GRUSHTI I SHTETIT

0
512

Xhelal Zejneli

Grushti i shtetit (frëngjisht “Coup d’Etat”) është term që nënkupton ndërrimin e qeverisë të kryer me dhunë nga individë apo nga një grup njerëzish të cilët ndodhen në pozita të larta shtetërore apo ushtarake. Grushti i shtetit dallohet nga revolucioni për arsye se kryhet “nga lartë”. Grushtin e shtetit rëndom e kryen aparati shtetëror ose një pjesë e tij, kryesisht ushtria. Përdore edhe termi puç ushtarak.

Ndërrimi i dhunshëm apo jodemokratik i qeverive, d.m.th. grushti i shtetit apo puçi ushtarak ndërmerret apo kryhet sidomos në shtetet me tradita demokratike të kufizuara. Në të kaluarën jo fort të largët, grushte shteti apo puçe ushtarake kryheshin kryesisht në shtetet e Afrikës si dhe në Amerikën Latine. Grusht shteti apo puç ushtarak ka pasur disa herë edhe në Turqi.

Kur faktorët politikë apo partitë politike të një vendi janë në mosmarrëveshje të thellë ndër vete, atëherë ai vend hyn në krizë politike. Kur ndërmjet një shumice parlamentare, në një anë dhe opozitës, në nën tjetër, për arsye të caktuara ka mosmarrëveshje, atëbotë ky shtet zhytet në krizë politike.

Shpeshherë ndodh që grushti i shtetit apo puçi ushtarak të nxitet apo të mbështetet nga jashtë, d.m.th. nga ndonjë fuqi e madhe e jashtme që ka interesa të caktuar në një shtetin e caktuar.

Kriza politike e shkaktuar nga konflikti politik ndërmjet opozitës, në një anë dhe qeverisë, në anën tjetër, po qe se zgjat shumë, atëherë kjo mund t’i irritojë qarqet ushtarake të shtetit. Po qe se qeveritarët, në një anë dhe opozita, në anën tjetër, nuk ulen të gjejnë zgjidhje për problemet që realisht mund të ekzistojnë në atë shtet apo që opozita i konsideron si të tilla, atëherë ndodh që të vihen në veprim qarqet ushtarake.

Ushtarakët, kryesisht të gradave të larta, puçin ushtarak e arsyetojnë duke thënë:
– rrezikohet siguria e vendit;
– rrezikohet tërësia e tokave apo integriteti territorial i vendit;
– vendi mund të hyjë në konflikt civil;
– vihet në dyshim funksionimi normal i institucione vitale të shtetit;
– rrënohet ekonomia e vendit;
– rrënohet imazhi i vendit para bashkësisë ndërkombëtare;
– vihet në dyshim interesi strategjik i shtetit;
– vihet në dyshim interesi kombëtar i vendit etj.

Kur kriza politike e një vendi arrin kulmin dhe kur ajo përcillet edhe me krizë ekonomike, me krizë sociale, me krizë morale, me rritje të papunësisë dhe me inflacion të madh, atëherë ndodh që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të një vendi ta arsyetojnë, në mos edhe ta mirëpresin grushtin e shtetit apo puçin ushtarak.

Me grushtin e shtetit pezullohen institucionet politike të shtetit, si presidenca, kuvendi i shtetit, qeveria. Ndalohet apo pezullohet edhe veprimtaria e partive politike, ndërsa krerët politikë, ose arrestohen, ose mbahen nën arrest shtëpiak.
Ndodh që gjatë një grushti shteti apo puçi ushtarak të ketë edhe gjakderdhje.

* * *

Në kontinentin e Evropës, grushti i shtetit apo puçi ushtarak ndodh shumë rrallë, për të mos thënë nuk ndodh fare.
Më 21 prill 1967, vetëm disa javë para zgjedhjeve parlamentare, koloneli Geogios Papadopulos bëri grusht shteti, përkatësisht puç ushtarak në Greqi. Diktatura e juntës ushtarake në Greqi zgjati shtatë vjet.

Grusht shteti kemi edhe në Poloni. Më 13 dhjetor 1981 gjeneral Vojqeh Jaruzelski i cili në atë kohë ishte kryeministër, shpalli gjendje lufte, përkatësisht gjendje të jashtëzakonshme.

Në Evropë vlejnë normat dhe parimet demokratike. Në kontinentin e vjetër, qeveritë ndërrohen nëpërmjet procesit zgjedhor. Pushteti në Evropë, qoftë ai qendror, qoftë ai vendor, merret dhe fitohet nëpërmjet votës së lirë të qytetarëve. Pikërisht për këtë arsye zgjedhjet duhet të jenë të lira, të drejta, korrekte dhe demokratike.

Shqipëria është vend evropian, me shqiptarët si popull perëndimor. Shpresat e kapërcimit të krizës politike duket sikur janë të vobekta. Një konflikt civil mu para dyerve të Evropës është i paimagjinueshëm. Për ta parandaluar rënien në humnerë dhe për ta hapur horizontin e shpresës, ndër shqiptarët do të mbizotërojë arsyeja.