokë të gjatë, e cila rrinte në liqene e në lumenj dhe dilte nganjëherë në breg për t’i krehur flokët e gjata…
– E fajkoi?
– Fajkoi është shpend grabitqar me krahë të mëdhenj, me sqep të shkurtër e të kthyer, me kthetra të forta dhe me bisht të bardhë, i ngjashëm me skifterin.
– Oh, sa mirë Dea qenke përgatitur, – kumbuan shumë zëra në klasë.
– Dua të marr një pesë te madhe, të cilën do t`ia dhurojë mamasë sime, ngaqë emri i saj fillon me shkronjën F.
– Gjithsesi e ke merituar Dea një pese me zemër për shpjegimin që i bëre shkronjës F, – më shikoi e buzëqeshur mësuesja dhe eci nga unë, që të ma shkruante një pese të madhe në shuplakën e dorës.
– Tash, të dashurit e mi të vegjël, hapni fletoret dhe të shkruajmë shkronjën F – të madhe dhe shkronjë f – të vogël.
Unë e kisha ushtruar në shtëpi këtë shkronjë dhe e para i dorëzova mësueses fletoren, në të cilën kisha shkruar një faqe me shkronjën F-f.
Ndihesha shumë e lumtur. Prisja me padurim të vinte të më marrë mamaja, ta përqafoja me pesën e madhe të shkruar nga mësuesja në shuplakë të dorës.