Gjeneral Telini – vrasje e pabesë në pritë

0
204
Monumenti i Telinit

Elida Jorgoni

I dua shqiptaret, thonte ai (Gjeneral Telini) sepse janë zemërbardhë dhe trima. Mjerisht, ata po vuajnë keqbërësitë e fqinjëve. Do të përpiqem t’ua pakësoj mundimet dhe t’ua lehtësoj dhimbjet kombëtare”.

Vrasje e pabesë në pritë.

Ishte data 27 gusht e vitit 1923, Komisioni i Kufirit do të shkonte nga Janina në Kakavijë, ku do të përfundonte vendosjen e disa gurëve kufitarë atje. Gjenerali do të shkonte më pas në Korfuz për disa ditë, pasi ishte, siç i kishte deklaruar një ditë më parë bashkatdhetarëve të vet, shumë i mërzitur nga qëndrimi i kolonel Boçarit. Një ditë më parë, ky kishte dhënë një drekë me rastin e ditëlindjes së gjeneralit. Kjo kishte ulur disi tensionin midis tyre. Herët në mëngjes u nisën nga Janina automobilat e delegatëve shqiptarë, grekë e italianë.

Automobili i Boçarit pësoi një defekt. Gjenerali, kur mbërriti aty, i kërkoi kolonelit të shkonte me ta, pasi në makinën e tyre kishte vend edhe për një person tjetër, por koloneli nuk e pranoi këtë ftesë. Automobili i italianëve parakaloi atë grek, duke ndjekur automobilin shqiptar, që shkonte i pari gjatë rrugës nuk pa asgjë të dyshimtë. Vetëm në një vend, fare afër vendit, ku më pas do të kryhej krimi, doktor Xhioti, topografi italian, që udhëtonte në makinën shqiptare, kishte parë tre ushtarë grekë, që kishin me vete një sharrë e dy sopata e pak më përpara një oficer topograf grek. Gjenerali ishte 30 minuta larg përfaqësisë shqiptare.

Pasi kaloi automobili i komisionit shqiptar, në vendin e quajtur Zepe, 4 km larg Delvinaqit dhe 10 km larg kufirit shqiptar, midis Delviqanit dhe Arnishtës, gjaksorët bllokuan rrugën me drurë të mëdhenj. Vendi i zgjedhur ishte shumë i përshtatshëm për pusi, në brrylin e një kthese. Kur arriti automobili i gjeneralit, shoferi Renixho Farneti dhe përkthyesi shqiptar Thanas Kraveri (Leskoviku) zbritën për të larguar drurët nga rruga, por u qëlluan prej gjakësorëve dhe mbetën të vdekur që të dy. U vra dhe doktori Luixhi Korti, që ndodhej brenda në makinë. Adjutanti Mario Bonaçini, sapo u hodh prej automobilit u plagos rëndë e mbeti nën të. Gjenerali u hodh nga makina dhe pasi u largua rreth 20 metra mbeti i vrarë me revolver në dorë.

Masakra është bërë rreth orës 09:10 minuta, kurse Janina u lajmërua për ngjarjen në orën 02.00 pas mesnate, edhe pse komisioni grek kishte arritur në vendin e krimit në orën 10:00 të mëngjesit. Nga ora 08.45 deri në orën 10:00, misioni shqiptar e priti me kot atë italian. Disa herë ai kërkoi të kthehej të shikonte se ç’kishte ndodhur, por posta ushtarake greke e Kakavisë e ndaloi atë 5 herë rresht. Vetëm në orën 17:00 iu dorëzua delegatit shqiptar një telegram, me anë të të cilit lajmërohej se misioni italian nuk mund të vazhdonte në drejtimin e caktuar, sepse ishin parë banditë rreth e rrotull.

Delegati shqiptar i mbeshtetur nga dr. Xhioti, i Institutit Gjeografik Italian, kërkoi sërishmi që të shkonte në ndihmë të gjeneral Telinit, por përsëri nuk u lejua një gjë e tillë. Vetëm në orën 18.00 iu dha leja për të kaluar. Rrugës morën vesh që vrasja kishte ndodhur në orën 09.00 të mëngjesit. Trupat ishin transportuar në Janinë dhe në vendin e ngjarjes kishin mbetur vetem disa gjurmë gjaku.

Ekzekutimi i gjeneral Enriko Telinit dhe i gjithë stafit të tij futi në lojë një personazh të paparashikueshëm – Kryeministrin italian Benito Musolini. Edhe pse të gjithë ata që humbën jetën i përkisnin një komisioni teknik të dërguar nga Lidhja e Kombeve, Musolini e pa ngjarjen si një çështje ekskluzivisht italiane.

