Halitistët…

0
516

Rex Kasumaj, Berlin, maj 2018

(Ose milionët e asgjësë)

1.
Një zhbirim, një hallakatje tronditëse shprish prehjen limontine të biografive heroike.

Gjithçka dukej e kryer. E mbuluar me pëlhurën e qefintë. E arkivoluar dhe e pahapshme. Deri në përfundim të historisë.

Por, një personazh i Ecos, ndërsa e lexoja në orët e muzgut, nga thellësia mesjetare dërgonte kumtin: herezinë e të thjeshtëve e rrëzon padija e vet.

2.
Studio prakvere. Jashtë saj blernajë përtrirëse që ndjekë ritualin e stinës, krejt indiferente ndaj marrëzisë njerëzore. I ftuar aty, një dinast lëkurëtrashë i kooperativës politike.

Është Haliti i prapaskenave të luftës që, i dalë nga mbretëria e lumtur e heshtjes, thotë: jo, jo nuk bëhet fjalë të ketë pranuar tetë milionë euro në emër të Uçk-së. Më pak, por e vlen athua të flitet për dy-tre milionë? Ç’janë ato, shton ai, dhe, me një kundërqëndrim të ftohtë e sfidues, i kthehet moderatorit: po dhe ju vetë keni aq…Po, po edhe ju keni kapital…

Nga ky rrëfim i vështirë rrjedhojnë dy gjëra rrënqethëse: e para, disa milionë s’qenkëshin asgjë në Kosovë, ose si e cilëson shtypi gjerman, në “Shtëpinë më të varfër të Europës”, dhe e dyta, s’prish gjë, punë e madhe si janë vënë e nga vijnë: burimi, menaxhimi, morali a legaliteti dhe, e treta, lekët e intervistuesit, në kishte ndonjë menjanë, s’mund të kenë status njëjtësor. Gjurmë e tyre nuk shpie tek fondet, plot gjak e lot, të Rezistencës.

Një ditë shkrova për dy botët e Uçk-së, dhe ja, këta janë figurinat e së dytës, virtuales: të hijes, salloneve të shkëlqimta, përbetimeve, plangprishjes, lavdisë së rrëmbyer, të Brutëve…

3.
Në këtë kontekst shpjegimi, e kujtoj një rrëfim, grotesk e të trishtë, të At Zefit. Ndërsa bënte burgun e diktaturës, do të vërente gjithçka: ndoshta anën tjetër, të shëmtuar, të jetës dhe njeriut. Por një dromcë dërmuese do shpalosej e veçantë në shkrimet e tij memoriale.

Justifikimi i një nëne që, saherë vizitonte t’birin e ngujuar prapa grilave, përsëritej si refren shkallmues, ishte, si më thënë, një përmbysje e kullës etike. Anipse në mote tiranie kishte një logjikë, britma shfajsuese vente përtej çdo shkolle tradicionale të saj: shyqyr, thoshte ajo mburrshëm, që im bir nuk bën burg për politikë, por vetëm për hajni!

Tani a ka vallë, a është shpikur akoma një peshore që do të maste raportin përparësor mes tyre, aktit të ndaluar grabitçar e atij politik? Dhe poashtu: që do të shenjonte kufirin e epërm, të lejueshëm e moral të hajnisë?

Apo, mbase, “halitistët”, si nëna e sagës së At Zefit, përçmojnë ndëshkimin politik, të ultë e paburrnor dhe admirojnë deri në idhujtari veprën e bekuar, ftyrëshpëtuese të hajnisë dhe burgun e saj fisnik!..

“E qeshura është dëfrim i vegjëlisë që duhet të poshtëruar me anën e zymtisë”, këshillon sërish protagonisti i errtë manastiror. Këtë mësim çjetëzues do t’a kenë absolvuar përsosmërisht sundtarët provincialë dhe, prandaj, pajuar dhunësie, i mëshojnë ditë e natë kumbonave të poshtërimit zymtor!..

R. K.