Grimca bisedash me Pjetër Arbnorin

0
592
Pjetër Arbnori

Bislim Ahmetaj

(Si shenjë kujtese në përvjetorin e 13-të, të ikjes së tij për n’Parajsë)

Në 13 vjetorin e përcjelljes për në banesën e fundit të njërit prej simboleve më të spikatura të qëndresës në gjithë botën e Lindjes komuniste, më erdhën në mendje disa prej çasteve dhe bisedave më të bukura, që kam pas rastin të kem me Pjetër Arbnorin, përgjatë viteve 90-2006. Kam qënë me fat, që ai me ka dashur dhe ka pranuar të më pranojë në miqësinë e tij edhe si pjesë e politikës në PD, por edhe si njerëz të letrave, gjithashtu kemi rastisur të jemi bashkë në disa udhëtime jashtë vendit si në Zvicër, Francë dhe në SHBA.

Njeri plotë dije dhe po kaq i thjeshtë, i fortë dhe i brishtë sa vuajtja e tij, i çiltër dhe me një ndjenjë humori të hollë, i qeshur dhe fjalë embël, i dashuruar pas të bukurës dhe njerëzve të lirë. Disa prej bisedave që më kanë mbetur në mendje gjatë takimeve me të, po i ndaj me ju miqtë e mi të FB-së.

* * *

Kishte ardhur në një takim përkujtimor në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe pas takimit do të udhëtonte për Shkodër, pasi aso kohe jetonte akoma në Shkodër, në dorë mbante një valixhe të vogël diplomatike. Dikush nga të pranishmit e shumtë në atë takim e pyeti plot keqdashje: Thonë që në valixhe mban florijtë, që i ke marrë si dëmshpërblim për vitet e burgut.

Ai u përgjigj: E kam dëgjue edhe herë të tjera këtë thashethem, por unë edhe pse jam Kryetar i Parlamentit, akoma vazhdoj e baj jetën e konviktorit pesë ditë në Tiranë e dy në shpi, në këtë çantën diplomatike mbaj veglat e rrojës dhe këmishat e palame. Dhe nuk bani as nji, as dy veç e hapi çantën në sy të gati një mijë të pranishmve.

* * *

Ulur pranë njëri tjetrit në një mbledhje të Këshillit Kombëtar pas viteve 97 në një kohë kur marrëdheniet e Partisë Demokratike me perëndimin s’ishin aspak të mira. Berisha mbajti një fjalim të gjatë dhe pasi e mbylli, ju drejtua anëtarëve të KK me një fjali të ftohtë dhe të shkurtër: Ka kush për të folur? Unë i them Pjetrit – Çou e fol. Ai mu përgjigj – po ç’a me thanë? Po thuaj të paktën të lumtë goja. Pjetri qeshi me të madhe dhe m’u kthye – Bislim unë s’kam moshë me u prishë me kënd, se nuk më del koha me u rregullue, ti je i ri dhe ke kohë edhe me u prishë edhe me u rregullue me njerëz…

* * *

Në Zyrih pas një takimi me shqiptarë, kryesisht të Kosovës, kishim dalë dhe po ecnim në qendër të qytetit, para nesh u shfaq katedralja e mrekullueshme buzë liqenit. Sa e bukur kjo xhamia Pjeter! – them unë. Ashtë kishë Bislim – ma kthen. Unë vazhdoj me timen – Sikur të ishte xhami do ia kishim gjetë një hoxhë katolik dhe i kishim ba rahat tanë besimtarët myslimanë të Zyrihut. Tre katër vetë që ishin me ne, po më shihnin krejt dyshim, e njani që e kisha në krah më bjen me bërryl, në mënyrë që ta ndalë këtë bisedë. Pjetra tanë amëlsi me kthehet – S’do kish kenë keq, po edhe pse ashtë kishë s’besoj se prishë ndojnjë punë të madhe…

* **

Një ditë tjetër, po në Zvicër u ulëm në një lokal shqiptarësh, kamarieri po shqiptar gjithë respekt e pyeti – Çka t’ju sjellë diçka me pi zotni Pjetër? Një birrë – u përgjigj dhe vazhdoi bisedën me dikë. Çfarë birrë zotni Pjetër – prapë kamarieri. Ça të zanë dora për ma kollaj, se jam i sigurtë që sejcila prej tyre është birrë origjinale, pasi në Shqipëri veç etiketat i kanë të ndryshme, se besa tana mbushen në një vend e tana llojet janë njëlloj…