Kështu, pa asnjë komunikim me Lidhjen e Kombeve, dhe asnjë konsultë me katër fuqitë e mëdha aleate, Anglinë, Francën, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, ai u vë grekëve disa kushte ultimative që duhet të përmbusheshin brenda 24 orëve. Greqia dhe Shqipëria për të zgjidhur mosmarrëveshjen për kufirin midis tyre, e çuan çeshtjen në Konferencën e Ambasadorëve.

Për të përcaktuar kufirin, dhe zgjidhur mosmarrëveshjen, i autorizuar nga Lidhja e Kombeve, Konferenca e Ambasadorëve krijoi një komision me zyrtarë anglezë, francezë dhe italianë. Gjenerali italian Enrico Telini u caktua kryetar i Komisionit. Që nga fillimi i negociatave, marrëdhëniet midis Greqisë dhe Komisionit ishin negative. Perfaqesuesi grek akuzoi hapur Telinin se ka punuar në favor të pretendimeve të Shqipërisë.

Më 27 gusht 1923 gjenerali italian Enrico Tellini, major Luigi Corti, toger Luigi Bonacini dhe një përkthyes shqiptar ranë në pritë dhe u vranë nga vrases të panjohur afër qytetit të Janinës, brenda territorit grek. Asnjë nga viktimat nuk u grabit. Sipas disa burimeve, gazetave italiane dhe deklaratës zyrtare të Shqipërisë, vrasesit ishin nacionalistët grekë; ndërsa sipas deklaratës zyrtare të Greqisë, u vranë nga “banditë shqiptarë”.

Më 29 gusht 1923, Italia i dërgoi një ultimatum Greqisë ku kërkonte:
1 – Një falje zyrtare të plotë në Legatën Italiane në Athinë.
2 – Funeral solemn në katedralen katolike në Athinë, në prani të të gjithë Qeverisë Greke.
3 – Nderime ushtarake për trupat e viktimave.
4 – Nderime të plota nga flota greke ndaj flotës italiane, që do të dërgohej ne Pire.
5 – Dënim kapital për fajtorët.
6 – Dëmshpërblim prej 50 milionë liretash brenda pesë ditëve nga marrja e Notës.
7 – Një hetim i rreptë, i shpejtë me ndihmën e atasheut ushtarak Mbretëror Italian.

Italia kërkoi që Greqia t’i përgjigjej ultimatumit brenda 24 orëve. Greqia iu përgjigj Italisë më 30 gusht 1923, duke pranuar katër nga shtatë kërkesat.

Musolini dhe Kabineti Italian, përgjigjen e qeverisë Greke e deklaruan te papranueshme. Shtypi italian, përfshirë atë të opozitës, mbështeten kërkesat e Musolinit dhe këmbënguli që Greqia të pajtohej pa diskutim me kërkesat.

Më 31 gusht 1923, një skuadrilje e Marinës Italiane bombardoi ishullin grek të Korfuzit dhe zbarkoi 10 mijë trupa. Pati të vrarë dhe të plagosur civilë, por asnjë ushtarak.

Shqipëria përforcoi kufirin dhe mbylli kalimin. Gazetat serbe deklaruan se Serbia do të mbështesë Greqinë. Disa njerëz në Turqi e këshilluan Mustafa Kemalin, që të shfrytëzonte rastin për të pushtuar Thrakinë Perëndimore.

Më 8 shtator Konferenca e Ambasadorëve e njoftoi Greqinë dhe Italinë, si dhe Lidhjen e Kombeve, për kushtet e zgjidhjes së mosmarrëveshjes.

(1) Flota Greke të përshëndesë Flotën Italiane me 21 te shtena topash në Pire, kur të hyjë në port, e shoqeruar nga anijet luftarake Franceze dhe Britanike, (2 ) Ne shërbimin funeral të marre pjese Kabineti Grek, (3) nderime ushtarake të vrarëve pas nisjes në Preveze, (4) Greqia do të depozitojë 50,000,000 lireta në një bankë zvicerane si garanci, (5) Atoriteti më i lartë ushtarak i Greqise t’i kërkojë falje përfaqësuesve britanikë, francezë dhe italianë në Athinë, (6) do të ketë një hetim grek për vrasjet, i cili duhet të mbikëqyret nga një komision i posaçëm ndërkombëtar i kryesuar nga nënkolonel Shibuya, atasheu ushtarak i ambasadës japoneze, (7) Greqia të garantojë sigurinë e komisionit dhe të mbulojë shpenzimet e tij dhe konferenca i kërkoi Qeverise Greke të komunikojë pranimin e plotë dhe menjëherë te kushteve, veçmas, dhe njëkohësisht te përfaqësuesit britanikë, francezë dhe italianë në Athinë. Gjithashtu, (9) konferenca i kërkoi Qeverisë Shqiptare të lehtësonte punën e komisionit në territorin shqiptar.

Greqia, më 8 shtator dhe Italia, më 10 shtator, e pranuan zgjidhjen. Por, Italia shtoi, se nuk do të evakuonte ishullin, derisa Greqia të plotesonte kushtet.