Hekurudha “Tiranë-Durrës-Rinas”, grant 35 milionë euro nga Bashkimi Europian

0
588

Lexo.al, 24 Shkurt 2018

Bashkimi Europian do të ofrojë një grant prej mbi se 35 milionë eurosh për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimin e linjës së re që e lidh me Aeroportin e Rinasit.

Vendimi i marrëveshjes së grantit ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është miratuar sot nga Këshilli i Ministrave dhe do t’i drejtohet Kuvendit për diskutim dhe votim.

Përmes këtij projekti synohet rehabilitimi dhe modernizimi i linjës hekurudhore me standardet e Bashkimit Europian si dhe ndërtimin i linjës së re hekurudhore me Rinasin.

Përveçse pritet të rrisë sigurinë për transportin hekurudhor të udhëtarëve dhe mallrave ndërmjet Tiranës, Durrësit dhe Aeroportit, ky projekt shihet si një ‘instrument’ që pritet të ketë ndikim ekonomik jo vetëm në zonat që përfshin, por në të gjithë vendin.

Pjesë e këtij projekti do të jetë edhe vendosja e stacionit të trenit në vendin historik në kryeqytet. Propozimet aktuale janë që në Tiranë të vijnë vetëm vagonët e udhëtarëve, ndërsa mallrat do të qëndrojnë stacionin e Kasharit.