Gjon Keka: Edukimi sipas traditës arbnore europiane

0
602

Nga Arbnori.Info27 Gusht 2018

Edukimi është shpirti i shoqërisë, i kombit, shtetit, vetë karakterit dhe formimit të shoqërisë demokratike e të ardhmes së brezave. Thjesht, edukimi është themeli mbi të cilin ndërtohen të gjitha institucionet morale, familjare, kulturore, politike etj.

Por, me të drejtë ditët e sotme lind pyetja: Çfarë ndikimi ka edukimi i tanishëm te brezat e së ardhmes? Nisur nga kjo, edukimi shqiptar duhet të nisë brenda pragut të familjes dhe të mos e mbajë shpresën vetëm tek ajo çfarë mund të bëjnë institucionet. Ashtu si fara që bujku e hedh në tokë, pret të mbijë nga dheu e më pas të japë frytet, kështu edhe edukimi duhet të burojë që në gjenezën e njeriut, me qëllim që të reflektojë më pas në sfondin e gjerë të jetës së mjedisit ku do të jetojë e veprojë.

Vetëm kështu ky lloj edukimi i shërben të mirës dhe forcimit të themeleve të shoqërisë, popullit, shtetit dhe institucioneve përgjegjëse. Edukimi shqiptar duhet t’i ngjajë edukimit të stilit europian që aplikohet për brezat e rinj dhe për mbarë shoqërinë në përgjithësi. Shoqëria shqiptare duhet ta kuptojë thellë zhvillimin e forcës së ndjenjës, ringjalljen e interesit për të jetuar me të vërtetën dhe të mirën, si të vetmin objekt edukimi të përgjithshëm për shoqërinë në një shtet të vërtetë demokratik.

Edukimi shqiptar nuk duhet ta përcaktojë vlerën kryesore njerëzore vetëm në një shumëllojshmëri dijesh, por të përpiqet të arrijë të formojë karakterin e shtetasve të saj që kurorëzohet jo vetëm me edukimin moral, por edhe me atë fizik të shoqërisë në përgjithësi. Gjithashtu, edukimi shqiptar duhet të ketë një shtrirje të gjerë në popullsi, herë-herë edhe me ashpërsi, por në thelb me bindje, devotshmëri, përpjekje dhe zell. Vetëm nëpërmjet një edukimi sipas traditës shqiptare, me thjeshtësi, dëlirësi, sinqeriteti dhe të vërtetë. Ky lloj edukimi tradicional nuk duhet ta mohojë karakterin e formimit universal të njeriut. Vlen dhe është e rëndësishme të nënvizohet se edukimi shqiptar duhet të jetë shprehje e përgjithshme e betejës (luftës) në formë njerëzore e kombëtare, larg të gjitha veseve dhe çdo sindrome të huaj, veçanërisht në rininë e hershme të njeriut.

Edukimi shqiptar duhet ta respektojë individualitetin e fëmijëve të këtij shteti, të çmojë veçantitë provinciale dhe dallimet e fisit, porse në lidhje me marrëdhënien e unitetit kombëtar ai duhet të jetë një dhe pa asnjë lloj dallimi. E rëndësishme është të zgjohet vetëdija kombëtare, ndjenja e thellë e dashurisë për kombin, të cilat natyrshëm të çojnë drejt njohjes së thesareve kombëtare dhe të ngjallin idenë e bashkimit jo vetëm me gjenezën tënde, por edhe me familjen e gjerë europiane.

Ashtu si në çdo shoqëri, edhe ajo shqiptare përbëhet prej personaliteteve të ndryshme, ndaj dhe edukimi duhet të nënkuptojë se çdonjëri është një qëllim në vetvete.

Kështu që, për ta njohur personalitetin dhe lirinë individuale të secilit, e cila, në fakt, e bën individin të ndihet i veçantë, duhet të shtrihemi në tri fusha: në sferën qytetare, morale a shpirtërore, si dhe në atë politike. Këto parime të edukimit duhet të jenë forca e brendshme lëvizëse e jetës shqiptare, shoqërisë, shtetit etj.

Vetë edukimi duhet të jetë produkt i dashurisë së frymës arbërore apo shqiptare, mendësisë kulturore, lirisë dhe parimit të demokracisë së vërtetë. Nisur nga e gjithë kjo, edukimi politik mund të përcaktohet si i tillë vetëm kur ne e njohim objektivin apo qëllimin se ku kërkojmë të arrijmë si njerëz të qytetëruar të një shteti modern që aspiron të hyjë në familjen e madhe europiane. Vetëm nëse shoqëria dhe vetë shteti duan të kenë fryte të arrira morale dhe vlera të vërteta kombëtare, mund të kryhet qëllimi i lartë i edukimit të një kombi.

Ne si kombas shqiptarë mund të flasim për një edukim të vërtetë qytetar vetëm atëherë kur njeriu ynë të arrijë të mendojë me ndërgjegjen e vet, kur ai të çlirohet prej paragjykimeve dhe iluzioneve, kur të kujdeset për shëndetin e shoqërisë, të reflektojë në mënyrë kritike për të kryer ndryshime të mëdha brenda shoqërisë së vendit ku jeton e vepron.

Edukimi i vërtetë ka si themele dhe kolona mbajtëse të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë. Këto të tria bëhen engjëll mbrojtës për të gjithë shoqërinë, për të gjithë popujt, për të gjitha shtetet dhe institucionet arsimore e edukative të çdo vendi demokratik. Ky lloj edukimi lulëzon ndër breza dhe jep veçse fryte të dobishme të dijes, kulturës, artit dhe qytetarisë në të mirën e përgjithshme të shoqërisë dhe të shtetit.

Në këtë sfond, do të veçoj edhe diçka tjetër që është e rëndësishme, në lidhje me edukimin që nga antikiteti. Në kohën e tij, Soloni, respektivisht me “Rregullat (ligjet) pedagogjike” 1 mbi edukimin që ai kishte hartuar, tregon qartë natyrën dhe karakterin e pastër të edukimit, arsimimit dhe të rendit në shkolla dhe institucione të dijes. Pikërisht dispozitat e tij përbëjnë thelbin e edukimit dhe të arsimimit në atë kohë të athinasve të rinj, duke i larguar ata nga çoroditja dhe mosdija.

(Gjon Keka: Edukimi Politik, Botart, Tiranë 2016)