Dikush që kishte rezervuar hotelin bani gabimin e zakonshëm dhe për me ju lavdërue bashkëatdhetarëve të vet tregoi edhe çmimin. Hoteli ishte me pesë yje në qendër të Zyrihut dhe çmimi sigurisht që ishte shumë i lartë. Pjetri iu kthye – Unë të falenderoj me zemër por s’muj me fjetë në një hotel aq të shtrejtë, kam fjetë gati 30 vjetë në dyshek kashte, herë të shtruem në një copë drrasë e ma së shumti në çimento. Nëqoftëse mund ta anulosh rezervimin ashtë ma mirë me na i dhanë ato pare në dorë, pasi fatkeqësisht ne në Partinë Demokratike s’kena lekë as për rrogat e pastrueseve dhe rojeve…

Dhe ashtu ndodhi, na i mblodhën 1800 franga zvicerane dhe ia sollëm financave të varfera të Partisë Demokratike. Pjetra fjeti te shpia e të ndjerit Mhill Berisha, një atdhetar i shquar, i cili kishte ndërtuar një apartament të veçantë për mysafirët e shquar, që vinin kryesisht nga Kosova por edhe nga Shqiperia. Në atë apartament kanë fjetur Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Mark Krasniqi dhe shumica e liderave të Kosovës në kohët kur shtegtonin në kancelaritë e Europës dhe në SHBA, në kërkim të pavarësisë së shtetit të Kosovës. Në atë apartament kam fjetur edhe unë…

* * *

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Nëntor të 2002, kohë kur emri i zotit Arbnori përflitej si njëri prej kandidatëve potencialë për President të Republikës, pasi kishim ba takime me komunitetin e shqiptarëve në New Jork, me kreun e ligës Shqiptare Amerikane zotin DioGuardi, me kreun e Vatrës Agim Karagjozi dhe drejtuesit e tjerë të kësaj organizate, takimin më të rëndësishëm e kishim me Senatorin Joe Biden, aso kohe shefi i marrëdhenieve me jashtë të Senatit të SHBA-ve. Pasi iu përgjigj disa pyetjeve të zotit Biden për situatën politike në Shqipëri, ra heshtja, i them shqip thuaj për pretendimet, që ke për t’u zgjedhur President. Lene atë muhabet – unë heshta.

Biseda zgjati edhe shtatë – tetë minuta me falenderime për mbështetjen, që i jep SHBA kombit shqiptar dhe këtu i shtërnguam duart me të dhe u ndamë. Kur mbetëm vëtëm, i thashë – Pse s’i the që Shqipëria ka nevojë të ketë një President, që vjen nga shtresa e të përsekutuarve politikë, qoftë edhe si një ekuilibër social etj., etj. Bislim të di për djalë të mençëm, nuk e ban kush Presidentin në Shqipëri prej shtresës tonë, u duhet komunistave ai post edhe për shumë vite…

* * *

Kur kandidoi për kryetar të PDSH, e takova dhe i thashë, që votën time e ke, por jam i bindun se s’ke asnjë shansë me fitue. E di – me tha – jam duke e ba me shpëtue moralin e Sali Berishës, që të mos kandidojë i vetëm, si Enveri në kohën e dreqit.

* * *

Bisedën e fundit që kam pasë me të shndritshmin Pjetër Arbnori, e kam ba me telefon në pranverë të 2006. Pasi lexova në një prej gazetave të përditshme një lajm të shkurtër, ku thuhej që “Pjetër Arbnori është nominuar si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shejntë në Vatikan”, më erdhi mirë dhe punën e parë që bana, e mora në telefon që ta uroj. U pyetëm për shëndetin, më tha që s’kishte qënë fort mirë kohëve të fundit.

Më pas i thashë – që po më bahet qejfi fort, që ju paska ra ndërmend për ty, edhe pse honorifik si post, ashtë një punë fort fisnike dhe një mbyllje karriere gati mistike për një njeri me një jetë si tuajën, që e keni pa ferrin dhe parajsën për së gjalli... Nga ana tjetër e tefonit, m’u përgjigj një zë i butë, pa asnjë dozë ligësie – Edhe unë do kisha pasë qejf me kanë i vertetë ai lajm, por mua s’më ka thanë kush asnji fjalë, kështu që po mendoj se ashtë një thashëthem i zakonshëm gazetarësh…

Tiranë, më 11 korrik 2017